PASHTRIKU: LIBRI MË I RI ‘FAKTE QË FLASIN’ NGA MR. ARDIAN RAMADANI

(Pashtriku.org, 17. 10. 2012) – Doli nga shtypi libri i katërt më i ri i Mr. Ardian Ramadanit me titull «Fakte që flasin». Libri përmban në vete studime, artikuj, ese dhe analiza që tangojnë aspektin e interesit nacional shqiptar, atë ballkanik dhe më gjërë. Struktura e librit është mjaft e thuktë dhe koncize, ndërsa autori me një stil të jashtëzakonshëm dhe të drejtpërdrejtë, në formë tejet të kuptueshme për lexuesin dhe tejet të rrjedhshme, prek thelbin e problemeve që tangojnë gati se secilin qytetar shqiptar, si dhe atë ballkanik.
Në parathënien e librit të Mr. Ardian Ramadanit, Mr. Milazim Mustafa shprehet: «Sot në Maqedoni për ne shqiptarët është bërë vështirë të heshtim dhe mbajmë gojën mbyllur. Problemet, sfidat dhe provokimet na detyrojnë ta themi edhe atë, që as në ndërdije se kemi pasur se ndoshta një ditë një gjëje do t’i vjie rendi që ta themi. Derisa dikur mundësitë e prezantimit të mendimeve, qëndrimeve, opinioneve dhe analizave i kishim vështirë t’i shprehim publikisht, falë Zotit këtë pengesë sot nuk e kemi. Sot, mjafton të duash dhe rrugët i ke të hapura. Duke i pasur këto mundësi, skena e opinionbërjes në Maqedoni u pasurua me një numër të konsiderueshëm të fytyrave të reja, të cilët sollën gjak të freskët dhe vullnet të ri në publicistikën shqiptare. Ky gjak i ri, vuri në dukje aftësinë dhe kualitetin që fsheh në vete kjo pjesë e kombit që jeton dhe vepron në Maqedoni, duke i rrënuar tezat se kjo pjesë është e lënë pas dore, por edhe duke i demantuar të gjithë ata që na kanë karakterizuar si pjesë me mungesë kualiteti të kualitetit dhe aftësisë intelektuale.

Mr. Ardian Ramadani

……………………………………….

Ana tjetër e medaljes është se na bie të ndeshemi me analiza dhe opinione shumë herë edhe të rekomanduara dhe të porositura nga qarqe të ndryshme politike (e besa edhe herë pas here të dëmshme), ku disa fytyra anonime me një shkrim në ndonjë gazetë, apo një deklaratë në televizion të shpallen analistë dhe krijues të mendimit publik në vend. Rasti i Ardian Ramadanit nuk është i tillë. Përveç se si i ri dhe një intelektual i pavaruar, dëshmon fakti se ai është dashur të tregoj mund, punë dhe sakrificë për t’i çelur të gjitha dyert pa asnjë lloj ndihme, si dhe me kualitetin e tij të arrijë ta dëshmojë dhe ngris veten si fytyrë publike dhe një analist cilësor. Përveç kësaj, puna e tij e palodhshme, dëshira e tij e pashterrshme për të reaguar, e ka shndërruar Ardianin në një kujdestar të besueshëm të çështjes shqiptare në Maqedoni, por edhe në një opozitë të përhershme dhe të vërtetë të politikës ditore që zhvillohet, si në Maqedoni ashtu edhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Për këtë dëshmojnë veprat e tij. Shkrime dhe reagime të shumta të botuara në një numër të madh të medieve, si ato të shkruara ashtu edhe në ato elektronike. Përveç kësaj, Ardiani ka arritur që në një kohë kur libri është duke përjetuar periudhën më të errët, të arrijë të nxjerrë në dritë librin e katërt, që njëherit të pasuron bibliotekat e çdo të interesuari për aktualitetin dhe problemet problemet, por edhe të lë një gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe publicistikën shqiptare në Maqedoni. » 
Ndërsa recensentët e librit me radhë shprehen në këtë mënyrë. Dr. Vlera Ejupi, profesoreshë e letërsisë angleze në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetove, si dhe opinioniste, shprehet se : « Janë pa masë të kënaqshme rezultatet të cilat z.Ardian Ramadani është duke i arritur me shkrimet e tij. Është ky libri i katërt i shkruar më tashmë nga një shkrimtar, i cili po shpalos pjekurinë e tij komplekse, komplekse në sensin që shkrimet e tij përmbledhin një shumëllojshmëri sekuencash, ku do të veçohej pa asnjë hezitim, stili jashtëzakonisht i drejtëpërdrejtë me shumë guxim në mënyrën e shkëlqyeshme të të shtruarit të temave të cilat ai i shtjellon; përdorimi i metaforës, por edhe simbolizmi, të cilat nuk janë edhe gjithaq të lehta për të kompletuar mozaikun e quajtur- shkrim i bukur letrar. Libri i Z.Ardian Ramadani, i titulluar “Fakte që flasin”, jo rastësisht është përmbledhur në këto fjalë. Në këtë libër autori i jep formë më se reale dhe precize mu këtyre fakteve të cilat janë përditshmëri monotone, të cilën të gjithë nuk duam ta kemi përreth nesh, por ajo imponohet dhe bëhet e patjetërsueshme. Prandaj libri gëlon me shqetësime verbale, por edhe me kombinime të natyrave të ndryshme të mjeshtërisë origjinale. Është shumë i pranishëm personaliteti tepër i ndërtuar i autorit, i cili i jep vulë të jashtëzakonshme pothuajse çdo rreshti të thurrur me shumë mjeshtëri dhe zell të pazakonshëm.»
Dr. Faton Mehmetaj, studiues dhe analist i spikatur nga Kosova, njohës i çështjeve të sigurisë dhe të diplomacisë, shprehet kësisoj: «Në librin “Fakte që flasin” (studime, artikuj, ese dhe analiza), autori mr.sc. Ardian Ramadani, me maturi politike i vë në trajtim problemet e Maqedonisë, të Kosovës, të rajonit e më gjerë, duke paraqitur fakte të bollshme, bindëse por njëkohësisht duke dhënë edhe mendime dhe ide për të dalë nga kriza që e ka pllakosur Maqedoninë e veçanërisht shqiptarët në Maqedoni. Miku im, Ardian Ramadani, në librin e tij të radhës “Fakte që flasin”, e paraqet Maqedoninë si njërën nga pjesët më të ndjeshme të Ballkanit, Europës e më gjerë. Një vend të vogël me gërshetime të mëdha të interesave të Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Serbisë, etj. Një vend të lashtë historikisht ku shqiptarët e kanë historinë dhe hisen e vet. Maqedonia edhe pse u formua vonë si Republikë e ish-Federatës Jugosllave ka një gërshetim kulturash dhe specifikash të tjera që jo rrallë herë bien ndesh me njëra-tjetrën. Sipas autorit, shqiptarët në Maqedoni, deshi apo nuk deshi dikush ta pranojë, janë faktor i rëndësishëm i të gjitha zhvillimeve në vend. Pa konstruktivitetin e tyre nuk do të ketë Maqedoni. Prandaj, edhe maqedonasit edhe shqiptarët e kanë në dorën e tyre për të zgjedhur, sa nuk është bërë tepër vonë. »Libri në brendinë e tij e paraqet një domosdoshmëri që shqiptaret kanë nevojë për tu integruar në mes veti, për të ndërtuar lëvizje të ideve progresive ndër shqiptarë, që shqiptarët i çojnë përpara në hap me botën, në hap me kohën që po e jetojmë. Ne duhet ta shohim realitetin, është mesazhi i këtij libri. Edhe vet titulli i librit korrespondon me mesazhin.»

Kopertina e librit «Fakte që flasin».

……………………………………………….

Ndërsa Qerim Pllana, shkrimtar, publicist dhe autor i 10 librave, anëtar i LSHK-së, të Kosovës, për librin në fjalë shprehet: «Libri i radhës i z. mr. sc. Ardian Ramadani; “Faktet që flasin”, është vazhdim i një përkushtimi ideo-artistik, sintetik-analitik të ngjarjeve dhe aktualitetit të përfshirë në shkrimet e natyrës publicistike, madje të vështrimeve historike, po të atyre ngjarjeve në kohë, rrethana, hapësirë dhe në shtrirje të studimeve dhe ndodhive jo sall në arealin shqipfolës. Si përfundim mund të thuhet se shkrimet e z. Ardian Ramadani, në esencë përfshijnë aktualitetin kombëtar. Përdorimi i shëmbujve të shumtë, gjuha dhe stili i të shkruarit, mesazhi dhe qëllimi ideo- artistik përplotësojnë librin në fjalë dhe shkencën shqiptare në përgjithësi.». 
Përndryshe Ardian Ramadani është i lindur më 30 nëntor 1983 në Kumanovë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu me sukses të shkëlqyer në Kumanovë. Studimet deridiplomike i ka mbaruar në Univer¬sitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku ka mbaruar Fakultetin e Trajnimit Pedagogjik e Metodolo¬gjik, Dega e gjuhës dhe letërsisë frënge, duke u zgjedhur Student i dalluar. Ka mbaruar studimet postdiplomike me sukses të shkëlqyer, në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, Drejtimi i studimeve të diplomacisë dhe Shkencave politike, ku ka magjistruar me temën “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`État”, me ç`rast mori edhe titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike, me një sukses të dalluar. Në vitin 2005 ka qenë deputet i Maqedonisë në Parlamentin Frankofon të të Rinjve në Bruksel. Nga viti 2003 gjer më vitin 2007 ka punuar si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Kumanovës. Nga 2007 gjer më 2010 ka qenë profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa nga viti 2010 e gjer në fundvitin e 2011 ka punuar si Sekretar i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë ligjërues edhe në Akademinë Diplomatike Shqiptare. Në vitin 2012 ka qenë pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar të Demokracisë në Strasburg të Francës, duke prezantuar Maqedoninë në mënyrë të shkëlqyer. Nga janari 2012 e gjer në shtator të 2012 ka punuar si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë. Aktualisht punon si përkthyes gjyqësor, si lektor dhe kolumnist i rregullt në Prishtinë, për revistën “Zëri i shqiptarit”, ndërsa që nga tetori i 2012 punon si përkthyes dhe standardist në Ambasadën e Francës në Maqedoni. Ardian Ramadani është recensent i tre librave gjer më tani, si dhe autor i rregullt i shumë shkrimeve, artikujve dhe analizave nëpër ueb portale të ndryshme, revista dhe gazeta të përditshme shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, të shkruara dhe elektronike. Deri më tani ka botuar tre libra, edhe atë: “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`État dhe Shteti-Komb”(2009), librat publicistikë “Labirinth i shpalosur- Studime, Artikuj dhe Analiza” (2010) dhe “Gjurmë realitetesh- Artikuj publicistikë dhe polemikë” (2011). Ky është libri i tij i katërt. Ardian Ramadani jeton në Opajë të Kumanovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura