(Pashtriku.org, 18. 09. 2012) – Më 03 Janar 2012, në Universitetin e Sorbonës në Paris historiani ynë i shquar Arif Mati mbrojti tezën e doktoraturës me titull: “Kërkime mbi Pellazgët, si origjinë e civilizimit grek”. Këtë tezë e mbrojti me sukses përpara jurisë prej 3 anëtarëve: 1. Dominique Briquel, Profesor në Universitetin Paris – Sorbon, i cili ishte edhe drejtuesi i temës. 2. Charles Guittard, Profesor në Universitetin Paris – Nanterre (Paris X) dhe 3. Guillaume Bonnet, Profesor në Universitetin e Bourgogne (Dijon).
Në sallë, përveç familjarëve të tij, ishin të pranishëm studiues të gjuhës shqipe në Francë, intelektualë, studentë dhe miq shqiptarë dhe francezë, por për çudi nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues nga ambasada shqiptare në Paris, edhe pse z.Mati ia ka bërë ftesën me kohë.
Arif Mati me këtë rast përmes një materiali studimor prej 13 faqesh, për afro 40 minuta shpalosi rrugën metodike që kishte ndjekur nëpërmjet një gjurmimi të dëshmive të autorëve antik mbi Pellazgët, shkrimet e grekëve antikë të Homerit, Hekate i Miletit, Helanikosi i Lesbos etj., të cilët ta mundësojnë të nxjerrësh disa përfundime, si vijon:
– Para “ardhjes” së helenëve, vendi që u bë Greqi, banohej nga Pellazgët,
– Greqia, në lashtësi quhej Pellazgji,
– Pellazgët ishin “barbarë” që nuk flisnin greqisht, pra ishin jo grekë, me ta nuk kishin lidhje etnike dhe gjuhësore. Pellazgët nuk ishin stërgjyshërit e grekëve.
Arif Mati ( Mathieu Aref)
……………………………………..
– Pellazgët ju dhanë Helenëve një pjesë të madhe të kulturës së tyre, institucioneve, besimin fetar, dhe një fond gjuhësor (siç dëshmon Herodoti) nëpërmjet Jonianëve që ishin Pellazgë përpara se të bëheshin ata helenë.
– grekët e lashtë nuk e njihnin “qytetrimin Miken”, (që është një emërtim i dhënë nga Schliemann mbasi zbuloi Mikenën dhe Trojën)
– Homeri i përcaktonte Pellazgët dhe gjuhën e tyre të shenjtë dhe gjuha greke nuk është folur përpara shk. 6 p.k dhe prandaj nuk ka patur asnjë “qytetrim Miken”.
– Linearin B, Ventris dhe Chadwick në mënyrë mekanike e emërtuan “mikenë” dhe gjuhën si “greqishtja e lashtë”,
– Pellazgët padrejtësisht janë trajtuar nga historia moderne si një popull i zhdukur pa lënë gjurmë. Në të kundërt të gjithë autorët antik i kanë trajtuar si populli më i lashtë në vendin që më vonë u bë Greqi dhe banorë të vetëm para-grek.
– Qytetrimi i emërtuar miken, nuk ka ekzistuar kurrë me këtë emërtim. Qytetrimi i vetëm që ka ekzistuar para ardhjes së grekëve qe ai i Pellazgëve.
Historiani Arif Mati, për mbrojtjen e tezës së tij, ka përdorur burime historike, kulturore, arkeologjike, antropologjike dhe mitologjike dhe nëpërmjet argumenteve shterruese ka arritur në konkluzionet e lartpërmendura. Për më tepër A.Mati lidhjen e gjuhës pellazgo-shqipe e ka trajtuar si rrjedhim logjik të fakteve, dhe si përgjigje për vendosjen e kësaj lidhjeje (të gjuhës shqipe me pellazgjishten), pohon se edhe po të ishte kinez, përsëri do ta bënte këto studim dhe do të nxirrte këto përfundime.
Teza e tij është një studim prej 798 faqesh, dhe për këtë punë kolosale shkencore ka shfrytëzuar 338 autorë, duke punuar për 3 vjet rresht nga 15 orë në ditë. Sipas Arif Matit, ky studim mbi Pellazgët na bën të mendojmë dhe të reflektojmë thellë mbi origjinën e Greqisë dhe të grekëve, historisë, kulturës dhe të gjuhës së tyre. Nëpërmjet autorëve të lashtë ne mund të zbulojmë një histori komplekse të Greqisë që nuk kufizohet vetëm me Helenët – ka thënë Arif Mati – dhe nëpërmjet këtyre autorëve, në fakt, mund të zbulohen kontradiktat, mospërputhjet kohore dhe manipulime të tjera që do të na lejojnë të krijojmë një këndvështrim të rinovuar të historisë së Greqisë.
Në përfundim të mbrojtjes së kësaj teze, juria dha vlerësimin e duhur për seriozitetin dhe rrugën e ndjekur shkencore dhe pas konsultimit të tyre, vendosën që Arif Matit ti jepet titulli i merituar: “Doktor në shkencën e historisë së antikitetit (Greqia antike) të Universitetit Paris-Sorbon”.
Për fund të themi se, në Universitetin e Sorbonës, i cili shtrihet në krahun e majtë të lumit Sena në Kuartierin Latin, kanë kaluar emra të shquar si Marie dhe Piere Kyri (që kishin marrë çmimin Nobel për fizikë), teologu i famshëm Erasmo da Rotterdam, pastaj filozofi dhe shkrimtari Jean – Pol Sartre dhe shumë figura të tjera të shquara.
* * *
Arif Mati (Mathieu Aref) ka lindur me 1 mars 1938 në Kajro të Egjiptit, nga një familje me origjinë shqiptare nga Mati. Prindërit e tij rrjedhin nga dy familje të shquara që në kohën e Skënderbeut (Canameti, Stafa, Preni nga babai dhe Lala, Kola, Lufi nga nëna). Shkon në Paris në vitin 1961, për t’i kushtuar më pas 30 vjet të jetës së tij studimore dilemës së madhe rreth prejardhjes apo jo indo-europiane të gjuhës dhe kombit shqiptar. Aref Mati në vitin 2003 botoi në gjuhën franceze librin: ”Albanie (Historie et langue) ou l’incroyable odyssée d’un people préhellénique”, ndërsa në vitin 2007 këtë libër e boton edhe në gjuhën shqipe: ”Shqipëria” (historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”, Tiranë, Plejad 2007 (608 faqe). Mati ka botuar edhe veprën: “Greqia (Mikeanët = Pellazgët) ose zgjidhja e një enigme,Paris 2004”, teorinë e së cilës në vija të përgjithshme e shpërfaq edhe në këtë vëllim.
( Nga kryeredaktori i pashtriku.org – Sh.Berisha, Janar 2012)
……………………………………………
ARIF MATI NË UNIVERSITETIN E SORBONËS
=======================================