Prishtinë, 21 Maj 2020: Urrejtja patologjike serbe!
Kush do ta kishte menduar se, 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, pas fitores së popullit tonë me në krye UÇK-në, nxënësi i Millosheviçit, nacionalisti, serbomadhi Ivica Daçiç, do të jetë në krye të diplomacisë serbe, dhe, paturpësisht do të vazhdoi luftën diplomatike kundër Kosovës! Ai flet, jep deklarata, opinione, qëndrime, vlerësime për politikën serbe ndaj Kosovës, flet edhe për zhvillimet politike në Kosovë, për politikën tonë karshi Serbisë nacionaliste. Flet, mban ligjërata politike, me tërë urrejtjen shoviniste ndaj popullit shqiptar, si dikur në kohërat e pushtimit serb të Kosovës, si dikur kur, nga prehri i mësuesit të tij, Millosheviç, nuk pushonte të shpërndante urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.
Kush dhe kë mund ta mashtrojë, se politika serbe, ka pësuar metamorfozë, se, po e ndjek rrugën evropiane, se, është e gatshme të gjej një “ zgjidhje “ për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, se po ri fillon dialogu e çka tjetër? Askush dhe me plot të drejtë. Rasti i Ivica Daçiçit, qëndrimi i tij në kreun e politikës serbe, që disa dekada, është argumenti më i fuqishëm, më bindës se, Serbia, në raport me Kosovën dhe popullin tonë, nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon. Daçiç, ministër i jashtëm serb, përfaqëson, po aq sa edhe Vuçiçi, eksponentin emblematik të nacional shovinizmit modern serb. Përfaqëson, një ndër ekzekutuesit e politikës millosheviçiane, politikës së aparthejdit, deri te gjenocidi mbi popullin e Kosovës, mbi të drejtën tonë, të jemi zot të tokës, vendit, atdheut, pra, zot të lirisë sonë, të fituar me gjak dhe varre!
Serbomadhi Ivica Daçiç
Rasti i Daçiçit, në krye të diplomacisë serbe, është dëshmi e pa kontestuar se, Serbia, politika e saj shtetërore vazhdon të jetë politikë me plane, objektiva për pushtime, për nxitje të konflikteve, jo vetëm me Kosovën, por edhe me Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën e Hercegovinën. Prandaj, qeverisë së Serbisë, Vuçiçit, akademikëve dhe elitave intelektuale nacionaliste serbe ju duhet profili i politikanit Daçiç. Flet, jep qëndrime, kushtëzime dhe kërcënime politike, sikur të mos kishte ndodhur asnjë luftë e shkaktuar nga Serbia në hapësirat e ish Jugosllavisë, sikur të mos ishin vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës, civil, fëmijë gra e pleq, sikur nuk e di ai me bashkëpunëtorë se, edhe mbi 1600 trupa, mbetje mortore të vëllezërve dhe motrave tona janë të fshehura nëpër lumenjtë, malet, fushat e shtetit serb! Si nuk shqetësohet se, në ëndërr mund t’i shfaqet ndonjë akt mizor i masakrave barbare serbe ndaj popullit liridashës të Kosovës. Si mund të shtiret se, nuk i ka në mendje pamjet e atyre masakrave serbe ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve të Kosovës, kur, duke qenë ndër eksponentët e zjarrtë të pa shpirt të politikës së Millosheviçit, ka qenë aktor i asaj politike gjenocidiale. Në vend se, edhe ai të ishte, prapa grilave të burgut të Hagës, Daçiçi, falë edhe pa vendosmërisë së gjykatave ndërkombëtare që, Serbinë ta dënojnë për gjenocid, mban “ligjërata” nëpër Serbi dhe nëpër kancelaritë e diplomacisë evropiane e botërore, ndan “leksione” për paqen në ajon, për dialogun me Kosovën, për marrëveshjen “ historike”, por edhe për përgjegjësitë që Kosova, sipas tij i ka, në rastin e dështimit të dialogut.
Logjika serbomadhe!
Duke qenë kështu, i pa ndëshkuar, jo vetëm nga populli i vetë, por edhe nga “drejtësia” ndërkombëtare, Daçiçi, akuzon Kosovën, udhëheqjen e vendit tonë se, gjoja ne jemi përgjegjës dhe fajtor përse, ka ngecur dialogu, përse po vonohet marrëveshja historike midis Kosovës dh Serbisë! Në intervistën më të re, për medien serbe, ai, ndër të tjera akuzon Kosovën, siç e thotë vetë, “Prishtinën zyrtare për obstrukusion”! Në mënyrë mjeshtërore, sipas kodeve dhe traditave të politikës obstruksioniste serbe, Daçiçi, del para opinionit serb dhe atij ndërkombëtar, si një, diplomat paqësor, i gatshëm për kompromis, i gatshëm për dialog, me në, që na ka vrarë dhe prerë! I gatshëm, por, siç e shpreh edhe mentori i tij Vuçiçi, me kushtin që, në emër të “marrëveshjes” dhe “paqes historike”, edhe Serbia ta “fitojë”, më konkretisht, pra, Veriun Kosovës! Sepse, sipas logjikës serbomadhe, Serbia, nuk mund të bëj kompromis pa fituar edhe ajo diçka! Dhe, fitoren ata e shohin në shkëputjen e Veriu të Kosovës, përndryshe, del se, tërë këtë betejë diplomatike, tani e sa vite, nuk e bëjnë për serbët kosovarë!
Duke mos i mjaftuar të merret me Kosovën, serbi Daçiç, e vë në spikamë edhe Administratën e Trumpit për të cilën, në të njëjtën intervistë thotë se, “…ka nxitur disa procese dhe e ka pranuar kompromisin”!? Për cilin kompromis flet dhe aludon Daçiçi?
Pa dyshim, qeveritari serb Daçiç, i njohur për shovinizmin e tij kundër shqiptarëve, qëllimisht flet për kompromisin! I ka ardhur dita, që, hapur dhe paturpshëm të kërkoi “ kompromis”, sipas tij, si kusht për të ardhur deri te marrëveshja Kosovë – Serbi dhe për të dalë edhe Serbia e tij, fituese! Daçiçit, Vuçiçit, dhe , të gjithë udhëheqjeve politike, shtetërore serbe, duhet ri kujtuar se, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur kompromise midis Gjermanisë naziste dhe popujve të çliruar nga nazi – fashizmi, nuk ka pasur kompromis midis nazizmit gjerman dhe popujve të dalë fitues nga ajo luftë, që mori mbi 60 milion jetë ! Ndaj, nuk ka dhe nuk mund të ketë fitues, ashtu siç e mendojnë krerët nacionalistë serbë, për ata që, shkaktuan vdekjen e mbi 16.000! Prandaj, Kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili e njeh shumë mirë ideologjinë e fashizmit modern serb, duke iu kundërvë ndërhyrjeve më të reja serbe në Mal të Zi, qartësisht, e porositi Beogradin;” Mos na ofroni formula të përgjakshme për të ardhmen e Malit të Zi dhe të Ballkanit”! Një përgjigje të tillë, ka vite që, Beogradi e meriton edhe nga Kosova!
Thënë drejtpërdrejt, Serbia me udhëheqësit shtetëror, me qeveritarë të profilit të Ivica Daçiçit, Aleksandar Vuçiçit vazhdon të përjetojë vetëvrasjen e vetë morale! Me kë pra, të bisedoj Kosova? A do të ishte ndryshe, në rast se, në krye të Serbisë të jenë, një Sonja Biserko, Natasha Kandiç…?