(Pashtriku.org, 15. 12, 2012) – Janë shumë artikuj ushqimorë, bimë dhe erëza që ndihmojnë në humbjen në peshë, si dhe në ruajtjen e masës muskulore. Pos sasisë së ushqimit që hani, duhet pasur kujdes edhe llojin e ushqimit që do ta konsumoni. Zgjedhja e artikujve ushqimorë shpeshherë është kyç në arritjen e suksesit.
Asnjë dietë nuk do të ketë sukses nëse thyeni rregullat bazike të metabolizmit. Gjatë humbjes në peshë, duhet pasur kujdes që në organizëm të konsumohen së paku aq kalori sa i nevojiten metabolizmit për një punë normale.
Mollët
Megjithëse posedojnë një sasi të lartë të sheqerit, mollët në fakt ndikojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak. Molla ia del që të krijojë ndjenjën e të qenit të ngopur. Pos kësaj, mollët janë të pasura edhe me fruktozë, sheqer ky i cili mund ta mposhtë ndjenjën për ëmbëlsirat e të mos ndodhë ndryshimi i përqendrimit të glukozës në gjak. Mu për këtë arsye, nuk rritet sekretimi i hormonit të insulinës, i cili mund ta inkurajojë ruajtjen e sheqerit dhe të krijojë dhjamin prej tij. Përmes konsumimit të mollës shtoni sasi të konsiderueshme të ujit, vitamina, minerale dhe proteina.
Bishtajoret
Bishtajoret – fasulja e thatë dhe të ngjashme – shpejt shkrijnë indin dhjamor, stabilizojnë edhe sasinë e sheqerit në gjak dhe posedojnë më shumë proteina në krahasim me artikujt e tjerë ushqimorë. Bishtajoret do të sigurojnë sasi të mjaftuar të energjisë dhe proteina, e me rëndësi është ta ngritë nivelin e sheqerit, në mënyrë të ngadaltë, që pas shujtës ofron ndjenjën e ngopjes.
Jogurti
Jogurti është burim i shkëlqyeshëm i kalciumit dhe fosforit, minerale të domosdoshme këto për zhvillimin dhe rritjen e duhur të eshtrave dhe dhëmbëve, por kalciumi gjithsesi se është mjaft i dobishëm edhe në humbjen në peshë. Jogurti përmban bakteret e qumështit të cilat në procesin e tretjes krijojnë acidet e qumështit, ndërsa në zorrë inkurajojnë krijimin e florës së shëndoshë bakteriale. Studimet e fundit kanë vërtetuar se pacientët, të cilët kishin konsumuar jogurt, kishin humbur si në peshë, po ashtu edhe centimetra përreth belit.
* * *
Shprehitë vjeshtore që na bëjnë të shtojmë në peshë
Edhe pse për shumicën vera është stina e preferuar e vitit, shumëkush mund të kënaqet edhe me ardhjen e ditëve të ftohta vjeshtore. Mirëpo, temperaturat e ulëta nuk sjellin vetëm freski, por edhe rrezik nga grumbullimi i kilogramëve. Për t’ju ndihmuar në luftën kundër trashësisë, ju sjellim disa shprehi të cilat duhet t’i eliminoni.
Ushqimi i rëndë
Koha e freskët padyshim që e shton apetitin, ndërsa me ardhjen e vjeshtës na shtohet edhe dëshira për llojet e ushqimit, të cilët i kemi shmangur për shkak të nxehtësisë. Gjellët, pitet dhe tortat, janë vetëm disa nga ushqimet vjeshtore që mund të na shtojnë pakëz kilogramë.
Zgjidhja: Nuk ka arsye pse të mos i shijoni ushqimet e këtij sezoni, megjithatë duhet pasur kufi. Zvogëloni porcionet, ndërsa sa u përket desertëve nëse i bëni vetë, le të jenë pakëz më të lehtë dhe me më pak sheqer.
Zvogëlim i aktivitetit
Është normale që gjatë verës jemi më aktivë, sepse kohën e nxehtë e kalojmë jashtë shtëpisë. Shumëkush kohën e nxehtë e ka shfrytëzuar për të shëtitur, duke vozitur biçikletën, duke vrapuar…, ndërsa me ardhjen e pikave të para të shiut, aktivitetet e tilla reduktohen, gjë që mund të sjellë deri te shtimi në peshë.
Zgjidhja: Mos i anashkaloni aktivitetet fizike, por realizoni ato në ambient të mbyllur. Nëse keni pajisje shtëpiake për ushtrime, shfrytëzojini, ose bëhuni vizitorë të rregullt të qendrave të fituesit.
Koha e ftohtë – oreksi i shtuar
Është shumë e vërtetë se kur moti është i ftohtë na shtohet apetiti, i cili rritet në mënyrë proporcionale me rënien e temperaturave. Kjo ndodh pasi ushqimi është karburant për organizmin dhe nxit urinë, sepse në këtë mënyrë na ngroh.
Zgjidhja: Mos lejoni që të keni të ftohtë, vishuni mirë. Ndërsa sa i përket ushqimit, gjatë kohës në mes të vakteve për energji shtesë bëni një përzierje të shëndetshme të rrushit, arrave, bajameve dhe produkteve të ngjashme arrore.
Teshat i mbulojnë të metat
Është dëshmuar se femrat gjatë verës i kushtojnë më shumë rëndësi trupit të tyre duke u munduar që të duken sa më mirë që mundet. Mirëpo, me ardhjen e vjeshtës, fillojmë të veshim rroba, të cilat mbulojnë thuajse gjithçka, prandaj nuk shqetësohemi më për celulitin, barkun apo problemet tjera të femrave që gjatë verës u pengojnë.
Zgjidhja: Secili nga ne kur shikohet në pasqyrë pa rroba, gjithmonë gjen diçka të cilën do të dëshironte ta ndryshojë. Mos e pritni sezonin e ardhshëm veror për ta bërë këtë, por filloni menjëherë me hapa të vegjël por të sigurt për ta arritur qëllimin e caktuar. (Pashtriku.org)