IBRAHIM SHALA:UKSHIN HOTI-URAGAN I MENDIMIT POLITIK SHQIPTAR

Pashtriku.org, 11. 05. 2012 -Veprimi politik, kontributi shkencorë dhe veprimtaria patriotike me të drejtë profesor Ukshin Hotin, e bëjnë Skenderbe të fushës së mendimit, themelues dhe yll polar të shkencës politike shqiptare.) – “Në konceptimin e veprimtarisë politike kombëtare në kushtet e okupimit, ai e kishte parasysh edhe momentin e acrifices sublime, flijimin e jetës për ideal përmbajtësor, për objektivin madhorë, pa e ndarë asnjëherë të drejtën kombëtare nga koncepti universal i lirisë. Ai në mënyrë të argumentuar e mbronte idenë: se jeta ia vlenë të sakrifikohet, vetëm kurë është në sherbim të jetës…”

Njohja me professor Ukshin Hotin
Në këtë kumtesë, unë nuk pretendojë të paraqesë biografinë jetësore të professor Ukshin Hotit, edhe pse ajo do të na shoqërojë në çdo paragraf të këtij shkrimi. Njohja ime me profesorin kishte ndodhur para se unë te behesha student i tij, në kohën kur ai qëndronte në Lubjanë të Sllovenisë duke punuar në revistën “Alternativa”. Më vonë pata nderin dhe shansin që të jem edhe student i tij. Dua të theksoj se ai asnjëherë nuk i ngatrroi raportet pedagogjike student – profesor, me raportin shoqëror të dy ish të burgosurve politikë. Është me rëndësi të theksohet se kur e mora temën e diplomës tek profesori nga lënda e Sociologjisë politike, pati një reagim të çuditshëm tek kolegët e mi, të cilët më thanë: si pate guxim që ta marrësh temën te profesor Ukshini?! Mund të ngelësh pa diplmuar, atij nuk i dihet se kur mund ta burgos policia serbe. Ky mendim zotëronte tek studentët, sepse profesori ishte një armik i përbetuar i pushtuesit serb, dhe ai këtë qëndrim nuk e kishte fshehur asnjëherë. Kur i tregova ngjarjen, ai nuk u befasua, përkundrazi u ndie këndshëm, sepse këtë e mori si vlerësim pozitiv të pozicionit të tij politik dhe intelektual, që e bënte atë të veçantë nga të tjerët. Por në atë kohë askush nga studentët nuk e shtroi pyetjen: pse vetëm idetë e profesor Hotit ishin të denueshme nga Serbia, kur të gjithë bënin “politikë të madhe kombëtare”. Ai edhe gjatë ligjërimit ndryshonte nga profesorët tjerë, si nga mënyra, po ashtu edhe nga thellësia e trajtimit të temave. Ai shembujtë shkencorë i merrte pa ngurrim nga realiteti politik shqiptarë, sepse ai kishte sigurinë shkencore për ta bërë atë dhe për tu përballur me të panjohurën, kjo qasje e bënte lëndën shumë interesante dhe më të afërt për studentët. Ai ishte kundërshtarë i abstrakcionizmit shkencor, që nu kishte edhe elementin e dobishmërisë praktike. Për dallim nga shumë profesorë të tjerë, ai nuk kishte qëndrim frenues dhe monopolizues ndaj ngritjes së studentëve në lëndët profesionale, përkundrazi ai nga njohjet e studentëve madhërohej dhe ekzaltohej kur dëgjonte ndonjë përgjigjje ose koment me nivel shkencorë. Porosia e fundit e tij për studentët ishte, që njohurit e fituara në Universtitet, të mos ngelen qëllim në vete, por të vihen në shërbim të shoqërisë dhe Atdheut.

______________________________

Qëndrimi anti Ukshin Hot i klasës së re politike!
Edhe pse ishte kohë e tranzicionit politik ai nuk kishte gjetur hapsirë të mjaftueshme për të publikuar qëndrimet e tij politike dhe shkencore. Nga këto rrethana ai shtegtoi në Lubjanë të Sllovenisë, ku botoi në revistën Alternativa të shoqërisë “Migjeni”. Pak kohë më vonë ai nxori gazetën politike DEA – Demokracia Autentike. Që nga titulli i kësaj gazete ai mbronte idenë, se demokracia nuk mund të importohet përmes shablloneve të gatshme, por duhet të vetëlindet nga rrethanat e caktuara nacionale dhe shoqërore të një vendi. Pas kthimit në Kosovë, jeta dhe rrethi nuk do të jenë shumë bujar ndaj tij. Për shkak të pamundësisë për ta tejkaluar madhështinë e personalitetit të tij dhe pamundësisë për tu matur me te, përmes një marrëveshje të heshtur u thurr një qëndrimi anti Ukshin Hot, që të anashkalohet dhe minimizohet personaliteti i tij. Nga ky qendrim hipokritë i klasës së re politike, ai ngeli i izoluar, apo siç e quante vet i ostrazicuar, në fshatin e tij të lindjes. Është e ditur se një gjeni, në një mes të tillë rural, për shkak të disnivelit me rrethin, patjetër se përjeton një vetmi të madhe. Gjithashtu është thënë mase një herë, se provinca i hanë intelektualët e lartë dhe personalitet e mëdha, por kjo nuk mund të ndodhte me profesorin për shkak të nivelit intelektual dhe vetëdijes së lartë të tij. Përkundrazi nga ky qendrim ai njohu më mirë shpirtin e popullit dhe aspiratat e tij. Gjatë kësaj kohe, nga rrethi fshatarëve gjysëm të arsimuar dhe disa intelektual të qullët kishte vlerësime se: profesori është i ashpër, megaloman dhe shpesh prepotentë!!? Kjo përfolje ishte për shkak të mos përputhjes së nivelit të këndëveshtrimeve dhe përplasjeve konceptuale. Qasja e profesorit bazohej në argumente të literaturës shkencore, kurse kuazi intelektualët arësyetonin në stilin: mua po merr mendja ose mua po më duket. Për hirë të së vertetës nuk duhet të harrojmë faktin se, atë literaturë politike, që ne të tjerët kishim filluar ta studjojmë pas viteve 90-ta, profesori e kishte lexuar 20 vite më parë, gjatë studimeve të tij në SHBA dhe qendra tjera universitare. Duke pasur përparësinë e distancës kohore, pa modesti është lehtë të konkludohet sot, se profesori ka qenë më shumë se sa duhet tolerantë, komunikues dhe popullor. Në këto rrethana të ostrasicizmit ka pasur vizita nga organizata dhe parti të ndryshme politike që shkonin për tu konsultuar me profesorin, për programet dhe strategjitë politike të mundshme. Të interesuarit profesorin e pyesnin për të gjitha, por merrnin në menyrë selektive vetëm atë që e vlerësonin të dobishme sipas tyre. Kuptohet se në këtë mënyrë bashkëpunimi nuk pati ndonjë efekt konkret, sepse nga sistemi politik i rrumbullaksuar i profesorit bëhej ndarja metafizike e pjesës nga e tëra. Në konceptimin e veprimtarisë politike kombëtare në kushtet e okupimit, ai e kishte parasysh edhe momentin e sakrificës sublime, flijimin e jetës për ideal përmbajtësor, për objektivin madhorë, pa e ndarë asnjëherë të drejtën kombëtare nga koncepti universal i lirisë. Ai në mënyrë të argumentuar e mbronte idenë: se jeta ia vlenë të sakrifikohet, vetëm kur është në sherbim të jetës. Në kuadër të amgazhimit patriotik militant, në realizimin e objektivave kombëtarë, gjetjen e rrugëve dhe metodave për realizimin e tyre, profesori është i pakompromisë. Ishte qendrim etik dhe politik i profesorit, se ky akt sublim duhet bërë me vendosmëri, me devizën origjinale të tij alla shqiptarqe “Bëje ose vdisë”!!! Kësaj devize ai ju përmbajtë me konsekuencë tërë jetën e tij. Kjo devizë ishte kundervënje dhe revoltë ndaj konceptit të kohës, që ish bërë i modës, se çështja e Kosovës dhe liria e saj, mund të zgjidheshin me dialog, inercion dhe deklarata për shtyp. Duke qenë njohësi dhe predikuesi më i thellë i filozofisë shtetformuese në Kosovë, profesor Ukshin Hoti do të ngelët i vetmi intelektual, i cili do të ngrejë hapur dhe në mënyrë argumentuese, nevojën e lindjes dhe organizimit të forcës mbrojtëse të Kosovës. Ky vizion do të bëhej realitet shumë vite më vonë, me lindjen e UÇK-së. Lindjen dhe faktorizimin e UÇK, ai do ta perjetonte nga burgu, duke nxjerrurr analiza shumë të sakta për bartësit e luftës, misionin historik në raport me dimensionin politik kombëtarë dhe nderkombtarë. Si vizionar ai shumë herët e kishte ndjerë lirinë, me daljen e UÇK-së u bind se ajo ishte në Kosovë, kurse me bombardimet e NATO-s duhet të ketë parë shtetin e Kosovës. Ai nuk ishte vetëm vizionar, ideolog dhe teoricien ushtarak, ai edhe në jetë mbeti njëri ndër ushtarët më besnik të Atdheut.
Metodologjia shkencore
Në studimet dhe trajtesat politike profesori është i vetmi teoricienë që në metodologjinë e trajtimit të lendës, ka për qellim fokusimin te thelbi i problemit, pa humbur kohë e drejton lexuesin që aty të përqendrojë vemendjen, për këtë në shkrimet e tij e hasim shpesh nëntitullin “esenca e problemi” apo “esenca e çështjes”. Kjo nënkupton se profesori është marrë me hapjen e shtigjeve të reja të mendimit politik, me tema të rënda, duke ju lënë hapsirë të tjerëve që ti rrahin dhe zgjerojnë ato. Ai me guxim dhe siguri hapte shtigje në pyllin e pa shkelur të shkencës, sepse ai ishte vizionar dhe uragan i pandalshëm i mendimit politik shqiptarë. Ai në fuqinë e mendimit, karakterizohej nga forca e madhe gjeneralizuese e nxjerrur përmes induksionit logjik. Me ramjen e sistemit socialist në ish BRSS dhe Evropën Lindore bashkë me të edhe të ideologjisë komuniste, ai vlerësoi drejtë rikthimin e ideologjisë fetare, të kamufluar me forma të ndryshme të humanizmit modern dhe ndikimin e tij në vendimmarrjen politike. Ai në këtë kontekst analizoi gjerësisht edhe raportin e shqiptarve me tri fetë dhe në veqanti me islamin. Ai në asnjë moment nuk do të knaqej me pozicionin e njeriut që jep këshilla nga anash duke jetuar në kullën e fildisht duke nxjerë teoritizime boshe. Vetëm për të parë realitetin nga afër dhe për të nxjerrë konkluzione sa më të drejta ai u kthye nga Sllovenia në Kosovë përmes zonave të luftës të Krocisë dhe Bosnjes. Për të verifikuar një tezë të tij, ai do të dilte direkt në teren, edhe atëherë kur do ti kushtonte shtrejtë, siq ishte rasti i rrahjes së profesorit nga policia serbe te kryqi i Komaranit. Ai e mori rrugëtimin nëpër komunat kosovare, për të deshmuar se Serbia nuk mund të bëjë getoizimin dhe enklavizimin e komunave kosovare me qellim të dobësimit të lidhjes kohesive dhe solidaritetit brenda shqiptarë. I neveritur nga qendrimiet labile të intelektualve pa kurrizorë, me moral të dyfisht, ai i hyri studimit të intelektualit kosovar deri në psikoanalizë. Duke nxjerrë konkluzionin se shumica kryenin fakultetet për prestigj të familjeve patriarkale, duke i tipizuar si “djemtë e haxhi babave”. Koha e deshmoi se këta intelektual asnjëherë nuk mund të dilnin mbi mentalitetin e rrethit dhe familjes, duke zgjedhur si rrugë mbijetese servilizmin dhe oportunizmin me privilegje të momentit. Profesori është ndër më të rrallët e kombit që në personalitetin e tij do të bashkojë veprimtarinë politike, studimin shkencorë dhe qendrimin patriotic, në profesion jetësorë. Duke mos pretenduar që të zëvëndësojmë mendimin kompetent të specialistëve të fushës, konstatojmë se, gjuha e shkruar në shkrimet e profesor Ukshin Hotit është e një stili të lartë, gjuha e saktë shkencore, shqipja e pastër letrare, fuqia shprehëse, figuracioni i begatshëm, pershkrimet krahasuese, shprehja emocionale e fuqishme, shkurt stil dhe nivel i të shkruarit kadarean.

______________________________

Arrestimi i Sokratit të shekullit XX – Ukshin Hoti
Ai shumë kohë përpara e dinte se do të arrestohej dhe kishte mundësi për të ikur jashtë si shumë të tjerë. Por ai nuk iku edhe pas shumë lutjeve dhe insistimeve. Pse? Sepse ai kishte moral të forte prej pedagogu dhe patrioti. Ai nuk mund të vepronte në asnjë rrethanë në kundershtim me ato vlera etike dhe politike, që u kishte mësuar studentëve të tij. Rasti i tij shumë fuqishëm na kujton shembullin e filozofit antik Sokratit, që më parë zgjodhi të pijë gotën e helmit, se sa shkeljen e mësimeve të tija. Me ndjenjen e dhimbjes dhe krenarisë, ne studentët e tij ndjehemi krenar se profesor Ukshin Hoti ishte një Sokrat i shekullit XX, një Sokrat shqiptarë i papërseritshëm. Ende është temë për diskutim, pse u arrestua Ukshin Hoti ende pa u shpallur mirë Kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar, kur në Kosovë vepronin aq shumë parti, me aq shumë kryetar?!! Përgjigjja duhet të jetë: se Ukshin Hoti ishte i vetmi Kryetar që dinte, mundte dhe guxonte për të vepruar, për të marrë vendime politike, me të cilat vendime, o do të leviznin gjërat përpara, o do të qirreshin maskat e liderëve pseudo patriotë. Arrestimi i tij dhe zhdukja e pa gjurmë, kanë lënë pasoja të pallogaritshme për rrethanat që ka kaluar Kosova. Armiku kishte përllogaritur mirë aftësit e profesorit në politikën ndërkombëtare, dhe sa mirë e njifte mekanizmin e vendimmarrjes në qendrat e vendosjes politike botërore. Këtë përllogaritje Serbia do ta bëjë në kontekstin, se sa i rrezikshëm do të ishte ai, për politikën serbe, po të arrinte të bëhej liderë i Kosovës. Prandaj Shërbimi Sekret serb do të kujdesej, duke përdorur të gjitha mjetet, që kjo të mos ndodhte në asnjë rrethanë.

Programi politik kombëtar i Ukshin Hotit
Në diskutimet politke, në analiza dhe shkrime të ndryshme, na ka rastisur që të degjojmë mendimin: se ne shqipatrët nuk kemi program politik kombëtar. Se është e pafalshme që dy Akademi të Shkencave, nuk e kanë bërë ende këtë Program Kombëtar. Që nuk e kanë bërë këtë Akademitë tona del se është konstatim i vërtetë, por nuk është i vërtetë përfundimi, se shqiptarët nuk kanë Program Kombëtar. Me bindje të thellë konstatojmë se Programin Kombëtar Shqiptarë e ka bërë i vetëm profesor Ukshin Hoti dhe atë në rrethana të jashtëzakonshme. Ai këtë Program e paraqiti në mbrojtejn e tij para trupit gjykues serb, në Gjykatën e Prizrenit në shtator të 1994. Ai këtë Program e përpunoi deri në imtësi, duke e arsyetuar me domosdoshmërinë e procesit zhvillimor, me të drejtën e patjetërsueshme për liri dhe me angazhimin e faktorit njeri të organizuar. Ai këtë Program e mbrojti me forcë të argumentit, me vendosmëri dhe me zë të lartë, duke qenë i vetëdijshëm, se ky veprim mund t’ia rëndonte gjendjen dhe t’ia rrezikonte jetën. Programi Kombëtarë i profesorit, i argumentuar jo në Akademi shkencore, por në Gjykatë okupuese, lirisht mund të krahasohet me veprën programtike të ideologut të Rilindjes Kombëtarë Sami Frashëri “Shqipëria çka qenë, çështë dhe çdo të bëhet”. Ky Program – mbrojtje dhe akuzë njëherësh, i ka dhënë profesorit vendin e nderit, vendin e merituar të Ideologut të Filozofisë Politike të Çështjes Shqipatre. Epitetin -ndergjegjja e zgjuar e kombit.

Harresa dhe vogëlsia e të gjallëve në raport me Ukshin Hotin
Sot në trajtesat poltike të Kosovës së lirë, në orët e mëdha të historisë, dhe akademitë përkujtuese, rrallë ose fare pak permendet emri i professor Ukshin Hotit, duke menduar se po nuk ia permendëm emrin, personaliteti i tij nuk do të na imponohet. Kjo qasje sigurisht nuk është duke ndodhur për herë të parë vetëm me Ukshin Hotin, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ideologun e Lëvizjes Kombëtare Hasan Prishtina. Këta dy burra i harrojmë qëllimisht, sepse që të dy janë të zorshëm që të mirren për model. Është e vështirë që të ndiqet shembulli i tyre, sepse ata shkrinë jetën dhe pasurinë për Shqipërinë dhe Kosovën, kurse gjyhnaqarët e sotëm janë në gjendje të shkrijnë Kosovën për mirëqenje dhe pasuri personale. Prandaj për të qenë në rregull me figurën e Ukshin Hotit, bota shkencore ka obligime të natyrës së veçantë, detyrë që veprës së tij shkencore ti jap vendin e merituar. Bota intelektuale ka për detyrë që të trejtojë figurën e tij në mënyrë multidisplinare dhe shumë dimensionale, kurse Akademia e Shkencave si e Kosovës edhe ajo e Shqipërisë, e kanë për detyrë që profesor Ukshin Hotin ta bëjnë anëtarë të plotë në mungesë. Analiza shkencore e jetës dhe veprës së shkruar të profesor Ukshin Hotit, nuk mund të bëhet me disa kumtesa sado qofshin ato të thelluara. Kjo gjendje aktuale, neve studentëve, shokëve, kolegëve dhe miqëve të tij të ngushtë, na obligon që të thellohemi në studimin e krijimtarisë, që të zbardhim dhe sistemojmë trashëgimin krijuese të Filozofisë Politike të profesor Ukshin Hotit. Ndërsa obligimet institucionale dhe shtetrore ndaj figurës së profesorit fillojnë, nga gjetja e tij dhe mësimi i së vërtetës për fatin e tij. Nga kjo e vërtetë lindin obligime tjera morale, politike, kombëtare dhe shkencore që duhet të jenë në përputhje të drejtë me dimensionin e figurës politike, shkencore, intelektuale dhe kombëtare të professor Ukshin Hotit. Në fund fare, lirisht mund të konstatojmë se veprimi politik, kontributi shkencorë dhe veprimtaria patriotike me të drejtë profesor Ukshin Hotin, e bëjnë Skenderbe të fushës së mendimit, themelues dhe yll polar të shkencës politike shqiptare.
Ju falemnderit,
– Kjo kumtesë u lexua në Tribunën Shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Profesor Ukshin Hotit – Prishtinë, 17. 05. 2004.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura