PETRO MARKO: NGA BURGU ‘BISEDË ME SAFOLINËN’ TIME

Pashtriku.org, 16. 02. 2014 – (Takimi i parë) – Shekuj a çaste kanë kaluar, këtë nuk ësht’ e mundur ta përcaktoj!Po vetëm një gjë është e vërtetë: që unë digjem nga malli, sa them shumë herë “mor po ta shoh një herë, pastaj le të vdesë!” se merre me ment: or’ e çast, për kaqë shekuj të qaj e të qesh me ty dhe tërë këjo jetë lark teje, vetëm në fantazi, vetëm duke përsëritur e ripërsëritur çapat që këmbët tona linin në hapësirën e bardhë të një lumturie që jetonim, po që nuk çmonim! “Ta shoh një çikë, pakëz ti shohë syt e saj për së gjalli! A do ta kem këtë fat? “- Se tërë forca e dëshirave të mia, e ëndrrave të mia të fundit përsërisnin or’ e çast. “Ta shikoj edhe një herë para se të vdesë!”.

…Unë dua të të shoh një herë, vetëm një herë – me kusht që
ti të mos më shikosh mua se e di që duke të parë ty do të kuptoj
më mirë se sa e dhëmbshur është jeta, sa e shtrenjtë është jeta,
sa e shenjtë, madhështore, hyjnore… është jeta! Sa fuqi dhe
ç’burim është Jeta! Se vetëm në syt e tu shkruhen dhe llamburitin
ligjet e fuqishme të jetës… Dhe këtë ta them duke u
betuar në llahtarin’ e ëmbël dhe të tmerrshme të valles që zemra
ime kërcen në hapësirën e kësaj ndarje tragjike- që vetëm
syt e tu, forca e tyre dhe kushtrimi i tyre më thoshin: “Jeto!”…
Po ç’e do! Të jetosh me shekuj lark syve të tu, thoshin disa se
me distancën e kohës humbiste dhe fuqia magjike që kërcënon
dëshpërimin dhe mortjen! Dhe ja ku po ta them: kjo nuk është
e vërtetë!

– SAFO MARKO – 

E vërteta është se duke u ndritur me shekuj prej syve të tu,
drita e tyre përdita shtohet e shtohet sa arrin që të shkrijë hekura
dhe errësirë dhe çdo gjë që prek e shoh të më duket: Jetë!
Mjerë ata që nuk drejtohen nga sy të tillë!
Dhe isha i lumtur e isha i mjerë!
Se unë nuk desha të çkëputesha nga syt e tu! Syt e tu më
kanë puthur me ëmbëlsinë dhe nanuritjen e syve të tu! Po unë
desha ti shikoja edhe një herë! Edhe një herë! Çdo njeri para se
të shuhet nga lista e të gjallëvet, ka të drejtë të kërkojë
diçka…(Është një traditë që meriton të përmendet) Po si?…
Kalonin dit’ e netë! Çaste dhe shekuj!
“Ah ta shihja edhe njëherë! Ta shikoja pakëz…!”
…Dhë nëse do të ketë njerëz – dhe ka që thonë: E ç’kuptim ka
të plotësosh një dëshirë, kurse çdo gjë të marrë funt?!” Unë
këtyre u përgjigjem: “E ç’kuptim ka për ju jeta kurse nuk jetoni?”
Ose edhe: “Ç’kuptim ka për ju vdekja, kurse nuk kini jetuar?”
E di: kalojnë ditë dhe kalojnë netë dhe gjithënjë digjem e
përvëlohem të dëgjoj një herë zërin tënt! Se zëri yt është kënga
e jetës, është simfonia e ëndrrave të mia! Po ç’e do! Kalojnë
muaj dhe vjetë dhe shekuj! Ti tani flet, e sheh, e punon, e ëndërron
… Siç flasin burimet e maleve, siç shohin yjt’ e qiellit, siç
punon zëmëra e kohës, siç ëndërron agimi i Jetës… dhe unë
këtu mas pulsin e frymës sate, se nën rithmin e tij akoma e
mbaj lart flamurin e Jetës!
“Të të shoh edhe njëherë, pa pastaj le të vdes!… Se kam frikë
që nuk do të tretem po s’të pashë edhe një herë.
E di o Safolina ime, se forca e Dashurisë s’matet as me lotët,
as me këngët, as me trimërit’ e rrëmbimeve … po me numrin
dhe gradën e lenteve të syve që dashurohen, bile edhe me
ngjyrën e tyre. Ja, për shembull, se ç’janë për mua syt e tu: ato
smadhojnë edhe rrudhat më të holla të ballit të Jetës dhe
ndriçojnë edhe pallcën e errësirës, ato sbukurojnë dhe trevat
ku ra çkatërrimi, ato çdo gjëje i japin ngjyrën e krijimit… ato
zbusin, pajtojnë, e nderojnë… të bëjnë të jeç krenar që je njeri
dhe të drejtojnë për në brigjet e Triumfit të Jetës! Me ato sy
pash horizonte të pakufishme mijra-ngjyrash, mijra-agimesh,
mijra-shpresash, mijra-tingujsh! … Ah, dhe për këtë unë sa
dëshiroj t’i shoh edhe njëherë, se me to unë do të shoh bukurin’
e fundit të kësaj toke të bukur, me to unë do të shohë për
herën e fundit ngjyrat e Jetës që thonë: “Sa yj fshihen akoma,
sa lule fshihen akoma! Dhe ti sa gjurmë të bukura mund të lije
në këtë arenë të pasosur të krijimit!”
… Dhe ja! Një ditë prilli- pas afro një vit. – Ti me sefer-taset
në dorë ishe në derën e burgut dhe unë nga një cep, nga një cep
i vogël i dritares përkundruall
derës së oborrit, të
PASH! TË PASH! TË
PASH! … PASH SAFOLINËN TIME!
Dhe gjaku, dhe fryma,
dhe JETA nisi të marrë
mijra tinguj e mijra
ngjyra! Tinguj që këndonin
hymne malli e dëshire, gëzimi e dëshpërimi,
tinguj Dashurie! Ngjyra që hekurat i bënin lule,
muret i bënin qiej te pa funt dhe çimenton oqeane! Ngjyra që
çdo gjëje i veshnin petkun e ëmbël të Dashurisë!
Dhe unë TË PASH!
Ti qëndroje kokë-ulur! Ti shikoje brenda dhe syt e tu depërtonin
mure dhe hekura dhe unë nëpërmjet tyre NISA PRAPË
TË SHIKOJA JETËN!
Dhe kështu 23 Prilli 1948 u bë edhe këjo një datë e shënuar e
Jetës sime! Dhe pastaj përditë … përditë … ah si e prisja unë
atë orë, aty nga një cep i dritares përkundruall derës së oborrit
që hapej pak centimetra, unë SHIKOJA SAFOLINËN TIME!
Dhe sa i lumtur dhe sa i mjerë isha!
… Dhe qeshja dhe qaja – jetoja – me ty! Ti vije! Qëndroje aty
para derës (herë e veshur si parëverë, herë si verë, herë si vjeshtë)
dhe stinët unë i shikoja në veshjen tënde. Se në fytyrën tënde
shprehej një agoni që vetëm sy që dashurojnë munt të kupëtojnë!
Të flisja! Më përgjigjeshe: “Duro për mua! Jeto për mua! Unë,
Goçja jote jam aty me ty, se të dua fort unë! Dashuria jonë është
e drejtë prandaj dhe do të trimfoj! Ti je i pastërt dhe Drejtësia
do të triumfojë! Unë do të pres! Rroj vetëm për ty! … Dhe
këto fjalë më bënin krenar dhe me të drejtë thosha se lumturia
e njeriut gjendet edhe në konditat e mija…!
Dhe kështu më shikoje e të shikoja nga një vrim’ e vogël
e dritares përkundruall derës së oborrit që hapej pak centimetra-
në shi e në borë, në vap’ e në të ftohtë dhe malli më
shtohej: “Ah, kur do të takohemi!”

– PETRO E SAFO MARKO – 

“Të takohem një herë, të flas me të, pastaj le të vdesë!
Po kur? Kalonin dit’ e muaj dhe ti mbete në dyert e burgjeve!
Kur?
Imagjinata ime nuk la horizont pa shkelur me syt e tu!. Çdo
çast e çdo dit’ e çdo natë, fluturoja me ty atje ku s’ka shkelur
këmbë njeriu! Po kur të shikoja pakëz aty përpara derës me
ushqimet në dorë, thoshja : “Gjer kur?”
Dhe kështu kalonin muaj të tëra!
Monotonia e pritjes qëllonte fort si një vare në daullen e
agonisë!
Gjer kur?
Ah! Vetëm një çast të takoheshim! Të flisnim! Të çmalleshim!
T’i thoshja: “Si je? Safolina ime, si jeton pa mua?” Dhe
të dëgjoja zërin e saj! Të dëgjoja vetëm një herë të më thoshte:
“Goçja jote është e fortë! Ajo të pret!…
Ti thoshja vetëm dy fjalë: “Safolina ime! Jam ashtu siç më
njeh! S’të kam fshehur asgjë! Jam i pafajshëm! Të dua si poeti
të bukurën e dheut, si unë Safolinën dhe Lirinë!…
Dhe çdo gjë që të ngjasë … ti jeto!” (Po unë jam i krisur! Ç’vete
e mejtoj! Po
nuk dihet! A ti them:
“Dashurove një fatkeq? – Mos vallë të pengoj
lumturinë dhë rrugën tënde? Ti je e lirë! Mos humb
të rit’ e tu! …sa i marë që jam! Ajo më dashuron, dhe unë…? Po
ç’të them! Vuaj, sepse ajo vuan! Ajo vuan më shumë se unë, se
nuk është mësuar në të tilla dallgë të egëra! Po Ajo është forcuar
dhe e di se ku vete se ka Dashurinë Yll Polar! Ajo bën atë
që i thotë zemëra! Ajo është goçja ime! Ajo më pret, se është e
sigurt se do të triumfoj Drejtësia!)
Dhe kështu u mësuam në këtë jetë.. të kënaqur se kishim
fatin e mirë të shikoheshim çdo drekë: Ajo përjashta derës
s’oborrit me sefër-taset në dorë, me zemrën gur dhe me shpirtin
e saj në qeli pranë meje – dhe unë prapa hekurave të dritares,
në vetminë time plot tinguj lëngate po me sytë e zemërës
sime pranë Safolinës sime që e ndiqja çap për çap me një
llahtarë dhe një ëmbëlsi, me një dëshpërim dhe lumturi të
pathënë.
Ngjarjet historike, duke dënuar sistemin që na ndau dhe
na largoi, bënë kthesën e famëshme që ngrohu zemërat e viktimave
të gjalla … Syt e Safolinës sime çkëlqenin nga kënga e
shpresës së triumfit të Drejtësisë. Zemëra e saj e ngrirë, u ngroh
nga dielli i besimit mi Drejtësinë dhe një këngë e re na
lajmëronte: “Së shpejti do të BASHKOHENI!” Çudi! Lum ata
që janë të pastërt si kristali dhe që trembin mortjen me sinqeritetin
e besimit të tyre! Lum ata që trumbetojnë iden’ e tyre
edhe nga varri!
… Po si ta them tani ditën e shënuar të takimit tonë të parë?
Më mirë është që të flas ashtu siç ngjau: Vetëm këtë mbaj
mënt”
Kur e pash – si gjithënjë, jashtë derës më fliste me sy, me
këmb’ e me duar! Ishte e dehur nga një gëzim i pa shembëlltë!
Po çdo jetë? Mos vallë do të lirohem?” dhe unë – si ajo mënt
fluturoja nga gëzimi! Po pse? (Ah kush ka ndjerë çaste të tilla,
s’ka mbajtur mënt asgjë, se të tilla çaste janë kulme dehjesh
sublime dhe s’kanë të bëjnë aspak me gëzimet dhe lumturitë e
rralla!) Po megjithatë skalisen thellë në arenën e kristalt të
kujtesës dhe bëhen rezervë forcash gjallërie, bëhen të përjetshme…
Pastaj mu bë sikur erdhi roja “më buzëqeshje – çudi!” dhe
sikur më tha “ Eja! Do të ta-ko-hesh me shoqen tënde!” dhe
pastaj sikur erdhi berberi, ky më rrojti me të shpejtë! Më prunë
një xhaketë! Më stolisnin! (Çudi! ) Dhe unë mënt po çmendesha!
Mejtimet e mia përziheshin dhe përqafonin Safolinën time!
DO TË TAKOHEMI! (Gjëra që duken çudi e përrallë. Po thonë
se do TË TAKOHEM ME SAFOLINËN). Bëj atë që më thonë!
Ato rojet dhe berberi i ynë-ah… gjithënjë më flasin! E ç’më
thonë?
Unë vloj në mejtime: “Po a ësht’ e vërtetë? Po ç’do ti
them? Po si do të jetë vallë?.. sa kohë kaloi qysh nga 15 maji
1947? Sa jemi sot? Po sikur të na linin pak çaste pranë e
pranë? Ku do ta puth më parë? Në sy! Pastaj në buzë, pastaj
në SY dhe do ta shtrëngoj fortë, fortë duke i thënë: merrmë
me vetë! Mos më lë këtu më! Po pastaj …”
… Dhe kështu si i ndezur nga diçka që të shpie në majat më
të larta të një dehje të lumtur … më shpien nëpër korridoret –
ah këto korridore që janë matur me lot’ e gjak – më hypin nëpër
shkallë e më shpien drejt derës lart – aty ku janë dy palë hekura,
aty ku këmbët e mia sa mijra herë kanë shkelur, aty ku
duart e mia sa mijra herë janë mbajtur (kur në kohërat e çdo
regjimi vinin e më vizitonin …) dhe ku një herë motra ime më
tha: “E pse s’u vrave në Spanjë, ose në ndonjë kënd tjetër? Kështu
do të kishim qarë njëherë e përgjithënjë, kurse tani ne të
qajmë për ditë!… (Po unë nuk u vrava në asnjë kënd të dheut,
se në një kënd të dheut më priste SAFOLINA ime!)… Aty në
hekurat, mu parakalua tërë e kaluara ime dhe nuk dëgjoja gjë
dhe nuk shikoja gjë! Mu bë sikur përpara meje- në hekurat e
matanshme, nja dy metra lark hekurave të këtejshme- qëndronte
silhueta e SAFOLINËS. Kishte zënë hekurat me të dy duart,
kishte shtrënguar kryet e saj në hekurat, sikur kërkonte ti lakonte
e ti shkrinte dhe të futej brënda! … Ajo ishte! Ishte SAFOLINA,
se cdo gjë: era e ëmbël e saj, silueta e ëmbël e saj… Po
SYTË? Ku ishin sytë e saj? Po unë nuk shoh gjë?
Po çdo gjë që shoh është Safolina!… Dhe nyja në fyt bëhej
më e trashë dhe silhueta gjithënjë bëhej më SAFOLINA ose
më silhuetë që binte erë SAFOLINA, që kishte SY, e ball, e flokë,
e këmbë e duar… SAFOLINA. Vetëm një harmoni ngjyrash
SAFOLINA! Vetëm një ishte jeta që më shikonte! (Aty ishin
grumbulluar pesë a gjashtë roje) dhe nyja në fyt bëhej më e
madhe! Dhe veshët më trumbetonin … Kurse një zë “ë de folni,
pse nuk flisni?” më bëri që të mblidhja veten dhe diçka desha
të thosha, desha të thosha atë fjalë që or’ e çast –dit e natë- e
kam përmendur, desha të thoshja “SAFOLINA IME!”…po AJO
lëvizi dhe pa pritur dëgjova zërin e saj: “Petrolino im”!…
…Pastaj mu bë sikur dëgjova : “Si je?”. Ishte zëri i saj! “Si je
Petro im!”…
Dhe nyja e fytit ç’u bë! Ajo më mirrte frymën! Po zëri i Safos
sime prapë pyeste me ankim e me lumturi, me dëshpërim e
me krenari “Jam una goçja tate!”
Une besoj se edhe i vdekur po t’isha do të përgjigjesha: “Unë
jam poeti tat” … po çudi! E shikoja dhe gjithënjë më dukej një
silhuetë që humbiste që shkrihej vetëm në një: SAFOLINA.
Pastaj mu bë sikur pash hekurat më të trasha e më të dendura
dhe u shkunda: “Safo, po ti si je?” e pashë që buzëqeshi
dhe zemra nisi të rrihte me ritmin e pulsit të saj. “Unë jam
fare mirë! – Edhe unë! Po ti si je? –Fare mirë, mirë! Po ti si je? –
Mirë, mirë! Si je ti? – Fare mirë! Mirë! Po si je nga shëndeti? –
Fare mirë, mirë, mirë, fare mirë! – A je mirë? – Mirë, mirë! Po
ti?…”
Pastaj mu bë sikur ajo më tha: “Pa ec pak! Lëviz pak! Pak
sa të të shoh…” Dhe unë pa dashur lëvizja krah e këmbë dhe
kur u ktheva prapë në vend të parë, pash SYT e SAFOLINËS
SIME që çkëlqenin nga gëzimi! “Je mirë? Unë jam fare mirë!
Po si je Petro? A je mirë?” Po dale pak! Dua të flas! Ajo siluetë
eshtë safolina ime! Është goçja ime! Ay zë, ajo këngë plot harmoni
lëngimi, del nga shpirti i Safolinës sime!…Ja ku është!
Ja… ja… zgjat duart…nuk arrijnë! ( Ah këta hekura!)… Po ç’ti
them? “A je mirë?…Mirë!…Mirë!”
Dhe pastaj mbaj mënt se gjaku im i pakët nisi të vlonte kudo
si fjalët që kërkonin të dilnin më vrull tufani po që ah, s’dilte
asnjë, se njëri mejtim mundte tjetrin me shpejtësinë e nje mejtimi
si ay imi që kërkonte të bënte me gjuhë bilbili, edhe hekurat
e kryqëzuara! Dhe tërë ato fjalë që për kaqë shekuj i kisha
përsëritur me miliona herë…as që më vinin nër mënt!
Dhe sa para vlenin fjalët? Përpara meje qëndronte SAFOLINA
ime! Më shikonte dhe e shikoja. Dhe kjo ishte SAFOLINA
ime të cilën kaq shumë e kisha idealizuar, kaqë me densitet
kisha rrojtur me të gjatë shekujve të ndarjes, sa tani duke
qenë para saj-ja ku ishte dy metra lark meje!- S’di ç’ti them!
E shikoj me atë mall që unë vetëm e kam ndjerë dhe ajo
lëvis tani, lëvis krah’ e këmbë e sy e flokë e trup… dhe sikur
kërkon të hajë hekurat me dhëmbë, të futet brenda, të më
përqafojë fort e të më rrëmbejë e duke më thënë “eja Petrolino
im, se goçja jote është vetëm dhe…” të ikim bashkë që të dy
e t’i thërrasim qiellit dhe tokës dhe erës… “mjaft më!”. Neve
jemi të pafajshëm! Lërnani të numërojmë rrezet e diellit! Lërnani
të vazhdojmë se numëruari yjt e jetës! Lërnani të lozim
me ngjyart e ylverit dhe me tingujt e Lumturisë, se ne dashurohemi,
se ne duam Jetën, e duam Lirin’ e jetës, lirin e të
gjallëve…”
Po… në këto çaste kushtrimi kundër padrejtësisë buçiti zëri
i Safolinës sime: “Të pres! Ti je i pafajshëm! Ti djal’ i lirisë
dhe i Revolucionit! Të pres! Ti je njeriu im! Ti je i
drejtë…prandaj të pres me orë pranë meje!…” e dëgjoja si nëj
njeri që dëgjon vendimin e gjykatës së lartë të ndjenjës dhe të
dhimbjes! Dhe ato çaste isha më i lumturi i botës, se ky vendim
që dilte nga Drejtësia e Dashurisë ishte vendimi i prerë i
një jetë që ëndërroi dhe që luftoi nën flamuj të një Dielli të Ri,
ku kënga, krijimi, dashuria-Liria, t’ishin nenet e përjetshme
të kushtetutës njerëzore! “Të pres! Jemi të pafajshëm!” …Dhe
e pash që buzëqeshi! Pash më në funt edhe SYT’e saj që më
flisnin me një krenari duke më thënë: “Këjo ishte Prova e
Madhe e Dashurisë sonë! Neve bashkë- se jemi një- do të shkelim
në gjurmët e shtigjeve të reja! Bashkë…gjer në funt, se
Dashurohemi!”
Unë s’mbaj mënt tjetër gjë! Vetëm kur roja tha “Mjaftë më!
Shkoni!”. Atëherë vura re, se Safolina ime nuk ndahej nga hekurat!
Ishte mbërthyer aty dhe më shikonte! “Shkoni tani”-
përsëriste roja…Edhe unë nuk çkulesha dot! E ku të veja? E
pse të ndaheshim? Ajo të shkonte rrugëve e vetme dhe unë në
qelin time i vetëm? E pse? “Dëgjuat? Shkoni?!- na urdhëronte
roja!
(Epo të mendoç tani dhe të thuash: “Pse nuk largoheshit
nga hekurat, po rrinit aty që të dy si të ngrirë?” Unë të
përgjigjem: “Nuk ishim të ngrirë! Përkundrazi ishim ndezur!
Çdo gjë ishte në flakë: edhe hekurat, edhe padrejtësia! Dhe të
betohem se atë çast një revoltim i pa shembëllt, po i
ndërgjegjshëm më nxiste të thërrisja: “Mjaft më! Nuk u
kënaqët në shekujt e ndarjes sonë? Nuk u kënaqët me lëngatën
tonë? Eja SAFOLINA ime! Mermmë!Mos më lër këtu!…” Po
atë çast duart e forta të rojeve me çkulën nga hekurat dhe unë
duke pasur gjithënjë syt e ngulura në silhuetën e SAFOLINËS
sime po largohesha…Ajo fliste: “shko, shko ti i pari, dua të të
shoh nëse ecën…po mos u mërzit se unë jam jotja, jam goçja
jote besnike, të pres…se je i drejtë…se jemi të pafajshëm!…”
***
Kur roja hapi prapë qelinë time, isha i hutuar! Mbaj mënt
vetëm këtë: e pyeta me zë të shuar: “Sa kemi sot? “Dhe ay:-
TRE NËNTOR 1948!
Domethënë ishte dita (nuk e pyeta rojën se ç’ditë e javës
ishte…po do ta gjej ndonjë ditë në kalendar) TRE NËNTORIT,
dita e takimit të parë me Safolinën time…
Tani pyes veten: “A do ta harroj kurrë këtë ditë? Dhe a mbaj
mënt gjë mi Takimin e Asaj Dite? …Çdo gjë e Asaj dite ishte
skalisur thellë e thellë me skarpellon e dhimbjes dhe të mallit,
me çekiçin e lëngatës dhe të shpresës…dhe a ka në shekuj
tufane dhe thellime që të shuajnë gërmat e thella të çasteve të
tilla-çaste gas-lëngate dhe çqetësimi që kompozojnë Sinfoninë
e një Dashurie të pashembëlltë?
(E shkrova për ty o Safolina ime)
Burg më 5 maj 1950
Petro yt

—————————————

——————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura