PROF. MURAT GECAJ: SOKOL NIKLEKAJ – I PËRKUSHTUAR, NË PUNË DHE VEPRIMTARI TË DOBISHME

Tiranë, 25. 02. 2016: Është e njohur se, kur dikush shkruan portretin e një njeriu të caktuar, ka arsyen ose domethënien e vetë. Kështu është edhe në rastin konkret, pra kur po i shkruaj pak radhë për intelektualin e ri, 38-vjeçarin Sokol Niklekaj. Me origjinë është nga krahina e bukur dhe plot tradita e Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Si nga trungu familjar i babait dhe i nënës, trashëgon traditat më të mira të malësorëve, si atdhedashurinë, guximin e trimërinë, besën e bujarinë e tjerë. Skollën fillore e nisi atje, pastaj arsimin tetvjeçar, të mesëm e të lartë, për drejtësi, i kreu në Burrel e Shkodër, ku u vendosën familjarisht dhe shërbyen dy prindërit e tij, i jati jurist i aftë dhe e ëma mësuese profesioniste. Pasi mbaroi studimet e larta, Sokoli shërbeu disa kohë jurist në Ministrinë e Energjitikës, në Tiranë. Ndërsa, më pas nisi të merrej me një biznes të vogël, të cilin e vazhdon edhe tani, në qytetin e Shkodrës, e cila është vendlindja e dytë për të.
Gjatë viteve të punës, Sokoli e ndjeu se mendimet e tij përputheshin më tëpër me një forcë politike, e cila në programin e saj ka kujdesin e punën ndaj njerëzve, pra me Partinë Socialiste. Nuk duam të bëjmë një “biografi” të plotë të përkushtimit të tij në këtë drejtim, por nënvizojmë se ai ka fituar respektin e dashurinë e qytetarëve shkodranë dhe gjithë atyre, që e njohin nga afër. Të qetë e fjalëpakë, të vëmendshëm sidomos ndaj njerëzve në nevojë etj., të tillë e njohin jo vetëm në familjen e vetë, bashkëshortja Loreta e dy vogëlushët, Solona e Marko, por dhe fqinjët, kolegët, miqët e dashamirët e shumtë. Sokoli shquhet, në punë e në jetën e përditëshme për energji positive e këmbëngulje, për drejtësi e papajtueshmëri ndaj të metave të cilitdoqoftë ai.

Këto ditë kam lexuar mjaft mendime, që kanë shprehur në Internet për Sokol Niklekajn. Ndër ta, janë dhjetëra veta, shumica të rinj e të reja. Por dëshiroj të përmendi vetëm njërën prej tyre, Terezina Gjeloshin, e cila thotë me sinqeritet: “Është një djalë me shumë vlera, rrjedh nga një familje intelektualësh, që gjithmonë janë përkushtuar që t’i mësojnë e t’i ndihmojnë njerëzit, pra ka dhe meritën e dy prindërve të përkryer… Unë jamë shumë e bindur për fitoren tënde, Sokol!…”.
Ja, kjo fjalia e fundit sikur e zbuloi edhe “sekretin”, se përse duam ta bëjmë sadopak të njohur këtë veprimtar të dalluar të Partisë Socialiste në Shkodër, ku ai ka paraqitur kandidaturën për kryetar, në zgjedhjet e reja, që janë në vazhdim. Kur bisedon lirisht me Sokolin, ai nuk ka shumë premtime “të bujshme” e “fjalë të mëdha”, për të cilat duhet t’i besojnë zgjedhësit, pra anëtarësia socialiste. Kryesorja, dëshiron dhe premton që do të jetë kurdoherë pranë banorëve shkodranë, pavarësisht nga përkatësia partiake, sidomos duke mos e kursyer punën dhe ndihmesën e tij, me sinqeritet e ndershmëri, ndaj njerëzve të thjeshtë e në nevojë. Sepse ata duan: punë, strehim, kushte normale për jetesë e për t’u ushqyer, drejtësi, shërbime korrekte në zyrat e shtetit, kujdes shëndetësor e arsimim, papajtueshmëri dhe luftë të palëkundur kundër korrupsionit etj.etj. E, këto të gjitha kërkojnë punë e përkushtim të pandërprerë, gjë për të cilat Sokol Niklekaj do të tregohet gjithnjë i palodhur e i papërtuar.
Sigurisht, procedura e votimit, në secilën parti politike, ka veçoritë e veta dhe zgjedhësit mendohen mirë, përpara se ta thonë fjalën e tyre. Por, duke u nisur nga cilësitë e mira vetjake, formimi arsimor e professional si jurist, me dy gjuhë të huaja (italisht e anglisht), përvoja e punës dhe e jetës pranë njerëzve etj., mendojmë se Sokol Niklekaj është një kadidaturë shumë e fortë dhe e meriton për t’i drejtuar socialistët shkodranë në plotësimin e programit, që ka shpalosur kjo forcë politike para anëtarësisë dhe, në përgjithësi, para popullit tonë, gjatë këtyre katër viteve. Le të shpresojmë, që të bëhet më e mira edhe në këtë rast, pra për të gjykuar drejt, me objektivitet dhe paanshmëri, nga secili anëtar i Partisë Socialiste në Shkodër, për drejtuesin e tyre të ri!

Prof. Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 25 shkurt 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura