PASHTRIKU MASHT’i UA NJEH TË DREJTAT STUDENTËVE TË UP-së PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJE

(Pashtriku.org, 29. 05. 2012) – Në deklaratën e fundit të Lëvizjes Studentore për Barazi – STUDIM KRITIKË VEPRIM – SKV, datë 29 maj 2012, thuhet: “Pas plot 28 orësh që rektorati i Universitetit të Prishtinës ishte vërtetë publik, ku studentëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës iu lejua qasja në këtë institucion, personalisht Ministri i MAShT bashkë me ekipin e tij të këshilltarëve solli në oborr të rektoratit vendimin Nr. 124/01 B i cili ua njeh të gjitha të drejtat studentëve të UP-së për pjesëmarrje në zgjedhje. Në pikën 2 të këtij dokumenti thuhet:
“Asnjë studenti të Universitetit të Prishtinës nuk i mohohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, përjashtimisht atyre që bien ndesh me nenin 3, pika 3 dhe 4 e Rregullores për Zgjedhjet e Studentëve të UP-së.” Ne ishim të bindur në kauzën tonë të drejtë dhe përdorëm të gjitha metodat dhe njohuritë tona për t’i dhënë jetë asaj. Gjithë kjo situatë tregon se përballë padrejtësive më së miri rri rezistenca. Të gjitha të drejtat janë fituar me protesta. Kur institucionet e ankesave nuk funksionojnë atëherë të gjithë duhet ta vënë në funksion institucionin më demokratik që njeh një republikë – protestën.

___________________________________________

___________________________________

STUDIM KRITIKË VEPRIM iu bënë thirrje studentëve të Universitetit të Prishtinës për tu bashkuar nën një ide, për tu organizuar nën të njejtat qëllime dhe që bashkë t’ia kthejmë Universitetin qytetarëve të Republikës e t’ua nxjerrim nga duart partive. Ne i bëjmë thirrje profesorëve dhe studentëve vullnetmirë që të angazhohemi për Universitet për Kosovën, Universitet për shoqërinë, për shtetin. I bëjmë me dije rektoratit, organizatave të varura studentore, administratës kudo në UP, dekanëve dhe të gjitha institucioneve të padrejta se po fillon koha e Lëvizjes STUDIM KRITIKË VEPRIM, po fillon lufta kundër çdo padrejtësie. Fitorja jonë e drejtë është e pashmangshme.” – përfundon komunikata e SKV-së.

_______________________________
STUDENTËT E UNIVERSITETIT TË TETOVËS U SOLIDARIZUAN ME KËRKESAT E STUDENTËVE TË UP-së

_____________________

Sot, edhe Studentët e Universitetit të Tetovës janë solidarizuar me kërkesat e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në deklaratën mbështetëse të Studentëve të Universitetit të Tetovës, thuhet: “Studentët e Universitetit të Prishtinës ashtu siç kanë dëshmuar gjithnjë, të jenë stoikë dhe të protestojnë me dinjitet për padrejtsitë që u bëhen studentëve, ashtu qëndrojnë edhe tani. Studentët e Universitetit të Tetovës shprehin mbështetje absolute studentëve dhe Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim për angazhimin e tyre që të ç’rënjosin gjithë këto akte skandaloze dhe të patolerushme që një kohë të gjatë po ndodhin nga udhëheqësit e Universitetit të Prishtinës. Nuk mjafton të kesh Index që të jesh student, studenti duhet të arsyetojë qënien e tij me vepër, të angazhohet maksimalisht për të mirën e përbashkët, të mos tolerojë padrejtësitë ndaj tij dhe shoqërisë në përgjithësi. Veprimi i sotëm i studentëve të  Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim është për tu marrë shembull nga studentët tjerë. Bëjmë thirrje të gjithë studentëve tjerë të Prishtinës që të angazhohen dhe bashkohen me kolegët e tyre pranë rektoratit. Luftën kundër padrejtësisë duhet ta bëjmë bashkë sepse vetëm duke qenë bashkë, gjasat për fitore bëhen reale. STOP DIKTATEVE PARTIAKE NËPËR UNIVERSITETE. STOP DHUNËS POLICORE NDAJ STUDENTËVE QË KËRKOJNË DREJTËSI. LUFTONI DHE DËNONI DHUNUESIT E LIRIVE DHE TË DREJTAVE STUDENTORE!” – thuhet në Komunikatën e Studentëve të Universitetit të Tetovës.
Pergatiti: Kryeredaktori i pashtriku.org, Sh. Berisha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura