PROF.ASOC.DR.VANGJEL KICI: NË KËRKIME GJEOLOGJIKE KA RËNDËSI EDHE QIMJA NË KËMBËN E MIZËS!

Kanada, 26 korrik 2017: Në muajin maj të vitit 1961, profesori ynë, Oberhell (një pjesë e popullit çek ka mbiemra gjermanë), na ftoi në fundjavë për një ekskursion pranveror në rrethinat e Pragës. Ishim 4 studentë. Pas 3-4 stacionesh hekurudhore, zbritëm dhe ecëm në këmbë, nëpër natyrën e gjelbëruar, drejt një shpelle karstike në rrëzë të një kodrine. Gjatë rrugës profesori na tregonte: Kjo është kërpudha filan….Më tej: Kjo është miza filan…, kjo është flutura filan… (të gjitha në gjuhën çeke, me emër dhe mbiemër, domethënë gjini dhe lloje).
Pasi vizituam shpellën dhe dolëm prej saj, u ulëm në tokën e mbuluar me bar. Sapo hodha hapin, profesori më tha: Kujdes! E pyeta: Pse? Ai më tregoi se kisha shkelur një barishte të rrallë mishngrënëse, që hante miza (insekte). Kur ai mbaroi, e pyeta përsëri: Zoti profesor! Ju na folët gjatë rrugës për lloje mizash, fluturash, kërpudhash etj. Si i dalloni llojet e tyre, dhe ç’rëndësi kanë? Ai na tregoi se kjo flutur ka kaq pika në krah. Kjo mizë ka këtë karakteristikë…, dhe kjo kërpudhë dallohet kështu….Kjo barishte dallohet, sepse…
Profesori më pyeti: Po ju në Shqipëri, si i dalloni?
Unë i thashë: Ne këto i quajmë flutura, miza, barishte, kërpudha…
Ai qeshi dhe më tha: Disa nga këto duhen dalluar, sepse janë të rëndësishme. Për shembull: Ka disa kërpudha helmuese, vdekjeprurëse, dhe ato duhen dalluar.
Pyetja ime tjetër: Po mizat?
Dhe ai na tregoi: “Një familje dikur kishte një kopësht me qershi. Me shitjen e frutave të tyre mbahej familja. Një vit, qershive “u ra miza”. Pronari i kopështit thirri specialistin, i cili përcaktoi llojin (specien) e mizës dhe lëshoi recetën për ilaçin kundër kësaj mize. Pronari i kopështit e mori ilaçin dhe i spërkati pemët, por mizat nuk po zhdukeshin. Përkundrazi, ato po shtoheshin. Pas pak ditësh thirri prap specialistin. Ai e studjoi me hollësi mizën. Ishte po ajo mizë, që kishte përcaktuar, por një nënlloj (varietet) tjetër. Ky varietet dallohej, sepse kishte në këmbë një qime më tepër. Ai dha recetën tjetër, por tashmë frutat e qershive ishin prishur. Familja atë vit mbeti pa të ardhura financiare. Konkluzioni: Ka rëndësi edhe qimja në këmbën e mizës.”
Gjatë jetës së mëvonëshme në Shqipëri mësova këto gjëra:
★ Në fshatin Dardhë të Librazhdit, një djalë rreth 14 vjeçar kishte pjekur në zjarr dhe kishte ngrënë kërpudha në mal, ku po ruante bagëtinë. Ai u helmua dhe vdiq gjatë rrugës për në spital. Kjo ndodhi, sepse ai nuk kishte mësuar në shkollë, se si dallohen kërpudhat helmuese, që janë të pakta në numër.

– Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici –

★ Duke studjuar në mikroskop guackat e vogla, fosilet mikroskopike të nxjerra nga kampionet shkëmbore, të ardhur nga një pus kërkimi në zonën e Gorisht-Koculit, autori i këtij shkrimi përcaktoi saktësisht, qysh gjatë proçesit të shpimit (thellësia 250 m), se pusi do t’i takonte gëlqerorët në thellësinë 1000 m, dhe kështu ndodhi. Pusi i takoi gëlqerorët naftëmbajtës në thellësinë 1017 m. Ky parashikim është i shkruar në fletën e analizës së mikrofaunës të atij pusi. Në fakt, ky ishte pus i projektuar për konturimin e vendburimit të Gorishtit, në anën perëndimore të tij. Pra, sipas projektit pusi nuk duhet t’i takonte fare gëlqerorët, dhe prandaj brigada e shpimit shponte e shkujdesur, pa frikën se pusi mund të shpërthente në fontanë nafte dhe gazi. Gjeologu projektues i pusit, i ndjeri Ing. Koço Plaku, sapo mori këtë rezultat të analizës, shkoi tek pusi në Gorisht-Kocul dhe njoftoi brigadën e shpimit të kishte shumë kujdes, që të mos shpërthente fontana, sepse gëlqerorët ishin shumë afër. Kështu u shmang mundësia e fontanimit të naftës dhe të gazit në vendburimin e Gorisht-Koculit. Ky është një nga disa fakte të tilla, në puse të ndryshme (doni më për Belulin?!).
Pra, kanë shumë rëndësi gjërat e vogla, që nuk shihen me sy, por me mikroskop.
★Në vitin 1975, ministri i atëhershëm i industrisë, Pali Miska (një ish shofer, i vendosur në krye të Ministrisë së Industrisë!), kërkoi largimin tim dhe të shokve të mi nga Instituti i Naftës, bazuar edhe në akuzat e padrejta të kolegve të mi, specialistë ambiciozë të të njëjtit specialitet (mikropaleontologë). Mendimi i tij ishte: Ç’na duhen ata, që merren me guackat? Neve na duhen ing. gjeologë nafte! Por pas 1-2 vjetësh u zbulua vendburimi i naftës në Cakrran. Ishin prap mikropaleontologët ata, që me anë të studimit të guackave të vogla mikroskopike, të kampioneve shkëmbore të nxjerra nga pusi, parashikuan saktësisht takimin e gëlqerorve naftë-gazmbajtës, qysh gjatë shpimit të pusit, i cili zbuloi vendburimin e naftës. Pas këtij zbulimi, ministrit të paditshëm iu mbush mendja, se ata, që studjojnë guackat e vogla (mikropaleontologët) janë shumë të rëndësishëm në kërkimet e naftës dhe të gazit. Në një mbledhje për kromin në Bulqizë, ai kishte deklaruar pak a shumë kështu: Kemi bërë gabim, që i hoqëm paleontologët nga Instituti i Naftës. Ne mendonim: Ç’na duhen guackaxhinjtë? Por zbulimi i vendburimit të naftës në Cakrran u bë jo vetëm nga gjeologët dhe gjeofizikët, por edhe nga mikropaleontologët, me anë të studimit të atyre guackave të vogla, fosile mikroskopike.
Pas vitit 1990, në sektorin e gjeologjisë shqiptare u mbyllën institutet shkencore dhe Ndërmarrjet Gjeologjike, që ishin në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pra, u mbyllën edhe laboratoret dhe mikroskopet e tyre. Tani, atyre pak gjeologve, që kanë mbetur akoma në Shqipëri, u mungojnë të gjitha paisjet e nevojshme për kryerjen e studimeve gjeologjike. Ata nuk kanë veshjet të përshatëshme për punime terreni. Nuk kanë çekiç, lupë dhe busull, makina, çadra etj. Ata bëjnë gjoja “studime gjeologjike”, duke u bazuar vetëm në ato që shohin me sy. Pra, jemi kthyer 400 vite pas, kur akoma nuk ishte zbuluar mikroskopi. Ne kemi mbyllur mikroskopët e zakonshëm, kur bota po vrojton me mikroskopë elektronikë, që kanë fuqi zmadhuese shumë mijra herë.
Pse ndodh kjo?
Sepse Shqipëria, pas vitit 1990, është kthyer nga pushtetarët tanë të korruptuar në “stinën e vjeljes së prodhimeve prej tyre”. Këto prodhime janë zbuluar në kohën e regjimit monist. Pra, nuk është koha e “stinës” për bërjen e kërkimeve gjeologjike. Kërkimet gjeologjike japin prodhime më vonë, kur qeveritë ndërrohen. Prandaj, qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare nuk kanë interes për bërjen e kërkimeve gjeologjike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura