Pashtriku.org, 15. 02. 2013 – (Në 2 vjetorin e vdekjes së Prof.Bajram Kurtit) – Më 14 shkurt 2011 – u nda nga jeta Profesori i nderuar Bajram Kurti. Ishte intelektual i shquar, veprimtar i palodhur i pajtimit të gjaqeve dhe i çështjes kombëtare. Ka shkruar 20 libra voluminoze për Dëshmorët e Kombit “GJAKU I LIRISË”, si dhe një monografi: “PROFESOR QAZIM BERISHA-YLL I PASHUAR NË PLEJADËN E HERONJVE TË ARSIMIT DHE EDUKATËS”. Prof. Bajram Kurtin e kam njohur që nga viti 1989 dhe për mua ishte dhe do të mbetet njëri nga personalitetet më emblematik të Kombit tonë. Në dy vjetorin e vdekjes së tij, portali pashtriku.org boton një bisedë të studentit Blerim Rrecaj, që ka zhvilluar në korrik të vitit 2009 – me prof.Bajram Kurtin.
“GJAKU I LIRISË” VEPËR ENCIKLOPEDIKE PËR LIRINË
Profesori Bajram Kurti jeton ne Prizren. Është veprimtar i dalluar i çështjes shqiptare. Thotë se është mrekulli se ku kemi arritur duke pasur parasysh 24 projektet shtetërore serbe të shfarosjes. Por e di se ende nuk kemi mbërritur aty ku duhet… Ai flet për jetën dhe veprimtarinë e tij. Në vetën e parë… një ligjërim tronditës e krenarë për lexuesit e gazetës sonë.
Dardha pik nën dardhë
Unë rrjedh nga Malësia e Gjakovës nga fshati Smolicë, vend me traditë luftarake, atdhetare, i cili i përballoi sfidat e pushtuesve të ndryshëm deri te ata serbosllavë, të cilët në luftën e fundit e vulosin barbarinë e tyre duke vrarë djegur e masakruar, por Smolica u bë barrikadë e pakapërcyeshme për forcat armike. Aty luftëtarët e lirisë i tmerruan armiqtë duke u shkaktuar dëme të mëdha sa që për një kohë ata nuk mundën t’i kapërcenin ato treva luftarake. Në Smolicë ranë këta dëshmorë: Agron RAMA, Sejdi Rama, Naim Lata, Florim Sejdia, Burim Hamza, Avdyl Hasani, Fatmir DOÇI (nga Tropoja), Fetah Krasniqi, Florian Kurti dhe Muse Balija.
Babai im Uka ishte luftëtar i Luftës Antifashiste, i cili luftoi në Kosovë e Sanxhak e deri në Bosnjë dhe atje mori plagë të rënda në maj të vitit 1944 duke luftuar kundër forcave gjermane në vendin Guri i Kuq në malet e Romanisë. Edhe si invalid lufte dhe luftëtar i paepur kishte dëshirë të na shkollonte sepse e dinte se vetëm përmes shkollimit do t’i jepnim fund robërisë shekullore.
I kërkojnë armë invalidit të luftës
Në vitin 1955-’56 kur isha 12 vjeçar gjatë aksionit të armëve babain e prangosin çetnikët serbomalazez e torturojnë dhe kërkonin armë prej tij. Babai u tha: “Armën e larë me gjak e lashë në fushëbetejë e tash ju kërkoni armë nga një invalid lufte, dhe nuk ju vjen turp”. Po ku dinin barbarët për turpin. Nga ai çast në shpirtin tim u rrënjos urrejtja për armikun. Babai më fliste me orë të tëra për Konferencën e Bujanit, për Hajdar Dushin, Asim Vokshin, Xhevdet Dodën dhe ai me ne të vegjlit e këndonte këngën: “O Emin, Emin Duraku/Hije të paska n’krahnor gjaku…” Ndërsa nëna ime Ziza është bija e dëshmorit Sadri Brahimit- Cakës, i cili ra dëshmor më 1918 në një përballje me forcat çetnike në fshatin Morinë në vendlindjen e tij. Nëna ime mbeti jetime, ishte tri vjeçe, i vetmi fëmijë i dëshmorit dhe na fliste përherë dhe na rriti me edukimin atdhetar e liridashës. Gjyshja ime u detyrua bashkë me dajat tjerë në vitin 1951 të kalonin kufirin dhe të arratiseshin në Shqipëri, në Tiranë dhe Kavajë. Kurrë më nuk i pamë. Atje vdiqën: Daja Selim, e dajë Tahiri, Gjyshja Zade e gjyshja Zelfije,Tezja Hatmane dhe daja Kujtim. Shkollimin fillor katër vjeçar e kreva në vendlindjen time në Smolicë, (në një shtëpi private) e pastaj në Ponoshec, kurse shkollën e mesme, gjimnazin e mbarova në Gjakovë. Më pas u regjistrova në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Sarajevë në degën Gjeografi- Gjeologji dhe e kreva me sukses. Punova në shkollën “Ganimete Tërbeshi” në Ponoshec në vitin 1967-’68, pastaj vazhdova në shkollën teknike “Gani Çavdërbasha” në Prizren dhe paralelisht jepja mësim edhe në Shkollën Normale dhe Shkollën e Muzikës në Prizren. Që nga viti 1970 hapëm paralelet e para të gjimnazit në Therandë e më vonë edhe të Shkollës Teknike. Në vitin 1972 nga presioni i pushtetit të atëhershëm të cilët më shpallën të padëshirueshëm u detyrova të vazhdoj procesin edukativo-arsimor në gjimnazin e Therandës. Por edhe këtu, që nga viti 1981 sipas dosjes së UDB-së bashkë me shumë shokë na përjashtuan nga shkolla pa asnjë të drejtë. Po bëhen 29 vjet që nga ajo kohë dhe kurrë askush nuk është interesuar të kujtohet për pedagogun dhe mësuesin e dikurshëm Bajram Kurtin. Për këtë u detyrova të punoj si punëtor krahu në Slloveni dhe Kroaci për të mbajtur gjashtë anëtarët e familjes, për të mos u nënshtruar dhe gjunjëzuar para armikut.
Burgut kolektiv në Kosovë i dha fund lufta çlirimtare e UÇK’së
Kurrë nuk pushova së vepruari në shërbim të kauzës së shenjtë çlirim dhe bashkim. Bashkë me shokët militantë të orëve të para të cilët sot janë dëshmorë të atdheut si: Xhemajli Berisha, Xhevat Berisha etj. Në protesta dhe demonstrata ishim në radhët e para dhe i provuam edhe prangat e armikut që nga 9 maji 1981, pastaj më 1993, 1994, 1995 dhe së fundi më pesë qershor 1999. Por secilën herë nga burgu i vogël i UDB-së dilja më i fortë dhe e dija se po futesha në burgun e madh me emrin Kosovë, në burgun kolektiv të cilit i dha fund vetëm lufta çlirimtare e UÇK-së, por kjo luftë nuk ka marrë fund, vazhdon në forma tjera, sepse objektivat e shenjta të luftëtarëve të lirisë me në krye komandantin Adem Jashari ende nuk kanë shkuar në vend. Kjo u dëshmua edhe me luftën e UÇPMB-së në vitin 2000 dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Iliridë-Shqipërinë Lindore me 2001. Të kujtojmë vetëm Mitrovicën dhe 30% të territorit të Kosovës ku sot ende harlisen pushtuesit serboçetnikë.
Në shërbim të popullit tim të dashur u përcaktova qysh në ditët e rinisë dhe po vazhdoj edhe sot me përkushtimin më të madh. Çdo pikë gjaku që u derdh në Kosovë, çdo bir apo bijë e nënave shqiptare që ra për Kosovën martire ishte pjesë e dhembjes sime të madhe dhe gjithë këtë dhembje e këtë plagë me penën time u mundova t’ua lë bashkatdhetarëve në dispozicion, duke filluar nga vëllimi i parë i Librit “Gjaku i Lirisë”(1981-1995) e pastaj me vëllimet vijuese dhe tani e kam në dorëshkrim vëllimin 15-16. Në maj të këtij viti botuam librin “Pararendësit e Lirisë 1” që u kushtohet ushtarëve shqiptarë të vrarë mizorisht në armatën famëkeqe jugosllave ku përfshihen 117 dëshmorë me biografitë e tyre. Për këta ushtarë oficeri slloven Roman Lelak punëtori i Shërbimit Informativ të Kundërzbulimit të Armatës Jugosllave (KOS) veç tjerash thotë: “Në armatën jugosllave me shifrën ‘Horizonti’ duhet të testohen nëpër sprova të gjithë ushtarët shqiptarë të rekrutuar dhe ata të cilët nuk pranuan të bashkëpunojnë për asnjë çmim me shërbimin tonë u detyruam t’i likuidojmë me plumb…”
Sa për ilustrim po e japim këtë shifër. Prej 900 ushtarëve nga tërë Jugosllavia në Garnizonin e Osjekut (Kroaci), 400 prej tyre ishin shqiptarë, prandaj ishin gënjeshtra të dhënat e armatës fashiste për të ashtuquajturat vetëvrasje të ushtarëve shqiptarë.
Pena dhe frymëzimi hyjnor
Duhen orë e orë të tëra të numërojmë bëmat dhe heroizmat e luftëtarëve të lirisë. Duhen orë e orë e ditë për të përshkruar të gjithë plagët e zemrave të nënave dhe baballarëve tanë. Do të duheshin gurra lotësh për t’u shfryrë gjëma e madhe e mizorive që përjetuan nënat dhe motrat tona. Do të duhej një penë dhe një frymëzim i mrekullueshëm i poetëve e shkrimtarëve më të mëdhenj të kombit për të përshkruar me besnikëri se si qëndroi para litarit dëshmori Mal Morina nga Lubeniqi i Pejës. Të përshkruhen plagët e dëshmores Ylfete Humolli. Të përshkruhet heroizmi i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Nuhi Berishës, Rexhep Malës, Bajram Bahtirit, Murat Mehmetit, Riza Matoshit, Sherif Frangut, Ruzhdi Hysenit, Ibrahim Krasniqit, Naser Hajrizit, Asllan Pirevës, Zija Shemsiut, Xhemajli Berishës, Ali Ajetit, Bedri Sokolit, Afrim Zhitisë, Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadil Vatës… dhe më vonë luftëtarëve të UÇK-së: Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, për të arritur me bëmat e heronjve të Prekazit me Tahir Mehën, Nebih Mehën e Beqir Mehën, Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Shaban Jasharin… për të arritur te pushka që e tronditi Serbinë, ajo e Besim Ndrecës nga Maqiteva, e pastaj Ismet Jasharit – Kumanovës, Nuhi Mazrekut, Afrim Buçajt, Habib Zogajt… për të arritur te Mujadin Aliu e Skifter Arifi (luftëtar i tri luftërave çlirimtare) dhe komandanti legjendë i UÇK-së Tahir Sinani, Hyrë Emini… Për të vazhduar me legjendën e dy luftërave çlirimtare Nijazi Azemin (komandant Mjekrën) Shkëlzen e Luan Haradinajn, Bafti Haxhiun, Hoxhe Jonuzin dhe shumë të tjerë…
Lotët e gjeneralëve kroatë për Abenë
Për t’u ndalur në legjendën e legjendave Bekim Berishën – Abenë për të cilin derdhën lot edhe gjeneralët e Kroacisë siç ishte gjeneral Ante Bobetko, sepse Bekim Berisha me cilësinë e diversantit më të madh në Evropë, kishte arritur të depërtonte në poligonin e raketave në armatën jugosllave në Zagreb dhe pas pushtimit të këtij poligoni armata jugosllave kapitulloi. Sot e kësaj dite në çdo 10 gusht në të gjitha kazermat ushtarake në Kroaci flamujt qëndrojnë në gjysmështizë për ta nderuar Bekim Berishën, ndërsa në Kosovë ende asnjë kazermë e TMK-së nuk e mban emrin e tij. E kush shkon sot për ta vizituar nënën heroinë, të lodhur e të sfilitur nga dhembjet, nënën Fahrije e cila e lindi dhe e rriti Abejën, e cila si një heroinë e vërtetë nuk e lëshoi Kosovën duke qëndruar për tre muaj e barrikaduar në një bunker në borë e në shi, pa ngrënë dhe pa pirë derisa u çlirua Kosova. E çka të themi për heroizmin dhe bëmat e dy heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, për heroinën Fatime Hetemi nga Bistrica e Mitrovicës, për heronjtë Yll Morinën, Skënder Ҫekun, Rasim Kiçinën, Ragip Halilajn, Isa Ahmetin, Bedri Shalën, Ymer Shalën, Rifat Mëziun, Gani Elshanin, Mujë dhe Ali Krasniqin, Meriton Elshanin (djalë hasreti), Beqir Gashin, Jonuz Zejnullahun, për katër vëllezërit dëshmorë Kiçina, për katër vëllezërit Halilaj – prindërit e të cilëve babë Ferizi dhe nënë Hata të mbetur pa asnjë fëmijë e të cilët po i rritin dy lule që ua la i biri Mehmeti amanet: Kaltrinën dhe Doruntinën. Po për Rexhep Bislimin e madh, për Gaspër Karaçin, Nikollë Dodën, Gjok Ndrecën e Biteshit, Krist Pervorfin e Dujakës… po për heronjtë Agim Ramadanin – Katanën, Mirush Dakën – Korbin, Abedin Rexhën-Sandokanin, Ilaz Kodrën, Indrit Carën – Ushtar Kavajën, Astrit Sulin nga Çamëria, Bedrush e Feim Gashin, Lutfi Musiqin, Rrahim Beqirin, çka të thuhet për Mr. Ukshin Hotin e madh, Dr. Hafir Shala, Lefter Bicajn-Komandant Telin, Ndriçim Kogjën…
Kosharja e Françeskos, Arnos dhe Aliut
Po për dëshmorët internacional që ranë për të mos vdekur kurrë si Françesko Xhusepe Bider nga Biela e Padovës (Itali), i cili ka lënë tre fëmijë jetim dhe i cili erdh e ra heroikisht në Kosharën legjendare, krah për krah me Agim Ramadanin. Pastaj Arno Pierr Pajard i cili erdh nga Sent Remiti i Francës dhe ra dëshmor në Koshare bashkë me 119 të tjerë, për të cilin nuk dinin asgjë prindërit e tij dhe vetëm pas shtatë vitesh kuptuan se biri i tyre i vetëm kishte rënë heroikisht në Koshare, ku ia sollën një grusht dhe nga vendlindja, e vunë mbi varrin e të birit duke e larë me lot dhe sërish morën një grusht dhe nga dheu i Kosovës për t’ia dërguar pinjollës së vetme, vajzës së Arnoit për t’i thënë se eshtrat e babait të saj dëshmorë prehen në varrezat e Koshares. Nuk duhet harruar as dëshmorin nga Algjeria, Ali Murad Muhamedin i cili ra në Koshare për të mos vdekur kurrë dhe për të cilin poeti këndoi këngën: “Si në Kosovë, si në Algjeri/Ka vlerë vdekja për liri/Malet rriten, bjeshkët qeshin/ Djemë si Muradi kurrë nuk vdesin…” Si ta përshkruajmë qëndresën e nënë Zybasë nga Buçani i Pejës e cila ia fali Kosovës bashkëshortin dhe tre djemtë studentë, Nexhatin, Musane dhe Rizane por e cila kurrë nuk tha se djemtë që i kishte për martesë dhe po i priste t’i martonte, nuk tha që më vdiqën por m’u vranë në luftë me armikun dhe shtoi Lokemadhja, se nëse ka nevojë Kosovës do t’ia fal edhe dy vajzat që më mbetën. Prandaj duhet një zemër e madhe, një shpirt i madh, i paepur i cili do të shtegtojë ditë e natë për të numëruar plagët e dhembjet e Kosovës hallemadhe e cila edhe sot e kësaj dite po i vuan pasojat e padrejtësive të rënda të së kaluarës.
Josef Martisen nxjerr kufoma nga puset tona, ndërsa Benito Mares ndërton Memorialin e UÇK-së në Marinë të Drenicës
Mua më jep forcë Josef Martisen, oficeri në pension nga Osllo, i cili shkroi librin “Puset e vdekjes në Kosovë” nga të cilat (nga ato 450 puse) nxori mijëra të masakruar të gjinive dhe moshave të ndryshme, por kur erdhi puna për ta botuar librin u detyrua të vij në Kosovë për një sponsorizim, por në Ministrinë e Kulturës (30 gusht 2007) as që bisedoi kush me të! U kthye në Oslo i zhgënjyer oficeri Martinsen, tërë natën u përpëlit duke mos bërë gjumë fare dhe më në fund në ëndërr i doli zgjidhja, njëri nga të masakruarit me plis të bardhë i fanitet Martisenit dhe i thotë: “Shite shtëpinë që ke dhe botoje librin në gjashtë gjuhë botërore”. Kështu veproi Martiseni, e shiti shtëpinë për 63 mijë euro dhe pagoi gjithë ato vëllime librash për të parë bota se kush ishin racistët në kërthizë të Evropës.
Po ashtu duhet ta nderojmë dhe përshëndesim humanistin e madh me zemër të madhe nga Kolorado e SHBA-së, Benito Mares-in i cili e sponsorizoi ndërtimin e Memorialit të UÇK-së në fshatin Marinë të Skënderajt me rreth 200 mijë euro dhe ndërtoi tri shtëpi nga 50 mijë euro për fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së. Më 28 maj të këtij viti në Mileskë të Rahovecit kur ia dhurova librin “Gjaku i Lirisë (13-14), pasi më falënderoi, në fund u zotua me këto fjalë: “Profesor Kurti, kur të vij në vitin e ardhshëm do t’ju flas në gjuhën e bukur shqipe, sepse gjithë këta dëshmorë për të cilët keni shkruar ju do të më detyrojnë të mësoj gjuhën e tyre të shenjtë”.
Mitrovica hë për hë është dhembja jonë më e madhe, bashkë me enklavat tjera kudo nëpër Kosovë. Sa për ilustrim po e përmend vetëm fshatin Osojan të Burimit, ku 147 serbë i mbron batalioni i KFOR-it me 300 pjesëtarë dhe me mjete të motorizuara. Një mbrojtje e tillë kushedi sa kushton.
Alis Mid (Alice Mead) ish-kryetarja e Shoqatës së të Burgosurve të Botës ka thënë se Kosova ende është kolonia e fundit e Evropës! – përfundon rrëfimin e tij veprimtari ynë i njohur.
Njëzet vëllime për dëshmorët e lirisë
Profesori Bajram Kurti pas mikpritjes shqiptare që na bëri e falënderon redaksinë dhe stafin e gazetës, e cila nuk i harron të rënët për liri e nuk i harron veprimtarët në zemrat e të cilëve është shkruar dhe ngulitur fjala Liri, Dëshmor, Atdhe… Profesor Kurti vazhdon të jetë aktiv në terren, të grumbullojë material, ka në dorëshkrim vëllimin 15-16 (secili vëllim nga 720 faqe) dhe këtë cikël kushtuar dëshmorëve të kombit mendon ta përfundojë me vëllimin e njëzetë. Këto dite ka përfunduar librin për profesorin hero – Qazim Berisha. Profesori pas kësaj pune me karakter enciklopedik ka pranuar edhe përgëzime. Ja se ç’shkruan në letrën që profesorit ia ka dërguar veterani i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe historiani i njohur i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Myftar Memia së bashku me bashkëshorten:
I nderuari vëlla Bajram Kurti!
Ju jemi shumë mirënjohës për veprën madhore “Gjaku I Lirisë (7-8)”, që na dhuruat familjes tonë vëllazërisht, dhuratë kjo e paçmueshme.
Edhe sikur të botohen male me libra, kushtuar dëshmorëve e heronjëve të kombit që vaditën me gjakun e tyre atdhetar çdo pëllëmbë të trojeve tona arbërore, brezat e sotëm e ata pasardhës nuk mund t’ua shpërblejmë. Por, obligim yni dhe i brezave pasardhës është: të mbrojmë me gjak idealet e tyre të pavdekshme, për të cilat ata u flijuan.
Ju, i dashuri vëlla Bajram, me veprën tuaj madhore “Gjaku i Lirisë”, kushtuar të rënëve në fushat e betejës me nacional-shovenistët serbosllavomëdhenj etnocidistë fashistë, keni ngritur një monument pavdekësie në Panteonin e lartë gjithëkombëtarë.
Ju urojmë suksese në veprën tuaj madhore dhe ju përqafojmë vëllazërisht.
Ane e mbanë Shqipërisë
Lapidaret rrinë zgjuar, për ju dëshmoret e lirisë
Për ju yje te pashuar!
Blerim Rrecaj, Prizren – 02. 07. 2009
===============================
NË KUJTIM TË PROF.BAJRAM KURTIT
Në vijim shikoni një videomaterial nga aktiviteti i Pajtimit të Gjaqeve në fshatrat Zhur dhe Billushë (tani Kushtrim), të përgatitur më 24 janar 1991, nga këshillat e pajtimit të gjaqeve të trevës së Vrrinit, të cilat vepronin në kuadër të Degës së Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve për Prizren, në krye me Prof. Bajram Kurtin. Tubimi i parë (që do të shikoni në këtë video) është mbajtur në Zhur në odën e Madhe të Veprimtarit Remzi Ademaj (tani dëshmor i kombit), tubimi i dytë me popullatë u organizua në oborrin e familjes së Zenepe Kryeziut në Billushë (tani Kushtrim) ndërsa tubimi i tretë është mbajtur në odën e mixhës tim – Rasim Berisha në Kushrim, ku u bë edhe pajtimi….
* * *
Në familjen e Prof. Bajram Kurtit me Nënë Ajshen…
Kushtrim (Ish Billushë) 24.01.1991: Gjatë pajtimit të gjaqeve…
Kushtrim (Ish Billushë) Verë 1992: Bajram Kurti me bashkëveprimtarët e tij.
Uçe, Burim (Ish Istok) dimër 1992: Gjatë një aktiviteti për pajtimin e gjaqeve.
Prizren, dhjetor 2000: Në familjen e Nait Hasanit…
Kushtrim, Shtator 1991: Ukshin Hoti, Bajram Kurti…
në Tryezën Shkencore “Kosova, dje – sot dhe nesër”.
Në familjen e Dëshmorit të Kombit Xhevat Berisha.
Në ambientet e Asociacionit të Veteranëve të UҪK-së në Prizren.
Prof.Bajram Kurti dhe gjenerali i UҪK-së Shaban Shala.
=============================
(PËRGATITI: KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, SHERADIN BERISHA)