NURIE ZEKAJ: FEMRAT NË KUVENDIN E PAJTIMIT – DO TË FALEN TË GJITHA GJAQET

Pashtriku.org, 23. 04. 2015 – (Intervistë me Nurie Zekajn, botuar në gazetën studentore “Bota e re” – prill 1990) – Të rinjtë e Pejës kohëve të fundit u dalluan për iniciativa të shumta. Në këtë qytet u formuan shumë këshilla. Ndër ta sidomos shquhet ai për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave, aksioni humanitar i të cilit po përhapet në tërë Kosovën. Në këtë Këshill të prirë nga studentë dhe të ndihmuar nga intelektualët më eminentë kosovarë, marrin pjesë edhe shumë femra. Për këtë Këshill dhe aksionin e tij bisedojmë me të renë Nurie Zekajn, studente e Pedagogjisë.
BOTA E RE: Si filloi nisma për formimin e Këshillit për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave?
NURIE ZEKAJ:
Më duket se këtë këshill dhe këtë aksion (masovik) për faljen e gjaqeve dhe të ngatërresave e lindi koha. E filluam ne në Pejë, ndërsa u përhap me të shpejtë ndër vende të shumta dhe në mënyra të ndryshme. Kur them kështu, kam parasysh se kemi raste kur gjaqet falen, pos në oda, edhe në “Lëndina të pajtimit” në prezencën e mijëra vetave. Kjo do të thotë se faljen e gjaqeve e bëri vetëdija e njerëzve e prirë nga ky Këshill.

Nurie Zekaj (ulur-e para nga e djathta)

me bashkëveprimtaret në krye me Anton Ҫetën. 

==================================

BOTE E RE: Në Këshillin iniciues të Pejës, por edhe në aksionet e tij, marrin pjesë shumë femra, çfarë është kontributi i tyre?
NURIE ZEKAJ:
Dihet se në kushtet patriarkale të familjeve tona (në të cilat edhe janë këto gjaqe), mashkulli si faktor kryesor dhe dominant, me kokëfortësi dhe primitivizëm lekian i ka marrë të gjitha gjërat mbi vete. Si pasojë e kësaj, përgjithësisht krimet (gjaqet) i kanë shkaktuar meshkujt, ndërsa këto i kanë përjetuar edhe femrat. Po ashtu edhe në pajtim (nëse është bërë ky) burrat janë marrë ngrykë, ndërsa këtë pajtim të shumtën e rasteve e kanë përgaditur (prapa skene) femrat. Kush mund ta ndjej më shumë (rrezikun) se e ndien nëna për djalin, motra për vëllanë, nusja e re për burrin? Prandaj nga kjo mund të konstatojmë se roli i femrës në pajtimin e gjaqeve ka qenë dominant, e sot ky rol vetëm është legalizuar, që përkrah burrave e mban kuvendin e pajtimit edhe ajo.
BOTA E RE: Keni marrë pjesë në shumë kuvende të pajtimit, çka i karakterizon ato?
NURIE ZEKAJ:
Mund të flas vetëm për disa sish në odat e Rrafshit të Dukagjinit, ku kam marrë pjesë. Por, e njëjta atmosferë besoj se ndodh në tërë odat tona. Dihet se nuk iu është dhënë odave tona vetëm për ilustrim epiteti i universitetit, ky është atribut real i tyre. Kuvendi i pajtimit në odat tona është një teatër i gjallë, teatër në të cilin mund të shfaqet vetëm njëherë e kurrë më të reprizohet e të përshkruhet. Çdo kuvendim i pajtimit është një dialog-komunikim i përsosur. Në këtë komunikim intelektual gjen shprehje urtësia e plakut dhe zotësia e plakut dhe zotësia e profesorëve dhe intelektualëve në krye me Anton Çettën. Në këtë dramë çdo pjesëmarrës është aktor real, i cili mishërohet me përjetimin e aktit të pajtimit. Gjithë këtë dramë të përjetësisë, për 6-7 orë të kohës reale sa zgjatë ajo, e shquan fjala e matur me peshën e mençurisë. Fjalë pas fjale vjen deri te një fenomen që mund ta hetojë më së miri poeti (Azem Shkreli) “Njeriu ngrihet si bima, rritet bindshëm nga toka, shtrin dorën e pajtimit”.
BOTA E RE: Çka i shtyn njerëzit të pajtohen si kurrë më parë?
NURIE ZEKAJ:
Qasja e sinqertë e të rinjve ndaj këtij problemi. Në një moment të caktuar historik ngrihet vetëdija e njerëzve për pajtim. Mençuria e profesorëve tanë për të kërkuar gjakun në emër të asaj që njerëzit i bën faqebardhë. Motivim për faljen e gjakut janë edhe shumë shembuj burrërie gjatë historisë, por edhe shembujt e këtij aksioni. Të gjitha këto kur të gërshetohen në kuvend, me mençurinë e profesorit Anton, bëjnë që të pajtohen me qindra gjaqe dhe ngatërresa. Besoj se do të vijë së shpejti momenti që të falen të gjitha këto.
BOTA E RE: Thuhet se gjakmarrja është ves i përvetësuar prej të tjerëve?
NURIE ZEKAJ:
Vetë fakti se krahas gjakmarrjes gjatë historisë ka ekzistuar edhe pajtimi si kundërvënie e saj, flet se gjakmarrja është element i huaj. Besoj se populli nga i cili na është imponuar gjakmarrja nuk e ka njohur pajtimin dhe institucionin e besës. Me këto dy elemente populli ynë këtë fenomen të shëmtuar e ka institucionalizuar. Se kjo zymtësi nuk është e jona, dëshmon edhe e dhëna se disa herë është bërë masovikisht falja e gjaqeve. Kjo është bërë në raste vendimtare për popullin tonë gjatë historisë. E popujt gjatë këtyre momenteve gjithmonë flakin elementet e huaja. Ky element i huaj si dhe gjakmarrja si kompleksitet nuk është studiuar sa duhet, prandaj kësaj problematike duhet t`i qasemi në mënyrë studioze. Por kjo mund të bëhet vetëm pasi të tejkalohet si realitet. Po ashtu është e udhës që puna rreth faljes së gjaqeve të përmblidhet brenda kopertinave, të nxirret një libër si dëshmi e një brezi dhe një kohe për brezat dhe kohët që do të vijnë.
BOTA E RE: Për fund?
NURIE ZEKAJ:
Sa më shpejt të falen të gjitha gjaqet e ngatërresat dhe – mos u bëfshim kurrë më…!
Intervistën e zhvilloi: Sadik Krasniqi
***
Shënim:
Këtë bisedë me Nurie Zekajn e bëmë në kohën kur kjo e re ishte në vlugun më të madh të punës në aksionin për pajtimin e gjaqeve. Askujt nuk i ka shkuar ndër mend që këtë intervistë të shkurtër e modeste, në krahasim me punën e saj, do ta shoqërojë ky shënim me të cilin do të kumtonim vdekjen e saj më 23 prill 1990. Në këtë aksion Nuria punoi gjer në frymën e fundit. Me vdekjen e kësaj të reje aksioni në përfundim e sipër humbi një pajtimtare, Anton Çetta një bashkëveprimtare, ndërsa shokët një shoqe të mirë. Ta përfundojmë shkrimin me një maksimë të saj për aksion dhe jetë:
“Sa më pak fjalë – punë më shumë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura