PËRPARIM DEMI: PANDEMIA POLITIKE

Bukuresht, 6 prill 2020: Në kohë pandemie njerëzit përballen me vdekjen kolektive të pakontrollueshme, e cila indukton frikën e përbashkët dhe në të gjitha rastet u përdor, u shfrytëzua për të dominuar dhe kontrolluar padijen e turmës, kur gjykimi i njerëzve bllokohet në pashpresën për një perspektivë afatshkurtër shpëtimi.
Disa, më të informuarit, që posedojnë aftësi arsyetimi më të thellë, kanë tendencën të orientohen drejt spiritizmit dhe të kërkojnë burime të reja brënda tyre. Të tjerë, të aftë për manipulim, orientohen drejt misticizmit, për të induktuar pasigurinë e jetës dhe shpresën drejt fuqisë mbinjerëzore, duke mbjellur fatalizmin kronik të pashmangshëm, që çon në një nënshtrim pa kushte.
Në shoqëritë primitive egzistonin shamanët, të cilët pretendonin se mund të komunikonin me shpirtrat e padukshëm të botës së përtejme, apo të zbulonin motivin e ”zëmërimit” të mbifuqisë ndaj njeriut dhe të zbulonin kështu sakrificën e kërkuar të momentit.
Interesant është fakti historik se mbretërit, perandorët, në bashkpunim me priftërinjtë dhe papët e tyre, në momente të tilla, në emër të shpëtimit kolektiv, arrinin gjithsesi të gjenin viktimën e duhur për tu sakrifikuar në rradhët e kundërshtarëve të tyre të njohur, qoftë dhe të panjohur, të krijuar dhe të shpallur si shkaktarë të padiskutueshëm. Kështu në kohën inkuzicionit, kur pandemitë e kolerës bënin kërdinë, u masakruan dhjetra mijë femra “magjistare”. Në kohën e jakobinëve turmat u lëshuan në ekstazë dhe prenë kokat e aristokratëve, më vonë viktimë për sakrificë doli populli çifut, etj.

Kjo histori pandemish, vdekjesh masive, sakrificash dhe viktimash të pafajshme, me sa duket s’ka mbaruar as në kohën moderne. Politikanët lokal opozitarë shpallën fajtorin duke kërkuar revanshin, ndërkohë që ata global i vunë gishtin Kinës, ku në mënyrë të çuditëshme mbiu korona-virusi dhe u bllokua vetëm në një provincë (An-Huei) apo qytet të saj (Wu-Han), ndërkohë që në Europë dhe Amerikë po përhapet në vazhdim pa pengesë. Analistët e të gjitha ngjyrave i janë vënë punës zbuluese, si me qënë Sherlok Holmsi, me lupën në dorë ndjekin virusin kameleon, për të gjetur se nga erdhi dhe ku po shkon.
Në Kosovë për fat të mirë kemi Thaçin, “shamanin e mënçur” me simbolin e vjetër të “gjarpërit”, që i di të gjitha që pa ndodhur gjërat, i cili parashikon dhe zbulon, si me qënë replika e Enver Hoxhës, që i zbuloi krejt armiqtë e popullit pa lujt nga karikja. Sakrifica e rradhës për pandeminë në Kosovë doli të jetë Albin Kurti. Sa shpejt e kuptoi këtë dhe Mustafa i vogël, i cili mblodhi krejt PAN-in rreth tij. Me dhimbje, por i vendosur të “shpëtojë” popullin dhe Kosovën, e solli punën aq bukur, sa e ngriti e pastaj e rëzoi qeverinë shpejt e shpejt. Mjeshtër me shkollë titiste, ky politikan i regjur, po qan me lot pse duhet të sakrifikojë koalicionin që mezi e krijoi. I shkreti, se desh Thaçin, pasi ja punoi rradhës së kaluar maskarai, por tani ç’ti bëj pandemisë që e detyroi të puthet prap me të.
Pandemia që filloi me virusin dhe kaloi në politikë dhe ekonomi, thonë se do ndryshojë botën. Epo për hajër qoftë, e fillojmë nga e para, apo si?
Mirë në Kosovë e kuptova, se e “zgjidhi” punën Thaçi-Mustafa me marifete kushtetuese, po në Shqipëri ku s’kemi asnjë Albin si t’ja bëjmë. Rama i shkret, mbyllur në bunker, ka rënë në hall të madh dhe sheh me zili nga Kosova që ja kaloi, i doli para, do arrij para tij në Sërbi, më shpejt se me minishengenin e tij.
Fajin e ka greku, Janullatosi, që s’po i vjen me ndonjë ide për së mbari, ta haj dreqi ta haj.
Bukuresht, 06.04.2020
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura