HISTORIA E KRYEBASHKIAKUT TË TIRANËS QË VDIQ NË MJERIM

HISTORIA E KRYEBASHKIAKUT TË TIRANËS QË VDIQ NË MJERIM

Pashtriku, 04 nëntor 2021

Publikohet historia e panjohur e Rexhep Jellës, pinjoll i një prej familjeve autoktone më të njohura tiranase, i cili pasi u shkollua në “Robert Kolezh” të Stambollit dhe më pas në Kembrixh të Anglisë, u kthye në atdhe dhe pasi përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, shërbeu në disa funksione dhe poste të larta, si: senator i Parlamentit, deputet i Prefekturës së Durrësit, prefekt në Gjirokastër e Korçë, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, etj.

Tërheqja e tij nga skena politike që në vitin 1939 edhe pse Mbreti Zog e kishte një nga të preferuarit e tij duke e dekoruar me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për t’u marrë me studime dhe administrimin e pronave të tij në qytetin e Tiranës dhe fermën që kishte në fshatin Kashar dhe Kus.

Refuzimi i tij për të pranuar postin e Kryeministrit të Shqipërisë në periudhën e pushtimit gjerman të vendit dhe arrestimi nga regjimi komunist që në vitin 1945 së bashku me të birin dhe vëllain, i cili fillimisht u dënua me vdekje, por iu fal jeta më ndërhyrjen e mikut të tij të ngushtë, Shefqet Bejës.

Kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhep Jellës në burgje dhe internime deri në vitin 1974, kur ai ndërroi jetë në një barakë të vjetër në periferi të Kavajës, ku banorë të atij qyteti teksa ndiqnin me sy ata pak njerëz që po merrnin pjesë në funeralin e tij, nuk mund ta mendonin kurrë, se për në varreza po përcillej një nga njerëzit më të shkolluar të Shqipërisë dhe që kishte përfaqësuar atë në Konferencën e Paqes në Paris.

Askush nga ata banorë të qytetit të vogël të Kavajës, që atë ditë të vrenjtur dhjetori të vitit 1974, shikonin një grup të vogël njerëzish që kishin dalë nga një shtëpi buzë moçalishteve dhe ecnin në drejtim të varrezave publike me një arkivol në supe, nuk e dinin se atë ditë po dërgohej për t’u prehur në banesën e fundit, një nga njerëzit më të shkolluar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Ai 80-vjeçar, që ishte shuar aty në një barake të vjetër në periferi të Kavajës, quhej Rexhep Jella dhe ishte diplomuar në “Robert Kolexh” të Stambollit e Kembrixh të Londrës. Kush ishte ky njeri dhe cila ishte e kaluara e tij që i detyronte ata njerëz të vobektë që ta përcillnin për në banesën e fundit vetëm me rrethin e ngushtë familjar?

Kush ishte Rexhep Jella?

Familja Jella, ku u lind Rexhepi në vitin 1895, është prej familjeve autoktone tiranase dhe që nga themelimi i qytetit, të parët e saj janë vendosur me shtëpi diku afër urës së Tabakëve. Si shumë nga njerëzit e familjes Jella, që ishin shkolluar në Turqi, u dërgua dhe Rexhepi, i cili studioi në “Robert Kolexh”, të Stambollit së bashku me moshatarin e tij, Ahmet Zogun nga Burgajeti i Matit. Pasi mbaroi me rezultate të larta, studimet e mesme në atë gjimnaz, Rexhepi u kthye në vendlindjen e tij Tiranë, në vitin 1914-të. Këtu ai nuk qëndroi shumë gjatë, pasi shkolla angleze ku ai u diplomua, i akordoi një të drejtë studimi, për të vazhduar studimet e larta në Shkencat Politike, pranë Universitetit të Kembrixhit në Londër. Në këtë universitet, Rexhepi u regjistrua në degën e Jurisprudencës të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1915. Në vitin 1916, nisur nga arsimimi i plotë i tij, Rexhep Jella u caktua si jurist, në administratën austro-hungareze që qeveriste Shqipërinë, e cila asokohe ishte vendosur në qytetin e Shkodrës.

Internohet nga austro-hungarezët

Po në vitin 1916, nga ana e autoriteteve të larta austro-hungareze, Rexhepi u internua në Mamola të Austrisë. Ndonëse nuk dihen ende dhe janë krejt të paqarta arsyet e vërteta të këtij internimi, lidhur me këtë ekzistojnë disa versione. Më i pranueshmi prej tyre, është ai, që asokohe austro-hungarezët, me preteksin e internimeve, tërhoqën disa shqiptarë që spikasnin në jetën politiko-ushtarake të Shqipërisë, duke i dërguar në Vjenë, për t’i përgatitur nëpër kolegje e universitete, të cilët një ditë do t’ju duheshin atyre, për t’i emëruar në funksione të larta në Shqipërinë e asaj kohe, ku ata mendonin të qëndronin gjatë. Në këtë kontekst, u mor nga qeveria austriake dhe Ahmet Zogu. Bashkë me Rexhep Jellën u dërguan në Austri dhe disa nga personalitetet e parisë së Shkodrës së asaj kohe, siç ishin Alush Lohja, Rexhep Suma, Himë Loku etj. Kjo dëshmohet dhe sipas disa dokumentave arkivore që hedhin dritë mbi këtë periudhë, ku Rexhep Jella përmendet në një letër-këmbim ndërmjet konsullit austro-hungarez në Shkodër, (Krol) dhe ministrit të tij të jashtëm. Po kështu në një telegram që dërgohej nga Vjena më 21 mars 1916, në adresë të konsullit Krol në Shkodër, bëhej e ditur që pas kthimit të Rexhep Jellës nga internimi, të merreshin masa që t’i caktohej si vendbanim i detyrueshëm Tirana, ku banonte dhe e ëma e tij. Po kështu, bëhet e ditur se dhe gjatë periudhës së internimit në Austri, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik, duke pasur mardhënie me përfaqësuesit e fuqive të mëdha të Antantës.

Në Konferencën e Paqes në Paris

Në vitin 1918, duke qenë se Rexhepi kishte marrë pjesë aktive në jetën politike shqiptare, që pas diplomimit në 1915-ën, ai u caktua në përbërje të një prej dërgatave shqiptare që shkuan në Konferencën e Paqes në Paris. Lidhur me këtë, ndonëse ekziston një dokumentacion i pasur arkivor në arkivat vjeneze, veprimtaria e Rexhep Jellës në fushën politike, që nga Konferenca e Paqes e deri në vitin 1920-të, është akoma e pandriçuar mirë. Nga burime të ndryshme bëhet e ditur se; që pas kthimit nga Konferenca e Paqes, ku ai ishte përfaqësuesi me moshën më te re nga të gjithë dërgatat shqiptare, Rexhepi u inkuadrua në mënyrë aktive në jetën politike shqiptare, së bashku me shumë patriotë të tjerë tiranas, në mbrojtje të interesave kombëtare nga rreziku i coptimit të fqinjëve të sajë. Pas Konferencës së Parisit, ai u kthye në Tiranë në vitin 1920-të dhe më pas vendoset me punë në Shijak. Gjatë kësaj kohe, Rexhepi së bashku me disa patriotë të tjerë nga qyteti i Durrësit, bëhen iniciatorët e mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku ai mori pjesë në atë kongres, si delegat i Shijakut. Në vitin 1921, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, ai u caktua me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të atyre zgjedhjeve, për prefekturën e Elbasanit. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 1921, Rexhep Jella u emërua me detyrën e prefektit në Elbasan dhe më pas në Durrës. Pasi kreu për disa kohë këto detyra, ai u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtëme dhe u ngarkua me detyrën e Drejtorit të përfaqsive konsullore, e atë të shefit të protokollit të asaj ministrie. Pasi punoi për disa kohë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme, në zgjedhjet e vitit 1923, Rexhep Jella u zgjodh deputet i Prefekturës së Durrësit e Asamblist (senator) në Parlamentin shqiptar.

Kryetar i Bashkisë Tiranës

Pasi kreu për afro gjashtë vite funksionet e deputetit të Durrësit dhe Asamblist të Parlamentit, po kështu dhe atë të Prefektit në Korçë e Gjirokastër, nga fillimi i vitit 1930-të, Rexhep Jellës iu ngarkua një nga funksionet më të vështira dhe teper delikate, ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në ato vite para kryeqytetit shqiptar ishin shtruar për zgjidhje, një mori e madhe problemesh, ku më kryesorja ishte rregullimi urbanistik i tij dhe ndërtimi i disa rrugëve e godinave kryesore të administratës qëndrore, të cilat asokohe ishin marrë përsipër nga shoqëritë italiane. Kështu pjesa më e madhe e rrugëve, bulevardeve, godinave të administratës shtetërore dhe atyre publike që u ndërtuan në vitet 1930-35, pa dyshim kanë dhe kontributin Kryetarit të Bashkisë, Rexhep Jellës. Një nga këto ndërtime, që u bënë asokohe është dhe ndërtimi i kompleksit të godinave të Ambasadës Amerikane, ku në përurimin e saj mori pjesë dhe Rexhep Jella.

Fjala në Legatën Amerikane

Në përurimin e atij kompleksi, ku morën pjesë autoritetet më të larta të Mbretërisë Shqiptare, pas fjalës së Kryeministrit Pandeli Evangjeli, e mori fjalën dhe Kryetari i Bashkisë, Rexhep Jella, i cili në mes të tjerash tha: “Çdo popull për të fituar pavarsinë e lirinë e vet, i duhet të bëjë sakrifica, ku më të mëdhaja e ku më të vogla, e duke pasur ndihmën e dikujt. Ne shqiptarët, kemi fituar lirinë e pavarsinë me gjakun tonë, pa i dhënë kujt ndonjë tagër, apo koncension për fitimin e lirisë. Shtetit tonë, ky popull i dha trajtën e Monarkisë, duke vënë në krye një gjeni me vullnet të fortë dhe me dorë të hekurt, me një urti të jashtëzakonëshme e më trimëri të pashembullt. Ai ka vënë vëndin në rrugën e qytetërimit dhe flamuri kombëtar valëvitet mbi të gjitha viset e Shqipërisë. Së dyti, me rastin e përurimit të kësaj ndërtese të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila formon një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit dhe është e para legatë e ngritur deri më sot, po përmend sot këtu me simpati e dashuri, popullin amerikan, që e ka parë me preçedencë fitimin e pavarsisë sonë politike, mjafton të përmendim punën e Kryqit të Kuq Amerikan në kohët e para të zhvillimit tonë. Amerikanët deshën të linin ndër ne një kujtim të përhershëm, e kështu me ndihmën e Kryqit të Kuq, të rinjtë ngritën ndërtesën e Shkollës Teknike, për të shëruar plagët e sëmundjet morale e për të luftuar paditurinë. Ne kryeqytetasit, nuk kemi për ta harruar kurrë se ishte Amerikani, ai që ngriti i pari spitalin, ku gjetën shërim mijra njerëz, e që është baza e të gjithë spitaleve që janë ngritur e do të ngrihen në këtë qytet”.

S’pranon postin e kryeministrit

Në vitin 1937, kur Mbreti Zog dekoroi disa nga personalitetet e jetës politike e shoqërore nga të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, u dekorua dhe Rexhep Jella me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për të cilën e kishte propozuar Prefektura e Tiranës. Pas vitit 1935, kur Rexhepi u largua nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ai u emërua si Prefekt i Durrësit, ku ishte njëkohsisht dhe deputet i atij qyteti. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në vitin 1937, ku mori titullin Prefekt i Klasit të Parë. Pas kësaj ai u largua përfundimisht nga funksionet drejtuese të pushtetit lokal, duke qëndruar vetëm si deputet. Në qytetin e Durrësit ai qëndroi deri nga viti 1939, e më pas u kthye përsëri në Tiranë, ku vazhdoi të banonte tek vila e tij pranë Urës së Tabakëve, së bashku me bashkëshorten, Fetie Beshiri dhe tre fëmijët e tyre. Mbas pushtimit të Shqipërisë, Rexhepi u tërhoq krejtësisht nga jeta politike dhe u mbyll brenda vetes në shtëpinë e tij, duke u marrë vetëm me studime. Nisur nga kjo, në vitin 1943 me ardhjen e gjermanëv, Rexhepi refuzoi ftesën që ju bë, për të marrë postin e Kryeministrit të qeverisë shqiptare. Gjatë gjithë atyre viteve që ai u shkëput nga jeta politike, Rexhepi u kujdes për pronat e tija që i kishte afër fshatit Kashar (në Kus) në periferi të Tiranës. Në nëntorin e vitit 1944, Rexhepi duke e ndjerë veten krejt të pastër për atë çka kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij, në dobi të shtetit shqiptar, nuk tentoi fare të largohej nga Shqipëria.

Burgoset nga komunistët, me vëllain e djalin

Kur nuk kishin kaluar veçse dy muaj nga ardhja e komunistëve në pushtet, më 1 shkurt të vitit 1945, Rexhep u arrestua dhe u dërgua në hetuesinë e Tiranës. Mbas tre muajsh, më 26 maj u arrestua dhe djali i tij Isufi, i cili kryente shërbimin ushtarak në një repart të Korçës. Me tentativën e arratisjes, që në fakt ishte një akuzë e montuar, pasi Isufi nuk kishte tentuar kurrë të arratisej, gjygji ushtarak e dënoi atë me vdekje së bashku me shokun e tij, Muharrem Dashin. Me ndërhyrjen e Shefqet Bejës, mikut të afërt të familjes Jella, Isufit ju fal jeta dhe dënimi ju kthye në 25 vjet burg. Pas dënimit të Isufit, u dënua dhe Rexhepi me dy vjet burg, me akuzën se kishte marrë pjesë në qeveritë e Monarkisë. Sipas dokumenteve arkivore të Gjykatës së Lartë Ushtarake, në akuzën e tij thuhet: “Rexhep Jella, ka pasur lidhje me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, “Rocco”, ku me ndërmjetësinë e tij ka bërë tregti me grosh duke i shitur ato në Korfuz. Ka pasur lidhje me kriminelët e luftës të popullit shqiptar, Irfan Ohri e Abaz Kupi dhe ka pasur edhe xhandar roje. Ka marrë pjesë me grupin e deputetëve tradhtarë”. Afro dy vite më vonë, në vitin 1947, komunistët arrestuan dhe vëllanë e Rexhepit, Ramazan Jellën, i cili nuk ishte marrë kurrë me politikë. Ramazani nuk arriti të dilte në gjygj, sepse ai vdiq pasi e hodhën nga shkallët e hetuesisë dhe pas asaj ju sekuestrua e gjithë pasuria, e familja u persekutua për vite me rrdhë. Pas burgosjes së Rexhepit, vila e tij pranë Urës së Tabakëve, u sekuestrua me të gjitha plaçkat, pasi i pëlqeu një koloneli sovjetik, i cili ja kërkoi atë personalisht Enver Hoxhës. Pas kësaj gruaja e Rexhepit së bashku me dy vajzat, u detyrua të shkonte në qytetin e Durrësit dhe më pas në atë të Kavajës, pranë të afërmëve të tyre.

Burgoset përsëri, e vdes në mjerim Pasi vuajti për dy vjet dënimin, në vitin 1947, Rexhepi u arrestua përsëri dhe u dënua me pesë vjet burg, i akuzuar sikur kishte pasur lidhje me “Grupin e Deputetëve”, të kryesuar nga miku i ngushtë i tij Shefqet Beja. Një nga arsyet që Rexhepi u dënua vetëm me pesë vjet burg, ishte dhe një peticion që e firmosën një pjesë e madhe e banorëve të lagjes ku jetonte ai pranë Urës së Tabakëve, të cilët dëshmonin se ai nuk ishte marrë asnjëherë me veprimtari që binin ndesh me ligjet e shtetit komunist në fuqi. Rexhepi mundi të dalë nga burgu i Burrelit ku vuajti dënimin, në vitin 1952 dhe u vendos pranë familjes në një barake të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës. Në vitin 1957, doli nga burgu dhe djali Isufi, i cili deri sa vdiq në vitin 1986, punoi në punët më të vështira për të siguruar jetesën. Gjatë gjithë atyre viteve që Rexhepi jetoi në Kavajë, ai nuk dilte fare nga shtëpia, por ju kushtua leximeve. Rexhepi kishte një kulturë të gjerë dhe njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, si arabishten, anglishten, italishten, frengjishten, e turqishten. Ai ishte tepër i pasionuar pas letërsisë, e kryesisht asaj gjermane, ku njihte thellësisht Gëten, për të cilin kishte dobësi të madhe. Rexhep Jella vdiq në mjerim të thellë, në vitin 1974 aty në një shtëpi gjysëm të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës, edhe pse në kryeqytetin e vëndit Tiranë, ku për ndërtimin e tij kishte dhënë kontributin personal, kishte një vilë që ja kishin sekuestruar komunistët. /Memorie,al/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura