PROF. DR. XHEVAT GEGA MODEL NJERIU, PEDAGOGU E SHKENCTARI

PROF. DR. XHEVAT GEGA MODEL NJERIU, PEDAGOGU E SHKENCTARI

Prof.Dr.Avzi Mustafa, Shkup 01. 09. 2011

Është një fakt i pamohueshëm se figurat e mëdha të tabanit kombëtar asnjëherë nuk zbehen, por me kalimin e kohës rrezatojnë edhe më tepër. Një figurë e tillë emblematike mbetet edhe profesori, Xhevat Gega, një emër i shquar i arsimit tonë kombëtar.

Për profesorin Xhevat Gega (1) kisha dëgjuar shumë herët nga bashkëqytetarët e mi, që mësonin në Normalen e Shkupit. Meqenëse edhe unë u regjistrova në këtë Normale, mezi prisja ta takoja Profesorin. Kjo ndodhi që ditën e parë kur filloi mësimi në Shkollën Normale, pikërisht në orën e tretë, në orën e gjuhës amtare. Që në takimin e parë te profesori Xhevat më bëri përshtypje pamja e tij e jashtme, trupi i tij mesatar dhe fytyra e qeshur, me sy shqiponje e shikim depërtues, me një karizëm të veshur me shqimezë dhe shumë elegant. Pasi e regjistroi orën në ditar, u çua dhe filloi të na prezantohet. Që në prezantim më la përshtypje zëri e tij kumbues derisa sytë e tij të qetë e të shndritshëm na vështronin ëmbël. Ishte kënaqësi vetëm ta dëgjosh.

Kur i shpjegonte leksionet, të linte përshtypje të thellë për njohuritë enciklopedike që kishte për problemet e letërsisë e të gjuhës. Me sjelljen dhe qëndrimin e tij të lirshëm, me fjalën e ëmbël dhe plot dashamirësi, ai të linte përshtypjen e një intelektuali largpamës, që unë nuk kisha pasur rastin të njihja ndonjë të tillë si ai deri atëherë.

Ne, brezi që kemi pasur fatin që të marrim njohuri e dituri nga profesor Xhevat Gega, ishim në përparësi, qoftë në shkollë të mesme, në Akademi e në Universitet. Por, jo vetëm kaq. Ne që kemi pasur rastin të punojmë me profesorin e kemi ndjerë nga afër përkujdesjen, mbështetjen dhe inkurajimin e tij, ndaj edhe mirënjohja për të ishte pjesë e një marrëdhënieje të veçantë, të krijuar në vite. Gjithë kjo do të jetë edhe pjesë e kujtesës që do të na shoqërojë derisa të jemi gjallë. Të gjithë jemi krenarë që kemi qenë bashkëkohës, nxënës e kolegë të Profesorit, sepse një pjesë të një jete që e kemi ndërtuar e kemi marrë përmes shëmbëlltyrës, fjalës dhe dijes së profesorit Xhevat.

Profesor Xhevat Gega, gjatë punës së tij, ishte korrekt në detyrë dhe shumë i aftë profesionalisht. Kishte kulturë të gjerë profesionale dhe të përgjithshme, por ishte edhe i dashur dhe komunikues..

Ai kishte një shikim dhe një gjuhë të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë kërcënues, tepër i sjellshëm, kur i acaruar dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar çdokënd. Prof. Xhevat Gega, deri në momentin e fundit si pedagog, qëndroi pranë studentëve.

Si njeriu, që aq shumë ka bërë për ta ngritur kulturën tonë gjithmonë i papërtuar, i gatshëm në çdo moment për të ndihmuar me ide, këshilla, vërejtje, sugjerime e literaturë. Xhevat Gega ishte dhe do të mbetet model i pedagogut të urtë e të mirë, i cili rrezatonte tek studentët dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet, komunikim e, mbi të gjitha, të impononte respekt me personalitetin e tij të padiskutueshëm intelektual e shkencor.

Prof. Xheva Gega ishte model i njeriut të mirë, me zemër të madhe, shpirt krijues, shkencëtar dhe intelektual, qytetar, i urtë, me vizion, xhentil, i shkathët, energjik, me edukim dhe kulturë të gjerë perëndimore, familjar i shkëlqyer, si dhe mik dhe profesor i përkryer. Ai ishte një shëmbëlltyrë jo vetëm për nxënësit e studentët, por edhe për të gjithë ata që e kanë njohur, sepse ai posedonte cilësi të çmuara shpirtërore e morale.

Prof. Xhevat Gega ishte një emër me prestigj të lartë, një autoritet shkencor e didaktik. Jo çdokush mund ta arrijë një profil të tillë. Ndërtimi i personaliteteve të tilla nuk është i rastësishëm: i tillë bëhet ai që i ka bazat e mira për të ecur në fushën e vet; i tillë bëhet ai që e investon kohën dhe jetën e vet; i tillë bëhet ai që e lidh mësimdhënien me punën e tij hulumtuese e kërkimore. Personalitete të tilla akademike, siç ishte profesori Xhevat Gega, vendi ynë i ka pasur të rrallë, andaj ai mbetet pasuria jonë kombëtare.

Ai mbetet i paharrueshëm nga aspekti human, njeriu që e njihte vetëm tolerancën, respektin për talentin, urtësinë, bashkëpunimin, paqen, mirësinë dhe forcën e karakterit. Gjatë gjithë jetës dhe punës e vetmja moto e tij ishte: “punë e ndershme, sinqeritet dhe miqësi”.

Prof. Xhevat Gega si profesor

Si mësimdhënës, ai kishte aftësi dhe cilësi të veçanta që t’i paraqiste çështjet në mënyrë të atillë që të bëheshin interesante edhe kur nuk ishin të tilla. Me intonacion dhe me një gjuhë të kulluar në të folur, gjithmonë në këmbë pranë ose para katedrës, duke ligjëruar, ai ishte në gjendje që t’i mbajë studentët sy e veshë drejt tij. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore, që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndoshta të vështira, ishin të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike, argumentimi, thjeshtësia dhe qartësia. Në marrëdhëniet e tij me studentët, ai i trajtonte si të barabartë dhe nuk bënte dallime. Ai të krijonte kushte dhe të aftësonte për të mësuar. Dhe, këtë e bënte me shumë ngrohtësi dhe profesionalizëm. Të mësonte me zemër dhe jo me libër. Të mësonte se si duhet të mësosh, ta tregonte sekretin e punës, çelësin e efektivitetit – metodën shkencore – mënyrën për ta eliminuar atë që nuk ishte e rëndësishme, rrugën më të shkurtër të studimit. Ai të udhëzonte dhe të drejtonte në rrugën e drejtë  dhe ta jepte gjithmonë atë që të shtynte për të menduar më thellë në problemin që duhej të trajtohej.

Dhe, këtë e konsideronte jo si detyrë thjesht pedagogjike, por si një detyrë qytetare, prindërore dhe edukative. Prandaj, atë e respektonin të gjithë studentët e të gjithë brezave që ai u ka dhënë mësim. Ai respektohej dhe nderohej, sepse në këtë respekt dhe nderim përfshihej autoriteti dhe jo forca, toleranca dhe jo abuzimi, afërsia komunikuese, dashuria, ngrohtësia, barazia e, mbi të gjitha, drejtësia. Për ne ai ka qenë pedagog, por edhe prind.

Studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe asnjëherë nuk mund ta harrojnë punën e tij, por gjithmonë do ta vlerësojnë për leksionet, për udhëheqjen e magjistrantëve e doktorantëve e për të gjitha këshillat dhe mendimet racionale që i përçonte në auditor. Por, jo vetëm studentët. Atë e vlerësojnë edhe kolegët, bashkëpunëtorët, por edhe magjistrantët dhe doktorantët. Ai bëhej miku dhe udhëheqësi i tyre, duke i ndihmuar për çdo problem. Ai kujtohet me respekt si një vlerë për Universitetin e Shkupit. Dhe, vlerat i dallon vetëm ai që është i ditur, i mençur, human e, mbi të gjitha, intelektual. Ka shumë pedagogë e profesorë, por secili nuk mund ta posedojë thirrjen profesor, sepse për të qenë profesor i mirë duhet të kesh diçka të veçantë. Këtu do t’ju flas për “fshehtësitë” që unë i mësova nga profesori Xhevat. Për ta miratuar titullin profesor duhet të jesh i motivuar, i vyer, i drejtë, komunikues, i përgjegjshëm, kreativ, pozitiv, sistematik, profesionalist, energjik, inovativ, frymëzues, elokuent, me plot ide, me vullnet e entuziast, si dhe i përgatitur për mësim gjatë gjithë jetës.

Duke i pasur të gjithë këto cilësi, prof. Xhevati gëzonte respekt dhe mirënjohje si mësues, respekt dhe mirënjohje si profesor dhe respekt e mirënjohje si udhëheqës shkencor, por edhe respekt dhe mirënjohje si model pedagogu! Ai ishte një profesor me cilësi e inteligjencë prej mësuesi të vërtetë, njohës i profesionit, i përkushtuar në punë me ndërgjegje e dashuri për studentët, i durueshëm, me qëndrim të drejtë dhe të sinqertë.

Prof. dr. Xhevat Gega si shkencëtar, autorë tekstesh shkollore dhe si përkthyes

Në pasqyrën e bibliografisë të prof. dr. Xhevat Gegës përfshihen mbi 200 punime profesionale dhe shkencore. Ai ka marrë pjesë në mbi 50 simpoziume shkencore në vend dhe jashtë, ndërsa ka përkthyer mbi 20 libra nga maqedonishtja dhe serbokroatishtja në shqipe, si dhe nga shqipja në maqedonishte (B. Koneski, S. Janevski, T. Arsovski, M. Krlezha, G. Todorovski, J. Plevnesh, R. Shabani, etj.)

Listën e punimeve të tij mund ta grupojmë në tri fusha të ndara, duke i veçuar më karakteristiket:

Punime nga letërsia e vjetër dhe e re shqiptare;

Punime për pikat përbashkëta ndërmjet letërsisë shqiptare dhe asaj maqedonase;

Punime nga fusha e letërsisë shqiptare në Maqedoni.

Dr. Xhevat Gega, në veprimtarinë e tij shumëvjeçare pedagogjike e shkencore, ka treguar interes të theksuar dhe afinitete të veçanta në paraqitjen, kërkimin dhe shpalljen e rezultateve nga proceset zhvillimore të letërsisë shqiptare me tërësinë e saj, nëpërmjet përfaqësuesve të saj më të spikatur. Vëmendje të veçantë meritojnë punimet mbi Jeronim De Radën, Fan Nolin, Naim Frashërin, Luigj Gurakuqin, S. Spasen, etj.

Vend qendror në këto punime zë studimi shkencor “Mbi poezinë origjinale të Fan Nolit dhe gjenezën e saj politike”, të botuar në “Jehona”, që është përfshirë edhe në vëllimin mbi kritikën e Nolit, të botuar  edhe në vëllimin e veprave të Rexhep Qoses.

Ai ka shkruar edhe mbi opusin letrar të Adem Gajtanit, mbi letërsinë shqiptare krijuar në Maqedoni në vitet 1945-1975, e ka vështruar në mënyrë kritike veprimtarinë e Murat Isakut, Abdulazis Islamit etj.

Prof. Dr. Xhevat Gega, brenda aktiviteteve të tij pedagogjike e profesionale shkencore, zhvilloi edhe një veprimtari rëndësishme lidhur me tekstet mësimore për nevojat e nxënësve, duke bashkëpunuar me NB “Prosvetno dello”, ka botuar një numër të teksteve shkollore, duke filluar që nga Abetarja e deri tek tekstet shkollore të letërsisë. Po ashtu edhe për Entin për Botimin e Teksteve Mësimore nga Prishtina ai ka përkthyer 15 tekste mësimore për arsimin fillor e të mesëm.

Më të rëndësishmet ndër tekstet e tij është Abetarja, që e shënoi botimin e parë në vitin 1970. Pas kësaj do të pasojnë ribotime gjatë viteve edhe adaptime sipas plan-programeve mësimore të arsimit fillor tetëvjeçar e nëntëvjeçar deri në ditët tona, fletore të pune, si dhe tekste për mësimin e gjuhës.

Prof. Xhevat Gega, si të gjithë autorët e abetareve shqipe në gjitha trevat shqipfolëse, e përdori metodën analitike-sintetike. Mësimi, sipas kësaj metode, zhvillohej në dy etapa: në etapën përgatitore dhe në atë të mësimit të shkronjave. Në të gjitha abetaret e trevave shqipfolëse mësimi i shkrimit do të zhvillohej paralelisht, ndërsa në abetaren e prof. Xhevat Geges mësimi i shkronjave do të mësohej veçmas: së pari germat e mëdha dhe të vogla të shtypit e pas këtyre shkronjat e dorës. Po ashtu profesori Xhevat do t’i bëjë në mënyrë të pavarur mënyrat e veçnantimit të tingujve, ashtu që do t’ua mundësojë fillestareve që sa më lehtë ta bëjnë sintezën e tingujve jo vetëm për nga njohja e tyre, por para së gjithash në perceptimin pamor e deri në të menduarit logjik të nxënësit .

“Letërsia me teorinë e letërsisë për klasën e parë të shkollave të mesme”, “Gramatika për klasën IV dhe V”, “Letërsia me shembuj për klasën e parë të arsimit të mesëm” ishin tekstet e prof. Xhevat Gegës,që ishin të kapshme e të adaptuara sipas fuqive psikike-fizike të nxënësve.

Ai ka qenë bashkëpunëtor edhe në përgatitjen e planeve e programeve mësimore për gjuhën dhe letërsinë shqiptare, si dhe bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në seminare për ngritjen permanente të arsimtarëve për shkollat e mesme me tema të ndryshme nga fusha e letërsisë dhe metodikës së mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqiptare, të organizuar nga ana e Entit Pedagogjik Republikan të Maqedonisë.

Është autor i një veprimtarie madhore përkthyese. Ka me dhjetëra tituj të përkthyer nga maqedonishtja dhe letërsitë jugosllave. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjedhjen dhe përkthimin e materialeve për “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, “Takimet e Racinit”, “Grigor Përliçevit” në Institutin e Letërsisë të Fakultetit Filologjik në Shkup (si udhëheqës i projektit), etj., ndërsa për gjithë punën e tij përkthimore nga Shoqata e Përkthyesve është dekoruar me mirënjohjen “Penda e artë”.

Prof. Xhevat Gega ka qenë anëtar i Komisionit të Ortografisë, të vitit 1963, i themeluar për të dhënë kontributin në vendosjen e rregullave dhe shmangies së lëkundjeve në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ku ai ka dëshmuar kontribut profesional për përgatitjen dhe punën e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, mbajtur në vitin 1968, në të cilën ai ka marrë pjesë duke e mbështetur qëndrimin: “Një komb – një gjuhë letrare!”, një gjë që do të realizohet në vitin 1972, kur do të marrë pjesë edhe në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë si intelektual nga radhët e shqiptarëve të Maqedonisë dhe si një ndër përçuesit dhe zbatuesit e gjuhës letrare shqipe, si në të folur ashtu, ashtu edhe në të shkruar. Në të vërtetë, i tillë mbeti deri në frymën e fundit.

Prof. Xhevat Gega, si njohës i profesionit, i përkushtuar në punë me ndërgjegje e dashuri për studentët, i durueshëm, me qëndrim të drejtë dhe të sinqertë, do të mbetet personalitet i veçantë akademik në fushën e letërsisë, personazh i dashur dhe i respektuar për të gjithë studentët që kanë pasur fatin ta kishin pedagog. Ai është përfaqësuesi më i shquar dhe më i denjë i shkollës shqiptare, ku ka punuar e krijuar me tri gjenerata, duke mbetur miku, mbështetësi dhe modeli i tyre, si dhe modeli i intelektualit e njeriut me vlera të çmuara.

I dashuri profesor Xhevat, edhe pse fizikisht nuk gjendesh midis nesh, prehu në paqe e qetësi. Unë dua të ta them një gjë me plot bindje “Derisa të ketë gjuhë shqipe e shkollë e kulturë shqiptare, emri juaj do të shkruhet me Shkronja të Mëdha”.

Shkup, 01.09. 2011

__________________

(1) Prof. Dr. Xhevat Gega lindi në Strugë më 1934. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Shkup dhe Tetovë. Pas diplomimit, punon si mësues në fshatin Kishavë të Manastirit dhe në f. Veleshtë të Strugës. Pas dy viteve në mësuesi, në vitin 1953 Xhevat Gega regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Beograd, kur në vitin 1957 diplomon në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Pas diplomimit, ka punuar si profesor i Gjuhës dhe letërsisë në Normalen “Zef Lush Marku” të Shkupit, ndërsa ka ligjëruar edhe në Grupin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare pranë Akademisë së Lartë Pedagogjike ”Kliment Ohridski” të Shkupit. Vite me radhë ka qenë redaktor i rubrikës kulturore në redaksinë e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”. Që nga tetori i vitit 1969 e deri më 1974 ka punuar si profesor i lëndëve Histori e letërsisë shqiptare dhe Teori e letërsisë pranë Akademisë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup, ku gjatë një mandati ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Akademisë Pedagogjike.

Në periudhën ndërmjet viteve 1974-1978 ka qenë kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, si dhe i edicioneve të tjera në gjuhën shqipe, të cilat botoheshin në Maqedonisë. Gjatë periudhës së lartpërmendur, si bashkëpunëtor i jashtëm, ka ligjëruar Metodikën e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Fakultetin Filologjik në Shkup. Që nga viti 1978 e deri në pensionim (tetor 1996), Xhevat Gega punoi në Fakultetin Filologjik në Shkup si ligjërues i lartë e në fund edhe si profesor i historisë së letërsisë shqiptare, duke e kryer për vite të tëra edhe detyrën e shefit të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Nga tetori i vitit 1979 e deri në shtator të vitit 1981 Xhevat Gega ka qenë prodekan, pastaj Kryetar i Këshillit të Fakultetit, si dhe kryesues i disa komisioneve në Fakultetin Filologjik në Shkup.

Akademia e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në Nju-Jork ia ndau Prof. dr. Xhevat Gegës titullin më të lartë shkencor Akademik (post mortum).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura