PASHTRIKU: U NDA NGA JETA ATDHETARI I SHQUAR ZAIM BEQIRI

(Pashtriku.org, 11. 03. 2013) – Më 9 mars 20013, në orët e pasdites pas një sëmundje të rëndë në shtëpinë e tij në Lagjen Kodra e Diellit në Tetovë ndërroi jetë atdhetari i shquar, veterani i arsimit shqip dhe i burgosuri politik shqiptar Zaim Beqiri. Familjarë, miq, bashkëveprimtarë dhe personalitete tjera, të dielën në sallën e kuvendit komunal të Tetovës nëpërmjet mbledhjes komemorative ndanë dhimbjen për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Zaim Beqiri. Para të pranishmëve fjalë rasti mbajti veprimtari Shpëtim Pollozhani i cili e vlerësoi lartë figurën atdhetare të Zaim Beqirit. “Zaimi ishte model për gjeneratat e reja, ishte model i të ecurit drejt, ishte model i konsekuencës, sakrificës dhe atdhedashurisë. Ai ishte model dhe krenaria e të gjithë të burgosurve politik. Me qëndrimin stoik në burgjet sllave ai ngriti në majat e lartësive më të mëdha dinjitetin dhe krenarinë e të burgosurit politik”, tha Pollozhani.

Pollozhani më tej theksoi se atdhetari Zaim Beqiri ishte një institucion për të mbajtur në mendje se si duhet të punohet dhe të luftohet për atdhe. “Edhe pse tre dekadat e fundit ai i kaloi nëpër burgjet sllave dhe në malësinë e Sharrit për bukën e gojës, ai hyri në vallen e atyre që e bëjnë historinë”, tha veprimtari Pollozhani. Me rastin e ndarjes nga jeta në këtë mbledhje komemorative u lexuan edhe telegrame ngushëllimi nga diaspora shqiptare të cilët nga larg shprehën dhimbjen për humbjen e këtij veprimtari të shquar të çështjes shqiptare. Ndryshe, veprimtari Zaim Beqiri ishte anëtar i Këshillit organizativ të komunës së Tetovës për festimin e jubileut të pavarësisë së Shqipërisë që përfshiu mbi pesëmbëdhjetë ngjarje kulture, artistike dhe sportive.

………………………………………….

PËRKUJTOHET JETA DHE VEPRA E VEPRIMTARIT ZAIM BEQIRI

*   *   *

FADIL SHYTI : HEU, SE BESOJ…,-JO!!!

(Këtë lajm të zi, -jo se pranon dot shpirti im që, Zaim Beqiri, – iku në amshim, AY i duhej Shqipërisë oooiii!!!).

Heu, gjaku po më vlon ndë deje,
Zemra po më ndien hidhërim,

Si moj Nënë Shqipëri,-biri yt,
Sot, u nda fizikisht prej teje ?!!!

Trojet tona shqiptare,
Ishin dhe mbetën ndë stuhi,

Populli, ky krua gjaku nxori,
Të rrallë atdhetar, si Ty!

Kur Tirana e Kuqe -kërkonte,
Bij´ e bija, fishekë me dritë,

Ty, me shokë të besoi,
Për Qëndresë e Besë,

Armiqve t´i bënit,
Bllokada e prita!…

Për Shqipërinë tonë, të copëtuar,
Me Ribashkim t´i vijë dita!…

Atje, në gjyqet armike,
Grushtin me guxim -si Qemal Stafa,

E ngrite, pa frikë lart,
Shqiptarët e robëruar,

Të zgjohen, – e të shihnin qartë!…

Përballë armiqve vringëllove,
Përballë tradhtarëve rreptë sfidove!

Kur para botës deklarove:

Ju, me këtë shtet okupatorë-lubi,
Nuk do të jeni gjatë!…

Ne, do të bëjmë Shqipëri,
Jo, me lutje, -por me shpatë!…

Dhe, kot e keni o faqezi,
Kur mbi ne si gjarpinjt e hidhni vrerin,

Askush në botë, -me mend në kokë,
Njerkën më shumë se donë se Nënën,

-E duam Shqipërinë Socialiste,
-E duam Bacë Enverin!…

U tmeruan armiqtë, -bashkë me pisat tradhtarë,
-U drodhën ndë pallate, sllavët okupatorë!

Mbi Ty me shokë,- o tribun i popullit,
Pamëshirë ra dënimi mizor!

Ah! Gabuan horra!…
Ah! Gabuan dhe horret!…

Kur menduan se ju nënshtrojnë,
Harruan se Shqipove dhe Shqipeve-burgosjet,

Më shumë urrjetjen,
-Dhe qëndresën ua shtojnë!

Satanët e përtej karpateve, agresorë,
Miopët, kopukë,-nuk e kuptonin dot,

-Kurrën e kurrës nuk fiken, as ndalojnë…
Meteorët dhe meteoret shqiptare, -mbi Tokë!…

Shqipet e Shqipot e Partisë,
Nuk i trembë, litari as topi,

Bij´ e bija të lirisë,
Janë rritur e kalitur,

-Me gjak të pastër, Mic Sokoli!

Ata, qëndruan kurdoherë,
Burgjeve, -dhe në fushë-beteja,

Ranë dhe u ngritën, mijëra herë,
Shekujve, si Viganët, -për Fitore të reja!

Ty, veprove i fortë,
Besnik, na forcove prore…

Kurrë s´u pendove,
As as u mashtrove!

-Jo! Kurrë se humbe busullën,
-Në xhunglën, me errësira politike;

Të demon-kracisë mortore!…
O, bir i madh i Tokës Arbërore!

Jo! Nuk të shkoi mendja, për privilegje,
Apo të vraposh si zagarët, -për pushtet…

Ty, o vëlla të digjej zemra,
Si të bëjmë Shqipërinë…

Si të kemi Liri, Barazi, Drejtësi!
-Si të kemi shtet!…

Të bëjmë një Shqipëri të Ribashkuar,
Një Kala të pathyeshme,

-Këtej , në “Barotin Ballkan”!…

O, bota do të kalllet,
Toka do të digjet, -vullkan!

Ah! E keqja e liga,
Armikja, tradhtia…

Nuk duan -kurrë,
Lule naimiane, të bëhet Shqipëria!

Koha po ikën, me oshtima e pshertima,
-Po, ikën e mjera, -e keqja,

E, trimat si Ty, o Flakadan,
Po i rrëmben , -vdekja-kryeneqja!

-Një ditë , o sot o kurrë!
Ata do të humbin , do të dorëzohen,

O, sa shumë vdekje -si kjo jotja,
Pse i morën Yjet tona, do të pendohen…

Jeta do të fitojë, padyshim!
Mbi robëri, -vdekjen vrastare,

Jo! Kurrë s´do të ketë paqe mbi botë,
Derisa, nuk Ribashkohen, trojet shqiptare!

Prehu i qetë o burrë i dheut,
Në truallin e zjarrtë të Tetovës Kreshnike,

Sot Shqipot e Shqipet,

Për Ty idhshëm po lotojnë,

Me zemrat vullkane, në heshtje
Po betohen, e po bashkohen…

Amanetet e të parëve-çlirimtarëve,
Në vend do t´i qojmë!…

Më 10 Mars, 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura