DEKLARATË E KMDLNj-së: DR. HAFIR SHALA – DREJTËSI E PAREALIZUAR NË DITËN NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Prishtinë, 20 dhjetor 2020: Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut e kjo datë, në mbarë botën shënohet si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Të gjitha shtetet dhe vendet që e kanë ratifikuar këtë Deklaratë janë të obliguara ta zbatojnë këtë dhe për moszbatim, edhe sanksionohen. Kjo Deklaratë , në të njëjtën kohë u bë pjesë integrale e kushtetutave të vendeve ratifikuese sikur që është pjesë edhe e Kushtetutës së Kosovës. Shpirti, motivi, mendja dhe forca udhëheqëse e kësaj Deklarate është parimi i universalitetit i të drejtave të njeriut. Parimet themelore të kësaj Deklarate janë se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta dhe se gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të parashtruara në këtë Deklaratë, pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Pastaj, gjithkush ka të drejtë të jetojë i lirë dhe asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav sikur që askush nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, trajtimit ose dënimit të egër, jonjerëzor dhe poshtërues.
Më tej, ndër të tjera, në këtë Deklaratë thuhet se asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit, se të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë të drejtën të mbrohen, pa asnjë diskriminim para dhe nga ligji sikur që gjithkush gëzon të drejtën për një proces gjyqësor objektiv para një gjykate të pavarur e të paanshme dhe shumë nene të tjera që përmbanë kjo Deklaratë por se shkelen nga shtetet nënshkruese .

Dr. Hafir Shala ishte humanist (aktivist i Sh, B. “Nëna Tereze“), aktivist për të drejtat e njeriut (bashkëpunëtor i KMDLNj-së), mjek i diplomuar në Universitetin e Zagrebit, Kroaci, ish i burgosur politik i torturuar në llogoret dhe kampet në Kosovë si dhe në Kroaci ku vuajti dënimin bashkë me Fituesin e Çmimit Saharov, Adem Demaçi, demokrat dhe liberal i orëve të para si dhe mjek që i ka shërbyer me devotshmëri dhe profesionalizëm civilëve si dhe ushtarëve të UÇK-së, para dhe në fillim të luftës, deri në momentin kur arbitrarisht u arrestua nga Sigurimi shtetëror i Serbisë më datë 10 prill 1998 në fsh. Sllatinë, në autorrugën Prishtinë – Pejë.
Dr. Hafir Shala është arrestuar arbitrarisht në prani të dy dëshmitarëve, Shaban Neziri dhe Hetem Sinani pasi kanë udhëtuar në të njëjtën veturë dhe, nga 10 prilli 1998 asgjë nuk dihet për fatin e doktorit dhe humanistit, Hafir Shala.
Dr. Hafir Shala, arbitrarisht u arrestua nga shteti i Serbisë për faktin se deshi të jetojë në përputhje me të drejtat e njeriut që ia garanton Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara. Gjatë dhe pas arrestimit arbitrar, Dr. Hafir Shalës i janë shkelur të gjitha nenet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara si e drejta të jetojë i lirë dhe e drejta për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme sikur i është nënshtruar ( sipas dëshmitarëve ) një trajtimi degradues, çnjerëzor dhe është torturuar , pa iu mundësuar e drejta e barazisë para ligjit dhe gjyqit. Arrestimi arbitrar, i ndaluar me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut, në rastin e Dr . Hafir Shalës është bërë nga shteti i Serbisë e cila ka ratifikuar këto dokumente .
Për më keq, familjes së Dr. Hafir Shalës i janë shkelur të drejtat e njeriut nga ata që janë të thirrur pikërisht t’i mbrojnë këto të drejta si; ish-Tribunali për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë në Hagë, Policia dhe gjykatat e UNMIK-ut, Policia dhe gjykatat e EULEX-it dhe, së fundi nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata Speciale në Hagë, e kamufluar si Gjykatë e Kosovës të cilat, jo që nuk e kanë trajtuar fare rastin e arrestimit arbitrar dhe zhdukjes së doktorit , humanistit dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Dr. Hafir Shalës por se me veprimin apo mosveprim kanë kontribuar në fshehjen e këtij rasti në kohën kur adresa e përgjegjësisë është shumë e qartë; shteti i Serbisë dhe disa bashkëpunëtorë që kanë informata për këtë rast e që janë pjesë e institucioneve të rendit dhe sigurisë në Kosovë.
Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë solidarizohet me të gjithë ata të cilëve brutalisht u shkilen të drejtat e njeriut anekënd botës e që i kanë të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në kohën kur këto krime mbesin të pandëshkuara nga vet institucionet e shtetit e që janë të thirrura të mbrojnë të drejtat e njeriut me forcën e ligjit. KMDLNj kërkon përgjegjësi për të gjithë shkelësit e të drejtave të njeriut, që nga arrestimi arbitrar, trajtimi degradues dhe çnjerëzor, ekzekutimi dhe zhdukja arbitrare e deri në krime të përmasave të gjenocidit.
Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, KMDLNj kërkon drejtësi dhe informata për Dr. Hafir Shala dhe të gjithë të tjerët që iu janë nënshtruar brutalitetit arbitrar, që nga ndalimi arbitrar e deri te zhdukja pa gjurmë sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që e planifikuan , e organizuan, nuk e penguan apo arbitrarisht e arrestuan Dr. Hafir Shalën, doktorin, humanistin dhe aktivistin për të drejtat e njeriut i cili, edhe në rrethana lufte është dashur të trajtohet në përputhje me konventat ndërkombëtare që i mbrojnë kategoritë e caktuara, edhe në rrethana të konflikteve të armatosura. Në këtë kontekst, KMDLNj vlerëson se angazhimi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili ka mandat të plotë të veprojë edhe në kushte lufte ka qenë i pamjaftueshëm në ndriçimin e rastit të Dr. Hafir Shala, civilëve dhe pengjeve tjera të luftës që sot janë në listën e personave të zhdukur.
Dr. Hafir Shala ishte dhe është personifikim i vuajtjeve dhe sakrificës së mbi 1650 personave që ende konsiderohen si të zhdukur në Kosovë, i mbi 12,000 të vrarëve dhe të ekzekutuarve, i qindra mijëra të torturuarve në kushte lufte dhe para lufte, i mijëra të dhunuarve në çfarëdo mënyre, i dhjetra qindra mijëra të zhvendosuver dhunshëm brenda dhe jashtë Kosoves , është zëri i mijra të burgosurve politik dhe të robërve të luftës, është zëri i përpjekjeve për liri dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara e që iu janë mohuar brutalisht, është zëri që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pa bërë asnjë dallim në baza etnike , bindjeve politike, statusit në shoqëri, moshës, gjinisë, bindjeve fetare dhe kulturore, pra është zëri i realizimit të drejtave të njeriut të përcaktuara nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara.
Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë kërkon drejtësi për Dr. Hafir Shalën dhe të gjithë ata që e kanë pësuar si doktori, humanisti dhe aktivisti për të drejtat e njeriut sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që kontribuan dhe bënë krime që dënohen sipas të drejtës ndërkombëtare dhe që kanë shkelur zakonet e luftës.
Drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që bënë krime. Pa asnjë përjashtim!
Behxhet Sh. SHALA, Drejtor Ekzekutiv, Prishtinë 10 dhjetor 2010 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura