(Pashtriku.org, 03. 06. 2012) – Në dhjetor të vitit 1918, Kongresi i Durrësit që bashkoi 50 delegatë, formoj qeverinë e Durrësit, me ndihmën e Italisë, dhe shpresonte të siguronte bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në Ballkan, gjatë muajve vendimtarë të Konferencës së Paqes në Paris. Kjo qeveri u kryesua nga Turhan Pashë Përmeti dhe reflektonte në përbërjen e saj tërë spektrin fetar të shoqërisë shqiptare. Që në fillim të krijimit, detyra më e ngutshme me të cilën u përball kjo qeveri, ishte caktimi i delegacionit që do ta përfaqësonte atë në Konferencën e Paqes, si dhe përgatitja e memorandumeve dhe dokumenteve të tjera drejtuar Fuqive të Mëdha. Dihet mirëfilli se, një rol të rëndësishëm në sublimiminj e qëndrimit të delegacionit shqiptar në Paris luajtën dy figura të rëndësishme nga radhët e klerit katolik shqiptar, imzot Luigj Bumçi dhe at Gjergj Fishta…
Turhan Pashë Përmeti
_________________________
* * *
Me 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve të 6 Fuqive te Mëdha në Londër, vendosi që Shqipëria e kufijve që përcaktoi kjo Konferencë, të formohej si “… principatë autonome, sovrane dhe trashigimore…nën garancinë e të 6 Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë. Çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet….Kontrolli i administratës civile dhe i financave të Shqipërisë i besohet një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga delegatët e të 6 Fuqive dhe nga një delegat i Shqipërisë”. Deri në mbërritjen e princit, çdo gjë do ti nënshtrohej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit – KNK. Në rrethanat e një situate të vështirë të krijuar brenda dhe jashtë vendit, me 15 janar 1914, Ismail Qemali u detyrua ta kalonte pushtetin ne duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ky Komision u ngarkua nga Konferenca e Ambasadorëve që të përpunonte një projekt për organizimin e hollësishëm të administratës shqiptare. Më 7 mars të vitit 1914 mbërrin në Durrës princi gjerman Wilhem Wiedi i caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Princ Wiedi emëroi më 17 mars 1914 Qeverinë.. Kryeministri i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme i shtetit të ri shqiptar të njohur zyrtarisht, ishte Turhan Pashë Permeti, ish-ambasador i Perandorise Osmane në San Peterburg. Turhan Pasha qëndroi si ministër i jashtëm deri më 28 maj 1914, më pas u zëvendësua nga Prenk Bibë Doda dhe ky i fundit, mbas korrikut u pasua nga Mehmed Konica. Meqenëse Italia dhe Austro-Hungaria ishin autorët e formulës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, kapiten Castoldi, officer Italian, ishte “i komanduar” pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme për misionet diplomatike. Ai bashkë me diplomatin austriak Buchberger formuan kabinetin politik të princit. Përfaqësimi i parë diplomatik zyrtar shqiptar u vendos në Vjenë, përfaqësuar nga Syrja bej Vlora, dhe në Romë, përfaqësuar nga Myfid bej Libohova. Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë funksionuan deri në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore shtator 1914.
Princi gjerman Wilhem Wiedi
__________________________________
Më 3 shtator Princ Wiedi u largua nga Shqipëria dhe vendi u kthye në një teatër lufte të shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha. Mbarimi i luftës rishtroi përpara popullit shqiptar problemin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Në këto rrethana lindi nevoja e krijimit të një qeverie kombëtare shqiptare që të shprehte interesat e shqiptarëve dhe t’i mbronte ato në Konferencën e Paqes në Paris që do të fillonte punimet në janar të vitit 1919. Për këtë qëllim, pas një pune përgatitore intensive, u vendos që të mblidhej një kongres në ish-kryeqytetin e Shqipërisë, në Durrës, në dhjetor të vitit 1918. Duke shpresuar tek mbështetja e Italisë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, u kërkua ndihma italiane për organizimin e këtij Kongresi. Qeveria e Përkohshme e dalë nga Kongresi i Durrësit përbëhej nga 14 anëtarë. Ajo kryesohej nga Turhan pashë Përmeti dhe Ministër i Punëve të Jashtme u emërua Myfit bej Libohova. Një delegacion i përbërë nga disa anëtarë të qeverisë si: Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Mihal Turtulli, Midhat Frashëri – i kryesuar nga Turhan pashë Përmeti u caktua t’i paraqiste Konferencës së Paqes kërkesat kombëtare shqiptare.
* * *
Më 30 maj 2012 gazeta Shekulli, publikoj disa materiale arkivore të përmbledhur në një botim të veçantë me titull: “SHQIPNIA PËRPARA KONFERENCËS SË PAQES – BLE I PARË – (Dokumenta zyrtar të paraqitun nga ana e Dërgatës Shqiptare, qysh prej 12 shkurt e deri më 5 qershor 1919 e të botuem nga ana e Qeverriës së Përkohëshme). Me këtë rast edhe portali pashtriku.orgt, i shpërfaq këto materiale të rëndësishme historike.
Tri kërkesat e Dërgatës Shqiptare në Paris
Dërgata shqiptare i paraqiti Konferencës së Paqes së Parisit dokumenta zyrtare prej datës 12 shkurt deri më 5 qershor 1919. Duket një korespondencë elitare në aspektin diplomatik. Konferenca e Parisit e mbledhur më 18 janar 1919 (vazhdoi deri më 21 janar 1920) për riformatimin e botës pas Luftës së Parë Botërore u gjend përballë kërkesave, protestave, memorandumeve, dokumentave të shumtë arkivorë ku dëshmohej për kufijtë realë të kombit shqiptar. Kërkesat e Dërgatës Shqiptare dërguar kësaj Konference përqëndroheshin në tre çështje kryesore: Së pari: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Malit të Zi nëpërmjet vendimeve të Kongresit të Berlinit 1878 dhe atyre të Konferencës së Londrës 1913. Së dyti: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Londrës 1913. Së treti: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Londrës 1913.
Harta e Shqipërisë sipas Kadastrave Osmane
Në kërkesat e Dërgatës Shqiptare u prezantuan kufijtë realë shqiptarë në bazë të dokumentacionit të Perandorisë Osmane (një kadastër tepër e saktë) “Shqipëria përbëhej nga tre vilajete të plota:
1- Kosovë;
2- Shkodër;
3- Janinë, si dhe një pjesë e
4- vilajetit të Manastirit.
Për të siguruar territoret shqiptare ju paraqit një hartë (që sigurisht nuk e kishin bërë shqiptarët), e për atë i shkruhej Konferencës: Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngiitun këtu, kufini ethnik i Shqipnisë fillon prej gjinit të Spicës (neverit të Tivarit), kthehet drejt nord-estit tyke marrë mbrenda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën dhe tyke ndjekun kufinin e Malit te Zi qi ka pasun perpara motit 1912, permbledh Pejën, Gjakoven, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjillanin, Ferizovikun, Kaçanikun, një pjesë të kazas së Shkupit, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te Mali i Thatë, ndërmjet liqejvet t’Ohriës e të Prespës. Qy nga këjo pikëkufini ndjek vijën 2 1913-s ngjer te maja e malit Gramos e vazhdon drejt sudit për me dale afër gjinit të Prevezës. Të gjtha viset qi gjinden në Perendimt të këtij kufini përbajnë Shqypniën ethnike e historike. Mbrenda ndër këta kufij qi caktuem na sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët ma pak se gjymsa ndër kufijt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lanë, po n’atë Konferencë, Malit të Zi, Serbies e Greqiës”.
Paris, 12 shkurt 1919 / (Nënsh.) TURHAN
SHQIPNIA PËRPARA KONFERENCËS SË PAQES …
____________________________________
Shqiptarët kërkuan në Paris ushtrinë amerikane
Përshkrimi i territoreve shqiptare në bazë të hartës u shoqërua me tabela statistikore, ku jepeshin qytetet shqiptare me popullsitë përkatëse. Në të tre tabelat, në atë të statistikës turke (1908-1909), në statistikën Austro-Hungareze (1914-1918) dhe statistikën bullgare del qartazi se qytetet shqiptare të mara padrejtësisht me vendime anormale janë tërësisht me popullsi shqiptare. Në disa prej tyre ka pakica jo shqiptare të ardhur.
Dokumentacioni zyrtar i Dërgatës shqiptare është sa i madh ashtu dhe tepër i saktë. Por në këtë shkrim do të ishte me shumë interes të theksonim e të vlerësonim kahjen e diplomacisë së Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo qeveri i kërkoi Konferencës së Parisit që shpëtimin e Shqipërisë, mbrojtjen e dhenave (trojeve) dhe të popullsisë shqiptare nga masakrat serbo-greke ta bënte SHBA. Shikojmë dokumentin zyrtar që mban datën Paris, 7 mars 1919. Titullohet “Nota të shtueme me kërkesat shqiptare – Kërkesa plebishiti”
Në këtë kërkesë shkruhet: “…i lutemi Konferencës që të ketë mirësinë me i dhënë një mëkamësie qeverries së Shtetevet të Bashkuem të Amerikës për me shkelun e me administrue motmot ose dyë vjet, me qëllim të një plebishiti, dhenat që kemi kërkuem, do me thanë Çamërinë, të pushtueme prej Grekëve e viset që gjenden në Veri dhe në lindje të Shtetit Shqiptar, të pushtueme prej Malazezëve e Sërbëve, dhena të cilat i kemi dëftyem në Memorandumin t’ënë më 12 të Shkurtit të kaluem.”
11 mars 1919 – Lutja për hyrjen e trupave të SHBA në Shqipëri
Del e qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ushtritë e saj kërkoheshin dhe priteshin për shpëtimin e trojeve etnike shqiptare. Shikojmë edhe një letër zyrtare që titullohet: “Protestë kundër masakrave serbe”, e cila mban datën: Paris 11 Mars 1919. Në këtë dokument veçojmë një lutje:
“Lutja e jonë më 7 Mars (e cituam më sipër), me të shkelunit e dhenave shqiptare prej ushtrive amerikane sot po bëhej një nevojë e domosdoshme, mbasi këto ushtritë do të mund të ndalojshin me një herë masakrat e tmerrëshme që po bëhen qysh prej pushtimit të ri të Kosovës prej ushtrive serbe”.
Po e japim të plotë dhe në shqipen origjinale të kohës këtë dokument të 11 marsit 1919:
PROTESTË KUNDRA MASAKRAVET SERBE
Shkëlqesë,
Në këtë orë kurë Konferenca e Paqes po kërkon me hudhun themelat e një paqe të drejtë e të qëndrueshme ndërmiet popujvet, në Shqipnië janë tue ndodhun punë mi të cilat po e shohim për detyrë me i hekun vërejtjen Këshillit të Naltë të Besatarvet. Lufta zyrtarisht ka mbaruem, por megjithëkëtë përpjekjet po vazhdojnë me rreptësië në shumë vise të Shqipniës. Qyshë se ushtriët serbe kanë hymun përsëri në krahinat e Kosovës, shqiptarët po ujisin me gjakun e vet këto krahina ku kanë lane eshtnat sa prindënt e tyne për të pruejtunit e tokës dhe të liriës së vet. Bota mbarë asht çu e midhnueshëm kundra masakravët të mënishmet’ Armenvet qi kishin për qëllim të sterfarunit (shfarosjes) e racës së tyne; mizorina po me atë qëllim po bahen sod në Shqipnië, pa u çuem nje za protestimi kurrkah. Për të vetmen krimë qi duen me i ndejun besnikë mamësatdhe, popullsi të Pejës dhe të Gjakovës kanë mbetun tash nj’a dyë javë, nën zjarmin e rreptë t’ushtrivet serbe. Sod janë qytetet e Plavës dhe Gucinjës qi u ka ardhun rendi me psuem shortin e atyne. Gra, pleq, kalamaj lane vatrat e veta te rrenueme e hikin. Një varg i pare të hikunish, i përbamun prej dyemijë vetësh, ka mundun t’arrijë në Shkodër, e një tjetër varg prej njëmijë Shqiptarësh tjerë asht kapun në Zadrimë. Lutja e jone me 7 Mars mi të shkelunit e dhenavet shqiptare prej ushtrive amerikane sod po bahet një nevojë e domosdoshme, mbassi këto ushtrië do të mund i ndalojshin me-një-herë masakrat e tmerrueshme qi po bahen qyshë prej pushtimit të ri të Kosovës prej ushtrivet serbe. Merret vesht, nga tjetra anë, prej lajmevet qi Dërgata e jonë po merr prej Durrsi, se disa çeta komitaxhish greke janë tuke u mbledhun përgjatë kufinit të Shqipniës së Poshtme nën komandën e kapidanit të nëzashëm Vasil Kolovosi, të Vasil Stilarëse dhe të Stefit. Këto çeta jane tuke u bamun gatime i hy mum mbrenda Shqipniës së Poshtme për me shtrënguem popullsiën qi të kërkojë Greqiën e për me ba mun këso mënyre qi të duken të drejta lakmiët panhelenike mi këtë krahinë. Populli Shqiptar beson nëndiesiët njerzore të Delegatvet të Konferencës për me i dhanë fund sar na shpejt gjëndsiës së mjerueshme qi Ju paraqitëm këtu n’emën të tij.
Paris, II Mars1919.
Kryetar i Dërgatës Shqiptare
(nënsh.) TURHAN.
3 qershor 1919 – Dokumenti mbi masakrat në Shqipërinë veriore
Shumë me vlera dokumentative është edhe dokumenti shqiptar që mban datën Paris, 3 Qershor 1919 dhe titullohet: “Mbi masakrat e Jugo-Slavvet në Shqipnien e Sipërme”. Nga ky dokument që do ta japim në origjinal duket qartë një mëndje e ndritur diplomatike dhe një brengë për trojet e popullsinë e masakruar. Në ato kushte Dërgata Shqiptare sërish këmëngulte për mbrojtje nga ushtria amerikane: “Dërgata e jonë, për me pritun këto masakra e për me u bamum një plebishit, ka pas lypë që ato vise të shkileshin prej ushtrive amerikane”.
Po i japim lexuesit të Shekullit (dhe të pashtriku.org – shën.SH.B) dokumentin e plotë:
Mi masakrat e Jugo-Slavvet në Shqipniën e Sipërme
Shkëlqesë,
Ditën më 11 Mars 1919, Dërgata Shqiptare pati paraqitun Konferencës një protestë kundra masakravet të bame nga ana eJugo-Slavvet mi popullsiët shqiptare të kazavet të Pejës, Gjakovës, Plavës e Guciës; Mierisht këto masakra s’kanë pushuem edhe, e po vazhdojne reptas. I drejtuem Shkëlqesës s’Uej, këtu bashkë, listen e pare të të masakruemvet në krahinën e Rugovës, në kaza të Pejës. Dërgata e jonë, për me pritun këto masakra e për me u bamum një plebishit, ka pasë lypun qi ato vise të shkileshin prej ushtrive amerikane; ajo po vjen tashti’ me e per trimun edhe një here atë lutje,tue shfaqun se në qoftë qi s’do të merret parasyesh për nji mend e në qoftë se viset e Shqipniës së Sipërme qi kemi kërkuem do të mbeten nën zotnimin serb, e tanë popullsia shqiptare e asaj ane ka me qënë për pak kohë e stërfarun kreit. Dërgata shqiptare merr lejën me ia paraqitun edhe një here Shkëlqesës s’Uej me ma te madhen randësië këtë çashtje të tristueshme e u sillet ndiesivet njerzore të Fuqivet të Mëdhaja Beslidhuna e të Shoqnueme për me u dhanë fund këtyne masakrave systematike nga të cilat populli i ynë ka vuejtun tepër.
Pritni, Shkëlqesë, sigurimet e nderimit t’em shumë të naltë.
Paris, 3 Qershor 1919
Kryetari i Dërgatës Shqiptare
(nënsh.) TURHAN.
Shkëlqesës së Tij, Z.G. Clemenceau,
Kryetar i Konferencës së Paqës
20 mars 1919 – Letra për ambasadorin amerikan:
“Hyni me ushtri në viset shqiptare, na merrni në mbrojtje” telegram mban datën 20 Mars 1919. Midis të tjerash shkruhet: “…Po Ju sillemi Juve Z. Kryetar, apostullit të politikës morale e pruejtësit të popujve të vegjël të ndrydhun. Juve po Ju sillemi që të mos na shkelet e drejta. Po ju lutemi që t’i zanë ushtriët amerikane të gjitha nj’ato vise shqiptare ku sod gjinden ushtritë jugosllave e greke, e qi t’u kqyret lirisht e pa mbajtun pajë karakteri kombëtar qi kundërshtarët t’anë mundohen me mohuem. Nuk do të kishim as një kundërshtim për një plebishit qi kishte me u zbatuem në të gjitha ato vende që kërkojmë….”. Me shumë interes në materialin e këtij telegrami është interesimi për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë telegram shkruhet: “Në Amerikë jetojnë një qind mijë shqiptarë në lirië të plotë e vendi i madh i Uashingtonit ka qënë për ta gjithmonë një shkollë atdhetarie e përparimi”. Edhe në këtë telegram fatet e kombit shqiptar ja besojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: “Shkurt, Z. Kryetar, na e lamë çështjen t’onë në duert e Jueja e Ju lutemi të na pranoni kundra godive e traktateve rrëmbyese e pushtimi”. (Marrë nga Shekulli, Tiranë, 30. 05. 2012)
* * *
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, duke hyrë në Tiranë – më 11 shkurt 1920.
________________________________________
Meqenëse Qeveria e Durrësit ndërkohë kishte rënë pre e interesave italiane në Shqipëri – në 23 janar të vitit 1920, në Lushnjë, me inisiativën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës, u mblodh një Kongres me përfaqësues nga të gjitha krahinat e çliruara të Shqipërisë, që do të zgjidhte qeverinë kombëtare shqiptare larg influencës italiane. Në mbledhjen e katërt që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në qeveri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtori Përgjithshëm i Postë-telegrafëve. Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.
,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,
Nga Sheradin Berisha