SHEMSI ILAZI: UDHËTIMI PËR LUFTË ME DËSHMORIN E KOMBIT, ZEJNULLAH ZEJNA

Bielelfeld, 8 qershor 2018: Më 3 qershor 2018, në qytetin Bielelfeld të Gjermanisë u mbajt një tubim përkujtimor për dëshmorin e Kombit, Zejnullah Zejna nga fshati Sojevë i Ferizajit. Zejnullah Zejna ka rënë dëshmor më 3 qershor 1999 në frontin e Gorozhupit. Me këtë rast për dëshmorin ka evokuar kujtime ish’komandanti i artilerisë, Shemsi Ilazi (Baruti).
***
E nderuara familja e dëshmorit Zejnullah Zejna,
të nderuara familje të dëshmorëve,
të nderuar invalid,
të nderuar veteranë,
të nderuar të pranishëm
Për mua dëshmori jeton në zemrën e Popullit!
Dëshmori është vet pavdeksia.
Kur në të gjithë botën dëshmori është mbi të gjitha, ashu sikurse edhe te Zoti që e ka vendin e veçantë, tek ne duket është e kundërta, bëhet biznes me dëshmorët, tek ne bëhet biznes me invalidët e luftës, bëhet biznes me veteranët e luftës!
Sipas njoftimeve shumë të sigurta që i kam unë, UÒªK-ja kishte mrenda dhe jashtë vendit 22.000 ushtarë, kurse sot kemi afër 70.000 veteranë. Ky është tmerr… Është një paturpsi të cilën njerëzit e moralshëm vështirë e përballojnë.
Kjo ndodh vetëm tek ne, të nderuar të pranishëm!
Dëshmorët nuk respektohen, invalidët dhe veteranët nëpërkëmben dhe shikohen në atë mënyrë, sikur ne jemi “fajtorët” që e sollëm Lirinë dhe Pavarsinë e Kosovës!

Bielelfeld, 3 qershor 2018: Gjatë tubimit përkujtimor kushtuar dëshmorit Zejnullah Zejna.

Sot, në këtë datë të veçantë për dëshmorin Zejnullah Zejna, po mundohem shkurtimisht ta kujtoj udhëtimin tonë me dëshmorin.
Më 01.04.1999 jemi tubuar në Klubin e Bielefeldit.
Për herë të parë u njoftova me shumë shokë, më mirë të them, me shumë Trima.
Aty takova edhe Zejnullah Zejnën, tani dëshmor.
Nga Klubi i Bielefeldit u bë organizimi me Autobusa për të udhëtuar në Shqipëri, e pastaj për në vijat e Frontit.
Në Klubin e Bielfeldit, kam parë, sa të lumtur e të gëzuar ishin të gjithë ata djemë që niseshin për Luftë.
Në fillim u habita dhe nuk e kuptoja…, i thoja vetes, pse këta Trima janë kaq të lumtur, të gëzuar…?
A thua s’e dinë ku po shkojnë, dhe rrija duke i vështruar me shumë zili.
Më besoni, kjo atmosferë ka vazhduar… edhe pasi u përshëndetëm me familjet tona dhe hypëm në Autobusa! Gjatë rrugës këndonin, këndonin këngë për Trimat e Lirisë, për UÒªK, për Adem Jasharin. Të gjithë këndonin, vetëm unë jo!
Ndërkohë nipi im Islam Qafleshi që ishte ulur afër meje, më tha, pse s’këndon?
Unë iu përgjigja: – “mua nuk më shkon zëri”. Ai edhe pse nuk më kuptoj plotësisht, megjithatë më tha: “ho mor Burr, edhe une nuk di të këndoj, po ja, po këndoj, po këndoj” – me tha, – “sepse sot jam njeriu më i lumtur në botë”.
Duke biseduar me te, sërish i bëja pyetje vetes:
– “a thua e dinë këta burra ku po shkojnë, se nuk po shkojnë në ndonjë manifestim familjarë apo për ta shikuar ndonjë lojë futbolli…?! Sinqerisht nuk e kuptoja këtë knaqësi të tyre, kur e dinin të gjithë se po shkonim në luftë! Megjithë habinë time, shpirtrisht ndjeja gëzim për këtë atmosferë të krijuar.
Isha ulur diku ka mesi i Autobusit, dhe i vëzhgoja të gjithë! Afër 80 % ishin të ri, nga mosha 18 deri në 25 vjet. Unë kisha 29 vjet.
Rrugën e bëmë duke kënduar deri në Bari të Italisë, kënga vazhdoj edhe në Anije kur u nisëm për në Durrës.
***
Zbritëm në Durrës! Ndalesën e parë e bëmë në Restoranin “Drenica”. Aty u regjistruam të gjithë, hëngrëm ushqim dhe menjëherë vazhduam udhëtimin për në Kukës.
Edhe gjatë rrugës për Kukës vazhdoj Kënga! Duke udhëtuar i shihnim kolonat e familjeve, (me traktora dhe një pjesë duke udhëtuar në këmbë) që ishin larguar nga Kosova dhe po shkonin në drejtim të jugut të Shqipërisë. Ishte rrëmujë e madhe, kishte shumë të rraskapitur nga rruga e gjatë, kishte edhe shumë të plagosur. Në një moment e pash edhe familjen time (të cilën nuk e dija a ishin gjallë apo vdekur). Gjatë rrugës makina e familjes time ishte goditur me breshëri plumbash nga serbët, dhe për fat të mirë askush nuk ishte vrarë. Vetëm vëllai ishte plagosur! U përshëndeta me familjen, dhe iu bashkova familjes tjetër të Madhe që e kisha në autobus – me të cilët udhëtova nga Bilelfeldi për të shkuar në luftë. Gjatë rrugës disa herë e ndalëm autobusin dhe i ndihmuam familjet (që vinin nga Kosova), me para dhe veshëmbathjet tona, që i kishim marrë me vete.
***
Diku ka gjysma e Natës arritëm në Kukës. Aty fjetëm një natë, dhe të nesërmen në mengjes na dërguan në qendrën stërvitore të Kolshit. Në Kolsh e kam takuar për herë të parë eprorin e palodhur Binak Gashi. Për shkat të numrit të madh të vullnetarëve që vinin pa rreshtur ato ditë, Binak Gashi ishte i shqetësuar për përballimin e këtij fluksi në aspektin e organizimit. Jemi ulur dhe kemi hartuar planin organizativ dhe format e strukturimit ushtarak. Fillimisht e kemi bërë regjistrimin e vullnetarëve dhe i kemi identifikuar ushtarët që kishin përgatitje shkollore ushtarake dhe i kemi emruar si komandant të skuadrave dhe togjeve. Unë isha komandant i Kompanisë. Ato ditë Qendrën tonë, e ka vizituar Komandanti i Divizionit të Kukësit, gjeneral Kudusi Lama, të cilit i raportuam gjerësisht për punën tonë. Pastaj kemi filluar me përgatitjet psiko – fizike dhe taktiko-ushtarake. Në Kolsh qëndruam disa ditë. Meqë vinin vullnetarë të shumtë nga perëndimi, Europa dhe Amerika e largët, u deshtë që një pjesë e ushtarëve që kishim ardhur më herët të largohemi prej Kolshit. Unë dhe Binak Gashi, bashkë me shumë ushtarë nga Kolshi kaluam në qendrën stërvitore të Kalimashit.
Në Kalimash kemi pas më shumë eprorë dhe përgatitjet për luftë ishin më intenzive. Në Kalimash u emrova komandant i Bataljonit. Meqë ishte e pa mundur me nejt të gjithë bashkë në Kalimash, (sepse edhe Kalimashi ndërkohë u stërmbush me vullnetarë), atëherë gjysmën nga ne (që erdhën nga Bilelfeldi) e transferuan në Qendrën Stërvitore të Burrelit. Në këtë grup për Burrel ka shkuar edhe dëshmori Zejnullah Zejna.
Në të gjitha ushtritë e botës, muaji i parë është kohë e njohjes me ushtarët dhe adaptimi i tyre me rregullat ushtarake, dhe pastaj fillojnë përgatitjet stërvitore…
Kurse në Kalimash aty ku isha unë, por dhe në qendra tjera, menjëherë i nisëm përgatitjet për Luftë. Aty kam pas vullnetarë që kurrë s’ka parë e s’ka kap pushkë me dorë. Andaj është dasht të punohet ditë e natë për aftësimin e tyre!

Gjermani – Itali, prill 1999: gjatë udhëtimit për Shqipëri…

***
Me 20 Maj 1999, jemi nisur për në Helshan. Helshani ishte një qendër grumbullimi. Aty kemi qëndruar dhe më pastaj jemi nisur për në vijën e frontit në Pashtrik.
Më 25 maj, ishim në Cahan. Cahani ishte shumë afër vijës së Frontit. Aty i bëmë përgatitjet e fundit për luftë, dhe në natën e 25/26 majit kemi lëvizuar për në vijë të frontit, në zonën e Gorozhupit DT-3, aty ku do të operonte njësia TF-2 e komanduar nga eprori Fazli Berisha. Në krahun e djathë të Pashtrikut, në drejtim të Gorozhupit (te kulla e vrojtimit dhe te objekti i cili do të shërbej për logjistikën tonë), e kam takuar Safet Pecin (tani dëshmor) me njësinë e tij speciale, vëzhguese – diverzante, i cili kishte ardhur para nesh për ta vëzhguar terenin dhe për t’i shënjestruar pozicionet e forcave serbe.
***
Meqë isha komandant i Artilerisë, (pasi i kishim bërë të gjitha përgatitjet) në mëngjesin e 26 majit (sipas urdhërit të shtabit) filluam sulmin me artileri, ndërsa këmbësoria e TF-2 ka lëvizur poshtë malit në drejtim të forcave serbe dhe të karaullës së tyre (te lagjja Martinaj). Brenda ditës me aksionet tona të furishme armikun e detyruam të kaloj nga vija e parë e frontit në vijën e tretë.
Luftimet kanë vazhduan me shumë intenzitet. Në këtë kohë armiku pati shumë humbje në ushtri dhe shkatërrime në arsenalin luftarak që e posedonin.
Për humbjet, tregojnë vetë oficerët dhe gjeneralët e tyre gjatë intervistave dhënë televizioneve serbe. Ata qajnë, qajnë për shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Këto intervista mund t’i shikoni në yutube me mbishkrimin “Aksioni – Shigjeta”. Në pjesën e dytë nga minuta 48 – 54, dhe minuta 125 – 130, si dhe në pjesën e tretë nga minuta e 29 – 31, ata dëshmojnë se kanë pas 514 ushtarë të vrarë, kuse nga ana jonë, kishin rënë 18 dëshmorë.
E mbaj mend kur më 31 maj, i kishim granatuar pozicionet e forcave serbe, më thërret në radiolidhje Safet Peci, dhe më thotë komandat ju lumtë, keni asgjësuar shumë forca të shkaut, ku je du me ardh me të puthë në dy faqe, dhe pa pritesë ka ardhur dhe me ka përqafuar. Në pasditen e 31 majit, Safet Peci ka rënë dëshmorë rrëzë maleve të pashtrikut.
***
Dëshmori Zejnullah Zejna (i cili kishte ardhur nga Burreli), ishte Komandant Topi 75 mm pa dridhje. Topi 75 mm përbëhej prej 5 ushtarëve: komandantit, shenjusit, mbushësit dhe dy pregaditësve.
Zejnullah Zejna luftonte me shumë vullnet, pa u lodhur fare. Gjuante aq shpejtë sa që ishte shumë e vështirë ta furnizoje me predha.
Kur ne bënim tek – tuk pushim, Zejna nuk pushonte, dhe kështu luftoj pa pushuar deri në sekondat e fundit të Jetës së tij.
Më 3 qershor, rreth orës 11:30 minuta ka rënë dëshmor Zejnullah Zejna. Unë personalisht isha diku 50 deri 100 metra larg prej tij. Me të marrë lajmin e plagosjes së një ushtari, unë dhe Rrustem Qufaj, zëvendësi im, vrapuam në atë drejtim për t’i ndihmuar. Në atë moment disa ushtarë ishin duke e bartur ushtarin e plagosur rënd, dhe aty e pash se ishte Zejna.
U mërzitëm shumë, ne që erdhëm në luftë, që bëmë rrugën bashkë nga Gjermania, sepse u bëmë edhe vëllezër!
Ramja e Zejnës, ishte një humbje e madhe për ne, sepse humbëm një Komandant Topi, humbëm një Luftëtar të madh Lirie.
Falë dëshmorit Zejnullah Zejna, dhe gjithë dëshmorëve tjerë të kombit, ne sot e gëzojmë Lirinë, e kemi shtetin tonë. Andaj të punojmë dhe ta duam shumë, ashtu si e donin Dëshmorët e Kombit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për dëshmorin Zejnullah Zejna dhe gjithë dëshmorët tjerë të Kombit!

____________________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

NGA ARKIVI I LUFTËS
Në vazhdim shikoni xhirime nga televizioni gjerman N-TV, duke bërë stërvitje ushtarake në Kalimash, njësitë e UÒªK-së të drejtuar nga komandant Shemsi Ilazi si dhe një emision të përgatitur nga RTSH, brifing ushtarak të zhvilluar nga komandanti i garnizonit, Binak Gashi…

Ndërsa në këtë yutube shikoni fotogalerinë e njësive të komandantit Shemsi Ilazi…
UçK- Foto te bera gjat e Luftes ne Kosovë.

FOTOGALERIA NGA ARKIVI I LUFTËS

Dëshmori i Kombit Zejnullah Rrahim Zejna, (27.07.1967 – 03.06.1999)

Dëshmori i kombit Zejnullah Zejna me bashkluftëtarët e tij

==============================================

KOMANDANTI SHEMSI ILAZI ME NJËSITË E UÒªK-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura