PARIM OLLURI: KOMPANIA E LIDHUR ME FAMILJARËT E KRYEMINISTRIT HASHIM THAҪI FITON NGA BIZNESI MINERAR

(Prishtinë, 07. 02. 2013) – Kompania “Geo Mineral” ka qarkullim milionësh nga shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore dhe prokurimet publike. Idriz Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit, figuron si përfaqësues i saj në kontrata të furnizimit me naftë me “Kosova Petrol”, po ashtu një kompani e lidhur me njerëz të partisë së liderit të PDK-së. “Geo Mineral” operon në një zyre të përbashkët me “OVE Group”, një kompani që tregton metale. Kjo kompani është pronë e një afaristi nga Maqedonia i cili ndante hisen në biznes me Milaim Cakiqin, një biznesmen nga Drenasi, i lidhur me Kryeministrin Thaçi.
Dy kompani private, pronarë të të cilave figurojnë dy biznesmenë nga Maqedonia, ndajnë së bashku një zyrë në qendrën tregtare në lagjen Dardania në Prishtinë, përballë stacionit policor.
Hajati Banjica figuron si pronar i kompanisë “Geo Mineral” që merret me biznesin e thyerjes së gurit ndërsa djali i tij, Visar Banjica, është pronar i “OVE Group”, një kompani që merret me tregtinë e metaleve.
Të dy kompanitë, përveç që ndajnë bashkë zyrën, kanë lidhje me vëllezër dhe njerëz të afërt të kryeministrit Hashim Thaçi.
Deri në vitin 2010 njëri prej hisedarëve të kompanisë “Ove Group” ishte Milaim Cakiqi sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Cakiqi është një afarist që ka kompani të përbashkët me Blerim Thaçin, vëllain e kryeministrit të vendit.
Po ashtu edhe vetë Kryeministri Thaçi kishte kryer një vizitë private në Maqedoni me një veturë që ishte pronë e Cakiqit. Kryeministri figuron si fqinj i parë me Cakiqin në lagjen Perëndimi i Ri, Prishtinë.
Visar Banjica thotë se e vetmja mënyrë se si kompanitë janë të lidhura është fakti se ai është djali i Hajatit. Lidhje tjera mes kompanive, thotë ai, nuk ka.
Ndërkohë tek “Geo Mineral” shfaqet emri i një vëllai tjetër të Kryeministrit të vendit.

Biznesi i thyerjes së gurit në Astrazub!

Idriz Thaçi figuron si përfaqësues i “Geo Mineral” në një dokument të kompanisë së naftës Kosova Petrol, që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.
Formulari i Shënimeve për Blerësit, siç emërtohet dokumenti nga kjo kompani nafte, liston firmat me të cilat ka kontrata “Kosova Petrol”.
Për kompaninë “Geo Mineral” shënohet se bashkëpunimi ka nisur qe dy vite dhe se vlera mujore e naftës që blen në Kosova Petrol sillet në rreth 9 mijë euro.
Person kontaktues i kompanisë figuron Idriz Thaçi.
Kompania e naftës “Kosova Petrol”, nuk ka pranuar të japë një koment rreth kësaj çështje. Adelina Selmani, zyrtare në “Kosova Petrol”, vajza e pronarit Bedri Selmani një ish-deputet dhe ish-këshilltar i kryeministrit Thaçi, fillimisht tha se përgjigje mund të japë vetëm motra e saj Leonora e cila ka pozitën e zëvendës-presidentes së kompanisë.
Por, më vonë, ajo tha se nuk mund ta shtyjë motrën për t’u përgjigjur për shkak se “është shumë e zënë”.
Edhe Idriz Thaçi nuk ka pranuar të japë një shpjegim rreth aktivizimit të tij në Geo Mineral.
Bedri Selmani me “Kosova Petrol” ka përfituar nga shfrytëzimi i më shumë se 20 pompave të naftës së kompanisë “INA” pa paguar asgjë për dhjetë vjet, duke i dëmtuar kështu institucionet e Kosovës me mbi katër milionë euro.
Po ashtu, Selmani kishte uzurpuar sipas autoriteteve pronën shoqërore për të ngritur “Hotel Victory”, biznes privat, një nga hotelet më të njohura në Prishtinë.
Ndërkohë, Geo Mineral, që operon në fshatin Astrazub të Malishevës, ka pasur disa herë ndryshime të titullarëve zyrtarë të pronësisë në biznes.
Ndërrimi i pronarëve të “Geo Mineral”
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dosjen e kompanisë “Geo Mineral” nëpërmjet të drejtës për qasje në dokumente zyrtare tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Bazuar në historikun e kompanisë, pronarët e këtij subjekti janë ndërruar disa herë. Fillimisht biznesi ishte regjistruar si Byro Projektuese “Geo Mineral”, më 23 mars 2007.
Kompania kishte bazë në Klinë dhe figuronte si pronë e Mane Kastratit. Por, numri kontaktues në dokumentet e këtij biznesi figuron të jetë i Xhevdet Kastratit, një anëtar i bordit të drejtorëve të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale
Kastrati, kur është kontaktuar për këtë çështje, tha se biznesi Geo Mineral si Byro Projektuese tashmë nuk është aktiv.
Por, me të njëjtin numër biznesi, Geo Mineral ka vazhduar punën si gurëthyes.
Kastrati nuk ka dhënë shpjegime se kujt ia ka shitur biznesin.
Ndërkohë, bazuar në dokumentet e ARBK-së, në vitin 2008 është ndryshuar veprimtaria biznesit në – thyerje të gurit.
Deri më 3 shkurt të vitit 2009 pronare ishte Blerta Krasniqi.
Me këtë datë ajo nënshkroi një kontratë të faljes së aksioneve me Sadat Cakollin.
Objektivi i kontratës ishte falja e 3 aksioneve në vlerë nga 1 mijë euro. Vlera totale e aksioneve ishte 3 mijë euro, aq sa është shuma e kapitalit themelues të kësaj shoqërie me përgjegjësi të kufizuar.
Nga Cakolli, aksionet kishin kaluar tek Miradije Krasniqi, e cila më 8 mars 2010 nënshkroi një kontratë për faljen e aksioneve Hajati Banjicës.
Krasniqi, me vendbanim të përhershëm në Burojë, ia falë askionet Banjicës me vendbanim të përhershëm në Gostivar të Maqedonisë.
Objektivi i kontratës është falja e tri aksioneve në vlerë nga një mijë euro që përbejnë 100 për qind të aksioneve të kompanisë.
“Falja e aksioneve është e lejueshme me ligj dhe biznesmenët shpeshherë deklarohen se kanë falur aksione”, thotë Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje ligjore në ARBK, e cila operon në kuadër të Ministrisë për Tregti e Industri (MTI).
Përveç numrit kontaktues të Banjicës, për të gjithë të përmendurit tjerë ka dalë se numrat e raportuar nuk iu përkasin atyre kur Gazeta Jeta në Kosovë u përpoq të kontaktonte me ish pronarët e kompanisë.
Ndërkaq Banjica fillimisht ka kërkuar që pyetjet t’i bëhen me shkrim.
Por, më pas, nuk ka dhënë një përgjigje se çfarë lidhje ka me Idriz Thaçin dhe se pse u bë pronar i 100 për qind të aksioneve përmes marrëveshjeve për falje aksionesh.
“E kam njoftuar Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë për interesimin tuaj. Ky është shantazh ndaj investitorëve të huaj”, tha Banjica.
Neni 11 i Ligjit për Miniera dhe Minerale thotë se KPMM-ja duhet të informohet për ndryshimin e pronarëve të rëndësishëm të bartësit të licencës.
Midin Bojaxhiu, drejtor ekzekutiv në KPMM, thotë se fillimisht kompania morri licencën në vitin 2009 e përfaqësuar nga Alban Krasniqi. Licencën e dytë e morri e përfaqësuar nga Sadat Cakolli.
Të dytë që përfaqësuan “Geo Mineral” kanë bërë kërkesë për bartje kontrolli të licencës tek Hajati Banjica në nëntor të vitit të kaluar.
“….Jemi në fazën e shqyrtimit të kërkesave për bartje të kontrollit”, thotë Bojaxhiu.
Ndonëse drejtori i KPMM-së thotë se të licencuarit kanë obligim ligjor që të raportojnë adresa e numra të saktë kur aplikojnë në këtë institucion, asnjë prej kontakteve të shënuara nëpër dokumente nuk i përkasin kompanisë “Geo Mineral”.
Bojaxhiu thotë se për KPMM-në llogaritet se është ndërruar pronari vetëm atëherë kur bëhet kërkesë për bartje kontrolli në këtë institucion.
“Neve nuk na intereson se si veprohet me ARBK-në dhe se kush figuron aty si pronar”, thotë Bojaxhiu.
Ai thotë se kompania është e pajisur me dy licenca për shfrytëzim të gurit gëlqeror për të cilat duhet të paguajë taksë në Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale.
Borxhi ndaj KPMM-së
Në faqen zyrtare të KPMM-së figuron se një licencë për këtë kompani është lëshuar në vitin 2009 dhe ka afat deri në vitin 2021, ndërsa një tjetër që është lëshuar në vitin 2011 ka afat deri në vitin 2034.
Të dyja janë licenca të shfrytëzimit të gurit gëlqeror, i përdorshëm për zhavor për asfaltimin e rrugëve.
Midin Bojaxhiu i KPMM-së thotë se kjo kompani deri më tash pagoi taksa në vlerë prej 249 mijë e 589 eurosh.
“Kompania ka mbetur borxh për (tremujori i tretë i viti 2012) TM3-2012 vlera është 32,906.84 euro dhe TM4-2012 vlera është 16,761.37 euro. Borxhet e tremujorit të tretë dhe katërt janë brenda kornizave ligjore”, thotë Bojaxhiu.
Sipas tij, kompania mund të nënshkruajë marrëveshje që të paguajë me këste këtë borxh sepse kjo i mundësohet nga KPMM-ja.
Po ashtu, një kompani e licencuar për veprimtari e thyerjes së gurit duhet të paguajë edhe taksë edhe në Agjencionin Pyjor Kosovar.
Ahmet Zejnullahu, kryeshef i këtij agjencioni, thotë se “Geo Mineral” është kompani e rregullt në kryerjen e obligimeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar kompania pagoi 16 mijë e 626 euro në APK.
Sipas Zejnullahut, kjo kompani ndaj këtij institucioni ka paguar taksë për shfrytëzimin e gurit si dhe taksë për shfrytëzimin e një pjese të parcelës për vendosjen e makinerive – që njihet si oborr ekonomik.
Anti-Korrupsion nis hetim për tenderët e KEK-ut
Ndërkohë, veç operimit si biznes që merret me tregti private, kompania “Geo Mineral” doli fitues edhe në tre tenderë publikë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Dy prej tyre ishin për furnizim me material guror. “Geo Mineral” një tender e ka fituar më 21 prill 2011 në vlerë të 156 mijë eurove dhe një tjetër me 24 prill 2009 në vlerë prej 205 mijë eurosh.
Një tender tjetër në vlerë prej 1 milionë e 298 mijë e 332 euro, ajo e fitoi më 7 dhjetor të vitit 2009.
Tenderi kishte të bënte me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc.
Gjatë kohës sa kompania u shpall fitues në këta tenderë në pozitën e Drejtorit të Prokurimit ishte Nijazi Thaçi, një kushëri i Idriz Thaçit që figuron si përfaqësues i Geo Mineral në dokumentet e Kosova Petrol.
Aktualisht Nijazi Thaçi më nuk mban pozitën e drejtorit të prokurimit, por ka pozitën e zv/drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka konfirmuar se një hetim do të nisë për të vërtetuar se në cilat rrethana kompania private doli fitues në prokurimet publike të Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Ne do te kërkojmë materialin e dyshimtë për të vërtetuar se në cilat rrethana dhe me cilat kushte janë fituar gjithë ato punë të dyshuara”, thotë Preteni,
Por, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se nuk ka qenë e nevojshme që të ndërmarrja të konsultohej paraprakisht me Agjencinë Kundër Korrupsion nëse lidhja e kontratës me këtë kompani përbente konflikt interesi.
“Personi që ju e apostrofoheni (Idriz Thaçi) nuk është pronar-aksionar as person kontaktues në lidhje me kompaninë në fjalë në bazë të ofertave që ka dorëzuar në KEK”, thotë Buzhala.
“…Ndryshe, KEK ka vepruar në përputhje të plotë me LPP-në dhe korporata nuk operon në bazë të faktit se ky apo ai kushëri punon në një kompani, por në bazë të ofertave më të lira apo ekonomikisht më të favorshme”, shton Buzhala.
Kompania, sipas zëdhënësit të KEK-ut, ka fituar tenderët pasi që ka plotësuar kriteret teknike e administrative si dhe ka pasur ofertën më të favorshme se konkurrentet tjerë.
Veç kontratave me këtë ndërmarrje publike, kompania Geo Mineral më herët kishte furnizuar edhe konzorciumin Bechtel Enka, i kontraktuar për ndërtimin e autostradës së Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar Sami Heta, menaxher i punishtes së “Geo Mineral”, në Astrazub.
“Kemi qenë të kontraktuar nga Bechtel-Enka por tash më nuk jemi për shkak se e kemi rritur çmimin e zhavorit”, thotë Heta.
Ndërkohë zëdhënësja e Bechtel-Enkas nuk ka dhënë një përgjigje rreth kësaj çështje.
Nënkontraktues i konzorciumit amerikano-turk figuron edhe një kompani turke e përfaqësuar nga Milaim Cakiqi që ka biznes të përbashkët me Blerim Thaqin.
Por, për këtë kompani Bechtel Enka fillimisht kishte mohuar se e ka nënkontraktues e më vonë nuk kishte komentuar se pse Uluova Insaat e kishte të publikuar në faqen zyrtare pjesëmarrjen e saj në projektin e ndërtimit të autostradës në Kosovë.
Ministria e Mjedisit ka konfirmuar se i ka dhënë vërejtje kompanisë “Geo Mineral”, për sa i përket sistemit të depluhurosjes.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Gëzime Hasani, thotë se gjatë inspektimeve i është tërhequr vërejtja kësaj kompanie e po ashtu edhe kompanive tjera që merren me këtë lloj biznesi që sistemin e stërpikjes ta kenë plotësisht të aktivizuar.
“Pra në këto raste, vërejtja ka karakterin e udhëzimit, për të mos ardhur ndesh me ligjin”, thotë Hasani.
Zëdhënësja e Ministrisë së Mjedisit thotë se kompania ka të instaluar sistemin e stërpikjes për depluhrosje si dhe posedon dokumentacionin valid-pëlqimin mjedisor – për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Sami Heta, menaxher i “Geo Mineral”, thotë se janë duke zbatuar rekomandimet e Ministrisë për depluhrosje. Ai thotë se ministria më herët ka dhënë edhe një vërejtje tjetër.
“Ministria ka dhënë vërejtje edhe për pastrimin e terrenit. Ka ndodh që pas detonimeve gurët të shpërndahen dhe të dalin përreth rrugës”, thotë Heta. “Ne e kemi zbatuar këtë kërkesë dhe kemi bërë pastrimin e terrenit siç është kërkuar”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura