NUHI BYTYÇI: NË 80 VJETORIN E LINDJES SË PROF.DR. EJUP STATOVCIT, INTELEKTUALI QË PUNOI DHE BESOI NË LIRINË DHE PAVARËSINË E KOSOVËS

Prishtinë, 28 Prill 2020: – Prof. Dr. Ss. Ejup Statovci: “Përkundër të gjitha vështirësive, të gjitha veprimeve që vijnë nga okupuesit e të gjitha ngjyrave, është nderë, kënaqësi dhe krenari, por edhe privilegj i rrallë të jesh rektor i një universiteti, që në mënyrë të pamposhtur e çan rrugën e historisë, për të ardhmen e një populli.”
– Statovci dha kontribut të rëndësishëm edhe në krijimin e rendit juridik shtetëror dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të pavarësisë së saj.
– Statovci: “Protestat i organizojnë studentët tanë. Unë si rektor i Universitetit të Prishtinës, natyrshëm do të jem pranë studentëve tanë dhe i mbështes protestat paqesore, joviolente, si dhe kërkesat e tyre të drejta: Lirimin e objekteve tona universitare”.

***
Më 16 prill, u bënë 80 vite nga lindja e intelektualit, atdhetarit, profesorit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Ejup Statovcit. Me që si gazetar, pata rastin që ta njoh dhe ta intervistoj disa here gjatë mandatit të tij rektor i Universitetit të pavarur të Universitetit të Prishtinës, në këtë shkrim timin, do të prezantoj disa aspekte më të rëndësishme të jetës, veprimtarisë pagadogjike-shkencore e drejtuesetë tij, sidomos përkushtimin e tij në funksionimin e institucionit tmë të lartë të dijes e shkencës në rrethana okupimi.
Profesori i së drejtës private ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, i diplomuar në Universitetin e Zagrebit dhe i doktoruar në atë të Lubjanës, padyshim ishte intelektual dhe shkenctar i përmasave ndërkombëtare. Është autor i 7 veprave shkencore dhe i shumë publikimeve shkencore të botuara në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, që kanë të bëjnë me aspektet juridike të marrëdhënieve pronësore dhe të drejtës pronësore, të drejtat sendore dhe ndryshimet kushtetuese, për shtetin juridik. Për veprimtarinë e tij shumëdimensionale shkencore, Ejup Statovci, në vitin 1980 është shpërblyer me çmimin më të lartë të Kosovës – Shpërblimin e Dhjetorit.

Njëri ndër autorët e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
Profesor Ejup Statovci ishte njëri ndër autorët e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila u miratua nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik. Ai përherë ishte angazhuar për nxerrjen e ligjeve për fushat përkatëse dhe zbatimine tyre në praktikë edhe në rrethna okupimi. Kështu, kishte arritur që për ta intitucionalizuar punën e Universitetit të Prishtinës edhe jashtë objekteve universitare, në shtëpi private ta hartojë edhe Dekretligjini për shkollimin e lartë në Kosovë, të cilin e kishte miratuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës në ekzil. „Tani është koha të nxjerren edhe dekretligje për fusha të tjera. Duhet të krijojmë sistemet tona juridike të Republikës së Kosovës. Tani kjo është çështja kryesore,” angazhohej Ejup Statovci.
Njeriu i duhur në kohë të duhur në krye të Universitetit të pavarur të Prishtinës
Profesor Ejup Statovcin kam pasur rastin që ta ta takoj disa herë dhe ta njoh gjatë periudhës, kur ai u zgjodh në krye të Universitetit të pavarur të Prishtinës në rreethana okupimi. Prandaj, në këtë shkrim do të përpiqem të paraqes opionet e mia si gazetar, intelektual, duke e prshkruar figurën e këtij shkenëtari, intelektuali dhe drejtuesi universitar.
Pas largimit të studentëve dhe profesorëve shqiptarë nga objektet e tyre zyrtare të Universitetit të Prishtinës nga regjimi okupues serb, ata u detyruan që studimet ti ndjekin në shtëpitë private që i lëshoi populli. Kështu në krye të Universitetit të pavarur shqiptar të Prishtinës më 26 nëntor të vitit 1991 u zgjodh Prof. Dr.Sc. Ejup Statovci.
Si e pa Ejup Statovci ardhjen e tij në krye të UP-së dhe punën e tij në ngritjen e Universitetit në rrethana okupimi? “Në kushtet normale, mua nuk do të mu kishte dhënë mundësia që të vijë në krye të Universitetit! Më 26 nëntor 1991, kur duhet marrë postin e rektorit, natyrisht edhe rrezikun, të gjithë iknin, sëmureshin brenda natës, por edhe u dukej se kjo punë ishte një avanturë dhe kështu edhe rektori një avanturier. Mirëpo, është nderë, kënaqësi dhe krenari, por edhe privilegj i rrallë të jesh rektor i një universiteti, që në mënyrë të pamposhtur e çan rrugën e historisë, për të ardhmen e një popull”, shprehej Ejup Statovci.
Vendosmëria e Universiteti në funksion të ndërtimit të së ardhmes sonë
Më 22 dhjetor 1994 kishte hyrë në fuqi Dekretligji për shkollimin e lartë në Kosovë. Kështu, ai me punën e tij të jashtëzakonshme kontribuoi në institucionalizimin juridik të Universitetit duke zbatuar në praktikë Dekretligjin për shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, duke e transformuar atë në një universitet modern të kohës sipas standardeve pozitive evropiane e botërore të shoqërive të avancuara demokratike. Lidhur me këtë, Statovci kishte deklaruar: „Dekretligji për arsmin e lartë, padyshim ishte ligji i parë sitemor me të cilin konkretisht zbatohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ishte ligji me të cilin konkretisht u vu kufiri shtetëror në arsimin e lartë, me të cilin Republika e Kosovës ndërprenë vazhdueshmërinë me legjislacionin e ish-Jugosllavisë dhe vuri kufi-kriter të rinj vlerësues. Kështu ky ishte akt historik juridik i pakalueshëm. Në këtë mënyrë e respektojmë shtetin – Republikën e Kosovës dhe e ndihmojnë në institucionalizimin e tij në bazë të vullnetit të shprehur të popullit për vetëvendosje konstituive të shtetit të pavarur“.
Familja Statovci ishte e angazhuar që të ndihmonte punën e Universitettit të Prishtinës në rrethana okupimi, bashkëshortja e tij Profesoresha e nderuar Drita dhe vajzat shumë të edukuara Anila, Brikena dhe Ardita ishin krihë të djathtë të Prof. Ejupit dhe i ndihmonin edhe në shumë punë që ishin të stafit universitar. Madje, vajza më e vogël Ardita, e këshillonte babain se si të paraqitet sa më mirë para kamerës, ekranit. Për këtë kam qenë dëshmitar edhe unë si gazetar.
Disa intervista me rektorin Statovcin i kam zhvilluar në zyrën e tij në Velani, por edhe në zyrën e toj të dytë, ndimëse të tij në banesën e tij në Rrugën „Agim Ramadani“ në Prishtinë, ku nuk kishte asnjë siguri personale e familjare.
Statovci e legjitimoi dhe e lidhi Universitetin e Prishtinës me ato evropiane
Një intervistë e kisha zhvilluar me kreun e Universitetit të Prishtinës në fund të dhjetorit të vitit 1992 për Televizionin Offener kanal në Berlin dhe Hamburg.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me vizitën e tij në disa vende evropiane, rektori Statovci ishte shprehur: “Gjatë qëndrimit në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës në Universitetin e Jenës në Austri, mund të them se kemi hasë në përkrahje të madhe. Ishte ky pranim i madh për ne. Me Rektorin e Universitetit të jenës Prof. Dr. Ernst Shmutzer, kemi konkretizuar me një marrëveshje bashkëpunimi ndëruniversitar. Kështu hapëm dyert e Universitetit të Prishtinës jashtë, në arenën ndërkombëtare. Edhe vizita në Universitetin e Berlinit të lirë dhe të Drezdenit në Gjermani u kurorëzua me marrëveshje konkrete bashkëpunimi me këto universitete. Pastaj kemi vazhduar vizitën në nivelet e larta shtetërore në Austri. Jemi pritur zyrtarisht nga Vicekancelari austriak dhe njëherësh ministër i arsimit e i shkencës Dr. Erhard Busek. Pra, disa ditë ishim mysafirë të Qeverisë austriake. Me rektorin e Universitetit të Vjenës Prof.dr. Alfred Ebenbauer, i cili është edhe kryetar i Konferencës së të gjitha universiteteve të Austrisë, biseduam për bashkëpunimin ndëruniversitar drejtpërdrejt me Universitetin e Vjenës dhe për mundësitë e bashkëpunimit me të gjitha universitetet e Austrisë. Hasëm në një mbështetje të sinqert. Vizitën zyrtare e përfunduam në Slloveni. Me këtë rast në Universitetin e Lubjanës u takuam me rektorin e tij Prof.dr. Miha Tishler dhe me dekanin e Fakultetit Juridik të këtij universiteti Prof.dr. Albin Igliçar. Me këtë universitet kemi pasë bashkëpunim edhe më parë, ndërsa tani vetëm e e kemi përtëri atë. Rektori i Universitetit të Lubjanës rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim edhe më konkret ndëruniversitar, sidomos në këmbinin e studentëve, profesorëve dhe për specializime”
Politika nuk ka vend në universitet – ishte kategorik rektori Statovci
Ejup Statovci përhertë ishte angazhuar që Universiteti i Prishtinës të jetë autonom, i pavarur nga politika. „Politika nuk ka vend në asnjë mënyrë në Universitet. Universiteti duhet të jetë në shërbim të plotë të dijes dhe shkencës“. Për autonominë e Universitetit përherë punonte që çdo angazhim në aspektin e reformimit për bazë ndërtimi dhet të shpiente kah autonomia e mirëfilltë e Universitetit, duke pohuar se „Pa një çlirim të Universitetit nga brenda dhe nga jashtë nuk mund të ketë as autonomi të tij.“ Ai kishte hetuar edhe “tendencat e disa qarqeve dhe individëve për tu përzier në politikën e zgjedhjes së kuadrove drejtuese në fakultete dhe në nivel të Universitetit. Dëshironin që Universitetin ta shndërrojnë në “klub të partisë”, të klaneve dhe grupeve të ngushta të interesit.” Mirëpo, ai kishte kundërshtuar këtë përzierje të ish-njerëzve të komiteteve, oborrtarëve të tyre dhe kishte mbrojtur autonominë e plotë të Universitetit të Prishtinës.
Intelektuali duhet të shquhet për demokraci dhe drejtësi
Lidhur me rolin e intelektualit në shoqëri, Statovci, ishte i mendimit se: “Intelektuali duhet të shquhet në luftën për demokraci, për drejtësi, për shkencë, për kulturë dhe barazi të plotë e të vërtetë në tokë, jo për ndonjë „abstrakte“ në qiell. “Intelektuali, krijuesi, duhet të jetë gjithmonë i gatshëm të punojë dhe rrezikojë e sakrifikojë për interesa madhore, duke mos u frikësuar edhe nga ndonjë pësim e flijim për të mirën e njerëzimit përgjithësisht, të shoqësirë në të cilën jeton ose të kombit të cilit i takon. Misioni fisnik i shkencës është në funksion të zhvillimit të njerëzimit. Ajo është një force lëvizëse e historisë.”
Lidhur me rëndësinë e institucionalizimit të punës së Universitetit të Prishtinës, ai shprehej: „Dekretligji për arsmin e lartë, padyshim ishte ligji i parë sitemor me të cilin konkretisht zbatohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ishte ligji me të cilin konkretisht u vu kufiri shtetëror në arsimin e lartë, me të cilin Republika e Kosovës ndërprenë vazhdueshmërinë me legjislacionin e ish-Jugosllavisë dhe vuri kufi-kriter të rinj vlerësues. Kështu ky ishte akt historik juridik i pakalueshëm. Në këtë mënyrë e respektojmë shtetin – Republikën e Kosovës dhe e ndihmojnë në institucionalizimin e tij në bazë të vullnetit të shprehur të popullit për vetëvendosje konstituive të shtetit të pavarur“.
Rektori përkrah studentëve në protestat studentore të 1 tetorit 1997
Në një intervistë të gjerë dhe speciale, të cilën e kisha zhvilluar në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në fund të shtatorit të vitit 1997 në Velani me rektorin Ejup Statovci për një emision special sensibilizues për TV Shqiptar në Tiranë, në prag të protestave studentore të 1 tetorit, ai kishte shprehur mbështetjen e tij të parezervë për organizimin e protestave me kërkesën e vetme: Lirimin e objekteve të uzurpuara universitare për studentët dhe profesorët shqiptarë. Ai me këtë rast ishte shumë i vendosur: “Protestat janë të studentëve. Janë të qeta, paqesore, joviolente, jo të dhunshme. Universiteti i Prishtinës në tërësi, plotësisht i ka përkrahur. Sa më takon mua, është e natyrshme që rektori të jetë me studentët e Universitetit edhe në protesta edhe jashtë tyre. Edhe rektorati dhe mësimdhënësit marrim pjesë në organizimin e tyre. Qëllimi i studentëve dhe i yni është që të lirohen në mënyrë paqesore objektet universitare, të cilat janë pronësi e Universitetit të Prishtinës, që janë ndërtuar me djersën e popullit të Kosovës”. Lidhur me mbajtjen e protestave rektori Statovci theksoi se “I kemi informuar universitetet evropiane dhe të gjithë mekanizmat nderkombëtarë. Shpresojmë në solidarizimin, përkrahjen dhe pjesëmarrja e tyre do të ishte e mirëseardhur në protestat studentore.”
Në fund të intervistës, e pata pyetur Ejup Statovcin se cili është mesazhi juaj si rektor i Universitetit të Prishtinës në prag të organizimit të protestave studentore të 1 tetorit 1997.
Ai u përgjigj: “Me qenëse emisioni me siguri do të transmetohet në vigjile të fillimit të vitit të ri akademik, ju falënderoj që kam rastin dhe kënaqësinë që studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit të Prishtinës tu drejtohem dhe tu dëshiroj një vit të mbarë shkollor dhe tu uroj sukses në nxëniën e studimeve, në punët e frytshme e krijuese, në institucionalizimin e vazhdueshëm shtetëror, të një Universiteti autonom, të pavarur.
Uroj që nisma dhe vendosmëria e studentëve e mbështetur plotësisht nga mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës që këtë vit akademik ta përurojmë me protesta paqësore për lirimin e objekteve tona të ndërtohet me sukses. Shpreh bindjen time se edhe populli, prindërit, subjektet, përfaqësuesit e institucioneve dhe asociacioneve do të dalin masovikisht në protesta për të mbrojtur anash studentët që do të protestojnë qetë, qetësisht, duke treguar pjekuri dhe të respektojnë çdo gjë që studentët kanë planifikuar dhe që do ta zbatojnë, duke respektuar porositë e studentëve. Uroj që të tregojmë pjekuri, nivel e civilizim. Më lejoni që tu drejtohem mësimdhënësve dhe studentëve, duke ju përkujtuar se krijimi më i vlefshëm dhe më i nderuar është krijimi për popullin, rininë, shtetin dhe Universitetin. Të jetë edhe ky vit akademik në funksion të krijimit. Të punohet me vendosmëri, me përkushtim, me dashuri e ndërgjegje të lartë, pa hile për ta mundur të keqën dhe fituar të ardhmen që pretendojme, lirinë dhe pavarësinë. Ta urojmë këtë Gëzuar!”
Pas këtij mesazhi unë ju falënderova rektorit Statovci për këtë intervistë, duke uruar “që studentët dhe ju të ktheheni sa më parë në objektet tona universitare”! Ai i buzëqeshur dhe i emocionuar u falënderuar për këtë urim timin. (Fragment nga emisioni special “Brezi i sakrificës dhe i ardhmërisë së Kosovës, TV Shqiptar, 30 shtator 1997)
Ky ishte një sinjal i fuqishëm për studentët, mësimdhënësit dhe tërë popullin tonë: Dilni në protesta paqesore! Vërtetë ishte një emision tejet aktual, realizuar mirë bashkë me kolegun Qani Mehmedi dhe kameramanin Jusuf Rizvanolli, që ka pasë për qëllim sensibilizimin e opinionit në Kosovë për dalje masive në protesta.
Biseda telefonike me Prof. Ejup Statovcin një ditë para protestave
Një ditë para fillimit të protestave, pas dite, më 30 shtator të vitit 1997, kur në Televizionin Shqiptar në Tiranë kisha përfunduar montimin e emisionin special sensibilizes 55 minutësh, në redaksinë e TV të Kosovës në kuadër të Programit satelitor, kishte ardhë edhe informata nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku nga kryetari Ibrahim Rugova kërkohej që protestat e paralajmëruara për nesër, më 1 tetor “të mos mbahen për shkak të rrezikut të eskalimit të situatës dhe përdorimit të dhunës nga policia serbe”. Ishin bërë presione të mëdha edhe në mesin e prijësve të disa fakulteteve dhe të unioneve studentore të fakulteteve që edhe unioni në nivel qendror – të universitetit të përqahet dhe që studentët e profesorët të mos dalin në protesta, pra që ato të dështojnë. E mora në telefon rektorin Statovci që ta konfirmoj edhe një herë – A do të mbahen apo shtyhen për më vonë protestat studentore? Ejup Statovci mu përgjigj pa asnjë dilemë: “Nuhi, protestat do të mbahen nesër më 1 tetor, ashtu si i kemi paraparë bashkë me UPSUP-së. Të përgëzoj për prëgatitjen e emisionit dhe lirisht transmetoje.” Kjo vendosmëri më inkurajoi edhe më shumë dhe emisioni special u transmetua në një termin shumë të shikueshëm dhe kishte jehonë të madhe në Kosovë dhe jashtë saj.
Rektori Ejup Statovci, ishte gjithnjë në mbështetje të parezervë të studentëve, të UPSUP-së, si organizator i protestave studentore dhe më 1 tetor 97, përkrah me liderët e Lëvizjes studentore Muhamet Mavrajn, Bujar Dugollin, Albin Kurtin, Driton Lajçit, Ernest Lumës, Mihane Salihut, Jeton Rexhës, Milot Cakes, Naim Havollit dhe të tjerëve, ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci me bashkëpunëtorët e tij prof. dr. Ahmet Gecën, prof. Hajrullah Koliqin, prof. dr. Fetah Jagxhiun e të tjerë. Profesori Statovci ishte shembull frymëzues për të gjithë studentët dhe profesorët. Organizimi i mirë dhe masoviteti i protestave studentore, të cilave iu bashkëngjitën dhe profesorët dhe nxënësit e qytetarët e mbarë Kosovës, sikur iritoi dhe pengoi regjimin e Beogradit.
Më 1 tetor të vitit 1997 policia serbe kishte arrestuar rektorin Ejup Statovcin, prorektorin Ahmet Geca dhe liderët studentorë. Statovci dhe Geca nuk kishin pranuar të liroheshin nga policia, pa e garantuar se do t’i lironin edhe studentët e tjerë të cilët ishin arrestuar. “Vetë e dëgjova një polic i cili i tha kolegut të tij: “Shih sa krenarë që janë këta shqiptarë? Kjo porosi e jonë përgjithësisht duket se i çmendi fare”, kishte thënë rektori Satovci. Dhe kështu kishte ndodhur. Pasi është bindur se janë liruar liderët studentorë, atëherë Rektori Statovci dhe prorektori Ahmet Geca, kanë pranuar të lirohen.
Ishin protestat studentore të 1 tetorit të vitit 1997, të cilat i paraprinë daljes në skenë dhe luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse pikërisht studentët e këtij Universiteti gjatë luftës në Kosovë më 1998 – 1999 iu bashkëngjitën UÇK-së dhe ishin në krye të drejtimit të luftës sonë çlirimtare deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës dhe largimin e Serbisë nga Kosova. E profesor Statovci shpesh thoshte: “Liria nuk vjen vetvetiu. Atë nuk ta dhuron askush, aq më pak okupatori. Atë duhet fituar dhe duhet marrë me mund.“ Pas fillimit të luftës çlirimtare në Kosovë, u panë edhe efektet e para të protestave studentore të 1 tetorit 1997. Më 1 tetor 1998 regjimi serb u detyrua që ti lirojë objektet e fakulteteve teknike në Prishtinë, kështu që studentët dhe profesorët shqiptarë filluan ligjëratat e para në këto objekte. Ndërsa, pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitores së saj kundër Serbisë, në qershor të vitit 1999, edhe studentët dhe profesorët shqiptarë të të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës u rikthyen triumfalisht në objektet e tyre nga të cilat ishin larguar dhunshëm në shtator 1991. Kjo ishte fitorja e pritur edhe nga professor Ejup Statovci, i cili bashkë me studentët dhe profesorët kishin punuar dhe sakrifikuar për këtë ditë të madhe. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 342 profesorë e studentë ranë dëshmorë e martirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Rektori i pavdekshëm!
Profesor Statovci, padyshim se ishte arkitekti kryesor i ndërtimit të këtij institucioni të rëndësishëm të dijes dhe shkencës në rrethana okupimi të egër serb. Ai mjerisht nga 19 tetori i vitit 1999 nuk është fizikisht me ne, por vepra e tij për ngritjen e Universitetit të Prishtinës në rrethenat më të vështira, 1991-1997 është e pavdekshme dhe do të jetë shembëlltyrë për të gjitha brezat e studentëve shqiptarë të Kosovës dhe më gjerë. Puna dhe veprimtaria pedagogjike, akademike dhe shkencore e Prof.dr. Ejup Statovcit meriton respekt të posaçëm nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos nga studentët, profesorët dhe të gjithë intelektualët dhe populli i Kosovës dhe i viseve të tjera etnike shqiptare. Ai punoi dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarë, duke mbështetur rininë shqiptare që të shkollohet dhe përgatitet profesionalisht dhe kombëtarisht për ndërtimin e shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe të viseve të tjera jashtë trungut shqiptar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura