PASHTRIKU: FLASIN 40 TË BURGOSURIT SHQIPTAR, MBIJETUES TË MASAKRËS – NË BURGUN E DUBRAVËS(III)

(Pashtriku.org, 21. 05. 2012) – Pas 13 vjetësh të konsolidimit të papërfunduar të informacioneve për të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës – dëshmitë e të mbijetuarve të Masakrës së Dubravës tregojnë për shumë çfarë, që të tjerët, të cilët nuk kanë kaluar nëpër këtë kamp gjatë viteve të fundit të shekullit njëzet u kanë borxh të mbijetuarve të kësaj masakre dhe popullit të tyre jo vetëm t`i informojnë, por edhe të japin sqarime për këtë masakër karakteristike dhe ende të panjohur sa dhe si duhet nga të gjithë ne.
15. ISMET MAHMUTI
Z. Mahmuti kur jeni arrestuar, sa jeni dënuar dhe në cilat burgje keni kaluar?
Në Korrik të viti 1993 jam arrestuar, pas disa muajve jam dënuar me 10 vjet burg. Në gjykatën e qarkut në Prishtinë. Pas shqiptimit të dënimit një pjesë të madhe e burgut e kemi vuajtur në Dubravë, deri në qershore të vitin 1998, kur edhe u destabilizua situata. Personeli i burgut na tha që këtu nuk ka më siguri dhe na transferuan në burgjet e Serbisë. Unë dhe disa shokë të tjerë na transferuan në burgun e Nish-it. Të tjerët në burgje tjera aty kemi qëndruar një vit. Deri kur filluan bombardimet dhe sërish na transferuan në Dubravë. Por për ironi ne kohën kur na tërhoqën nga burgu i Dubravës na thanë që po ju largojmë për shkaqe sigurie, ndërsa në pasigurinë ma të madhe tani po na kthejnë në burgun e Dubravës. E dinim që një gjë e keqe do të ndodhë për arsyeje se në çfarë kohe na kthyen në Kosovë.
Çfarë peripeti keni hasur gjatë udhëtimit?
Udhëtimi ka qenë i tmerrshëm, neve na lidhën. Atje ishte vapë shumë e madhe. Gjatë rrugës na rrahnin herë pas herë dhe më e keqja gjatë udhëtimit ishte etja, sepse edhe në burgun e Nish-it nuk na ushqenin. Madje i shihja disa shokë që nga etja e qitnin gjuhën jashtë që t’ iu mbushej me djersë që t’i shuanin lagin buzët. Kemi udhëtuar deri në Oerllat, afër kryqit të Komaranit, aty kishte bombarduar NATO forcat serbe dhe ndaluam. Ata nuk besonin që kishte të burgosur shqiptarë, në atë kohë. Ishte e pabesueshme në ato rrethana dhe kur e kuptuan që ishim shqiptarë insistuan të na nxjerrin jashtë dhe të na pushkatonin për tu hakmarrë, nga NATO që kishte bombarduar ata. Kishte të vrarë. Disa polic serb insistonin në hakmarrje mirëpo ndërhynin gardianet që ishin me ne dhe thanë që nuk guxoni mi prekë këta sepse është urdhër i lartë nga Beogradi. Është në përgjegjësinë tonë, duhet t’i dërgojmë të gjallë në Dubravë dhe tani ju shkoni atje dhe bëni çfarë të doni. Kur e kuptuan që nuk mund të na bëjnë asgjë atëherë bënë një kompromis me gardianet që të shfrynin mllefin e tyre. Hynin në autobus i nxorën thikat dhe filluan të na ngacmojnë. E mbaj mend një shokut tim ia gërryenin mollëzën e faqes me thikë dhe për çudi njëri nga ushtarët kishte cigaren ndezur dhe unë iu duka simpatik(tullac) dhe ma fiku cigaren në kokën time, pra unë i kisha flokët e rame. Pasi ishte një urë e bombarduar nga NATO, na kthyen në Lipjan dhe të nesermen në Dubravë.
Ne momentin që keni shkuar në Dubravë, çfarë keni parë aty?
Po Dubrava ishte shnderruar në një kazermë ushtarake sepse edhe infrastruktura e burgut i plotësonte kushtet për të qenë një lloje kazerme. Pra aty ishte logjistika e forcave serbe. Aty ishte drejtori i burgut dhe gardianët e burgut, që iu kishin bashkuar forcave të ushtrisë serbe në luftë.
Tani çfarë ndodhi aty?
Po aty të themi që kishte ushqim të mjaftueshëm krahasuar me burgun e Nish-it. Kishim një frymëmarrje pak më të mirë, por dita ditës filluan t’i binin të gjithë të burgosurit shqiptarë. Kudo që i gjenin nga burgjet serbe dhe numri i të burgosurve arriti gati 1000 të burgosur. Kishte maltretime të ndryshme, deri më 19 maj, kur edhe bombardoi NATO. Këtu vdesin Enver Topalli dhe Ahmet Hoxha nga Gjilani, NATO bombardoi edhe pas dy dite, nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur, por dihej që ne, nuk ishim cak i sulmeve nga dëmet e NATO-s. Brenda dhe jashtë mureve të burgut ishin të vendosur forcat serbe dhe u hakmorën duke na thënë që të rreshtohemi gjoja se do të na dërgojnë në burgjet e Serbisë. Kinse këtu nuk kishe kushte të mjaftueshme, filluan të gjuanin me granata dore, pushkë automatike nga karakollët dhe gjithçka tjetër. Unë mendoj se ketë e bënin për të kompromentuar NATO-n. Kjo ishte njëra arsye që të paraqesin masakrën që bënë ata në llogari të NATO-s, pra t’iu faturonin atyre, por e vërteta ishte krejt ndryshe.

Nje Bombardues i NATO-s, gjate bombardimeve ne v.1999.

_______________________________________________

A ju kujtohet ndonjë ngjarje e veçantë kur ata filluan të gjuanin mbi ju?
Po sigurisht ka qenë një fat i keq, e tmerrshme ka qenë ajo ngjarje qe ndodhi. E vështira më e madhe ishte kur e shihje njeriun në momentet e fundit të jetës dhe nuk kishe mundësi ti ndihmoje. Pra kishte shumë raste dhe disa prej tyre mbijetuan, p.sh njëri ka qenë i plagosur shumë rëndë në këmbë nga granata dhe gati iu ishte shkulur këmba. E vetmja mundësi që ta ndihmoje ishte që t’i heqje këmben krejtë. Është dashur që të merret një thikë në kuzhinë që t’i pritet ajo pjesë e këmbës, me shpresë që ndoshta do të mbijetojë. Këtë e beri Nait Hasani. Naiti me disa shokë kanë ndihmuar shumë, pra ky ka qenë rasti që e mbaje mend mirë dhe ka shpëtuar ai person. Një raste tjetër ka qenë i dy vëllezërve të Prizrenit ku njëri ishte plagosur shum rëndë dhe shihej qartë që ai nuk do të shpëtoj. Iu kishin shpalosur mushkritë, ndërsa vëllai i tij e shihte në atë gjendje. Në pamundësi që ta ndihmonte, e priste vdekjen e tij. Në pasiguri ku edhe ai mund të kishte të njëjtin fat, pas një apo dy minutave aty njeriu ka parë skena shumë të tmerrshme.
Vëllai kishte vdekur apo jo ndërsa ai ka shpëtuar apo ka vdekur?
Jo ai ka shpëtuar, quhet Ismet Paçarizi ndërsa i vëllai Besimi ka vdekur.
Ndonjë ngjarje tjetër ju kujtohet ?
Po ka pasur shum raste dhe për fat të mirë aty ka pasur të burgosur që kanë ditur t’iu japin ndihmën e parë të plagosurve. Ishin një grupe studentësh nga Prizreni, Nait Hasani, Beslim Zogaj, Frashër Shabani nga Ferizaj. Këta: kan qenë hero të asaj ngjarje, këta e kanë bërë të pamundurën për t’i ndihmuar te tjerët, pra nëse ka qenë dikush aty që të mos mendoj për jetën e vet dhe vetëm për të tjerët, kanë qenë këta persona por edhe nuk kan pasur mundësi që të ndihmojnë të gjithë. Nuk kishin gjerat elementare për ndihmën e parë por ishte një ambulancë aty në burg që e kishin thyer dhe kishin marrur disa gjëra për ndihmë. Sa i përket ushqimit u organizuam vetë, merrnim miellin, e lagnim dhe me pak zjarr, e bënim bukë disi, për me iu dhënë të plagosurve që të kenë pakëz forcë. Mundoheshim që ta ndanim nga pak për të gjithë. Rasti tjetër ka qenë para se të shkonim, kur na mblodhën te fusha e sportit. Erdhën disa eprorë dhe pyesnin sa mundë të jenë këtu? Ne ishim aq të dendur dhe e pyetën dikënd që ishte në rendin e parë, sa jeni këtu? Ai tha: diku 400 – 450veta e pyetnin njëri tjetrin eprorët që sa kan qenë këtu? Njëri tha, 950 , tjetri ai ktheu, mirë qenka puna, pra ata besuan në atë shifër dhe mendonin që gjysma ishim të vrarë. Të nesërmen na transferuan në burgun e Lipjanit me disa kamiona, që ishin përdorur për bartjen e shtazëve, por para se të na dërgon atje, ne krijuam një përshtypje që aty ishte fundi, sepse ishim të gjithë në një vend rreth fushës se sportit, ku kishte forca serbe me zolla në krahë, pushkë automatike dhe filluan t’i llogarisim vërtet momentet e fundit.
Sa i përket strehimit ku jeni strehuar, a është strehuar dikush në puseta?
Po ashtu është, ka të vrarë në puseta nga forcat serbe sepse ata e hapnin kapakun e pusetës dhe hidhnin granata dore. Por ka edhe nga ata që kanë shpëtuar si p.sh Xhemil Alimani nga Tetova dhe Ndue Malota nga Gjakova. Njëri që ka qenë në pusetë dhe nuk është lënduar fare, është Remzi Tetrica. Remziu ka vdekur disa vjet pasi u lirua nga burgu.
A dini ndonjë emër te gardianeve, si janë sjellur ata gjatë kësaj kohe?
Është një komandat që i kan thënë MIKI. Me këtë emër e kanë njohur të gjithë të burgosurit, ndërsa gardianët tjerë kan qenë ata që kan punuar edhe më parë në burg. Tjetër gardian që ka marrë pjesë në masakër ka qenë MITRI, RAKOQEVIQI, ka pasur edhe të tjerë po nuk po me kujtohën. Këta kan qenë më shumë nam e veçanërisht MITRI.
A jeni në gjendje ndonjë veprim të Mitrit me e përshkrua?
Gjatë masakrës ky ka qenë në karakoll dhe ne momentin që neve na vendosen te muri, ata që kan mbijetuar sulmit të parë Mitri nga karakolli gjuante me snajperë dhe vriste secilin me rend, nga pozicioni që kishte.Ka gjuajtur 20 herë e nuk e dijë se sa ka vrarë. Ka pasur edhe disa të burgosur serb që janë bashkuar me ata, ka qenë një far Miga, emrin nuk ia dijë, ashtu e quanin, ky ka qenë pjesëmarrës i masakrës dhe ka qenë shum i tmerrshëm.
A ju kujtohet kur forcat serbe kanë sjellur gazetarë, për të parë ngjarjen pas bombardimeve të NATO-s?
Ata të burgosur që pësuan nga bombardimet e NATO-s, ne i tërhoqëm dhe i qitem jashtë në oborr. Prisnim çka do të ndodhë tani, por për çudi i pamë disa njerëz që hynin me aparate. Ishin gazetarë të disa mediave serbe dhe greke. Ata fotografonin kufomat merrnin shënime dhe i numëruan. Ishin përgatitur mirë për të treguar që ata janë të brengosur për ketë ngjarje. Ajo vizitë neve na krijoni një përshtypje që t’i vendosim pikë kësaj faqe. Sapo kanë dalur jashtë gazetarët, forcat serbe filluan masakrën, kjo tani nuk ishte nga NATO.
Nga e dinit ju që ata janë gazetar Grekë apo Serbë?
Ata tregonin vetë për këtë, pra personeli vetë tregonte dhe nga biseda që bënin e kuptuam që janë gazetar Grekë e serbë.
16. RASIM SELMANAJ
Z. Selmanaj kur jeni burgosur për herë të parë dhe si erdhët në burgun e Dubravës?
Unë herën e parë jam burgosur në vitin 1981, herën e fundit jam burgosur më 24 mars te vitit 1998. Në ditën kur fillon lufta frontale në Rrafshin e Dukagjinit. Ishte momenti kur policia serbe sulmon Familjen Haradinaj dhe filloi lufta në Gllogjan.
Pastaj në cilin burg ju kanë dërguar?
Kam qenë në burgun e Pejës, për katër muaj ku edhe fillon burgosja masive. Jemi transferuar në burgjet e Serbisë. Unë kam qenë në burgun e Nishit deri më, 12 Gusht 1998. Në burgun e Dubravës kemi ardhur kur filluan bombardimet më 30 prill 1999. Ky grumbullim është bërë me një skenar të përgatitur.
Nga burgu i Nishit kemi qenë 3 autobusë, gjatë rrugës është bombarduar ura e Llozicës dhe dy autobusë kemi mbetur mbrapa. Nga aty kemi shkuar në Lipjan, që kemi qëndruar një natë. Të nesërmen në mëngjes kemi shkuar në burgun e Dubravës.
Çfarë keni vërejtur në burgun e Dubravës, kur keni hyrë atë ditë?
Në hyrje të Dubravës kemi parë shumë gardian, polici e paramilitarë.
Jashtë burgut çfarë keni parë në momentin që keni shkuar me autobus, ndonjë mjet të motorizuar apo diç të tillë?
Po ato i kemi vërejtur në formë të rrathëve, para se të hyjmë në Dubravë, të pozicionuar forca ushtarake.
Mund t’i përshkruani ngjarjet si kanë ndodhur pastaj?
Unë kam qenë në pavijonin “B”. Ka ndodhur bombardimi i pavijonit “C” kushtet kanë qenë të këqija me shumë maltretime. Kur bombardoi NATO, situata ka ndryshuar e gjitha.
Si keni dalë jashtë pavijonit?
Nga goditjet e bombave të NATO-s pavijoni ku kemi qëndruar ne ka pasur një tronditje të madhe, ishim të shqetësuar dhe nuk dinim çka po ndodhë, ndërkohë kemi aluduar që ka bombarduar ndonjë avion serb, i kemi parë të burgosurit ordinerë duke na hapur dyert. Dolëm në oborr, ishte një situatë e pakontrolluar.
Pas bombardimeve të NATO-s më, 21 Maj, pastaj a ju kujtohen ndonjë shprehje e gardianeve dhe si ishin sjelljet e tyre në raport me të burgosurit?
Gardianet me emra i kam në libër, nuk i mbaj mënd, janë sjellur shumë keq, sepse edhe ata ishin të shqetësuar. Sepse edhe ata nuk kishin siguri, po ashtu edhe të burgosurit ordinerë serb. Të gjithë kan qenë të armatosur dhe masakrat me të mëdha i kane bërë të burgosurit serb.
Çka ndodhi me 22 Maj?
Më 21 maj unë e kam disa shënime, kjo ka qenë nata më e gjatë në jetën time ku kemi qenë në fushën e sportit. Shoqëri e kemi pasur Hënën dhe Vdekjen, menduam që në mëngjes do të pushkatohemi ndërsa rreth mureve policët serb na provokonin shumë. E dinim që në mëngjes do të ndodhë diçka. Më 22 maj na thirrën jashtë dhe më kujtohen sekondat e fundit para se të gjuanin. Shum shokë nga Deçani,Gjakova thoshin hajde të bëhemi bashkë. Gazmend Imeri ishte në një vrimë të murit i ka vërejtur lëvizjet e policeve dhe tha: “Ikni djem se na u ……. nëna”. Personalisht kur filluan të gjuanin jam shtrirë për tokë, gjatë tërë kohës kishte britma të njerëzve nga plagët ndërsa unë isha i plagosur nga një pjesë e bombës. Më rridhte gjak, mirëpo në ato momente i pash shumë të shtrirë dhe një grup prej 15 personave duke vrapuar veç kur binin në tokë. Po ashtu i kam parë edhe tre persona duke rënë në tokë nga gjuajtjet e serbeve, unë nuk e dijë sa kam qëndruar aty mirëpo më vonë vendosa me vrapue. Kur shkova në një pozicion ku ishin edhe disa shokë, aty nuk guxonim të lëviznim sepse nuk e dinim nga po gjuajnë. Ndërsa në librin time e kam përshkruar ngjarjen e Dervish Sylës nga Ratishi i Deçanit. Në momentet e fundit të jetës duke thënë: “Tregoju fëmijëve të mi që unë po vdes për Kosovë” dhe i shante serbet duke thënë: “Gjuani kriminelë sepse Kosova e ka fituar lirinë”.
Ju kujtohet ndonjë rast kur ndonjë i plagosur rëndë që nuk keni menduar që do të shpëtoj por faktikisht ka shpëtuar?
Ka shumë raste në pavijonin tonë shum iu kemi ndihmuar, është rasti i Bedri Kokalajt që kemi menduar që do të vdes, e që sot është gjallë.
Më 23 maj, çka dini për pushkatimet individuale p.sh. te kotllonica, kuzhina, apo spitali?
Realisht unë nuk jam dëshmitar i ndonjë rasti sepse unë nuk isha një nga të burgosurit që nuk jam strehuar në ato edhe pse ishte normale në atë kohë, unë kam qenë i strehuar te t’plagosurit.
Gardianët e burgut që kan qenë me maska dhe pa maska a ju kujtohet ndonjë shprehje e tyre apo përmes ndonjë të burgosuri tjetër që ke dëgjuar?
Momentalisht më kujtohet kur ishim të renditur, aty ku ishin të burgosurit e plagosur dhe kemi bërë një grup për rezistencë. Nga kati i parë dhe i dytë ne kemi vëzhguar dhe në momentin që kemi pritur të na sulmonin ngase ata ishin me maska dhe pasi ata kishin hedhur bomba në puseta ne e prisnim një gjë të tillë por çuditërisht disa të burgosur me duar të lidhura prapa kokës bërtitnin. O shokë dorëzohuni sepse po na thërrasin të dalim jashtë dhe qëndrimi fillestar ishte mos me dalë por pas një bisede që patëm, vendosem të dalim sepse nuk kishim zgjidhje tjetër. I morëm shokët e plagosur dhe shkuam në sallë të sportit.
Sfetllani ka qenë për vrasje aty dhe quhej Dritan çka dini për atë?
Është interesant, ky është njeriu që ka bërë një masakër në Deçan dhe ka qenë i burgosur. Në masakrën e Dubravës është ky që ka bërë masakër të madhe, ai është parë i armatosur dhe është pjesë e çdo krimi që ka ndodhur në burgun e Dubravës, ka shprehur një lloj urrejtje. Ndërhynë Sadik Zeqiri ( Ky ishte shef i atyre që na binin bukë, e binte bukën dhe na rrahte, por edhe më vonë kur ndodhën pushkatime aty ku ka qenë nevoja me vrarë njerëz ai e ka bërë këtë.
Nijazi Kryeziu dhe Enver Berisha
Momenti kur ju jeni pranuar në Dubravë; kur keni hyrë në Dubravë?
Kalimi nga burgu në burg, ka pasuar me dajak të mirë, nëse nuk gaboj edhe një autobus tjetër prej Prizrenit me të burgosur gjithashtu ne që vinim prej Nishit, na kanë rrahur aq sa kanë mundur, deri sa janë lodhur. Ushqimi ka qenë katastrofë. Për çdo ditë ka pas maltretime duke u nisur prej atyre psikike e fizike. Data 19 majit ka qenë datë kur është dëgjuar një e krisur e madhe. Kemi pyetur vetëvehten se çka ndodhi. Atë ditë në pavijonin aty afër, pas pavijonit ku kemi qenë na dhe pavijonit të goditur ka qenë edhe një pavijon tjetër. Ka pas 2 – 3 viktima ku prej tyre ka qenë edhe Enver Topalli. Kështu që janë hapur të gjitha dyert e pavijoneve. Kemi dal jashtë. Ka pasur hyrje të menjëhershme të njerëzve të maskuar dhe të pa maskuar, gardian, ushtarë, civil të armatosur në oborr dhe na kanë mbledhur të gjithë të burgosurve me një vend. Unë dhe të gjithë të burgosurit tjerë kur na kanë rreshtuar menduam se përfundoi çdo gjë me neve. Ka qenë shumë interesant kur na kanë thënë që të rreshtohemi, ku dhe na kanë numëruar.
Kanë gjuajtur ma shumë me zollë, si e dijë unë janë gjetur të vrarë njerëz prej copave zollës. Qysh e di unë të gjetur nuk ka që janë me plumba atje të Istogu. Diku 160 – 170 janë mbytur.
Sa veta nuk dihet se ku janë?
60 – 70 veta nuk dihet se ku janë.
Kur kanë filluar me rreshtimin, për pushkatim, unë kom filluar me ikë sikur të gjithë të tjerët me ardhur poshtë në drejtim të kuzhinës dhe Feritit, ku ai ishte i përgjakur në kokë, i kemi dhënë ndihmën e parë, janë organizua unioni i studentëve: Bilbil Duraku, Nijazi Kryeziu, Aqif Ilazi, Sherif Ilazi, Bislim Zogaj që kishte qenë me profesion teknik e ja dhanë ndihmën e parë. E kemi marrë Feritin dhe e kemi dërgu lartë , kur jemi kthyer me marr në gjysmë të rrugës kemi pa se prej ambullantës kanë dalur vetëm 3 – 4 veta, kurse të gjithë të tjerët kanë dalë të plagosur e të vrarë se e kanë pasur plumbin në kokë .
Gjatë kohës kur ju e keni bart Feritin, sa të burgosur të tjerë kanë qenë të plagosur?
Ka qenë diku rreth 15–16 të plagosur në ambulantë që kur jemi kthyer me i marr të gjithë ishin kanë të vramë. Pasi e kemi strehua Feritin unë kam qenë me një djalë me emrin Gazmend nga Gjakova . Ata prapë vazhdonin me hy me gjuajt me zolla. Kjo ka zgjatur dy ditë, kurse të tretën pjesa ma e madhe e të burgosurve ka qenë në podrumin e kuzhinës.
Po kthehem edhe një herë te bartja e të plagosurve, kurse është bërë bartja e të gjithë të plagosurve ku ka ndodhë pushkatimi. Të gjithë këta të plagosur ne i kemi bartur. është shumë interesant se unë e kam pas një shok të dhomës që është plagos, kur kam shkua te ai, ai e ka pas qafën me gjak, krejt gropat e syve me lot dhe aty mua në momentin e fundit ka ardhur të ligsht. Nijazia ma ka ngjit, me ka ngreh për tokë dhe ata kanë fillua me gjuajt me snajperë. Aty Nijaziu më ka shpëtua me sekonda . Aty vdiq Qemali, kur më ka ngreh Nijazia, ai ka qenë gjallë, plumbat e kanë kap sigurisht sepse ai ka pas në trup edhe plumba edhe thërmia të granatës.
Ka qenë një rast shumë interesant me një Bedri Kukkalaj nga Deçani, që kur kemi filluar me i marr të plagosurit ai nuk ka pas kurrfarë shenjash në atë poligon si i gjallë (dukej i mbytur). Pas 24 orë një i Zhurit tha Bedria është gjallë dhe e kemi dërgua në shtëpi të kulturës, i është dhënë ndihma e parë, ka qenë i plagosur në gjoks sepse jaknën e ka pas krejt të prishur, një sy e ka të humbur siç kam dëgjuar, ky është arrestua diku në luftë.
Prej këtyre që janë të vrarë a e keni njohtë ndonjërin?
Qemalin e kam njohtë, sepse mundësia për me njoftë ishte e vogël. Tash kontakte ma shumë kam në Prizren me Nijazi Kryeziun, me Ukën e Suharekës.
17. ENVER BERISHA NGA PRIZRENI
Deri sa ishim në burgun famëkeq të Nishit më, 28 – 29 prill 1999. Ka ardhur mbikëqyrësi i pavijonit ku jemi vendosur ne shqiptarët, i kanë lexuar emrat e të burgosurve që do ti bënin transferim diku tjetër, na kanë thënë se duhet të zgjohemi pak ma herët se sa zakonisht . Të nesërmen na kanë hipur në autobus, një ditë përpara vjen një autobus me të burgosur prej Mitrovicës së Serenit ku prej tyre kanë qenë shumë veprimtar si: Nait Hasani e të tjerë, pastaj më, 29 ose 30 prill 1999 kemi marrë rrugën prej Nishit në drejtim që nuk e dinim se ku po shkonim, ka ndodh gjuajtja diku më vonë e kemi kuptuar vendin se ku është. autobusi i parë ka kaluar kurse dy autobusë kemi mbetur mbrapa, është bërë shkëputja e dy brigjeve. autobusët që mbeten mbrapa na kanë kthye për burgun e Lipjanit ku mikpritjen prej burgut në burg ka qenë e përcjellur e mizershme. Të nesërmen sërish me autobus rrugës nëpër çfarë male na kanë dërguar në Dubravë, na kanë pritur si zakonisht.
18. NIJAZI KRYEZIU NGA PRIZRENI
Kur jeni arrestuar?
Jam arrestuar më 23 maj 1998 së bashku me shokët tjerë që jemi arrestuar në Prizren. Për një kohë të shkurtër diku Brenda 10 ditëve neve na është ngritur edhe aktakuza për veprimtari armiqësore dhe terrorizëm. Me 20 gusht jemi dënuar, unë kam qenë me dënim kapital diku 7 vjet e gjysmë. I dënuar për kryengritje kundër shtetit dhe terrorizëm. I dënuar si pjesëtar i UÇK-s. Sipas argumenteve që i ka përgaditur vet UDB-ja. Na gjykoi në gjykatën e Prizrenit. Më, 11 shtator jemi transferua për në burgun korrektues të Nishit. Ne kemi qenë 6 djem e tre vajza. Është i çuditshëm vendimi i gjykatës së qarkut të Prizrenit në atë kohë ku kryetari i gjykatës Jovica Mitroviq, i cili për herë të parë ka zbatuar një nen të kodit penal të Jugosllavisë. Të gjithë të akuzuarve edhe atyre që janë dënuar 5 vite edhe atyre që janë dënuar nën 5 vite iu është dhënë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e lëndës, mbi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë në atë kohë edhe pse është përdorur për herë të parë kjo metodë në grupin tonë në këtë vendim të gjykatës ka pas disa ditë para se ne të gjykoheshim, disa nga pjesëtarët e ushtrisë së Kosovës së zonën së Vrrinit ishin liruar dhe iu ishin bashkëngjitë UÇK-së. Ishte edhe komandanti dhe tani dëshmori i kombit Xhevat Berisha. Tretmanin që e kemi pasur në shtëpinë korrektuese në Nish, ka qenë tretman jashtë çdo konvente, që nuk i plotëson normat normale të burgosurve. Kur ne kemi shkua, jemi përcjell me forca të blinduara serbe, që nga hyrja e deri ku na kanë quar në një pavijon ku quhet faza e kalimit. Aty kemi mbajtur 8 muaj e gjysmë të gjithë që kemi qenë të dënuar. Më 24 mars natën kur është goditur për herë të parë një serb nga bombarduesit e NATO-s, neve na kanë dërguan në një pjesë të shqiptarëve, në pavijonin “C”. Kemi qëndruar në Nish. Është interesante se më 27 prill vijnë dy autobus tjerë nga burgu i qarkut të Serbisë dhe nga Vojvodina dhe nga një burg tjetër ku ishin profesori Nait Hasani , Avni Klinaku, Bajrush Xhemajli, dhe ne dëgjonim çdo ditë pëshpërima për transferim. Më 29 prill na futen në autobus, tre autobus jemi nisur nga Nishi për transferim për në burgun e Dubravës. Në rrugën tek ura e Llazicës ka ndodhur një sulm i forcave ajrore të NATO-s. U godit autoblinda ku ka pasur ushtarë serbë dhe pastaj ata u detyruan të na kthejnë autobusin e dytë dhe të tretë, që natën ta kalojmë në burgun për të mitur në Lipjan. Të nesërmen në mëngjes sërish na kanë hipur në autobus ku autobusi jonë ishte më i dëmtuar. Na kanë transferuar për në burgun e Dubravës, ku kemi arritur më 30 prill, kah ora 12, Na kanë lënë te pritja e burgut, nuk na kanë çuar si bëhet transferimi në burg sipas konventës ndërkombëtare sepse puna menaxhohej sipas Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë. Atëherë ka qenë menaxhim republikan dhe neve në rrugë jashtë hyrjes kryesore të burgut të Dubravës. Na kanë dorëzuar tek forcat paramilitare, ka pas edhe të burgosur të veshur që i kanë ndihmuar edhe forcave policore. Nuk ka pasur civil. Kanë qenë me uniforma të ndryshme, aty e kemi pa se përpos vijës zyrtare ka qenë një vijë që ka qenë më tepër autoritative. Kur jemi futur në burg prej 9 prillit, çdo ditë kanë sjellur grupe të reja nga burgu i qarkut të Prizrenit, Pejës, Prishtinës, kanë sjellur qytetar të viseve të ndryshme sidomos disa nga komuna e Gjakovës, ku në mesin e tyre edhe aktivistin Albin Kurti me të burgosur tjerë. Tretmani ka qenë regjim i kampeve të përqendrimit që i ka historia e luftës amerikane në Vietnam apo i luftës së dytë botërore. Nuk kemi pasur vizita të njëri–tjetri sepse kemi qenë në dhoma të izoluar. Regjimi ka qenë regjim militarist ma mirë me thënë absolutisht nuk ke pasur asnjë të drejtë, tretmani ka qenë jashtë çdo niveli, ushqimin e kemi marrur dy racione në ditë, ushqim ka pasur të mjaftueshëm sepse ajo kuzhinë ka ushqyer edhe forcat serbe të njësive kundër ajrore dhe ushqimi ka qenë i mirë. Në krahasim, nëse e krahasojmë me ushqimin e burgut të Nishit. Në çdo dhomë ka pas gjurmë, në dhomën ku kemi qenë ne, ka pasur brusha për pastrimin e armëve, ka pasur aparatura që përdoren si radiolidhje etj.
Murinku quhej tipi i lirë ka qenë një restorant ku ka punuar si kuzhinë për të burgosur, në mes atij murit të parë dhe të dytë ka qenë e mbushur me armatim.

Te burgosurit e masakruar – 19 – 24 Maj 1999.

____________________________________________________

Prej 29 prillit deri më 19 maj tretmani ka qenë jashtë çdo konvente. Rendi shtëpiak, rregullat nuk janë përfillë, ne jemi bërë rresht dy herë për të shkuar në kuzhinë, nuk ke guxuar të flasësh me dikë, nuk ke guxuar të shikosh as anash, cilido nga ne ka mundur të jetë viktimë e çastit apo viktimë e dëshirave individuale dhe një sinjal që e kemi pasur ne të burgosurit, ata thoshin fjalë të ndryshme që në gjuhën tonë të thotë “mish për krejt, të jenë shëndosh të kenë killazh tamam. Ka pasur tendenca për t’u futur në autobus dhe me masakrua ndonjë të burgosur ku tre a katër kanë qenë me prerje, ku duhet me e përmend rastin e Filip Pjetrit një mik i yni nga Klina ku së bashku kemi qenë, ai ka qenë në ulësen e parë dhe është futur një paramilitar dhe e ka prerë Filipin në fyt mbi sipërfaqe të lëkurës, edhe natën e dytë ka pas maltretime, i maltretuari tjetër ka qenë edhe Sheremet Ahmeti, tani shef i Policisë së Kosovës. I plagosur me i lënduar nga të gjithë ka qenë Halil Ademaj. Këmbëngulsija e mbikëqyrësit që e ka përcjellur transferimin tonë ka qenë në nivel ku ai për çdo pikë kontrolli i ka pasur të gjithë në numër. Në burgun e Dubravës ka urdhër nga lartë. Unë pasi që e flas mirë gjuhën serbe, kam dëgjuar duke biseduar në radiolidhje dhe duke thënë se është urdhër nga lartë, me neve nuk ka biseduar askush, madje as roja, siçë ndodh me bisedua me ndonjë të burgosur. Më, 19 maj në pavijonin “C”, ashtu quhej ai pavijon i cili sipër ka pasur shokët e krahut tonë, ku përballë kanë qenë: Nait Hasani, Asllan Selimi, Naim Lushi, Profesori Ukshin Hoti, por dhe një sekuencë që ka qenë interesante ku profesori Ukshin Hoti është dashtë të lirohej më, 19 maj, realisht është liruar një ditë më parë (ditën e diel) për zakonin e lirimit të burgosurve. Ai është liruar, ku dy trupa civile kanë ardhur dhe e kanë marrë një çantë ku ka pasur gjëra të veta. I kemi përcjellur me sy deri te porta e poshtme, që quhet porta jugore e burgut. Ukshinin nuk dimë më nga e kan tretë. Më 19 maj diku në mesditë është goditur pavijoni i parë nga aeroplanët e NATOS, ne kemi dëgjuar thyerjet e xhamave, dhe jemi organizuar shpejtë e shpejt që t’i hapim dyert. Dyert kanë qenë me mënyrë elektronike. Ne jemi organizua me ju ndihmua shokëve. Nga të rënët që kanë qenë ishin fillimisht tre- katër dhe numri ka mbërri deri në 24, nga bombardimet. Dhjetë(10) veta kanë qenë me lëndime të rënda dhe nja 20 tjerë kanë qenë me lëndime më të lehta. Aty ka qenë i lënduar edhe një aktivist: Enver Topalli, pastaj ne i kemi nxjerrur të gjithë nën rrënoja, jemi munduar të japim ndihmën e parë, ndihmën preventive për gjakderdhje. Mes fushës, kuzhinës dhe pavijoneve ishte një park i gjelbruar, pas një kohe kanë ardhur forcat e rëndit ku ju paraprinin të burgosurit ordinerë, të armatosur. Synonin të na fusnin brenda. Fillimisht na kanë bërë rresht për dy, pastaj na kanë futur brenda dhe na kanë thënë rrini brenda në pavijone. Kjo është një element që e kam analizuar ku kam biseduar me miq e me shokë dhe me ekspert, ka qenë një element që ta akuzojmë NAT-on për viktimat e bëra. Ne të frikësuar rrinin larg objekteve duke u ruajtur se mos po bombardonin përsëri deri të nesërmen në mëngjes. Të nesërmen në mëngjes ka ndodhur lajm shumë interesante, ku na kanë dërguar në pjesën veriore, veriperëndimore. Kanë thënë duhet të bëhet transferim, diku tjetër, në Serbi. Nga të dy karakollat, pasi jemi bërë rresht, është shtënë me armë, është përdorur minahedhës, snajperë, bombat e dorës. Është vështirë me e dijtë, se në fushë i kemi lënë diku afër 70 shokë të plagosur ku edhe kanë vdekur disa të tjerë. Jemi organizuar me ju ndihmua shokëve, por ata na kanë parë se na jemi organizue me ju ndihmuar shokëve.
Pas një konsultimi që kemi pasur me të burgosur të asaj kohe, që kanë qenë punonjës në Ministritë e Kosovës. Jemi organizua grupi jonë, unë me Defrim Rifajn, Haqif Ilazin, Sherif Ilazin, me ne ka qenë gjatë tërë kohës nga Nexhat Daci nga Rozhaja, Ferit Tafallari, Bajrush Xhemajli. Jemi organizua në grupe ngase nga gjakderdhja shumë njerëz po vdesin. Atë ditë ka pasur sulme dhe të shtëna për këdo që e kanë zënë. Ne jemi munduar që të plagosurit t’i qojmë në objekte më të sigurta, kufomat ato të cilat i kemi identifikuar si të vdekura, i kemi rendit te pavijoni “C”. Natën e 23 majit kanë qenë disa aksione të forcave paramilitare, të ndara në grupe, nga 2 deri në 8. Janë futur edhe prej portës poshtë, kanë provuar në cilin pavijon që ishte më afër dhe kanë gjuajtur brenda me bomba dore, kanë shtënë me kallash dhe kanë vrarë disa të burgosur. Kanë gjuajtur me snajperë nga Karakolli, bile bile është vrarë një shok i jonë nga Tropoja e Shqipërisë, ka qenë duke pirë duhan. Aty kemi qenë në rrezik, ku unë dhe Sherif Hamza nga Mushtishti kemi shpëtua, Sherif Hamza ka qenë i shtrirë dhe unë kam qenë përballë. Ai shoku ka qenë mes nesh duke kërkuar një cigare dhe është vrarë në vend. Ka pasur edhe të plagosur tjerë, nga shokët tanë. Feriti është plagosur, kishte dy plagë, një në gjoks dhe një në kokë. Kemi pasur të plagosur edhe me shumë plagë. Ka pas prej atyre që ka qenë i plagosur me 13 plagë dhe është gjallë, ka shpëtuar. Nga 6 shokë sa ishim ne grupi i studentëve dhe 5 shokë tjerë jemi bërë dikush të mbaj rend e dikush të ndihmoj të plagosurit, kmisha që kishim më i shqeu një djalosh i cili tërë kohën ka qenë sypatrembur, ai është Muhamed Avdaj nga Deqani, ai ka qenë i pari i cili ka thirrë të gjithë të tjerët, Bajrush Xhemajli dhe Mehmet Avdimemedoviqi ka qenë pjesë e të gjitha përpjekjeve për të ndihmuar të plagosurit. Tërë kohën ka qenë me neve Asllan Zeneli dhe na ka dhënë kurajë, na ka mbështetur. Është interesant se kur kemi vendosur të ju ndihmojmë shokëve jemi nda në grupe, ku Defrim Rifaj dhe Sherif Ilazi janë caktua me shkua me e thye ambulancën që gjendej brenda burgut, kur kanë shkuar me e thyer objektin, atëherë i ka parë dikush dhe kanë shtënë, pas tyre me armë, tani ata i kanë sjellur barnat, kur i kanë sjellë barnat ka ndodhur një kohë e gjatë , atëherë ju kujtua Haqif Ilazit dhe Sherif Ilazit që mund të përdoren perde të pastëra, ku kemi improvizuar dhe i kemi lidhur plagët, që të ndërprehet gjakderdhja. Nuk kemi pasur mundësi me i tregua askujt për të plagosurit, sepse secili ka luftua me plagët e veta.
Drejtori dhe zëvendës drejtori kanë udhëhequr të gjitha operacionet , ata janë futur brenda oborrit. Me ushqim dhe me mishin që ka qenë aty, jemi detuyruar që t’i ushqejmë të plagosurit, tërë natën i kemi ruajt të plagosurit. Më 24maj i pari që ka hyrë në burg ka qenë Darko Bullatoviqi, ishte shef i sigurimit shtetëror për qarkun e Pejës. Kur është futur Brenda, kishte vetëm një revole i tipit zastava CZ. Jemi ndërruar unë, Defrim Rifaj, Haqif Ilazi, Nait Hasani dhe dy shok tjerë nga Klina që nuk po me kujtohen emrat e tyre. Ai ka hyrë vetëm në dhomë. Ne kemi mundur ta sulmojmë, por na ka përcjellë ushtria speciale jugosllave. Ai ka hyrë dhe ka biseduar me një rreshter. Gjatë bisedës Bullatoviqi më pat thënë: ti po flet shumë mirë serbisht.
Darko Bullatoviqi u deklarua duke thënë: “Unë jem shef i sigurimit shtetëror në nivel republikan, unë jem zoti këtu, kam qenë i lumtur që paskam me dikën të bisedoj, që e ka zinxhirin komandues”.
Si është larguar ai?
Ka ardhur njëri nga ushtarët dhe ka thënë: “A ka njerëz të UÇK-s”. Këta të shtabit të përgjithshëm donë me i lirua. Do t’i qojmë në Mal të zi në burgje, ata tuajt nëse japin pare. Atë ditë ka qenë edhe lajmi i të liruarve nga burgu. Ne kishim një transistor që i dëgjonim lajmet dhe nga momenti që është futur dhe e ka marrë komandën, ka qenë një tretman nën komandën e tij. Na kanë urdhërua që të ndahemi nga 50 veta nëpër autobusë për të bërë transferim të mëtutjeshëm. Komandanti Darko Bullatoviqi ka pas një hierarki komanduese shumë të qartë, ka qenë interesant kur na kanë dërgua te salla e sportit me 24 maj. Kur na kanë grumbullua te salla e sportit unë kam parë në dy apo tri vende, por ka edhe shokë të tjerë që e tregojnë pjesën tjetër të tregimit që ka qenë vendi i rrethuar me eksploziv. Militaret kanë qenë rreth të burgosurve me maska, janë futur në një sallë. Kanë pyetur se për çka jeni, na kanë sjellur ujë, cigare duke na kanë përqeshur me fjalët: “Pini këto se janë të fundit”. Pas një ore e gjysmë, nuk e di a ka ndërrua komanda, ngase kemi shumë variante të tregimit, madje edhe me shok që i kemi vrojtua bashkë shpeshherë, argumentet janë se është ndërrua shpesh herë komanda dhe është futur një persin meuniformë. Kombylizon që quhet i ushtrisë, që sipas të gjitha gjasave sipas përcaktimit që unë mundem me i bë uniformave serbe.
Ai ka thënë: “Askush të mos i afrohet mureve, urdhëri është që nuk duhet të ju ngucim”. Kur është futur Darko Bullatoviqi së bashku me këtë oficerin që ka qenë i maskuar, ka thënë: që të ndahemi në dy autobusë, nga 50 në secilin autobus për transferim. Shpeshherë disa të burgosur nuk kanë dashur të dalin nga grupi dhe kanë mbetur një grup 55 e tjetri 45 veta. Njëri ka thënë: “se kush është mbi 50 veta, pushkatoni. Mirëpo Darko Bullatoviqi thotë: “jo”, le të ndahen nga 50 veta. Neve atëherë e kemi parë se duhet me u nda nga 50 veta. Kemi ndihmua që rreshtat të bëhen nga 50 veta dhe tani kemi bërë bartjen e të plagosurve. Të plagosurit janë bartur me kamion siç shihej, ata përdoreshin nga ushtria dhe policia për kamuflazhe ndaj forcave ajrore të NATO-s. Por ishin kryesisht kamion që i bartnin kafshët dhe të mbuluar me ceradë. Kush kemi qenë të pa plagosur që ishim në këmbë, kemi hipur në autobus. Në dalje të Klinës, është prishur autobusi ku kemi qenë ne. Një kolonel serb, Mitiq me duket se quhej dhe na ka urdhërua që të zbresim edhe na dhe të hipim të gjithë të pa plagosurit në kamion dhe tërë kohën kemi pas përmbrapa me autoblinda të ushtrisë. Kanë rënë nga rruga e Suhidollit dhe na kanë dërguar në burgun e Lipjanit. Atje ishin grup policësh, ushtarësh, paramilitarësh dhe gardianësh, çdo njëri që është futur deri te pavijoni është dashtë që ti kaloj dy kordonë nga të mobilizuarit me shufra hekuri, gome, me armë e me gjithçka që kishin. Edhe aty ka njerëz që janë lënduar nga ky maltretim, që edhe kanë vdekur. Na kanë futur në dhoma nga 50 veta. Nuk kemi mundur të ngopemi edhe me ajër. Aty kemi qëndruar deri në mes të 10 qershorit. Jemi ushqyer me nga ¼ e pjesës së bukës dhe asgjë tjetër, nuk kemi pasur të drejtë as të dalim për nevojë. Një herë në 24 orë na është hapur dera për nevojë fiziologjike, vetëm 5 minuta kohëzgjatje. Ishin 2 toalete për 50 veta. Është interesante të cekim se në natën e 9 qershorit, kanë ardhë natën të maskuar, ku kanë qenë edhe dy eprorë shqiptarë, të asaj kohe. Kanë ardhur në dhomë dhe na kanë lidhur duart, të gjithëve në mes këmbëve, prapa shpinës dhe na kanë detyruar që të rrijmë në gjunjë me orë të tëra. Duke pritur që edhe aty të fillojë ndonjë ekzekutim. Ka qenë mosmarrëveshje në mes hierarkisë komanduese në korridor dhe në oborr. Kam dëgjuar nga të tjerët nëpër pavijonet tjera, ndoshta kemi qenë të gjithë të stresuar dhe të frikuar për ekzekutimin në pavijonin e parë të njerëzve, të plagosurve. Atyre që iu është dashtë ndihma mjekësore dhe nuk i kanë dërguar në spital.
Filip Pjetri është gjallë, është nga Klina. Sheremet Ahmeti, Halil Ademi gjendet në Prizren, Azem Buzhala. Hasan Zeneli është nga Ballabani i Podujevës e tani jeton në Prishtinë.
19. DEFRIM RIFAJ
Më 23 maj 1998, jemi arrestuar në Prizren, Unë, Nijazi Kryeziu e tërë grupi i studentëve, jemi arrestuar në zyrat e unionit të studentëve. Në Prizren kemi qëndruar rreth dy muaj e gjysmë, pas gjykimit në burgun e Prizrenit, jemi transferua më 11 shtator 1998, për në burgun e Nishit.
Jam dënuar me dy vjet e gjysmë burg, në Gjykatën e Prizrenit. Më 11 shator jemi transferuar 7 shqiptarë për në burgun e Nishit, 3 apo 4 për në burgun e Serenit.
Më 26 prill i sjellin të burgosurit prej burgut të Serenit, po ashtu edhe më 29 prill 1999 na bien në burgun e Dubravës. Po ashtu sjellin të burgosur dhe prej krejt qendrave të Kosovës. Kur hynin forca paramilitare në autobus pyesnin se ku po i qojnë, gardianët përgjigjeshin: “Kemi detyrë të gjallë me i qua”, “Po i qojmë mish për grep”.
Për në Dubravë bartnin të burgosur tre autobus, duke udhëtua autobusi i parë ka kaluar, kurse autobusi i dytë dhe i tretë kanë mbetur sepse është bombardua ura prej forcave të NATO-s. Të nesermen më, 30 prill arrijtëm në Dubravë, kështu qendruam deri më 19 maj. Më 19 maj gjuajti NATO në objektet e forcave serbe. Ne të burgosurit shqiptarë tentuam te thyejmë grilat për të dalur jashtë burgut. Serbët nga revolta filluan të shfryheshin, gjuanin tek ne, në kuzhinën e burgut e në të gjitha vendet e burgut të Dubravës.
Çka patë kur jeni pranuar aty?
Ka pas forca serbe dhe armatim të koncentruar rrathë e rrathë brenda mureve të burgut.
B.H. Si e bënin këta provokimin?
Me kundër ajror, me fishekzjarrë,
Më, 22 maj në orët e hershme të mëngjesit janë përgatitur gjoja për transferim duke thënë se këtu nuk kemi kushte sigurie. Në mëngjes duke thirrur, pyetën a janë të gjithë? Po at moment tani filloi pushkatimi me mitraloz, kallashnikovë, zolla, bomba dore, e tërë teknologjia e armatimit. Nuk dihej kush çka po bahet, gjuhej nga të gjitha anët.
Më, 23 maj na quan në sallën e sportit. Disa paramilitarë ishin me maska. Pasi na dhanë ujë, na dhanë edhe nga një cigare, filluan me na shajtë, një tjetër një civil tha me i lëshua, me dal jashtë. Na thanë organizohuni, hani. Kjo ndodhi deri më 24 maj. Më 24 maj nuk e dinim se ku po na çojnë, kishim përvojën e hidhur që na ndodhi, hipëm nëpër autobusë. Autobusi ku ishim ne kishte defekt. Mbetën rreth 250 të plagosur. Ditën e 22-it kur u dashtë të iu ndihmonim me ndihmat tona. Kemi lënë shumë të vrarë.
Ka qenë jo normale, me e paramendua nuk mundësh ngase as në film nuk ndodhin ato.
Ma interesant ka qenë rasti Ramadanit nga Komuna e Suharekës dhe vëllai i tij, kur vëllain e ka futur përfundi e vet përmbi, kurse një pjesë e granatës e ka kap vëllain më të ri përfundi.Në planin për dhënien e ndihmës së parë, kemi shkua në spitalin e burgut për me mjekua, kemi gjetur vetëm kater thasë me barëra, me barna jo të rëndësishëm që nuk duhen. Ato i kemi nda, i kemi klasifikua me disa që marrin vesh në atë lëmi për me ju ndihmua të plagosurve. Kemi ndarë qetësues, kemi ndarë antibiotik madje së bashku me Bislim Zogajn, kemi bërë një trajtim thuajse, kemi bërë një infuzion me ujë, me kripë dhe me sheqer për me ju dalur në ndihmë të plagosurve, tërë natën në pavianin “C”. Thuhet se të plagosurit janë dërgua për në burgun e Prishtinës, të gjithë janë shpërndarë nëpër burgjet e Serbisë, ku ka pas edhe disa t ë plagosur që edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku janë.
Rreth organizimit për të plagosurit kanë ndihmuar Nait Hasani. Gjatë masakrës të burgosurit janë strehuar afër kuzhinës ku ishin mbi 300 thasë patate dhe aty janë fshehur, disa janë fshehur nëpër shakte(puseta). Gjatë bombardimeve ka pasur të plagosur edhe në shakte, nga ata që janë strehuar aty.
Ka pasur njerëz që kanë bërë edhe vetëvrasje nga tmerri që shifnin, nga përjetimi i rëndë ku gjatë tërë kohës thoshin se ata do të na masakrojnë, do të na vrasin dhe tani kanë bërë vetëvrasje, janë vetëvarë. Njëri nga ata që është varë ka qenë nga Ferizaji. Kur të gjithë njerëzit këqyrnin me e mbrojt kokën e vet unë kam pas një motivim spontan për t’u ndihmuar të plagosurve, kemi qenë djem të rinj dhe nuk mendonim larg çka do të ndodhë me neve.
Mendonim se do të na vrasin të gjithve, por ne kemi vendosur që mos t’i lejojmë që ata të na masakrojnë dhe me luajt me neve, të paktën të ballafaqohemi me ta, megjithëse nuk kemi pasur asgjë mjete mbrojtëse përpos shipka të hekurit dhe të ballafaqohemi disi, mundësi tjera për t’u mbrojtur nuk kishim.
20. GJERGJ KARAҪI
Në mënyrë telegrafike kur jeni arrestuar në cilët burgje keni qenë dhe kur arritët në burgun e Dubraves?
Unë jam burgosur më 20 shkurt 1999, dy ditë kam qëndruar në Gjakovë dhe të hënën në mëngjes më dërguan në Pejë, me torturua të shumta si çdo të burgosur. Në dhomë isha me disa shokë si: Tahir Panxha nga Lugu i Baranit, Latif Neziri nga Ponisheci dhe disa të tjerë. Aty qëndruam deri më, 3 maj 1999, mirëpo kur filluan bombardimet e NATO-s, ka pasur shumë rrahje dhe tortura të vazhdueshme. Më 3 maj, na dërguan në Dubravë kemi hyrë jo nga dera kryesore por një tjetër, kishte shume kafshë, neve na rreshtuan te një fushë dhe na rrahën shumë, pastaj na shpërndanë në pavijone të ndryshme. Unë isha në pavijonin “C”, në izolim, se bashku me Enver Topallin, Besim Zymberin etj. Të Mërkurën mëngjes jemi zgjuar, unë jam rruar, ndodhi bombardimi nga NATO, që u vranë Enver Topalli, Avdullau. Unë jam plagosur në kokë. Këtu përfundon rrëfimi im. Në Dubravë nuk e dijë çka ka ndodhur me tutje. E dijë që ndihmën e parë ma ka dhënë Frashër Shabani. Në dhomë tani të burgosurit tjerë me kishin parë me batanije të shtrirë në oborr. Tani më kanë dërguar në spital të Pejës. Në spital të Pejës kam qëndruar nga: 19 Maji deri më, 4 qershor. Stafi i spitalit është sjellë shumë keq, ndërsa mjeku ka qenë rus.
Nga e dini që mjeku ka qenë rus?
Nga të folurit ashtu na është dukur neve, mirëpo ishte një motër medicinale që është sjellë shumë keq, unë e kisha kokën të mbështjellur me fasha dhe kur nuk m’i ka hequr fashat në mënyrë të rregullt, por vetëm me grusht, i kapte dhe i hiqte menjëherë, pa kurrfarë kujdesi . Mjeku i tha: “kei kujdes sepse ka dhimbje shumë” ndërsa ajo tha: “Mua nuk më intereson, ky është terrorist”, ndërsa mjeku tha: “Nuk e dij a është terrorist apo jo, për mua është pacient”. Në spital na ka dërguar Vlladimir Ashan – Mance nga Istogu.
VIJON…


– Bedri Halimi – Intervistues i 40 të mbijetuarve nga Masakra serbe në burgun e Dubravës. Shkëputur nga libri: Prof.Ukë Thaçi – Masakra në Burgun e Dubravës (Skenarët e Masakrës), Prishtinë 2011, SHB – “BERATI” Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura