(Drenas, 17. 04. 2012) – Institucionet ndërkombëtare por edhe ato vendase të sigurisë i dinë më emër e mbiemër prijësit e këtyre strukturave që veprojnë atje, por nuk po ndërmarrin hapa konkret për t’i arrestuar e dënuar ata për krimet që i kanë bërë e po vazhdojnë t’i bëjnë ndaj shqiptarëve, përveç asaj se veprimet e tyre kriminale nga po këto institucione dënohen “fuqishëm” vetëm deklarativisht përmes komunikatave e prononcimeve për media.
Padyshim, para se Kosova të shpallej shtet i pavarur e sovran, në opinionin e përgjithshëm ekzistonte bindja me të drejtë se në momentin që do të ndodhte kjo, gjithçka do të ishte në rregull dhe punët do të shkonin mbarë. Ishte normale të mendonim e të besonim se pas shpalljes së Kosovës shtet, gjërat duhet të viheshin në vendin e vet. Por sikur na doli e kundërta e asaj që menduam, besuam dhe e pritëm aq shumë. Fatkeqësisht, gjendja e përgjithshme ndërroj për të keq, meqë padrejtësitë ndaj vendit dhe popullit tonë sa vinin e shtoheshin. Skena politike vëndase gjithsesi duke qenë se nuk e mbronte interesin shtetëror e qytetar, padyshim bëhej pjesë e padrejtësive politike që bashkë më të tjerët i hartonin në vende të ndryshme të Evropës e të rajonit përmes negociatave të vazhdueshme me shtetin e Serbisë.
___________________________________
PROTESTA E VV – NË KUVENDIN E KOSOVËS MULTIETINIKE TË AHTISAARIT!
___________________________
Tashmë sikur jemi mësuar me provokimet dhe dhunën e vazhdueshme që shteti serb po ushtron ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Është e turpshme kur institucionet vendase nuk po bëjnë atë që duhet dhe kanë mundësi ta bëjnë. Strukturat paralele kriminale në veri po e sfidojnë shtetin në vazhdimësi dhe të papenguar nga askush. Institucionet ndërkombëtare por edhe ato vendase të sigurisë i dinë më emër e mbiemër prijësit e këtyre strukturave që veprojnë atje, por nuk po ndërmarrin hapa konkret për t’i arrestuar e dënuar ata për krimet që i kanë bërë e po vazhdojnë t’i bëjnë ndaj shqiptarëve, përveç asaj se veprimet e tyre kriminale nga po këto institucione dënohen “fuqishëm” vetëm deklarativisht përmes komunikatave e prononcimeve për media.
Intervenimi i institucioneve të Kosovës, konkretisht i njësisë speciale të policisë i 25 korrikut të vitit të kaluar, kishte ngjallur ndjenjën tek qytetarët se më në fund shteti është zgjuar nga gjumi dhe do të reagojë atje sipas Kushtetutës, në mënyrë që një herë e mirë sovraniteti dhe kontrolli shtetëror të shtrihet edhe në atë pjesë të vendit. Por, aksioni i urdhëruar nga qeveria e Kosovës që në start ishte i gabuar, ngase nuk ishin nisur për ta imponuar sovranitetin në gjithë veriun por vetëm sa për t’i “marrë” nën kontroll dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe atë në Bërnjak, e që as kjo nuk ndodhi si duhet sepse sot kemi dy doganier e dy policë që transportohen me helikopter të KFOR-it, sepse ndryshe nuk mund të shkojnë atje. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me shtrirje të sovranitetit e as me kontroll të pikave kufitare veriore të shtetit.
Ky lirisht mund të themi se ishte turpi i radhës, sepse hashim Thaçi intervenimin e 25 korrikut e kishte përdorur si kartë për të shpëtuar nga humbja e vazhdueshme e respektit dhe përkrahjes së popullit për veprimet e tij të dëmshme, që prej marrjes së mandatit të parë si kryeministër. Thjeshtë, ishte një intervenim spektakular medial, por i pamenduar mirë, jocilësor e pa arritjet e pritshme nga ana e qytetarëve se, pjesa veriore e vendit do të integrohet tashmë.
Përçmimet, vrasjet, dëbimet e turpërimet ndaj shqiptarëve, po vazhdojnë të ndodhin edhe tani kur në negociatat e Brukselit janë arritur “marrëveshje” të shumta me shtetin serb. Ngjarjet e fundit treguan saktësisht se në veri nuk ka përmirësim të situatës politike dhe asaj të sigurisë, por ka keqësim, pasiguri dhe gjendje lufte. Vrasja e policit Enver Zymberi gjatë aksionit të 25 korrikut, sipas deklarimeve të kryeministrit Thaçi do të ishte e fundit dhe se atje rendi e ligji do të mbretëronin “gjithsesi”. Por, nuk doli të jetë ashtu, dhe erdhi vrasja e Selver Haradinajt në banesën e tij, teksa po flinte bashkë me familjarët e tjerë.
Përveç kësaj, këto ditët e fundit shteti ynë u përball edhe me arrestime të qytetarëve tanë nga shteti i Serbisë, siç është rasti i Hasan Abazit, Kryetar i Sindikatës së Metalurgëve të Kosovës e deri te policët në detyrë, madje duke u poshtëruar meqë ju dorëzuan njësive të gjandarmërisë serbe, duke i dorëzuar edhe armët që është në kundërshtim me rregullat dhe betimin e policit.
Me veprime të kota dhe sa për sy e faqe nga ana e institucioneve të Kosovës situata në veri do të përkeqësohet edhe më shumë dhe strukturat kriminale atje vetëm sa do të konsolidohen më shumë për organizime terroriste kundër shqiptarëve të veriut.
Turpi u pa edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku aty deputetët e pozitës dhe ata të opozitës, përveç VETËVENDOSJE!-s, nuk pranuan as të diskutojnë për veriun e as të bëjnë diçka konkrete për tu vënë në mbrojtje të banorëve atje. Qëllimet që të neglizhohet situata atje deri pas zgjedhjeve të Serbisë, për tu futur pastaj në negociata politike enkas për veriun e për t’i dhënë një status special apo një lloj autonomie për serbët atje është e papranueshme për popullin dhe assesi nuk guxon të ndodhë. Konsensuset e qeverisë për ta negociuar veriun janë të dëmshme. Prandaj, organizimi politik gjithëpopullor i shqiptarëve, sado që mund të duket i pamundur meqë kemi qeveri që se kupton popullin e vet, është tejet i nevojshëm dhe i pashmangshëm, për t’i bërë me dije faktorit vëndas por edhe atij ndërkombëtar se nëse nuk veproni ju do të veprojë populli, sepse pasiviteti juaj po e detyron një organizim popullor e qytetar.