PIRAMIDA E TIRANËS!
Nga Sheradin Berisha
Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, u kryen një sërë ceremonish, ndërsa në nivelet e PPSH-së, Byrosë Politike dhe atij të Komitetit Qendror u diskutua se si do të përjetësohej figura e tij, që për 40 vjet udhëhoqi vendin. U hartua një program, sipas të cilit më pas u vendosën bustet e Enver Hoxhës në qytetet kryesore Shqipërisë.
Një nga pikat e këtij programi ishte dhe ndërtimi i një muzeu për Enver Hoxhën, i cili duhej të ideohej dhe të ndërtohej brenda një kohe prej dy vjetësh (1986 – 1988) për t’u inauguruar me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, më 16 tetor 1988.
Projekti për ndërtimin e muzeut iu besua arkitektit të njohur Klement Kolaneci (dhëndër i E.Hoxhës). Ai ngriti një grup të projektimit i përbërë prej: Pranvera Hoxha (vajza e E.Hoxhës), Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu. Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një muzeu.
***
Zgjedhja e piramidës lidhet me tri motive, duke u nisur që nga antikiteti i historisë së kombit tonë me varret, megjithëse këtu ishte e qartë se nuk do të kishte varre. Nëse e vështron piramidën, sidomos nga lart, ajo është bërë e tillë që ajo të shkojë në harmoni me formën e malit të Dajtit. Në të njëjtën kohë ajo u ndërtua si një godinë jo me funksion të ngushtë, por si guackë e hapur nga brenda. Ideja ishte e krijimit të një hapësire të vazhdueshme komunikuese me të gjithë ambientin. Kur hyn nga jashtë brenda në godinë gjithmonë të shoqëron drita.
Në sheshin ku sot është kryeministria dhe Piramida në atë kohë kanë qenë 3 – 4 ndërtesa 2 katëshe, Drejtoria e Dytë që merrej me sigurimin e udhëheqjes, ish-shtëpia e Kadri Hazbiut dhe disa shtëpi të tjera që u shpronësuan.
Ky muze me emrin e udhëheqësit Enver Hoxha kushtoi 3 milionë e gjysmë dollarë, dhe për ndërtimin e tij punuan 300 punëtorë. Muzeu u hap më 14 tetor 1988. Pra, kjo piramidë ka shërbyer si muze për trashëgiminë e tij, por pas vitit 1991 u bë një qendër kulturore.
***
Më 8 gusht 1991, me vendimin nr.286 të Këshillit të Ministrave, kësaj godine piramidale ju dha emri “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës”. Ndërkaq me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 475 datë 12.07.2006 Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës i jepet emri QNK “Arbnori” për nder të figurës së Pjetër Arbnorit. Në statusin e vet kjo “QNK” përcaktohet se do te merret me veprimtari kulturore – artistike, çlodhëse, argëtuese si dhe me veprimtari tregtare.
Nga viti 1993 deri në vitin 1999, në të mbaheshin pothuajse çdo ditë aktivitete kulturore, duke e bërë atë një qendër të jetës kulturore në Tiranë. Gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, muzeu është përdorur si bazë e NATO-s dhe organizatave humanitare. Në vitin 2000 në atë godinë u vendos televizioni privat Top Channel.
***
Piramida ka qenë një nga objektet më të përfolura gjatë këtyre 30 viteve të transicionit. Ka patur debate se 17.000 m2 të piramidës do të mund të shkatërroheshin për parlamentin e ri shqiptar. Në dhjetor të vitit 2010 parlamenti miratoi me 71 vota pro dhe 64 kundër, një Projekt i cili parashikonte prishjen e Piramidës për t’a ngritur një ndërtesë të parlamentit të ri. Në këtë Konkurs morën pjesë 25 Zyra arkitekture.
Për rrëzimin e piramidës pati polemika të shumta publike. Disa arkitektë të huaj kanë kundërshtuar një veprim të tillë, ndërsa të tjerë e kanë mbështetur atë. Madje publicisti, albanologu dhe historiani, Ardian Klosi (1957 – 2012) organizoi një peticion që e firmosën 6000 qytetarë dhe në këtë mënyrë shmangu prishjen e Piramidës.
Megjithatë qeveria në mars 2011 hapi një Konkurs të cilin e fitoi zyra e Vjenës “Coop Himmelb(l)au” me një Projekt me çmim 110 milionë €. Ndërtimet ishin planifikuar të mbaronin me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, më 28 Nentor 2012, por këto punime nuk filluan asnjëherë deri më sot. Gjithashtu në vitin 2004 është folur që Piramida të kthehej në një teatër, por dhe kjo ide ka ngelur në letër.
***
Disa herë gjatë 10 vjeçarit të dytë të këtij shekulli u bënë planifikime për rikonstruimin e piramidës, por ato mbetën vetëm në letër. Ndërkaq në shkurt të vitit 2021 Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë bërë të ditur se brenda vitit 2023, Piramida e Tiranës do të shndërrohet në një qendër teknologjie me 18 salla, ku të rinjtë mund të studiojnë IT, robotikë, dizajn, si dhe 14 klasa në natyrë.
E shohim kur të vijë viti 2023…
***