PASHTRIKU: MË 19 KORRIK 2013 NË MYNIH TË GJERMANISË ORGANIZOHET PROTESTA: ‘100 VJET KOMB I COPËTUAR’. KA ARDHUR KOHA PËR ANULIMIN E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS – 1913!

Pashtriku.org, 08. 07. 2013 – Në prag të 100 vjetorit të copëtimit të trojeve shqiptare (në Konferencën e Londrës – 29 korrik 1913), më 19 korrik 2013, në orën 18:00 (ditë e premte) në Mynih të Gjermanisë organizohet një Manifestim – Protestë “100 VJET KOMB I COPËTUAR”, ku pritet të marrin pjesë personalitete të shquar shqiptare. Protesta mbahet në Sheshin Qendror të Mynihut “KARLSPLATZ – STAHUS”, dhe njëkohësisht pritet të nënshkruhet një PETICION drejtuar të gjitha kancelarive europiane dhe më gjerë, me KËRKESËN e njëzëshme: ANULIMIN E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS (1913) PËR COPËTIMIN E TOKAVE SHQIPTARE DHE RIBASHKIMIN E TYRE NË NJË SHTET – SHQIPËRI NATYRALE/ETNIKE!… Prandaj, me këtë rast ta bashkojmë zërin e arsyes e të vetëdijes sonë Kombëtare, në shërbim të së sotmes e të ardhmes sonë si KOMB! – thuhet në një NJOFTIM të Grupit Organizativ të këtij Manifestimi.
* * *
Konferenca e Londrës (1912-1913) në historinë tonë kombëtare njihet si Konferenca e Paqes në Londër apo Konferenca e Ambasadorëve, të gjashtë Fuqive të Mëdha, si: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia. Qëllimi i kësaj konference ishte zgjidhja e problemeve që lindën nga Lufta e parë Ballkanike në mes shteteve të Aleancës Ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) dhe Perandorisë Osmane.. Për t’i dhënë fund Luftës së Parë Ballkanike ishte nënshkruar një armëpushim më 3 dhjetor 1912 dhe më 17 dhjetor 1912, ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar në Britaninë e Madhe u takuan nën kryesinë e Sir Edward Greyt, për të mbikëqyrur procesin e “paqes” në Ballkan dhe për të mbrojtur njëkohësisht interesat e Fuqive të Mëdha në rajon. Kjo konferencë u mblodh me cilësinë e Mbledhjes së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit – 1878, e cila kishte krijuar një rend gjeopolitik dhe në Londër u zëvëndësua me një Traktat të Ri!

Më 30 maj të 1913, në konferencë u nënshkrua “Traktati i Londrës”, sipas të cilës Perandoria Osmane do të heqë dorë nga të gjitha territoret në perëndim të vijës Enos – Midia, pra do të largohet nga pjesa më e madhe e tokave ballkanike, të cilat do t’u jepeshin: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, me përjashtim të pjesës që do t’i përkiste Shqipërisë së gjymtuar!
Pas diskutimeve të shumta, më 29 korrik 1913, konferenca vendosi për formimin e një Shteti Shqiptar në 28. 748 Km2, si – “një principatë sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive të Mëdha”.
* * *
Në fillim të shek.XX Etnikumi Shqiptar përbënte rreth 93 270 km2, të përfshirë në Vilajetet Shqiptare,
– në Vilajetin e Kosovës që përfshinte 32 900 km2,
– në Vilajetin e Shkodrës me 10 970 km2,
– në Vilajetin e Manastirit me 28 500 km2,
– në Vilajetin e Janinës që kishte 17 900 km2, dhe
– një pjesë e Vilajetit të Selanikut me rreth 3000 km2
Duke u bazuar në këto shifra, Fuqitë e Mëdha, (në Konferencën e Londrës) derisa Shqipërinë e përkufizuan në 28. 748 Km2, me këtë rast shteteve të Aleancës Ballkanike, ia dhanë: 64. 522 km2 të tokave etnike Shqiptare. Prandaj, ka ardhur koha që kjo padrejtësi e bërë në Konferencën e Londrës të rregullohet, në mënyrë që shqiptarët dhe etnikumi shqiptar (ashtu si gjithë kombet tjera) të jetojnë të bashkuar në një SHQIPËRI REALE NATYRALE/ETNIKE!
(Përgatiti: kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura