PROF.AS.DR.VANGJEL KICI: SI TA ZHDUKIM VARFËRINË EKONOMIKE NË TROJET TONA?

Toronto (Kanada), 12. 02. 2015 – Trojet tona janë shumë të pasura. Ne kemi fusha, kodra, male, lumenj, përrenj, liqene, dete. Këto terrene, dhe klima jonë e ngrohtë, janë shumë të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Këto terrene, dhe klima jonë, janë shumë të përshtatshme edhe për zhvillimin e turizmit. Nëntoka e Shqipërisë dhe e Kosovës është shumë e pasur me minerale, sidomos me krom, qymyr, naftë, gaz, plumb, zink, bakër, ar, argjënd, nikel, kobalt etj. Këto minerale gjënden në sasi të mëdha. Në këto kushte shtrohet pyetja: Pse populli ynë është shumë i varfër ekonomikisht? Pse ai po detyrohet, në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë, të braktisë atdheun? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse neve na mungon qeverisja dhe organizimi shtetror i përshtatshëm për shfrytëzimin me nikoqirllëk të këtyre pasurive. Ne nuk kemi strategji të drejtë për zhvillimin ekonomik të vëndit.
– Cilat janë degët kryesore, që garantojnë zhvillimin ekonomik të vëndit?
– Ku duhen përqendruar investimet?
Këto çështje nuk janë të qarta, ose nuk janë përcaktuar drejtë. Qeveria e kaluar rekomandonte kultivimin e pemëve arrore, por kjo nuk mund të siguronte aspak zhvillimin ekonomik të vëndit. Qeveria e sotme flet për një “model të ri ekonomik”, por ky model i ri nuk po shihet me sy. Ai nuk ekziston, ose është modeli i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione (pa dyshim korruptuese) të të gjitha pasurive kombëtare.
– Cili shtet në botë e ka zbatuar me sukses këtë “model të ri ekonomik” dhe ka arritur zhvillim?
– Asnjë shtet.
Ky model i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione të të gjitha pasurive kombëtare pasuron vetëm pushtetarët, varfëron shumë popullin dhe rrit në kulm papunësinë. Tek ne këto rezultate tepër të hidhura i kanë treguar shumë qartë privatizimet dhe marrëveshjet e deritanishme konçensionare, që janë bërë në naftë, në miniera etj. Këto probleme kërkojnë zgjidhje nga ekonomistat tanë, por ata, fatkeqësisht, janë në gjum. Edhe kur zgjohen, ata, sikurse edhe qeveritarët tanë, merren vetëm me problemet e taksave, tatimeve, qirave, doganave, pakove fiskale etj. Ata nuk merren me probleme ekonomike, me probleme prodhimi, por veprojnë në përputhje me politikën qeveritare. Ata janë konformista. Unë nuk jam ekonomist, por gjeolog. Kam disa njohuri elementare mbi ekonominë, sikurse çdo kuadër i zakonshëm me arsim të lartë.
***
Më poshtë po paraqes disa mendime personale, mbi mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe zhdukjen e varfërisë ekonomike. Ndoshta këto mendime mund t’u shërbejnë, sado pak, qeveritarve tanë, nëse kanë qellime të mira për popullin tonë.
Degët kryesore të ekonomisë së vendit tonë janë:
1. Bujqësia,
2. industria dhe
3. turizmi.
BUJQËSIA

1- Bujqësia jonë nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në parcela të vogla toke private, sikurse janë sot tek ne, pas prishjes së kooperativave bujqësore. Në këto kushte nuk mund të zbatohet mekanizimi dhe modernizimi i bujqësisë, që është shumë i nevojshëm. Pra, duhen krijuar sa më parë ferma private bujqësore, duke bashkuar parcelat e tokës. Nuk duhet bërë thirrje për formim kooperativash bujqësore, sikurse po bënë tani ministri ynë i bujqësisë, sepse tremben fshatarët, nga eksperienca e hidhur me kooperativat e të kaluarës. Në këto ferma të kultivohen ato lloje bimësh, që japin prodhimet e kërkuara nga tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm. Tokat e veçanta janë të përshtatëshme për bimë të veçanta. Për shembull, fshati Jagodinë e ka marrë emrin (sllavisht) nga luleshtrydhet.

Në dhjetor 2011, Ministria e Ekonomisë prezantoi për herë të parë një hartë të detajuar dhe të dixhitalizuar të burimeve minerale në Shqipëri. Kjo bazë të dhënash përfshin mineralet metalore, jometalore, lëndët energjitike dhe ujrat minerale si dhe tregon vendburimet aktuale dhe ato potenciale. /sh.b/

Lexoni skemat:

– Ne kemi burime ujrash të nxehta squfurore (në Llixhat e Elbasanit, në Peshkopi etj.). Në këto zona, me shpime shumë të cekta (10-30 m), mund të zbulohen edhe shumë burime të tjera ujore të nxehta. Këto ujra të nxehta squfurore mund të përdoren jo vetëm për qëllime kurative, por edhe për ngrohjen e serave dhe prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit, pa shpenzime për ngrohjen. Në vazhdimin perëndimor të linjës së Llixhave të Elbasanit, në fushën e Cërrikut, në një pus kërkimi në vitet 1970 është zbuluar ujë i nxehtë squfuror me debite të larta. Ai pus mezi është mbyllur. Pse të mos rihapet ai pus dhe uji i tij i komanduar të përdoret për qëllime kurative, dhe sidomos për ngrohjen e serave, për prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit? Këto prodhime do të furnizonin qytetin e Cërrikut dhe të Elbasanit, dhe kjo i shërben mirëqënies së popullit.
– Ne kemi shumë rezervuarë uji. Përveç ujitjes së bimëve bujqësore, këta rezervuarë mund të përdoren edhe për rritjen e peshkut krap (jo peshk ballëgjërë gjithë hala!). Aty mund të rriten edhe pata puploze, për mish dhe sidomos për pupla (për mbushje jorganesh dhe jastëqesh). Përvoja për këto punë është në Republikën Çeke.
– Ne mund të kultivojmë bimë mjeksore për eksport, sepse klima jonë është e përshtatshme. Kështu mund të fitojmë më shumë sesa nga prodhimi i drithrave.
– Ne mund të kultivojmë bimë dhe lule për prodhimin e esencave të parfumerisë. Nga shitja e tyre mund të kemi të ardhura të mira.
– Për zhvillimin e pyjeve le të marrim shembull nga Austria, Gjermania apo Çekia. Në çdo pyll mund të krijohet një parcelë e vogël për mbjelljen e farave dhe rritjen e fidaneve. Pylli nuk është vetëm burim për lëndën drusore, por edhe për bimët mjeksore. Në pyll rriten kafshët e egra për gjuetinë, rritet fazani dhe mund të kultivohet rritja e kërmillit për eksport, rritja e kërpudhave etj.
INDUSTRIA
2- Industria tek ne mund të zhvillohet në shumë drejtime, por investimet le të bëhen në drejtimet kryesore.
– Të gjithë lumenjtë tanë të shumtë rrjedhin nga malet në lindje dhe vazhdojnë drejt fushave dhe detit në perëndim. Le të ndërtojmë shumë hidroçentrale, të mëdhenj dhe të vegjël, për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë rast kërkohet vetëm investimi fillestar, sepse më tej energjia fitohet nga rrjedhja e ujit, pa kosto. Me shitjen e kësaj energjie populli ynë mund të jetojë i lumtur. Për këtë qëllim, të hiqen të gjitha liçensat, që u janë dhënë prej kohësh militantëve të partive, dhe nuk janë vënë në zbatim. Ndërtimi i shumë hidroçentraleve është njëra nga mënyrat për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë.
– Në Shqipëri të ndërtohet uzina për prodhimin e nikelit dhe kobaltit (ish uzina 12 e kombinatit metalurgjik të Elbasanit), sepse kemi rezerva shumë të mëdha të mineralit të hekur-nikelit dhe të nikelit silikat. Kjo kërkon riaktivizimin e minierave ekzistuese të hekur-nikelit. Në Kosovë të zgjerohet industria ekzistuese e ferronikelit. Nikeli dhe kobalti kanë çmime të larta. Ato janë shumë të kërkuar në tregun botror.
– Mbi të gjitha, Kosova ka dy pasuri shumë të mëdha natyrore, që mund ta bëjnë të lumtur jetën e popullit, dhe këto pasuri janë: Rezerva shumë të mëdha të qymyrit linjit (Kosova zë vëndin e pestë në botë!) dhe rezerva shumë të mëdha të polimetaleve (plumb, zink, bakër, ar, argjënd etj.). Kjo situatë kërkon të aktivizohen minierat e polimetaleve dhe të riaktivizohet kombinati Trepça. Në lokalitete të ndryshme të Kosovës të ndërtohen pajisje teknologjike për gazifikimin e qymyreve linjit të Kosovës. Ky gaz të përdoret për ngrohjen e qyteteve dhe të fshatrave, sikurse edhe për qëllime të tjera. Në këtë drejtim të merret eksperienca gjermane, çeke, austriake etj. Të ngrihet një Institut modern Teknologjik për studimin e qymyreve linjite të Kosovës, sepse nga qymyri nuk nxirret vetëm gaz për ngrohje, por edhe nënprodukte të tjera. Mbi të gjitha, minierat e polimetaleve, kombinati Trepça dhe qymyret e Kosovës të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione. Ato të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare) dhe t’i shërbejnë vetëm mirëqënies së popullit.
– Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Në Shqipëri është faktuar prej kohësh prania industriale e naftës dhe e gazit, por perspektiva më e madhe e tyre ndodhet në Shqipërinë lindore (brezi i Mirditës), që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën. Brezi i Mirditës përfshin afërsisht 1/3 e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Brezi Mirditë-Kosovë, nga ana gjeologjike ngjan me brezin naftëgazmbajtës të Azerbajxhanit. Në të dy rastet kemi të bëjmë me basene pas-harkut vullkanik. Pres që së shpejti në këtë brez të zbulohet kjo naftëgazmbajtje e madhe, në thellësi të vogla deri mesatare (1500 deri rreth 4000 m). Kjo naftëgazmbajtje e madhe e pritëshme mund ta bëjë kombin tonë të pasur ekonomikisht, por me një kusht: Që nafta dhe gazi të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare), të mos na e marrin hajdutët vëndas në bashkëpunim me hajdutët e huaj, por t’i shërbejë vetëm mirëqënies së popullit tonë. Që të arrihet kjo, nga populli kërkohet trimëri dhe guxim, sepse për naftën shtetet e botës bëjnë jo vetëm presione, por shpallin edhe luftra. Pse nuk ia grabisin dot naftën dhe gazin Norvegjisë? Sepse nuk të lejojnë vikingët trima. Nafta dhe gazi të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione, sepse këto privatizime dhe konçensione e kanë çuar ekonominë tonë në buzë të katastrofës. Nëpërmjet privatizimeve dhe konçensioneve hiqet përfundimisht ky shans i madh për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë!
Prandaj, i bëj thirrje qeverisë shqiptare që ta tërheq vendimin për shitjen (privatizimin) dhe dhënien me konçension të gjithë naftës dhe gazit të Shqipërisë. Le të marrim shembull nga Norvegjia, që e ka naftën pasuri shtetrore. Nga shitja e gazit dhe e naftës ajo ka të ardhura të mëdha (ka superfiçit buxhetor dhe “nuk di ku t’i çojë paret!”). Populli norvegjez ka mireqënien më të lartë në botë. Nga burime qeveritare mësojmë se gjoja nafta dhe gazi nuk mund të bëhen pasuri shtetrore, sepse gjoja vendburimet e pazbuluara të naftës dhe të gazit tek ne ndodhen shumë thellë, dhe kjo kërkon shpime të thella me kosto të lartë, që shteti ynë nuk mund t’i përballojë. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse tek ne ka struktura të pazbuluara, që ndodhen në thellësi të vogla, në thellësi mesatare dhe në thellësi të mëdha. Strukturat në thellësi të vogla shteti ynë, sado i varfër ekonomikisht, mund t’i kërkoj dhe shfrytëzoj vet, me shpenzime relativisht të vogla, pa vështirësi të mëdha financiare. Me të ardhurat e kësaj nafte mund të fillojë rigjallërimi i naftës shtetrore shqiptare dhe të rritet punësimi dhe mirëqënia e popullit tonë. Kjo është një mënyrë tjetër për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Dhënia e naftës me konçensione korruptuese një ditë do të dënohet rëndë. Askush të mos mendoj se nuk do të ndëshkohet.

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

– Mirëqënies së popullit tonë i shërben edhe mbrojtja e mjedisit. Në Tiranë, dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, janë vendosur shumë kosha të mëdhenj për hedhjen e mbeturinave. Kjo është një gjë shumë e mirë, por nuk ka kosha me ngjyrë të veçantë dhe me mbishkrim për hedhjen e mbetjeve plastike. Prandaj, mbetjet plastike janë të përzjera me hedhurinat e tjera. Po krijohet një ndotje e tmerrëshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Këtë e lejojnë kuadrot drejtues të papërgjegjshëm. Një shembull: Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kushton shumë kujdes paraqitjes së tij të jashtme, dhe mirë bënë. Kjo është e drejta e tij. Ai është i paraqitshëm, por kujt i duhet kjo paraqitje e tij e jashtme luksoze, kur ai Tiranën po e lë të mbytet në plehra? Duke specifikuar koshat, kjo ndotje e madhe mund të shmanget, sepse mbetjet plastike, nga koshat e veçantë mund të çohen për riciklim.
– Mirëqënies së popullit i shërben edhe uji i ngrohtë në banesa. Vendi ynë, gjatë gjithë vitit, ka shumë ditë me diell. Prandaj, vendosja e paneleve diellore është shumë e leverdisshme nga ana ekonomike, sidomos në fshatra.
TURIZMI
3
– Lidhur me turizmin mund të merret shembull nga vendet fqinje, që kanë traditë (Greqia, Italia, Kroacia). Plazhet tona janë të ndotura. Për shembull, plazhi i Semanit ka qindra metra gjerësi dhe shumë gjatësi, por rëra e tij është e ndotur me toptha bitumi, hedhurina plastike, rroba të vjetra, letra…Një ndotës i madh i plazhit, dhe i detit Adriatik, është kanali i madh, që derdhet në det, duke rrjedhur përmes pyllit të pishave të Semanit. Ky kanal është tepër i ndotur me mbeturina nafte dhe acide naftanike. Ai po ndot jo vetëm detin Adriatik, por edhe detin Mesdhe. Çfarë bëjnë qeveritë tona për këtë problem?
***
Këto janë disa nga mendimet e mija, zbatimi i të cilave mund të ndihmojë në zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Ftoj të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të shprehin mendimet e tyre se si të zhduket varfëria ekonomike e popullit shqiptar, dhe varfëria ekonomike e kombit tonë në përgjithësi në trojet etnike.

– Autori është gjeolog i shquar. Kontakti me autorin: [email protected]

==============
LEXONI SHKRIMET TJERA:
PROF.DR.VANGJEL KICI: NAFTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E KORRUPTUAR
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1762
***
PROF.DR.VANGJEL KICI: DISA VËREJTJE MBI INTERVISTËN E ZOTIT ADIL NEZIRAJ – ‘MILIONA DOLLARË NËN TOKË’
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1779
***
PROF.ASOC.DR.VANGJEL KICI: ÇFARË NA MUNGON? NA MUNGON NDJENJA SHTETFORMUESE, NDJENJA E KRENARISË&UNITETIT KOMBËTAR DHE NDJENJA PATRIOTIKE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2484
***
PROF.AS.DR.VANGJEL KICI: SIKUR TË ISHA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1873
…………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura