(Pashtriku.org, 25. 05. 2012) – Në 13 vjetorin e masakrës së Tususit – Shumë dëshmitarë që mbijetuan këtë masakër, thonë se, në këtë operacion të përgjakshëm, janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera militare e paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi (të gjelbra), një pjesë e tyre mbanin maska në fytyrë, ndërsa të tjerët kishin të lidhur edhe shamia në kokë…
“Amaneti ynë:
Punoni, duani dhe ndihmoni njëri tjetrin,
çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe
i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t´u
përsëritet historia…
…Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote,
gjaku ynë hallall të qoftë,
lamtumirë Prizren historik,
gjaku ynë t´u bëftë dritë…”,
– kështu thuhet në mbishkrimin e përmendores së ngritur në lagjen Tusus (tani lagjja e trimave) në Prizren, ku janë të skalitur emrat e 27 shqiptarëve të vrarë e të masakruar barbarisht, më 26 maj 1999, nga forcat kriminale serbe.
____________________________
Tususi ishte bazë e fuqishme e UÇK-së
Lagjja e trimave (ish-lagjja Tusus) shtrihet në pjesën jugore të Prizrenit rrëzë maleve të Cvilenit. Gjatë luftës, kjo lagje ishte njëra nga bazat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e radhëve të UÇK-së për zonën e Vërrinit, prandaj kjo lagje si e tillë ishte bërë halë në sy për regjimin pushtues serb. Në muajt mars – maj 1999, në kohën kur forcat miltare dhe paramilitare serbe me dhunë e shpërngulte popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tususi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në, dhe prandaj shumica e banorëve të saj nuk i lëshuan shtëpitë e tyre, madje një kohë aty gjetën strehim edhe dhjetra familje të Vërrinit, Opojës dhe të fshatrave të Therandës e të Anadrinit.
____________________________________
Forcat kriminale serbe, gjatë kësaj periudhe disa herë kanë tentuar të stacionohen në Tusus, mirëpo gjithnjë kanë hasur në rezistnecë të armatosur nga njësitë e UÇK-së, të drejtuar nga komandantët: Samidin Xhezairi – Hoxha dhe Zafir Berisha. Për të “sfiduar” këtë qëndresë të pathyeshme të UÇK-së, komanda ushtarake serbe në Prizren, më 24 prill 1999 mobilizon forca të mëdha ushtarake e policore dhe rrethon lagjen Tusus. Me këtë rast arrestohen 50 mashkuj dhe dërgohen në qendrën sportive ”Sezair Surroi”, e cila me fillimin e bobardimeve të NATO-s (24 mars ´99) ishte shndërruar në një “kamp të madh përqëndrimi” për qindra shqiptarë të zënë robë, nga anë të ndryshme të Kosovës. Nga shumë dëshmitarë, mësohet se gjatë muajve prill-maj, forcat militare e paramilitare serbe qindra shqiptarë të zënë robër i kanë detyruar të hapin istikame në disa vendbanime përreth kufirit, për t´u mbrojtur nga bombardimet e aleancës veriatlantike NATO-s. Gjatë muajit maj 1999, njësitet e UÇK-së meqë ishin vënë në mbrojtje të popullatës shqiptare, disa herë janë përballur me forcat pushtuese serbe në lagjen Tusus dhe në pjesët tjera – përgjatë maleve të Cvilenit dhe të Vërrinit. Kësaj here forcat serbe, në pamundësi të shkatrrimit të bazave të UÇK-së, ndërmorrën një ofensivë gjithëpërfshirëse me karakter hakmarrës mbi popullatën e pafajshme civile.
Si ndodhi Masakra e Tususit ?!
Më 26 maj, ishte ditë e mërkurë, kur rreth orës 7.30 të mëngjesit, forcat serbe kishin vu në rrethim të hekurt lagjen Tusus. Njësitë militare e paramilitare serbe me brutalitet u futën shtëpi më shtëpi, dhe me këtë rast plaçkitën, dogjën e shkrumuan 245 shtëpi të kësaj lagjeje. Në këtë situatë këto njësi kriminale serbe, i ndanin burrat nga gratë… dhe i ekzekuton pamëshirshëm në afërsi të shtëpive të tyre, dhe ky operacion shfarosës ka vazhduar deri në mbrëmje të asaj dite të kobshme.
Shumë dëshmitarë që mbijetuan këtë masakër, thonë se, në këtë operacion të përgjakshëm, janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera militare e paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi (të gjelbra), një pjesë e tyre mbanin maska në fytyr, ndërsa të tjerët kishin të lidhur shamia në kokë.
Në një raport të organizatës “Human Rights Watch”, thuhet se: Gjatë kohës së luftës, në regjionin e Prizrenit, (ku përfshihen Prizreni, Theranda (ish-Suhareka), Rahoveci dhe Sharri (ish-Dragashi), këto formacione policore-ushtarake, i kanë udhëhequr:
– kolonel Gradimir Zekavica,
– nënkolonel Millan Gjuriçiç,
– kolonel Millosh Voinoviç,
– kolonel Bozhidar Deliç…, etj.
Në një nga rrugët gjarpërore të lagjes Tusus, ndodhet shtëpia e Rafet Abdylmexhitit, të cilit më 26 maj 1999 forcat kriminale serbe ia vranë e masakruan barbarisht gjashtë mashkuj të kësaj familjeje. Gruaja e Rafetit, F. Abdylmexhiti dhe vajza e saj J.Abdylmexhiti, atë ditë të tmerrshme e përshkruajnë si më poshtë: “Aty nga mesdita, në shtëpinë tonë erdhën gjashtë serbë të veshur me uniforma kamuflazhi dhe na urdhëruan që të gjithë të dilnim nga shtëpia. Në këtë moment ata na kërkuan t´i jepnim paratë dhe burrit tim Rafetit ia vunë grykën e pushkës në kokë dhe e kërcnonin me vrasje. Unë u dhash 2 000 DM, ndërsa burrat u dhanë 1.500 DM. Ata, na urdhëruan të largohemi nga shtëpia, ndërsa burrat i ndaluan. Tek po largoheshim, pamë se si zunë t’i rrihnin burrat. I shkelmonin në stomak e në shpinë dhe i godisnin me kondakët e pushkëve – thotë gruaja e Rafetit. Ndërkaq vajzës, J.Abdylmexhiti i kujtohet, se: ”Burrat pasi i rrahën e përgjakën, i rreshtuan pas murit me duart lart, dhe kur dolëm në rrugë, dëgjuam breshëritë e automatikëve.”
__________________________________
F.Abdylmexhiti kur është kthyer një ditë pas kësaj ngjarjeje, shtëpinë e ka gjetur të djegur e të shkrumbosur dhe ka parë pllanga gjaku përreth rrënojave të shtëpisë, por nuk i ka gjetur trupat e të vrarëve. Pas dy ditësh ajo burrin e vetë Rafetin me të vëllaun Samiun, djemtë e Samiut: Shefikin dhe Beharin, kushëriun Hyrmetin dhe djalin e dajës Mirsat Osmanin, i ka gjetur të masakruar në morgun e spitalit të Prizrenit.
Nga dëshmitë e mbledhura në këtë lagje, mësohet se më 26 maj, në shtëpi dhe nëpër rrugët e Tususit janë vrarë e masakruar mizorisht 25 civilë shqiptar, të paarmatosur, këta janë:
– Rafet Abdylmexhiti 1947,
– Sami Abdylmexhiti 1951,
– Shefik Abdylmexhiti 1978,
– Behar Abdylmexhiti 1982,
– Mirsat Osmani 1975,
– Hyrmet Sylejmani 1964,
– Hesat Xhemshiti 1937,
– Bejan Xhemshiti 1975,
– Bislim Qengaj 1921,
– Selvinaze Qengaj 1923,
– Salih Elshani 1936,
– Ymer Thaqi 1945,
– Avdi Berisha 1921,
– Refki Berisha 1961,
– Hajrim Arifi 1977,
– Sani Bajrami 1968,
– Neki Gashi 1935,
– Selim Berisha 1932,
– Feim Berisha 1927,
– Xhemajli Poniku 1933,
– Halil Poniku 1937,
– Fazile Maqkaj 1968,
– Rexhep Maqkaj 1923,
– Nijazi Muja 1959, dhe
– Fadil Ramadani.
(Sipas raporteve të KMDLNJ’së, gjatë luftës në Prizren, “…janë vrarë e masakruar mizorisht mbi 328 persona, ndërsa janë djegur e rrënuar 3.800 shtëpi banimi dhe objekte tjera kulturore e të kultit fetar.” )
Banorët e lagjes që kishin përjetuar këtë masakër të tmershme, thonë së forcat serbe nga Tususi janë larguar në orët e pasdites të 26 majit, akoma pa rënë muzgu. Dhe, derisa po largoheshin trupat serbe, në Tusus ka arritur një kamion për të mbledhur kufomat e mashkujve të ekzekutuar. Dësmitarët thonë, se: grupi i njerëzve të kamionit, përbëhej nga shoferi, dhe tetë punonjës civilë, në mesin e të cilëve ishin edhe katër romë, të cilët shkonin shtëpi më shtëpi i mblidhnin kufomat dhe i hidhnin në kamion sikur të ishin thasë najloni”. Një gruas i kujtohet se ka parë “një numër të madh kufomash, në pjesën e mbrapme të kamionit, dhe njëri nga punonjësit civilë mbante në dorë një kamer me të cilën ka xhiruar kufomat e të vrarëve.”
Në një lagje tjetër të Prizrenit, në “lagjen Bilbidere”, disa ditë më parë, para se të ndodhte maskra e Tususit, saktësisht më 16 maj 1999 forcat paramilitare serbe kanë vrarë në shtëpinë e tyre: Enes dhe Fatmir Muharremin. Pas luftës Enesi dhe Fatmiri së bashku me 25 martirët e Tususit, prehen të qetë në varrezat e përbashkëta, në fund të lagjes së trimave (ish-Tusus). Qoftë i përjetshëm kujtimi për këta martirë!
Shkruan: Sheradin Berisha