PROF.DR. SELMAN SHEME: IDENTITETI ETNIK DHE STRUKTURA DEMOGRAFIKE E TROJEVE SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJS SË PAVARËSISË (1912)

Tiranë, 13. 06. 2013 – Në fillim të shekullit XIX në të gjithë Evropën dhe në gadishullin e Ballkanit, fillojnë lëvizjet nacionale për çlirim kombëtar dhe për krijimin e shteteve-kombe. Shteti territorial modern krijohet sipas parimit të përputhjes të njësisë politike me njësinë kombëtare. Bazuar në parimet e Revolucionit Francez u përpunua mendimi politik kombëtar shqiptar dhe u formuluan qartë një varg kërkesash kombëtare në fushën ekonomike, politike, arsimore e kulturore. Por për afirmimin kulturor dhe çlirimin e popullit shqiptar prej sundimit të Perandorisë Osmane dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në kufijtë etnikë, lëvizjes kombëtare shqiptare i dolën përpara edhe disa vështirësi të lidhura me disinformimet dhe keqkuptimet në opinionin evropian në lidhje me prejardhjen dhe identitetin, sidomos me shtrirjen gjeografike të trojeve shqiptare dhe potencialin demografik të shqiptarëve.
Këto vështirësi janë të lidhura me përgjigjen që do të merrnin pyetjet:
1. Kush janë shqiptarët, cila është origjina dhe identiteti i tyre?
2. Sa është numri i popullit shqiptar në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor?
3. Cilët janë kufijtë e shtrirjes gjeografike të trojeve etnike shqiptare?

Publicisti francez Francis Delez në veprën e tij “Aspiratat e Evropës”, e botuar në vitin 1912 shkruan: “Më mirë e njohim shkretëtirën e Saharasë e të Tibetit, sesa Shqipërinë”. Këtyre pyetjeve u japin përgjigje studimet etno-gjeografike të publikuara veçanërisht në gjysmën e dytë të shek XIX-të.
– Identiteti etnik dhe numri i popullsisë
Kombësinë, origjinën e gjuhën e shqiptarëve e kanë bërë të njohur në Evropë së pari albanologët e shquar gjermanë Johan Tunman, Johan Hahn dhe Jakob Fallmerayer. Në veprat e tyre këta studiues argumentojnë autoktoninë pellazgjiko-ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullit tonë.
Vepra më e plotë që ka bërë epokë dhe që provon shkencërisht autoktoninë e stërlashtë të shqiptarëve epiriotë është punimi: “Studime shqiptare“, i albanologut të madh gjerman Johan Hahn. Doktrinën e vet autori e mbështet në katër teza që vijojnë:
Epirotët dhe maqedonasit që në kohën e Strabonit kanë qenë jo grekë dhe “barbarë”.
Epirotët, maqedonasit dhe ilirët janë fise të afërta.
Ka shumë shenja që dëshmojnë se epirotët dhe maqedonasit përbënin bërthamën e fisit tirenik-pellazg, kulmet më të skajshme të të cilit në Itali dhe në Trakë ngrihen lartë në histori.
Fjala ilirik është e njëjtë me fjalën pellazg në një kuptim më të gjerë. Hahn-i theksonte se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe epiriotëve të lashtë.
Origjinën dhe identitetin e shqiptarëve e kanë trajtuar gjerësisht në veprat e tyre shkencore rilindasit tanë si: Pashko Vasa, Dora D’Istria, Sami Frashëri, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada etj. Në vitin 1875, Pashko Vasa botoi në frëngjisht veprën “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila kërkon t’i informojë opinionit evropian, origjinën dhe historinë e shqiptarëve.

Afro 20 vjet më vonë bashkëpunëtori i tij Sami Frashëri botoi veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ku në pjesën e parë trajton lashtësinë dhe origjinën pellazgjike të shqiptarëve. “Shqiptarët, – shkruan Sami Frashëri-, janë një komb i lashtë që vijnë nga pellazgët. Ata janë stërnipët e ilirëve. Në Mesjetë shqiptarët quheshin arban, apo populli që punon arën, që mbjellin dhe korrin” . Edhe në veprat e tjera të Sami Frashërit, gjuhësore dhe etnogjeografike si: “Alfabetaren e gjuhës shqipe”, “Dheshkronja” dhe veçanërisht në “Enciklopedinë historike dhe gjeografike”, (Kamus-ul-Alam), vend të veçantë zë përshkrimi i botës shqiptare në kufijtë e saj etnik. Në zërat e enciklopedisë, termat e përdorur: Pellazg, Iliria, Epir, Thespot, Dardania, Arbëria, Shqipëria etj vërehet një koherencë organike në parashtrimin e autoktonisë pellazgo-ilire dhe vazhdimësisë arbëroro-shqiptare.
Qëllimi kryesor i Rilindjes Kulturore Shqiptare, ishte mbrojtja e tërësisë së trojeve etnike shqiptare që ishin të rrezikuara nga pretendimet territoriale të fqinjëve dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, të ndërtuar mbi parime demokratike evropiane. Interesimi i Fuqive të Mëdha evropiane për çështjen ballkanike në gjysmën e dytë të shek. XIX, sidomos pas hapjes së Krizës Lindore, shtroji nevojën për studimin e numrit dhe përbërjes etnike të popullsisë së shqiptarëve. Studimi i strukturave demografike paraqet vështirësi pasi shqiptarët në statistikat osmane paraqiteshin të ndarë në tre grupe të ndryshme:
1. Si turq-shqiptarët, e besimit mysliman,
2. Si romej – shqiptarët e besimit ortodoks,
3. Si latin- shqiptarët e besimit katolik

Megjithkëtë, albanologët duke shfrytëzuar statistikat osmane sipas vilajeteve dhe sanxhajeve dhe nga ana tjetër duke bërë vëzhgime dhe anketime në terren, kanë arritur që të bëjnë vlerësime për numrin e strukturën demografike të Shqipërisë. Studiuesit e huaj Hahn, Spenser, Ubicimi, Saks, Beker etj, në veprat e tyre e kanë dhënë popullsinë shqiptare që jetoi në trojet e veta etnike 1.600.000 deri në 1.900.000 banorë.
Numri i popullsisë shqiptare në hapësirat etnike sipas studiuesve të gjysmës së dytë të shek XIX
Nr. Autori –  Origjina – Vepra Shkencore – Viti – Popullsia
1 J. Hahn Austriak “Studime shqiptare” 1853 1.600.000 banorë
2 E. Spenser Anglez “Udhëpërshkrime nga Turqia Europiane” 1853 1.600.000 banorë
3 A. Ubiçini Francez “Turqia aktuale” 1856 1.600.000 banorë
4 Pashko Vasa Shqiptar “E vërteta mbi Shqipërinë e Shqiptarët” 1.900.000 banorë
5 Kol. Beker Francez “Shqipëria dhe shqiptarët” 1880 1.850.000 banorë
6 E. Reklys Francez “Gjeografia universale” 1875 1.400.000 banorë
7 V. Angerstejn Gjerman “Die Auttstand ni der Herzegovina” 1875 1.509.00 banorë
8 P. Bule Francez “Popullsia e Turqisë” 1877 1.030.00 banorë
9 C. Saks Austriak “Harta etnografike e Turqisë Europiane” 1877 1.900.00 banorë

10 S. Frashëri Shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” 1899 2.000.000 banorë
Autorët që zvogëlojnë numrin e shqiptarëve janë të ndikuar nga të dhënat demografike që japin studiuesit serbë dhe grekë të cilët në veprat e tyre të publikuara në vende të ndryshme të Evropës, shqiptarët ortodoksë që jetojnë në jug të Shqipërisë i paraqisnin si grekë, kurse shqiptarët myslimanë që jetonin në veri të Shqipërisë, i paraqisnin si sllavë (serbë e malazezë).
Në studimet e mëvonshme për përbërjen etnike të Ballkanit dëshmohet se në kohën e Krizës Lindore në trevat etnitikisht të pastra shqiptare në Ballkanin Perëndimor jetonin 1.6 deri në 1.7 milionë shqiptarë.
Trojet shqiptare në hartat etno-gjeografike të shek XIX-të
Në shekujt e mesjetës dhe në vijim në kohët moderne gadishulli i Ballkanit ka qenë nën sundimin e perandorive shumëkombëshe siç ishin perandoria bizantine, bullgare serbe dhe sidomos osmane.
Secili prej tyre nxiti ekspansionin e etnisë së vet në dëm të etnive të tjera, nëpërmjet lëvizjeve migruese të brendshme dhe të jashtme. Për pasojë gadishulli i Ballkanit nuk pati mundësi të kishte kufijtë të përcaktuar etnik: Çdo komb pati trungun e vet etnik, por në periferi të secilit trung pati përqasje etnike, pati përzierje etnike, bashkëjetesën e një apo më tepër etnive. Për pasojë disa studiues, publicistë dhe udhëpërshkues të huaj që në gjysmën e dytë të shek XIX vizituan Shqipërinë, në veprat e tyre trojet me popullsi shqiptare i përkufizojnë në hapësirën gjeografike prej Tivarit e deri në Prevezë në vijën bregdetare dhe prej Novi Pazarit e deri në Ohër në lindje. Studiues të tjerë shtrirjen gjeografike të popullsisë shqiptare e njehsojnë me Mbretërinë e Arbërit që kishin krijuar Anzhuinët në shek. XIII, e që sipas tyre shtrihej brenda katërkëndëshit Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë. Trojet e tjera shqiptare ata nuk i quanin Shqipëri, por i emërtojnë me emrat e provincave romake që u kishte vënë perandori Dioklecian në shek. II. Kështu trojet shqiptare prej lumit Vjosa e deri te gjiri i Prevezës ata i quajnë Epir, krahinat lindore shqiptare prej Korçës e deri në malet Rodope i quajnë Maqedoni, kurse trojet verilindore prej gropës së Kuksit e deri në afërsi të Nishit i quajnë Dardani.
Kështu Shqipëria ndahej nga Greqia në lumin Vjosa deri ku shtrihej krahina shqiptare e Labërisë, me Bullgarinë me krahinën e Maqedonisë Perëndimore e cila edhe atëherë edhe sot është trevë etnike shqiptare, kurse krahina shqiptare që quhej Dardani e ndante Shqipërinë prej serbëve.
Në këtë mënyrë trojet shqiptare që përbëjnë një tërësi etnike ndaheshin në katër pjesë të ndryshme. Nga katër emërtimet e mësipërme vetëm emri Shqipëri kishte karakter etnik kurse tre emrat e krahinave të tjera kishin karakter gjeografik. Megjithatë interpretimi pseudoshkencor i këtyre toponimeve gjeografike do të shërbenin si argument i copëtimit të trojeve shqiptare në forumet ndërkombëtare të kohës (Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), Konferenca e Paqes në Paris (1919) etj.
Studiuesit, publicistët e udhëpërshkruesit e huaj e përcaktonin përbërjen etnike të këtyre krahinave në vartësi të përkatësisë së tyre fetare e bindjeve politike apo edhe e intersave të ndryshme me të cilat mund të ishin lidhur.
Për pasojë krahina e Epirit në të cilën shqiptarët ishin shumicë herë e quajnë shqipëtare kur janë studiues objektiv dhe herë greke, Maqedoninë Perëndimore herë e quajnë Bullgari e herë Shqipëri, ndërsa Kosovën e quajnë “Staraja Serbia”.
Sipas pikëpamjeve të tre studiuesve të njohur të Ballkanit, Ami Bue, E. Spenser dhe J. Hahn në të kaluarën historike e deri në shek. XIX (kohën e tyre) shqiptarët shtriheshin:
– Në Veri deri në Nish, Leskovic dhe Vranjë
– Në Lindje deri në Kumanovë, Përlep e Manastir
– Në jug deri në Konicë-Janinë dhe Prevezë
.
Këto treva sipas studiuesit francez Ami Bue, ndahen: Në trungun etnik ku shqiptarët ishin popullatë e vetme etnike dhe në brezin anësor ku shqiptarët jetojnë bashkë me pjesëtarë të kombësive të tjera – me malazez, boshnjakë, serbë, maqedonas, turq, vllehë dhe grekë. Trungu etnik shqiptar kishte rreth 58.000 km2. Në trevën që përfshinte 70.000 deri 80.000 km2 të brezit etnik dhe të brezit anësor në kohën e Krizës Lindore jetonin 1.6 deri 1.7 milionë shqiptarë.
Sipërfaqja dhe popullsia e disa vendeve të Ballkanit pas Kongresit të Berlinit:
Nr. – Vendi – Sipërfaqja – Popullsia

1 Trevat shqiptare 75.000 km2 1.700.000 banorë
2 Serbia 54.800 km2 1.600.000 banorë
3 Greqia 51.300 km2 1.400.000 banorë
4 Mali i Zi 8400 km2 190.000 banorë
5 Rumania 113.400 km2 5.600.000 banorë

Statistikat e mësipërme tregojnë se Shqipëria qoftë nga numri i popullsisë apo madhësia e territorit është më e madhe se popullsia dhe territori i Serbisë dhe Greqisë. Historia do të jetë e pamëshirshme ndaj shqiptarëve. Hapësira e tyre gjeografike do të vijë duke u zvogëluar ndërsa hapësira e fqinjëve të tyre duke u zmadhuar.

Harta etno-gjeografike e Turqisë Evropiane e studiuesit francez G. Lejean (Lezhan)

– botuar në vitin 1861 – 

…………………………….

Në hartën e publikuar në vitin 1861 nga studiuesi G. Lejean, në përgjithësi paraqiten drejtë hapësirat etnike të shtrirjes gjeografike të shqiptarëve në Ballkan.
– Autori është ligjerues në Fakultetin Histori – Filologji, Univeristeti i Tiranës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura