PËLLUMB GORICA: PLAGA E KAHMOTSHME E TROJEVE SHQIPTARE

Tiranë, 09.10.2015: Më vjen në mendje një kullë e lartë atje në veri të Shqipërisë, që ata të cilët e kanë ndërtuar dhe e kanë kthyer në Muze e quajnë ndryshe “Kulla e Ngujimit”. Gurët e heshtur të saj dëgjojnë përtej atyre fushave dhe maleve për frikën se cili anëtarë do të ketë radhën të viktimizohet, aq edhe shpresën për shërim të kësaj plage. Në këtë prag kulle nga më të rrallët në Evropë e Botë, poetët, shkrimtarët, regjisorët, sociologët, kompozitorët, filozofët e kombit tonë e më tej mund të frymëzohen në artet e tyre dhe në atë që mund të bëjnë më mirë. Jo thjesht si e kaluar, por edhe si ardhmëri. Për ironi shumë filma me këtë temë në botë kanë fituar çmime nga më të mira e më të pagueshmet. Por le të sjellim ndërmend fakte të cilat janë të njohura, por ne vetëm mund të parafytyrojmë, apo bashkë ndjemë, por sa dimë se si i përjetojnë ato qindra e qindra familje, ato Burrnesha stoike me pamjen e tyre e dhëmbjen pa kufi, që e lidhin jetën me të burrit të mos bëhen pre e plagës së gjakmarrjes, e shpesh duke mos i trembur as nga rreziqe. E pra aty dhe brenda nesh jeton kjo plagë e madhe sociale, që do jo një, por disa kirurgë mendjesh, ligj dhe shtet ta luftojë, shumë kohë e kujdes shoqëror për ta shëruar e për të mos mbjellë kurrë më varre të pafajshme.
Gjakmarrja, kjo hije e zezë, secilin nga ne pavarësisht formimit intelektual, na përcjell në vazhdimësi, përgjegjësinë dhe mundësinë që të bëjmë më shumë në mbylljen e këtij fenomeni. Shpesh, ajo përkufizohet edhe nën hijen e varfërisë shpirtërore, të mbajtjes në kuadratin e paditurisë dhe ushqimit të vazhdushëm me mediokritete njerzore. Por edhe ligjet kanunore janë shpërfillur dhe po vriten për hakmarrje gra dhe fëmijë. Ndaj, ky koncept keqpërdoret, duke e humbur kuptimin e mirfilltë të tij në mendime e labirinte keqardhjesh. Me rrënjët e saj sa të hershme, për fat të keq, aq shumë po përsëritet dhe si rezultat secilin prej nesh e vë para dilemës:
– Ku jemi ne si shoqëri e qytetëruar?!
Natyrisht pas saj vijnë shumë pyetje retorike e një mozaik përgjigjesh të cilat këtë paradoks e rrëfejnë në mënyrën sa kanunor, logjik, tradicional e shkencor, por çështja mbetet me përmasat sa në rritje, po aq edhe e pazgjidhur. E mora guximin dhe urtësinë për të shkruar për gjakmarrjen, duke e trajtuar edhe në retrospektivë, e që gjithnjë e më shumë po merr përmasa shqetësuese.

Kultura jonë e lashtë në rrjedhën e shekujve ka mbartur në shpinën e saj shumë anë pozitive, që kanë legjitimuar fytyrën e vërtetë të kombit, krahas anëve negative. Në pamundësi për ta pasur legjislacionin e tyre, të parët tanë, kanë qenë të detyruar t’i zbatojnë kodet dhe normat kanunore të hekurta, rrjedhimisht të krijuara për t’i rregulluar çështjet e tyre të brendshme brenda një fisi, vendbanimi, krahine apo edhe një territori të caktuar. Traditat zakonore dhe kanunet si ai i Lekë Dukagjinit, i Bendës, i Skënderbeut, i Labërisë futën në kulturën tonë të përgjithshme edhe elementë që morën karakterin e ligjeve morale dhe të shkruara. Influencë veçanërisht pati sidomos në zonën e Veriut, Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku sanksionoi në mënyrë barbare zakonin e gjakmarrjes edhe nga fanatizmi i shekujve. Kanuni i Lekë Dukagjinit, ky monument i lashtë i kulturës shqiptare, për kohën kur është krijuar, luajti rol pozitiv në rregullimin dhe vlerën e normave shoqërore në zonat malore shqiptare me një të kaluar historike tepër shtypëse. Nuk duhen harruar kalvarët e dhembjeve, historitë tragjike deri në shuarje familjesh edhe pse dikur përkujdesej fisi, grupi fisnor,në rrethanat e sotme të zhvillimit global të shoqërisë, kjo plagë e kamotshme dhe rëndë e trojeve shqiptare, mjerisht është aktuale e dëmshme dhe e tejkaluar. Gjatë historisë, në kohët e vështira, ishte i madh edhe rreziku i asimilimit si komb nga pushtuesit me përpjekjen anarkiste të tyre për zbehjen e ndjenjës kombëtare, por edhe me zhvatjen, zaptimin e trojeve, pasurive. Ata e shfrytëzuan gjakmarrjen për qëllime përçarëse dhe sunduese. Mungonte shteti i mirëfilltë dhe autoriteti i tij në çështjet e pazgjidhura kishte krijuar shkaqe të precetenta me ngjarje të rënda e pastaj me gjakmarrje, shkurt larje hesapesh, shkatërrime prone, dënime të rënda. Por edhe kur u krijua shteti shqiptar, legjislacioni në vite, qoftë në pjesën e Shqipërisë, por edhe në trojet e tjera: Kosovë, Maqedoni, Malit të Zi ku jetojnë shqiptarë, nuk ishte në përputhje me interesat kombëtare, deri edhe një lufte të brendshme arkaike, pro osmane të individëve karrieristë, ndaj edhe besimi në popull në të ishte shumë i vogël. Edhe në këtë kontekst historik, sado që në Shqipërinë e 50 viteve të diktaturës komuniste, gjakmarrja pësoi zbehje e thuajse u zhduk, për shkak edhe të pasojave ligjore e dënimeve të rënda, burgimit, internimit, persekutimeve, ky fenomen u rizgjua e vazhdon të jetë me dhembje pas viteve ’90, kur erdhi demokracia dhe të marrë përsëri jetë shqiptarësh. Nga frika e thellë e gjakmarrjes, familje të tëra sidomos në zonat malore, janë detyruar të ngujohen brenda burgut shtëpiak, larg realiteteve të jetës dhe botës njerëzore, duke i viktimizuar edhe fëmijët me arsimimin, shkëputje nga bota e lojërave me shokë, ndrydhje e ëndrrave të tyre si një plagë e pashtershme dhe kosto e pariparueshme për shoqërinë tonë, por edhe të krijoj largime të atyre që munden nga trojet e tyre, drejt rrugëve emigruese në kërkim të një vendi të qetë, pa preokupimin se një ditë do i shfarosin burrat, fëmijët, vazhdimësinë e brezave.
Mjerisht, pothuajse përherë në media të shkruara dhe elektronike, publikohen vrasje me motive të gjakmarrjes, kronika të dhimbshme televizive apo shkrime për ngujime të familjeve në krahina të ndryshme, kryesisht në Veriun e Shqipërisë, duke treguar edhe për pasojat që ka lënë ky fenomen ogurzi. Ai vazhdon të mbetet akoma si një sanksion i “ligjëruar” nga vetë njerëzit me gjithë lëvizjen demografike të tyre. Ndaj, akoma nuk është bërë e mundur çrrënjosja definitive e ketij fenomeni,përkundrazi,ai po mbartet rigorozisht. Ne një vend ku nuk funksionon ligji inkurajohet hakmarrja, ka humbur besimi,është vrarë ëndrra dhe shpresa. Edhe politika për të kryer përfitimet dhe privilegjet e saj e ndonjëherë edhe të kontestuara ka shfrytëzuar kanunin për interesa, duke acaruar marrëdhëniet në përgjithësi të komunitetit. Duhet theksuar se do të ishte e udhës dhe një alarm jo vetëm për institucionet shtetërore, nëpërmjet organeve të tyre ligjvënëse e zbatuese, por edhe për shoqërinë civile që të veprojë shpejt me përgjegjësi morale dhe kombëtare në çrrënjosjen e kësaj plagë të hershme shekullore. Janë krijuar shoqata kundër gjakmarrjes me motivin: Stop gjakmarrjes, të cilat me format e tyre sensibilizuese në periudha të caktuara kohe a ndoshta pas ndonjë vrasje makabre, deri në peticione e grumbullim firmash jo vëllavrasjes, synojnë në një ndërgjegjësim të këtij fenomeni të frikshëm e shqetësues për kohën, por janë kthyer në disa raste si biznese kriminale e fitimprurëse në rrënime ekonomike të dëmshme për xhepin e fajtorëve e ndonjëherë edhe pa shkak të dënimit. Fatbardhësisht për këtë, kemi edhe shembuj kuptimplotë humanizmi e përgjegjësie atdhetare sidomos në kohë okupimesh, periudha tranzicioni të shoqërisë. Në kohën e represionit të thellë fizik e verbal në Kosovë nga lukunia e ideologjisë sllave, rinia atje u mobilizua në pajtimin e gjaqeve. Pati shumë raste të gjakmarrjeve dhe me peshën e fjalës në kuvende burrash si shërim për shpirtrat e trazuar, misionarët i pajtonin duke falur gjakun njeri – tjetrit. Mjafton të kujtojmë këtu disa personalitete fisnike si Anton Çeta në Kosovë, Pal Kuka, Palok Lumi, Pashko Toma të njohur në zonën e Veriut të Shqipërisë, duke hyrë në histori për shpirtin njerëzor e urtësinë proverbiale.
Jeta vlen të jetohet. Gjakmarrja kjo fjalë e rëndë dhe e frikëshme le si një shkretëtirë vetëm dhimbje. Andaj në përputhje me vlerat e civilizimit evropian, për të mirën e Kombit, duhet të veprojmë dhe punojmë më shumë për zhdukjen e kësaj plage shekullore, që kullon përditë gjak, mjerim shpirtëror e ekonomik. Le t’i shtojmë jetës angazhim të madh të shoqërisë sonë me forcimin edhe të shtetit ligjor, por edhe duke e luftuar në mënyrë të ndershme këtë fenomen, pa u bërë ndikues të së keqes së pamoralshme, për të dëshmuar se jemi vërtet popull fisnik dhe i qytetëruar i sofrës së madhe evropiane me besimin dhe shpresën për brezat e ardhshëm, se gjakmarrja do të jetë thjesht një fjalë e mbetur në arkivin e kohës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura