OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e dytë

Pashtriku, 2 prill 2021:
27 MARS 1981, FERIZAJ
Në mbledhjen e zhvilluar në Ferizaj me drejtuesit dhe aktivistët e atjeshëm, pjesa e PKMLSHJ për Ferizaj vendosi që të dielën e datës 29 mars 1981, dita e paraparë për parakalimin e stafetës, të organizohej demonstrata. Ishin bërë të gjitha përgatitjet që të fillonte demonstrimi me kërkesën për Republikë. Ishin shkruar pllakatet e dyfishta, në njërën anë për Titon dhe stafetën e tij, ndërsa prapa tyre kërkesat si; Kosova – Republikë, Liri, Barazi, Drejtësi, etj. Shtabi Organizativ i Demonstratave një ditë përpara nga Prishtina në Ferizaj kishte dërguar anëtarin e vet (Osman Zenel Osmanin), i cili me veti kishte sjellë edhe afishen në të cilën ishin shkruar parollat që duhej brohoritur nga demonstruesit. Ishin siguruar edhe „petardët“ të cilët do të shënonin edhe fillimin e demonstrimit. Fitim Ramadani, i cili do ta barte për një kohë stafetën, ashtu si ishim marrë vesh, në momentin e caktuar do ta hidhte duke e thyer për toke. Në binën e qytetit ku do të mbaheshin fjalimet për stafetën, ishte caktuar një anëtar i shoqërisë kulturo-artistike „SHKA Kastriotët“, që nga bina me mikrofon të brohoriste: Kosova Republikë!

Shërbimi i Shtetit, UDB-ja famëkeqe, kishte ndërmarrë masa për të shuar me gjak këtë demonstratë. Abdullah Prapashtica, njëri nga drejtuesit e Shtabit Organizativ në Prishtinë, dërgoi nga Prishtina një kuadër duke kërkuar me ngulm që demonstrimi të shtyhej për të evituar një gjakderdhje me përmasa të mëdha. I të njëjtit mendim ishte edhe Ramadan Haziri me të cilin gjatë vitit 1980 ishin këmbyer mendime rreth kërkesës për republikë. Në takimin që u zhvillua më pas u vendos që demonstrata të shtyhej për 4 prill 1981.
Në ndërkohë u bë e njohur se Sigurimi do ta mbyllë tregun të shtunën e datës 4 prill 1981, se do të ndalonte autobusët me nxënës për të hyrë në Ferizaj, e tërë kjo për ta penguar demonstratën. Arsyeja e dytë ishte se punonjësit e fabrikës së drurit „Tefik Çanga“ në Ferizaj, kishin filluar një grevë dhe kërkonin autobusë për të shkuar në Prishtinë dhe për të protestuar kundër dhunës së pushtetit ndaj studentëve shqiptarë me 26 Mars 1981. Në krye të tyre ishin Rashit Mehmeti, Milaim Jashari, Rizah Matoshi e të tjerë.
Kjo ishte arsyeja që grupi organizativ në përbërje të ngushtë vendosi që demonstrata të fillonte me 3 prill, në kohën mes ndërrimeve mësimore të shkollës, kohë që përkiste edhe me ndërrimin e punëtorëve nëpër fabrika. Vendimi i shpejtë bëri që dy- tre pjesëtarë të PKMLSHJ-ës të mos informoheshin me kohë për këtë ndryshim. Megjithatë kjo nuk kishte rëndësi për të tërën, sepse lëvizjet ishin aq dinamike sa mungesa të vogla nuk mund të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve.
Në gjithë këtë organizim të përpiktë të aëtarit të KQ të PKMLSHJ Faton Topallit, rolin vendimtar kishin luajtur Fatmir Bajrami, dëshmori Afrim Abazi, Naim dhe Fitim Ramadani, Imri Ilazi dhe shumë aktivistë e aktiviste të tjera të Organizatës. Drejtuesit kryesor të kësaj veprimtarie në bashkëveprim ndër të tjerë edhe me Teuta Zymberin, Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, e të tjerë përbënin rrjetin, i cili do të përhapte kushtrimin për shpërthimin e demonstratës në Ferizaj. Në këto demonstrata ranë dëshmorë Sherif Frangu dhe Riza Matoshi, kurse u plagosen dhjetëra qytetarë.
Gjatë demonstratave që u zhvilluan më 3 prill në Ferizaj, në krye të demonstratës me flamur printe Nexhat Tërstena, pas tij flamurin e bartën e reja Vezire Kiki dhe më vonë Afrim Abazi, i cili u burgos me 11 mars 82 gjatë përgatitjes së shënimit të njëvjetorit të demonstratave dhe më pas ky dëshmor u mbyt me torturë nga kriminelët e UDB-së gjatë hetimeve më 19 mars 1982.

Organizata për Republikë – PKMLSHJ, para së gjithash përmes Faton Topallit e Fatmir Bajramit, të mbështetur edhe nga Ramush Topalli, zgjerojë rradhët dhe rrethin në vazhdimësi dhe periudha të ndryshme kohore me bashkëveprimtarë tjerë të shumtë, si me: Lumnije Azemin, Afrim Abazin, Sevdije Gjinolli, Naim Ramadanin, Fatime Gjinollin, Nysret Behlulin, Naim Nuredinin, Imrane Abdullahun, Fatmir Hysenin, Rafiz Halitin, Kadrije Gashin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin, Shukri Musliun, Nazim Azemin, Xhavit Hazirin, Daut Azemin, Hamzë Azemin, Fehmi Hajrullahun, Imri Ilazin, Sejdi Sejdiun, Agron Ramadanin, Nazmi Shahinin, Shaip Veselin, Imer Shahinin, Ali Bibën, Arif Shahinin, Reshat Gashin, Ruzhdi Shahinin, Fatmir Avdullahun, Hysen Shehun, Xhevahire Avdullahun, Nasek Kukën, Islam Vishin, Xhevahire Rrahmanin, Halit Osmanin, Muhabi Azemin, Xhemajl Rashitin, Ismet Azemin, Skender Hajdarin, Fahrush Hajrullahun, Skender Emërllahun, Gazmend Bajrën, Teuta Vincën, Skender Sopën, Aziz Vishin, Hasan Selimin, Bajram Shaqirin, Ferinaze Isufin, Naim Hajrullahun, Hyzri Osmanin, Selim Deliun, Fatrmir Abdylin, Naim Sadikun, Florije Hajrullahun, Shahadije Nezirin, Fatmir Nezirin, Nadije Ramadanin e shumë të tjerë.
28 MARS 1981
PKMLSHJ në Qendrën e Studentëve me 28 mars 1981, organizoi përmes Osman Osmanit dhe Nazmije Sylës një tubim me studentët që kishin mbetur aty. Shumica e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme ishin kthyer në vendlindjet e veta nëpër qendrat e tyre anë e mbanë Kosovës. Porosia e PKMLSHJ përmes bisedave të zhvilluare me aktivistë ishte që ata të shkojnë në vendbanimet e tyre (në fshatra, qyteza e qytete ku i kishin familjet e veta) dhe t´i tregojnë popullit se ç´kishte ndodhur me 11 dhe 26 mars në Prishtinë dhe të përpiqen të organizojnë protesta e demonstrata me kërkesën për Republikën e Kosovës duke e ndjekur shembullin e Prishtinës.
Me shkollarët e shkollave të mesme në Prishtinë, sipas marrëveshjes në Shtabin Organizativ u bisedua dhe u dhanë instruksione se si duhej vepruar gjatë ditëve të ardhshme. Strategjia ishte e njëjtë po si në Ferizaj edhe këtu preferohej që ditët e ardhshme gjatë pushimeve të gjata nëpër oborret e shkollave të këndoheshin këngë patriotike dhe revolucionare, për të mbajtur atmosferën e ndezur, ndërsa po sa të vinte lajmi se ka demonstrim në Qytet, atëherë të pritej koha e ndërrimeve dhe të shkaktohej marshimi i përbashkët në drejtim të qendrës së qytetit. Për bisedë me punëtorë ishte i angazhuar anëtari i Shtabit Organizativ, Osman Maqedonci, i cili edhe ka vepruar në mënyrë të ngjashme.
ROLI HISTORIK I HERONJVE TË PANJOHUR
Pas largimit të studentëve nga Qendra e Studentëve të Prishtinës me 28 mars 1981 dhe kthimit të tyre në vendbanimet e veta, ata nëpër rrethet e tyre së bashku me nxënësit e shkollave të mesme, punëtorinë dhe fshatarësinë vepruan dhe arritën për t’i zgjeruar demonstratat në gjithë Kosovën. Sigurisht se roli i PKMLSHJ dhe i grupeve dhe organizatave tjera ilegale në këtë kohë ishte prirës, por ato ishin tepër të vogla për punë me një lëvizje aq të madhe të popullatës, e cila morri pjesë masovikisht në demonstratat që pasuan më pastaj. Demonstratat e më vonshme i orientoi mirë vet kursi politik i kërkesës për Republikën e Kosovës, e posaçërisht intuita e vullneti i shqiptarëve në përgjithësi për veprime atdhedashëse si dhe roli i individëve anonim dhe aftësitë e tyre për orientimin e organizimin e masave në lëvizje e sipër. Rolin e këtyre herojve të pa njohur nuk duhet harruar kurr, sepse ata me zgjuarsi plotësuan çdo zbrazëti të prezencës të forcave ilegale. Kjo sidomos do të vjen në shprehje në demonstratat e 1, 2, 3 prillit 1981 dhe më vonë.
Pas intervenimit ushtarak dhe sjelljes ndaj kërkesave dhe demonstratave, si dhe pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas refuzimit të kërkesës për Republikës së Kosovës si kërkesë „kundërrevolucionare“ nga ana e LKJ dhe të federatës si tërësi, nuk mbeti tjetër rrugë pos përgatitja e kundërofensivës në fushën politike u pa se realizimi i Republikës Shqiptare në ish-RSFJ nuk do të mund të arrihej pa shumë gjak. Përpara PKMLSHJ doli detyra t‘i jep përgjigje kërkesave të kohës. Në radhët e saj u shtrua edhe çështja e shkallëzimit të demonstratave në lëvizje çlirimtare me propozim që nga një numër relativisht i madh njerëzish që gjendeshin në arrati të krijohen aradhet e armatosura dhe që në kufi me Shqipërinë të krijohet një territor i lirë nga i cili do të fillonte lufta çlirimtare. Udhëheqja e PKMLSHJ-së në konsultim me Skender Ibishin, ish-oficer në APJ dhe i ngarkuar në Udhëheqjen e PKMLSHJ me çështje ushtarake, i cili ishte kompetent për të thënë fjalën e fundit dhe vendimtare mbi këtë çështje. Skender Ibishi pas shtjellimit të problemit dhe shtrimit të një tabloje të gjendjes ushtarake në ish-RSFJ, në Shqipëri dhe mbi situatën në regjion na bindi se raporti i forcave ushtarake nuk është në favor tonin dhe se ne duhet të vazhdojmë aktivitetin tonë në fushen politike. Fjala e Skender Ibishit, si Këshilltar për çështje ushtarake ishte vendimtare dhe Udhëheqja e PKMLSHJ e miratoi qëndrimin e tij.
AKSIONE TJERA TË PKMLSHJ
PKMLSHJ ushtronte aktivitetin e vet të përgjithshëm në të gjitha viset shqiptare në ish- RSFJ, rrethet dhe qendrat e mbuluar më së miri ishin Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Kaçaniku, Vitia, Shtimja, Lipjani, Podujeva, Vushtrria, e tjera.
Në periudhën e pas demonstratave PKMLSHJ i organizoi 5 aksione politike në një kohë prej 2 muajve. Pos tjerash i drejtoi një letër mirënjohëse organeve të sigurimit publik të Kosovës, atyre që u sollën mirë ndaj demonstruesve. Pos kësaj dokumente të ndryshme ju drejtuan udhëheqjes kosovare si dhe atyre republikane dhe jugosllave. Me intensitet dinamik u vazhdua shpërndarja e dokumenteve të PKMLSHJ në rrethe të caktuara me instruksionet për veprim në programin e PKMLSHJ drejtë realizimit të detyrave të caktuara programore.
PKMLSHJ me 2 prill 1981 morri vendim që aktivitetin e vet t’a vazhdon me forcat e veta dhe formalisht e bëri shpalljen e Republikës së Kosovës, përmes të një akti i cili u botua në organin e PKMLSHJ për rini, në „ZERI I ATDHEUT„ ku u publikua edhe „STEMA e Republikës së Kosovës“ në të cilën ishte e shënuar data 2 prill 1981, dhe ku thuhej se kufijtë e Republikës së Kosovës përcaktohen me shumicën e numrit të banorëve në trojet tona etnike shqiptare të kufizuara me popujt fqinjë, etj. Ngjarjet e vitit 1981 për shumë arsye ndikuan domosdoshmërisht në daljen nga konspiracioni. Kjo solli kuantitet dhe simpati ma të gjerë për PKMLSHJ, sepse numri i anëtarëve, i kandidatëve dhe sidomos i simpatizuesve po rritej në formë marramendëse, por në formë rapide po rritej edhe rreziku i zbulimit dhe i goditjes nga ana e armikut. Masat që ishin ndërmarr kundër zbulimit ishin të mira por nuk siguronin plotësisht, sepse pavarësisht se PKMLSHJ nuk mbante regjistra të njerëzve, procesverbale, kopje të dokumenteve etj., aktivistët një ditë do të ndesheshin me provokator dhe se veprimtarët nga PKMLSHJ do të zbuloheshin pa tjetër.
Më 15 prill 1981, Kryesisë së KK të LK të Kosovës i arrin “Nota“ e dërguar më 14 prill 1981, me ç’rast merrej përgjegjësia për organizimin e demonstratave dhe kërkohej realizimi i kërkesave të shtruara në to.
Në mes 21 korrikut dhe 20 gushtit (1981) duke filluar së pari në Ferizaj pastaj edhe në Prishtinë dhe qendrat tjera të Kosovës u shpërnda dhe u dërgua përmes postës „Letra serbëve dhe malazezëve“ me anë të së cilës shpjegoheshin kërkesat e shqiptarëve dhe kërkohej edhe angazhimi i tyre në realizimin e tyre.
Po në këtë kohë u bë shpërndarja e gazetës „Revolucioni“ si organi PKMLSHJ dhe „Zëri i Atdheut“ si Organi Rinisë së PKMLSHJ, si dhe Dekreti Nr. 1. dhe 2.
Parashikimi i PKMLSHJ ishte se LK e Kosovës dhe anëtarësia e LKJ e komunistëve shqiptarë në republikat tjera do të bashkohen në Lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe se në mbrojtjen e saj do të venë në dispozicion të gjitha institucionet para-shtetërore të ish KSA të Kosovës (Mbrojtjen Territoriale, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe anëtarësinë shqiptare të LKJ). Por, për bashkimin e tyre, si do të tregojë koha do të duhej një proces tepër i gjatë e i mundimshëm. Nga Udhëheqja e Republikës së Shqipërisë erdhi një përkrahje verbale, e cila përkufizohej në klauzolën që „…Kosova do të ndihmohet me të gjitha forcat e zemrës dhe të mendjes…” të deklaruar në Kongresin e 8-të Partisë së Punës së Shqipërisë-së, që për nevojat aktuale të Kosovës nuk mjaftonte. Pra, parashikimet për një homogjenizim ma të madh, mjerisht nuk u realizuan.
HOMOGJENIZMI KOMBËTAR
Më pas u punua në drejtim të homogjenizimit kombëtar. Procesi i homogjenizimit kombëtar u realizua vetëm në bazën e gjerë. Ata që ne menduam se munden të përfaqësojnë organizatat tjera ilegale, të ballafaquar me rrezikun e burgosjeve mbanin qëndrim të kujdesshëm. Ndërsa LK e Kosovës me tëra organet e organizatat e veta u rreshtua në anën e armiqve, pra kundër Republikës së Kosovës. Kështu homogjenizimi kombëtar rreth kërkesës për Republikën e Kosovës edhe pse i bashkoi shqiptarët e gjitha trevave, besimeve e ideve, nuk ia arriti t‘i bashkon udhëheqjet e Rrymave Politike që i përmendëm në fillim.
PËRVJETORI I PARË I 81-SHËS
Aktivistët e PKMLSHJ me rastin e njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981 bënë përpjekje sakrifikuese për shënimin në mënyrë të dinjitetshme të këtij përvjetori. Përkundër përpjekjeve të mëdha dhe me gjithë aktivitetet e shumta u arrit që ky përvjetorë të shënohet publikisht përmes demonstrimit në Prishtinë dhe Ferizaj, ndërsa në qendrat tjera pushtuesi ia arriti të pengoi zhvillimin e tyre. Në këtë organizim u dalluan Vahedin Azemi, i cili ishte drejtues i Shtabit për Shënimin e Përvjetorit për Prishtinë, Gjilan, Viti e Kaçanik, në qendrën e studentëve pastaj edhe grupet tjera që vepronin nga platforma e PKMLSHJ në Ferizaj, si grupi i të rinjve (kryesisht 16-16 vjeçar) “Ilegalët”, që më vonë ndërroi emrin në “Shote Galica”, dhe veprimtarët në Prishtinë, si Skender Vardari, Ahmet Islami dhe Sabit Gashi, të cilët përmes Fatmir Grajqevcit ishin të lidhur me PKMLSHJ.
ZBULIMI I AKTIVITETIT TË PKMLSHJ
Në vitin 1979 zbulimi i PKMLSHJ ishte fare afër. Gjatë hetimeve që po zhvilloheshin ndaj grupit të të rinjve të LNÇKVSHJ u burgos edhe një i ri, që ishte në kontakt me një të ri të PKMLSHJ, të cilin ai e kishte përmendur gjatë hetimeve. Mirëpo, deri tek zbulimi i parë i anëtarëve të PKMLSHJ ndodhi në verën e vitit 1981 në celulën e Shtimes. Dhjetëshi i atjeshëm i PKMLSHJ mbulonte organizativisht edhe Lipjanin. Aty kishte depërtuar një provokator, i cili kërkoi nga qendra e rinisë së PKMLSHJ në Ferizaj që dikush „ti vizitoj nga qendra”. Kjo edhe e zbuloi provokatorin, por nuk ndihmojë shumë, pasi që tanimë duhej llogaritur në arrestimet e asaj celule dhe ajo mund të zbulonte edhe lidhjen me qendrën e PKMLSHJ në Ferizaj. Ndërsa burgosjet në masë më të madhe nga radhët e PKMLSHJ u ndërmorrën gjatë pranverës së vitit 1982.
STRUKTURA DHE PËRMBAJTJA E ANËTARËSISË SË NDJEKUR POLITIKISHT E PENALISHT TË PKMLSHJ
Armiku arriti që tek në nëntor të vitit 1981 të bëjë zbulimin e parë dhe burgosë grupin e parë me anëtarë të PKMLSHJ. Nga 16 nëntorit 1981 deri kah gjysma e vitit 1982 u burgosën dhe u zhvilluan hetime torturuese ndaj së paku 116 vetave të dyshuar për anëtarë të PKMLSHJ, përbërja profesionale të cilëve ishte me sa vijon: 54 studentë, 21 nxënës të shkollave të mesme, 3 punëtorë, 5 daktilografë, 2 magjistra, 3 profesorë, 3 arsimtarë, 1 mësues, 1 ekonomist, 1 jurist, 2 teknikë, 2 milicë, 1 punëtorë i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 2 nëpunës, 1 zejtar, 2 të papunë dhe 4 pa profesion.
Nga ta 49 veta janë dënuar politikisht nga gjyqi i armikut me dënime nga 1 deri 14 vite burg. Në këtë numër përfshihen vetëm proceset e zhvilluara publikisht dhe të përcjella edhe nga mediat dhe është numër që përmendet edhe në literaturën e pushtuesit, ndërsa numri i saktë mund të epet vetëm në të ardhmen pasi të janë mbledhur të gjitha të dhënat, ngase dihet se disa procese gjyqësore politike janë zhvilluar pa opinion dhe pa publikim në mjetet e informimit publik.
QËNDRIMI I AUTONOMISTËVE
Ish LK e Kosovës bashkë me institucionet e saja të pushtetit, që në vitin 1981, e edhe më vonë, nuk e mohuan rolin e PKMLSHJ në organizimin e demonstratave. Përkundrazi ata e dinin këtë qysh para se të ndodhnin demonstratat e vitit 1981, përmes shkresave të ndryshëm të cekura më lartë ku bëhej me dije se çdo të ndodh, nëse ata vet nuk angazhohen për Republikën e Kosovës.
Megjithatë, Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, menjëherë pas demonstratave të parët u deklaruan kundër Republikës së Kosovës dhe i pari u detyrua të japi dorëheqje pse nuk ka vepruar më herët kundër PKMLSHJ dhe kundër kërkesës për Republikën e Kosovës. Përpara popullit, ai i pari do të duhej të përgjigjej pse nuk ka vepruar për realizimin e Republikës së Kosovës, ndërsa i dyti, Azem Vllasi atëkohë jo që veproi me tëra forcat kundër Republikës së Kosovës dhe kundër të gjitha aspiratave patriotike, por ai më pas dashur a padashur u bë edhe vegla kryesore e Serbisë për likuidimin edhe të Autonomisë së ish KSA të Kosovës. Azem Vllasi me zyrtarë e funksionarë tjerë të Kosovës me 26 mars 1981 do të duhej të bashkoheshin studentëve e punëtorëve demonstrues dhe bashkë me të tjerët ta mobilozonin gjithë popullin shqiptar për Republikën e Kosovës, për të mos ardhur puna më pastaj të ngritet në mbrojtje të autonomisë të vitit 1974, me anë të së cilës pos tjerash legjitimohej edhe më tej ndarja dhe sundimi i popullit shqiptar nga tri republikat armike në ish-RSFJ. Këta dy zotërinjtë edhe pse e dinin të vërtetën, nuk pranë së përpjekuri që të hedhin mjegull dhe baltë mbi prapavijën e organizimit të tyre, vetëm e vetëm se ndryshe nuk munden të arsyetonin, njeri qëndrimin e vet kapitullues në vitin 1981 e tjetri paaftësinë për të ruajtur edhe autonomin e pjesërishme të deriatëhershme.
LUFTA SPECIALE KUNDËR LËVIZJES SË RE DHE AKTERËVE TË SAJ
UDB-ja përmes bashkëpunëtorëve të vet, por edhe nga papjekuria politike dhe mungesa e syqeltësisë së personave të caktuar nga radha e grupeve të ndryshme ilegale, intrigonin kundër aktorëve dhe atyre që dolën në ballë të ngjarjeve të vitit 1981. E akuzonin Ali Lajqin dhe familjen e tij „si njerz të UDB-es”, si „bashkëpunëtor të Rankoviqit” e intrigime të tjera të shëmtuara, të cilat për fat të keq njerëzit pa ndërgjegje i përhapnin si të „vërteta”. Pas kësaj ofensive të komprimitimit të Ali Lajqit dhe të familjes së tij, filloi ofensiva për komprimitimin e demonstratave me parullën, “…se demonstratat i ka organizuar Beogradi…”, e të ngjashme.
E tërë kjo luftë intriguese mbi „organizatorët„ e demonstratave filloi të krijoi një situatë të turbullt dhe filloi të krijojë dilema në popull se kush në të vërtet qëndron pas kërkesës për Republikën e Kosovës. Kjo e detyroi PKMLSHJ që të dali publikisht dhe të marrë përsipër organizimin e demonstratave edhe pse qëndrimi ynë ishte që kjo të mos ndodh në këtë kohë. Me këtë veprim PKMLSHJ i ndali rrugën intrigave dhe përdorimin si kapital politik nga ana e UDB-es për ti thyer të burgosurit shpirtërisht. Por, ndodhi që organizatorët e Mitingut në Qendrën e Studentëve që u shndërrua në demonstrata me 26 mars 1981 dhe sidomos Ali Lajqi të bëhet objekt i injorimit dhe i intrigave nga disa grupe të burgosurish politikë që i takonin grupeve e organizatave ilegale, të cilët i besonin vetëm vetes dhe grupit të vet, që ishte karekteristikë tipike sektare e metafizike me të cilën do të ndeshen edhe të burgosurit e tjerë më vonë. Tehu i kësaj fushate ishte përqendruar kryesisht kundër anëtarëve të Shtabit Organizativ të Demonstratave dhe shumicës së të burgosurve nga PKMLSHJ. Kjo fushatë dhe atmosferë madje arriti të helmonte në masë të caktuar edhe diasporën.
QËNDRIMI I NJË PJESE TË ILEGALES
Sa i përket heshtjes së disa organizatave ilegale kjo është çështje në vete. Organizatat e deriatëhershme ilegale që vepronin në platformën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, mbas përkrahjes së kërkesës për Republikën e Kosovës që erdhi nga Tirana disa ditë pas demonstratave të vitit 1981, përfundimisht kaluan nga pozicioni i konservuar në përkrahjen e kërkesës edhe publikisht. Praktikisht edhe anëtarësia edhe ndonjë anëtarë udhëheqës pa pritur qëndrimin zyrtar të organizatave që ju takonin u kyçën në demonstrata dhe dolën edhe në ballin e tyre. Bashkëpunimi mes aktivistëve ishte jashtëzakonisht i mirë dhe ajo krijojë mundësinë e elektrizimit politik të popullsisë në gjitha trevat shqiptare.
PËRPJEKJET PËR BASHKËRENDITJE TË AKTIVITETIT
Me kusht të dekonspirimit, PKMLSHJ vendosi që të marrë kontakt me organizatat tjera të ilegales dhe t’i bashkërendit veprimet. Meset ma të mira për këtë ishin në Prishtinë dhe Ferizaj, por edhe në qendrat tjera. Se si ka rrjedhur bashkëpunimi mes tyre kjo do të shtjellohet me ndonjë rast tjetër, nga ata që vet kanë vepruar në këtë drejtim. Në udhëheqjen e PKMLSHJ u shtrua për zgjedhje bashkimi i forcave të ilegales në një lëvizje kombëtare për Republikën e Kosovës. Lëvizje kombëtare kjo, e cila do të ishte në gjendje që nga demonstratat të vazhdon procesin politik duke e shndërruar kërkesën e shtruar në një Lëvizje të organizuar.
Deri me shpërthimin e demonstratave ka qenë qëndrim zyrtar i PKMLSHJ që përveç të kuadrove që ngarkohen me detyra të tilla konkrete, të tjerëve t‘ju ndalohet kontaktimi me persona të komprimituar si pjesëtarë të ilegales, meqë ekzistonte dijenia se ata që ishin të zbuluar observoheshin nga UDB-eja 24 orë në ditë kjo e rrezikonte zbulimin e organizatës. Por, meqë posedoheshin informacione për organizatat tjera ilegale, ato edhe furnizoheshin me material propagandistik dhe kështu krijoheshin lidhje indirekte. PKMLSHJ qysh herët ka punuar në drejtim të vënies së lidhjes me Metush Krasniqit dhe me Ismalil Dumoshit (ndaj të cilit kemi pasur konsideratë të madhe dhe kemi besuar se ka ndikim tek pjesa tjetër e ilegales). Qysh herët ka ekzistuar vetëdija se në Kosovë nuk ka vetëm një organizëm të vetëm, por një lëvizje të rezistencës kundër sundimit të huaj. Prandaj kur ka ardhur deri te zbulimi dhe burgosja e anëtarëve të ndonjërës nga grupet apo organizatat tjera, PKMLSHJ e ka përjetuar si burgosje të shokëve e vëllezërve të një ideali dhe ashtu edhe ka reaguar.
Një shembull që ilustron këtë: Në një mbledhje të Kolegjiumit të Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror të Prishtinës (që pos Prishtinës e Podujevës, mbulonte edhe Gllogocin dhe Lipjanin) ku u bë analiza e gjendjes politike nga aspekti i sigurisë (ishte fjala për kohën kur u burgosën shumë anëtarë të organizatave tjera ilegale, që në muajin maj 1980 u gjykuan me kundërvajtje e me dënime me burg ma të gjatë), pos tjerash aty u tha se pas këtyre burgosjeve të nëntorit 1979 „…irridentës iu thy kurrizi…”. Këtë deklaratë PKMLSHJ e përjetojë si një ofendim të rëndë ndajë gjithë Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Pasi u njoftua udhëheqësja e ngushtë e PKMLSHJ me përmbajtjen e kësaj mbledhje, u propozua që të organizohet një aksion në emër të këtyre organizatave për t’i treguar armikut se megjithatë rezistencës nuk i është thyer kurrizi! Kështu nga PKMLSHJ u organizua shpërndarja e një trakti në gjithë Kosovën ku muaji shkurt 1980 u shpall muaji i Adem Demaqit (me që ai e kishte ditëlindjen me 26 shkurt) dhe ku kërkohej që në mese shkollore, studentore e në vende tjera ku grumbullohen më shumë njerëz të shkruhet e të flitet për personalitetin e Adem Demaqit dhe ndër të tjera edhe të diskutohet për arsyet pse mbahet ai në burg.
PUNA NË DREJTIM TË BASHKIMIT TË ORGANIZATAVE ILEGALE
Pra PKMLSHJ e konsideronte veten si organizatë që i takonte një Lëvizje për Pavarësinë e Kosovës, ku militojnë më shumë organizata e grupe ilegale. Tek PKMLSHJ ka dominuar vetëdija se kjo lëvizje trashëgohet nga gjenerata në gjeneratë që nga Lidhje e Prizrenit e vitit 1878 dhe se nëse gjenerata aktuale nuk ia arrin të realizojmë Programin Kombëtar të Lidhjes së Prizrenit për krijimin e shtetit në kufijtë etnik ku aktualisht jeton Kombi Shqiptar, atëherë së paku gjeneratës së ardhshme t´ia lehtësojë sadopak këtë çështje duke bërë qoftë edhe një hap përpara. Nisur nga ky fakt dhe të vetëdijshëm se bashkimi i organizatave ilegale është kusht me rëndësi për shndërrimin e Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës nga lëvizja pjesërisht e organizuar dhe empirike në një lëvizje të organizuar dhe të centralizuar, PKMLSHJ veproi në këtë drejtim në mënyrë intensive. Një përpjekje e tillë (ekziston një dokument i vitit 1979) është bërë në drejtim të rrymave politike të Kosovës, me ç‘rast PKMLSHJ u bënë thirrje përfaqësuesve të Rrymës Autonomiste (të krahut progresiv) dhe Rrymës për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë për një takim ku do të diskutohej unifikimi i qëndrimeve drejt pavarësisë së Kosovës. Aso kohe PKMLSHJ nuk hasi në mirëkuptim. Megjithatë në këtë drejtim u vazhduan përpjekjet edhe më vonë. Kuadrot e PKMLSHJ morën kontakte dhe bashkëpunuan me pjesëtarët e organizatave tjera ilegale në teren, gjë që u intensivua gjatë dhe pas demonstratave të më vonshme.
Në nëntor të vitit 1981 në Adapazar të Turqisë me iniciativë të PKMLSHJ, gjegjësisht komisionit të saj për bashkim u vunë kontaktet e para direket me përfaqësuesin e LNÇKVSHJ, me Sabri Novosellën dhe përmes tij edhe me Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën. Shkresat zyrtare të shkruara, si ajo e 5 dhjetorit 1981, shkëmbeheshin përmes tij. Përkundër masave të konspiracionit, UDB-eja dikah u informua se janë duke u zhvilluar bisedimet për bashkim të organizatave ilegale dhe me 17 janar 1982 në Gjermani bëri atentat ndaj Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla. Pas një muaji (17.02.1982) u arrit Bashkimi i LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ në LR/S/SHJ, të cilit Bashkim më pas (më 15.05.1982) iu bashkangjit edhe OMLK.

Osman (Zenel) Osmani, shkollimin fillor, të mesëm (Akademinë Pedagogjike) si dhe studimet (në Fakultetin Juridik) i ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe është lindur. Në verë të vitit 1975 bashkë me Rexhep Maqedoncin e Abdullah Prapashticën angazhohet në një grup atdhetar të emërtuar ORA, prijatare e Organizatës për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – PKMLSHJ, të cilën e formojnë në verë të vitit 1978 në Prishtinë edhe me bashkëveprimtarë tjerë. Platforma për Republikë e së cilës u përkrah zëshëm dhe botërisht nga populli në pranverë të vitit 1981. Autori, pas arratisjes nga vendi, në nëntor 1981, si anëtar i komisionit për bashkim në kuadër të Organizatës është pjesëmarrës në bisedime dhe bashkëthemelues i Lëvizjes për Republikë Shqiptare (LRSSHJ) më 17 shkurt 1982 në Ankara të Turqisë dhe me 15 maj 1982 në Biel-Bienne të Zvicrës.
Nga nëntori 1983 jeton në Zvicër, ku krahas punës së pandërprerë profesionale, arsimimit të lartë dhe veprimtarisë në kuadër të Lëvizjes atdhetare, është angazhuar prore në dobi të komuniteti shqiptar gjithandej si dhe në jetën shoqërore e politike të Zvicrës, dhe falë këtij angazhimi për vite të tëra ka ushtruar edhe mandate të ndryshme politike. Njihet si shqiptari i parë që është zgjedhur në një Parlament Kantonal të Zvicrës (2005) dhe si nismëtar dhe drejtues i projektit partiak për krijimin e strukturës për pjesëmarrje politike të migrantëve në kuadër të forcës së dytë politike në vend – Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, në organet më të larta të së cilës është zgjedhur dhe ka vepruar deri në pensionim. Edhe në këtë cilësi është angazhuar për marrëdhëniet mes Zvicrës e popujve e vendeve tona amë (Kosovë e Shqipëri) dhe përfshirjen e diasporës sonë në politikat ndërshtetërore si dhe në institucionalizimin e bashkëpunimin me partitë simotra të Zvicrës me ato në Kosovë e Shqipëri.

– FUND –

__________________________

OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e parë
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11091
***
OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e dytë
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11094

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura