PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: LËVIZJA POLITIKE SHQIPTARE DHE RRJETA E MERRIMANGËS SË ZEZË RUSE-ARABE

Tetovë, 14 mars 2017: A janë të vetëdijshëm disa politikanë të ri shqiptarë në Maqedoni, sa të vegjël, të pafuqishëm dhe të manipuluar janë karshi Merimangës së zezë antishqiptare, të cilës i janë futur në rrjetë, me formimin e lëvizjeve politike dhe fetare (të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin islam, aq më pak me çështjen shqiptare, duke u bërë pjesë e internacionales socialiste pan-arabe me frymëzim sllavo-ortodoks, me BAAS partitë e tyre të njohura), përmes së cilës aleancat e disa shteteve satelite të pansllavizmit kanë për qëllim (pretendojnë) ta vendosin nën kontroll lëvizjen politike shqiptare në të ardhmen, si kombinim i elementeve të strategjisë së tyre, pas goditjeve të mëparshme përmes klaneve mafioze dhe rrjeteve të spiunazhit serb, rus dhe grek, kryesisht me ideologji marksiste-leniniste dhe në emër të patriotizmit të rrejshëm, si në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera, por edhe në Shqipëri, me qëllim të krijimit të bazave të tyre të fuqishme për ndërhyrje në politikat globale dhe gjeostrategjike evropiane, sidomos dëmtimin e interesave amerikane në rajon dhe më gjerë.
Lëvizja politike e partive me akronimin BAAS (Partia socialiste e përlindjes arabe) është formuar në Siri, në vitet ’40-ta (zyrtarisht është legalizuar në vitin 1947), kinse në frymën e reaksionit kundër kolonializmit në botën arabe, që në fakt atë e orientoi në drejtim të ndikimit rus. Sipas disa historianëve të krishterë, kjo lëvizje është inspiruar nga ideologjia fashiste, duke premtuar reforma të gjera sociale dhe ekonomike në shtetet arabe, gjatë dhe pas periudhës së kolonializmit, por e vërteta qëndron në të se, kjo lëvizje u kontrollua dhe u vu në shërbim të plotë të interesave politike, ekonomike dhe strategjike ruse.

Themelues dhe ideolog kryesor i kësaj lëvizje ka qenë filozofi dhe dijetari i krishterë (ortodoks) nga Damasku i Sirisë, Michel Aflak, i cili supozohet se ka qenë agjent i dyfishtë, rus dhe francez (jetën e ka përfunduar në Paris).
Qëllimi kryesor i kësaj lëvizje ka qenë formimi i një shteti të përbashkët arab, nga shtetet dhe tokat e copëtuara arabe nga ana e kolonizatorëve, pas rënies së Perandorisë Osmane, me emrin Shtetet e Bashkuara Arabe, nën udhëheqjen e Gamal Abdel Naser, njërit nga themeluesit e Bllokut të tretë, Vendeve të Painkuadruara, së bashku me Josip Broz Titon e Jugosllavisë dhe Jawaharlal Nehru të Indisë, si lëvizje politike, ekonomike dhe ushtarake me përmasa ndërkombëtare, satelite e Bashkimit Sovjetik (Rusisë), gjatë Luftës së Ftohtë mes Paktit të Varshavës dhe NATO-s.
Regjimi i ish Jugosllavisë, i kontrolluar kryesisht nga politika shoviniste serbe në dëm të popujve të tjerë, sidomos ndaj shqiptarëve, përmes kësaj politike me interesa të ndërthurura ruse-arabe-jugosllave, e ka dëmtuar rëndë çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar tepër negativisht edhe në forcimin dhe zgjerimin e lëvizjes për çlirimin e Kosovës. Kjo mund të shihet edhe sot, me faktin që nga ky ndikim shumica e shteteve arabe ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shpërbërjes së paktit të Varshavës dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, u forcua dukshëm ndikimi rus në shtetet arabe dhe jo vetëm, me qëllim të parandalimit dhe dobësimit të ndikimit amerikan dhe evropian në këto shtete. Në shtetet ku ende vazhdon kjo përplasje ekonomike, politike dhe ushtarake edhe aktualisht, aktualisht zhvillohen 10 luftëra të përgjakshme dhe nga më shkatërruesit që njeh historia, të cilat zhvillohen me dekada të tëra dhe shtrihen në një brez të gjerë mes dy kontinenteve, nga Libia deri në Pakistan, ndikimi i të cilave përjetohet ndjeshëm edhe në Evropë.
Lëvizja e madhe e kapitalit dhe njerëzve nga këto regjione të krizës, si dhe shpëlarja e madhe e parave nga qeveritë e këtyre shteteve, sidomos nga tregtia e paligjshme me naftë, drogë dhe armë, aktualisht paraqesin shqetësimin më të madh të civilizimit bashkëkohor, lëvizje në të cilën nuk guxojnë të implikohen shqiptarët, së paku për motive politike dhe fetare.
Në një të ardhme shumë të afërt do të dëshmohet se këto lëvizje jo vetëm që janë të motivuara nga interesat materiale e financiare, duke shfrytëzuar besimin fetar si armën e tyre më të fuqishme, por edhe në interes të politikave ditore në disa shtete të rajonit, sidomos në Maqedoni, ku penjtë e kontrollit mbi ta i mbajnë në duar disa oficerë të lartë të ish sigurimit shtetëror jugosllav dhe rus, disa klane politike-mafioze nga vendi dhe rajoni, të etshme për pushtet dhe kapital, si dhe rrjete të tjera spiunazhi, të cilat i shfrytëzojnë maksimalisht krizat politike gjithandej në vendet e ndryshme të botës.
Këto lëvizje politike dhe fetare haptas shfaqin pretendime për marrjen e pushtetit, dhe si të tilla, përveç argumenteve që ua japin serbëve, grekëve dhe armiqve të tjerë të popullit shqiptar, për t’i akuzuar shqiptarët për fundamentalizëm karshi botës perëndimore, ashtu siç nuk janë shqiptarët dhe nuk kanë qenë asnjëherë, ka rrezik potencial që këto lëvizje të shndërrohen në çerdhe të grupeve mercenare, ekstremiste e terroriste, në shërbim të agjendave të huaja në trojet shqiptare dhe në rajonin më të gjerë, siç është dëshmuar tanimë me rekrutimin e mercenarëve nga këto hapësira për frontet e luftës në Siri, Irak, Afganistan e gjetiu, si dhe me zbulimin e aferave të ndryshme financiare të këtyre lëvizjeve, nga qeveri, organizata dhe fondacione të dyshuara për shpëlarje të parave, krim të organizuar dhe terrorizëm ndërkombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura