Prishtinë, 30 dhjetor 2019: Mehë Uka, dëshmor i kombit dhe hero i historisë sonë më të re, i cili me guximin dhe vizionin e tij, u radhit në mesin e atyre qe i njohu brezi i tyre por që do t’i njohin dhe respektojnë të gjithë brezat që vijnë sa të jetoj vet kombi ynë. U lind në Bajgorë, më 26 dhjetor të vitit 1962, në një familje me traditë atdhetare. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje – Mitrovicë dhe Prishtinë. Si i ri filloi veprimtarinë kombëtare në kushte ilegaliteti. Përmes një vrojtimi të hollë të situatës së shqiptarëve në Jugosllavi dhe të politikës së qarqeve drejtuese të atij shteti, e përvetësimit të sintetizuar të ideve të Rilindjes Kombëtare, që ia ofronte fuqishëm njëherësh bota e dijes dhe psikologjia e popullit të vet, Mehe Uka përcaktoi rrugën e jetës, plot sakrifica, vuajtje e mundime nga më të rëndat, por që ai, si rrallëkush, e zgjodhi dhe e rrugëtoi pa dilema, i udhëhequr me përkushtim, për një qëllim që fund e krye ka pasur në fokus lirinë e popullit të vet, të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë e të pavarur dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan për të jetuar së bashku në një shtet modern e të zhvilluar, me peshën që i takon në rajon e në Europë.
Mehë Uka (1962 – 1996) dëshmor i kombit dhe hero i historisë sonë më të re
Ishte një nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e Demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981. Pas shtypjes së demonstratave, për dy muaj u burgos në Prishtinë. Në shkurt të vitit pasues u arrestua, u burgos dhe u dënua me 18 muaj burgim të rëndë për organizim dhe propagandë kundër shtetit jugosllav, për ta izoluar, për t’ia ndërprerë veprimtarinë dhe për ta bërë shembull ndëshkimi për këdo shqiptar që do të ndiqte rrugën e rebelimit kundër robëruesve dhe asgjësuesve të popullit shqiptar të Kosovës. Edhe, në vitin 1984, ndërkohë që po kryente shërbimin ushtarak në Kumanovë, u arrestua nga Policia Ushtarake e Armatës Popullore Jugosllave dhe iu dorëzua UDB-së, pasi që kishin dekonspiruar grupin konspirativ, në të cilin kishte vepruar edhe Meha. Pas hetimeve gjashtëmujore, u dënua me 7.5 vjet burg, të cilat i vuan në burgjet e Prishtinës, Prizrenit, Somborit, Zrenjaninit dhe Mitrovicës.
***
Në dhjetor 1990, u lirua në bazë të një amnistie të përgjithshme. Pas daljes nga burgu u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe u zgjodh kryetar i parë i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, funksion që e ushtroi vetëm 6 muaj, sepse organet e kohës e ndiqnin këmba-këmbës. Rrjedhimisht, Meha u detyrua të kalojë një kohë në ilegalitet, pastaj punoi si arsimtar në vendlindje. Ishte pjesë e Levizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1993. Në atë kohë, dy rrugë kishte:
– Ose të punosh në ilegalitet e të krijosh një organizim ilegal,
– ose të pranosh statukuonë aktuale.
Gjatë zhvillimit historike alternativat nuk janë statike për zgjidhjen e problemeve politike apo kombëtare por ato ridimensionohen në përputhje me rrethanat dhe kushtet e krijuara. E Mehë Uka zgjodhi, Alternativen e parë e cila zhvillohej përmes luftës ilegale me bartësit e saj kryesorë, që lufta politike e tyre realizohej si një gërshetim i natyrshëm i vetëdijes për liri kombëtare me atë të vetëdijes për çlirim shoqëror, e mishëruar dhe e pasuar në përpjekjet serioze për organizim të një lufte çlirimtare. Duke u nisur nga raportet politike dhe nacionale, ishte një ndërgjegje e theksuar prej të shtypuri dhe luftëtari të vendosur çlirimtar. Andaj edhe vëzhgimi ndaj tij nga organet serbe nuk u ndal. Për të tretën herë, më 1994 e burgosën për dy muaj në Burgun Ushtarak të Nishit.
Pas lirimit, më 1996, iu bashkua shokëve të hershëm të idealit dhe inkuadrohet në radhët e LKÇK-së, duke shërbyer si platformë e ndërtimit të identitetit politik në fillet e grupeve ilegale me synim të organizimit të luftës së armatosur. Kjo strategji është e dukshme më 1996, gjatë së cilës kohë sulmet e gueriles shqiptare po zhvilloheshin në numër më të shpeshtë në tërë Kosovën, ku vetëm gjatë periudhës qershor – tetor 1996 u kryen 15 aksione të armatosura. Një nga detyrat e cila iu besua Mehës ishte ajo e koordinatorit si dhe përgatitja e një platforme të përbashkët për unifikimin e forcave për çlirim nga pushtuesi. Ai e kuptoi qartë detyrën që shtronte momenti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjithëve, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve serbë në çështjet jetike. Pas disa takimeve të mbajtura, në parim ishte arrit marrëveshja për bashkimin e të gjitha formacioneve klandestine në një front të vetëm për çlirim. Kishte mbetur vetëm nënshkrimi formal i saj, por më 29 dhjetor 1996, armiku i organizoi një pritë në fshatin Lushtë, me ç’rast dhe mori rrugën e përjetësisë.
Më 1 janar 1997 u bë varrimi i tij në fshatin e lindjes, në Bajgorë të Shalës. Në varrim morën pjesë rreth 10.000 vetë nga e gjithë Kosova, pavarësisht dimrit të acartë.
***
Në dekadën e fundit të shekullit XX, pa luftën e UÇK, nuk do mund të hapej as procesi që shpiu Kosovën deri te pavarësia e saj. Ishte UÇK, ajo e cila zgjoi nga gjumi edhe më skeptikët dhe vuri në lëvizje diplomacinë euro-amerikane. UÇK, ishte forcë e restauruar, produkt konvergjent i një plejade atdhetarësh nga profile të ndryshme në simetri dhe lidhje organike. Ajo ishte manifestim i vullnetit metafizik të një populli të aftë, fisnik dhe liridashës, e cila bëri jehonë te ky popull dhe nga përmasat ballkanike, evropiane dhe botërore grumbulloi e mobilizoi në radhët e saj bijtë dhe bijat më të mira, më të besueshëm, më të devotshëm, me ndërgjegje kombëtare e ndjenja atdhetare, që paepur luftuan denjësisht dhe me entuziazëm homogjen vunë jetën e tyre në altarin e lirisë.
Me kompaktësinë e forcave materiale dhe morale, UÇK e ushtroi aktivitetin e saj në etapa, duke e ekspozuar atë:
– nga materializimi i idesë së luftës së armatosur,
– sensibilizimi i ndërgjegjes kombëtare në nivel të përgjegjësisë historike,
– fillimi i atentateve sporadike kundër stacioneve dhe policisë serbo-jugosllave,
– formimi i njësiteve të vogla guerile,
– krijimi i reparteve të organizuara, brigadave, shtabit të përgjithshëm, drejtorisë politike dhe funksionimi i shtatë zonave operative.
Andaj, në këtë vazhdë, pa më të voglin dyshim, zë vend të rëndësishëm e meritor edhe Mehë Uka, me atdhedashurinë, shpirtin revolucionar, shkathtësinë e artin organizativ, zhvillimin intelektual, sakrificën dhe qëndresën e guximshme. Është frymëzim e porosi për ne dhe brezat pasardhës se atdheu dhe liria janë të shenjta.
Emri i Mehë Ukës u nderua dhe u përjetësua më 30 qershor 1998, në Brigadën 141 të UÇK-s të Zonës Operative të Shalës, Zonë e cila i dha çlirimit të vendit 136 dëshmorë dhe 208 ushtarë të plagosur. Me rastin e transformimit të UÇK-s në TMK, Brigada 141 bëhet pasardhëse e Brigadës 341 “Mehë Uka” të TMK-s të Zonës së Katërt Mbrojtëse. Me emrin e tij sot janë emërtuar edhe shkolla, rrugë, sheshe, institucione civile dhe ushtarake. Iu dhanë shumë mirënjohje e dekorata. U shkruan monografi, janë thurur këngë e poezi dhe u ngritën përmendore. Andaj, sot, kujtimi është detyrë e shenjtë për ne, duke ruajtur dhe sendërtuar atë!
Lavdi jetës dhe veprës së heroit të kombit Mehë Uka!
– Autori është Drejtor i Institutit të Historisë
_________________________________________
FILM DOKUMENTAR: MEHË UKA – SIMBOL I BASHKIMIT
https://www.youtube.com/watch?v=8Hva_QHMyGQ
***
Rifat Berisha – Mehë Uka 2011
https://www.youtube.com/watch?v=AMa9J-ZxH54