Kanada, 16 qershor 2020: Të bëhet bashkimi ekonomik Kosovë-Shqipëri. Të zhvillohen me përparësi bujqësia, Trepça dhe sektori shtetëror i naftës. Kriza ekonomike, e shkaktuar nga Pandemia Kovid-19, kërkon zgjidhje për Shqipërinë dhe Kosovën. Në gazetën Epoka e Re, të datës 03 Qershor 2020, lexova artikullin e shkruar nga zoti Valon Murati me titull: “Kriza ekonomike, mundësi për një model të ri ekonomik Kosovë-Shqipëri”. Ky artikull më pëlqeu, sepse në ‘të ndodhet propozimi për bashkimin ekonomik të Kosovës me Shqipërinë. Ishalla realizohet, dhe pas tij edhe bashkimi kombëtar! Pra, propozohet ekonomia e përbashkët shqiptare. Deri tani, bota dhe Europa nuk e kanë lejuar bashkimin politik të Kosovës me Shqipërinë, por bashkimin ekonomik të dy shteteve shqiptare ato nuk mund t’a pengojnë aspak. Deri tani, këtë bashkim ekonomik të dy shteteve shqiptare e kanë penguar qeveritë tona, në Tiranë dhe në Prishtinë. Ky bashkim e bënë të panevojshëm Minishengenin Ballkanik të Rama-Viçiçit, i cili është tepër i rrezikshëm për të gjithë kombin shqiptar, sidomos për Kosovën. Ky bashkim ekonomik ka shumë avantazhe, por këtu nuk është rasti për të shkruar mbi këto epërsi.
Zoti Gjergj Buxhuku, Drejtor i Përgjithshëm i Konfindustrisë, ka propozuar një model të ri ekonomik për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ky model parashikon realizimin e disa projekteve të mëdha zhvillimore ekonomike të përbashkëta, me vlerë deri në 10 miliardë euro. Këto propozim-projekte të përbashkëta mund të jenë:
1- Investimet në Trepçë dhe krijimi i metalurgjikëve përreth kombinatit.
2- Investime në industrinë e kromit në Shqipëri.
3- Investime në një termocentral të ri elektrik deri në 500 MW në Kosovë.
4- Investime në burimet e ripërtëritëshme të energjisë (hidrocentrale) në Shqipëri.
5- Bursa e përbashkët energjetike.
6- Investime në një projekt të madh turistik në Brezovicë (Kosovë).
7- Investime në fushën e teknologjisë informative.
8- Investime për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.
9- Investime të përbashkëta për bujqësi dhe turizëm të integruar.
10- Lidhja e Kosovës me projektin e gazit, i cili kalon përmes Shqipërisë etj.
Ideja bazë është që këto projekte të mëdha ekonomike të jenë nisma të Kosovës dhe Shqipërisë. Pra, të jenë fillimisht investime të shteteve tona, të cilat krijojnë siguri për hapjen e derës fillimisht investimeve nga diaspora në formën e aksioneve në këto projekte….”
Mendoj se ky model i propozuar është shumë i rëndësishëm. Projektet e propozuara janë gjithashtu shumë të rëndësishme, por ka edhe projekte të tjera shumë më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të kombit shqiptar. Këtu kam parasysh zhvillimin e sektorit shtetëror të naftës, që përfaqëson bazën mbështetëse më të fuqishme për zhvillimin ekonomik të dy shteteve shqiptare.
Pse?
Sepse Shqipëria dhe Kosova kanë perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz (të ngjashme me Norvegjinë, Azerbajxhanin etj.). Mendoj se duhet përqendrim i investimeve. Për shembull: Investimet kryesore të përqendrohen për zhvillimin e bujqësisë, Trepçës dhe sektorit shtetëror të naftës. Zhvillimi i Trepçës dhe i sektorit shtetëror të naftës do të realizonte edhe projektet e tjera, pa u zhytur thellë në borxhe.
Në Shqipëri është bërë privatizim ekstrem, për shkak të interesave korruptive të pushtetarëve, që u shërbejnë të huajve. Shteti shqiptar është shpronësuar plotësisht, dhe ky është një krim. Shtetet e ndryshme të botës i kanë të dyja format e pronësisë: Edhe pronën shtetërore, edhe pronën private, që janë në konkurrencë me njëra tjetrën. Ky privatizim ekstrem është një problem i madh, që kërkon zgjidhje. Për shembull, shteti nuk mund të investojë në industrinë e kromit në Bulqizë, që është zona kryesore krommbajtëse, sepse Bulqiza është e privatizuar. Gjithashtu, shteti nuk mund të investojë në sektorin e naftës, sepse ky sektor pjesërisht është i privatizuar, kurse e gjithë Shqipëria, me vendim qeverie është nxjerr në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, para së gjithash, në Shqipëri duhet bërë rishtetëzimi, të paktën i naftës dhe i kromit. Pastaj duhet krijuar kompania kombëtare shtetërore e naftës shqiptare, me kapital të përbashkët nga të dy shtetet shqiptare. Më poshtë jepet mendimi i autorit të këtij shkrimi, se si mund të rifillojë zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës:
1- Të fillojnë shpimet e kërkimit për naftë dhe gaz në strukturat e cekëta gëlqerore, të mbuluara nga depozitimet flishore, pranë vendburimeve ekzistuese. Këto struktura janë të pregatitura me kompleks punimesh gjeologo-gjeofizike, prandaj shkalla e suksesit pritet të jetë e madhe.
2- Të bëhen dy profile seismikë paralelë, tërthor masivit ultrabazik të Bulqizës, me shtrirje në drejtimin perëndim-lindje (në luginën Plani i Bardh-Bulqizë-Valikardhë, që e ndërpret në mes masivin). Gjatësia e përgjithëshme e të dy profileve të jetë rreth 50 km. Në rast se profilet tregojnë strukturën e shpuarjes së gëlqerorve, poshtë masivit, që është shumë e mundur, dhe në thellësi të përshtatëshme, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Këtu është shumë e pritëshme të zbulohet një vendburim gjigant nafte dhe gazi, i rangut botëror!! Deri tani, përveç mungesës së profileve seismike, në masivin e Bulqizës janë bërë pothuajse të gjitha punimet e tjera gjeologjike, të nevojshme për kërkimin e naftës dhe të gazit.
Për të marrë sa më shpejt rezultatin, mendoj se në strukturat diapirike, siç është rasti i masivit ultrabazik të Bulqizës etj., fillimisht për kërkimin e naftës dhe të gazit nuk janë shumë të nevojshme punimet seismike në të gjithë sipërfaqen e masivit, të cilat hanë kohë. Pas zbulimit të mundshëm të naftës dhe të gazit, në të gjithë sipërfaqen e masivit të Bulqizës le të vazhdojnë punimet seismike, për të përcaktuar formën dhe madhësinë e strukturës gëlqerore të shpuarjes, poshtë masivit, dhe për të dalluar blloqet e mundëshme tektonike etj.
3- Të bëhen dy profile seismikë paralelë, tërthor masivit ultrabazik të Tropojë-Has-Morinës, me shtrirje nga jug-jugperëndimi drejt veri-verilindjes. Gjatësia e përgjithëshme e të dy profileve seismike të jetë rreth 50 km. Në rastin pozitiv, sikurse në masivin e Bulqizës, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Ky pus të shpohet në anën e Kosovës. Edhe këtu pritet të zbulohet një vendburim gjigant nafte dhe gazi. Kështu do të zbulohen edhe shumë vendburime të tjera gjigante nafte dhe gazi, në gëlqerorët poshtë masivëve të tjerë të shumtë ultrabazikë, që ndodhen në Shqipëri dhe në Kosovë.
Theksoj se në të gjitha rastet, fillimisht punimet seismike dhe shpimet le të bëhen nga një kompani e huaj prestigjioze e naftës, me pagesë nga shteti, por pa kontratë hidrokarbure. Pra, pas kryerjes së punimeve, kompania e huaj e naftës të largohet. Më vonë punimet gjeologjike, seismike dhe shpimet etj., le t’i bëjë vet kompania shtetërore e naftës shqiptare.
Shtrohet pyetja: Pse të largohemi nga vendburimet ekzistuese të naftës? Përgjigja është: Pa u larguar nga vendburimet ekzistuese, të përhapemi edhe më tej, sepse pritet të zbulojmë shumë vendburime gjigante nafte dhe gazi, në Shqipërinë Lindore dhe në Kosovë, d.m.th. në të gjitha trojet shqiptare!
Mungesën e parave, të nevojshme për zhvillimin e sektorit shtetëror të naftës, le ta zgjidhim duke vënë në punë paratë e popullit. Në fillim, kështu e zgjidhi Norvegjia mungesën e parave, duke vënë në punë paratë e popullit, dhe nuk ua dha naftën dhe gazin të huajve!! Kështu le ta zgjidhim edhe ne, dhe të mos ua japim naftën dhe gazin të huajve!! Kombi shqiptar ka shumë pasanikë, brenda Shqipëri-Kosovës dhe në diasporë.
Si t’i vemë në punë paratë e tyre në sektorin e naftës?
Si bashkaksionerë?
Me përqindje interesi dhe kthimin e parave pas vënies në shfrytëzim të vendburimeve të naftës….? Për këtë le të pyetet shteti norvegjez. Pra, nuk qendron aspak justifikimi i qeveritarëve tanë, dhe i disa mbështetësve të verbër dhe fanatikë të qeverisë, se nafta jonë nuk mund të rishtetëzohet, sepse shteti nuk ka para.
Zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës (kam parasysh një “naftë të madhe”) do ta zhvillojë shumë shpejt të gjithë ekonominë kombëtare shqiptare. Do të rritet shumë shpejt mirëqënia e popullit shqiptar. Do të hapen shumë fronte të reja dhe të përhershme pune, jo vetëm për shqiptarët brenda Shqipëri-Kosovës, por edhe për shqiptarët e diasporës. Pra, do të zhduket papunësia. Do t’i pritet rruga emigracionit masiv të shqiptarve. Do t’ pritet rruga zbrazjes së trojeve tona nga shqiptarët. Kështu i zgjidhi Norvegjia të gjitha këto probleme, me anë të zhvillimit të sektorit shtetëror të naftës. Të marrim shembull prej saj. Kështu do ta kalojmë edhe krizën ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë, të shkaktuar nga Pandemia Kovid-19.