PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: RRËNIMI I SISTEMIT ARSIMOR DHE SHKOLLËS SHQIPE I RREZIKON THEMELET E SHTETIT DHE IDENTITETIT KOMBËTAR

Tetovë, 11 prill 2018: Siç janë sot, arsimi dhe shkolla shqipe nuk frymojnë kombëtarisht, por janë shndërruar në instrumente në shërbim të akulturimit dhe shbërjes së qenies shqiptare.
Sistemi ynë arsimor dhe shkollat shqipe, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, në të gjitha nivelet, kanë nevojë për reforma të thella mbi baza shkencore, për t’i ndjekur zhvillimet bashkëkohore evropiane dhe botërore, por duke i ruajtur specifikat dhe veçoritë kombëtare.
Çfarë është bërë deri më sot në këtë sferë nga më të rëndësishmet për zhvillimin e shoqërisë sonë, e cila me të drejtë vlerësohet si shtylla kryesore në ndërtimin e së ardhmes? Gati asgjë e mbarë, e shumëçka e mbrapshtë.
Pavarësisht nga ndarjet politike dhe administrative të shqiptarëve, së paku arsimi dhe shkolla shqipe duhet të jenë të NJËSUAR, me strategji të përbashkët zhvillimi, me plane dhe programe të njëjta ose të ngjashme, me tekste shkollore të përbashkëta, me organizime të përbashkëta dhe zhvillim të politikave arsimore në nivel kombi, jo të njësive politike e administrative siç ia kanë imponuar rrethanat arsimit shqiptar.
Arsimi dhe shkolla shqipe në radhë të parë duhet të çideologjizohen, depolitizohen, departizohen, dekriminalizohen dhe mbrohen nga ndikimet e huaja. Shkolla shqipe duhet të jetë vatër e dijes, shkencës dhe artit, jo çerdhe e propagandës, nepotizmit, korrupsionit dhe krimeve mbi gjeneratat e reja.

 

Sistemi arsimor dhe shkolla shqipe duhet të kthehet në fokusin, interesimin dhe kujdesin e institucioneve më të larta të shtetit, me program të qartë, të studiuar mirë, të konsoliduara në bazë shkencore dhe sidomos duhet të rriten investimet për arsim sipas nevojave të kohës.
Gjithashtu duhet të rriten investimet për kërkime shkencore dhe studime, pakrahasueshëm me nivelin e investimeve të derisotme, përndryshe asnjë program qeveritar për zhvillim ekonomik dhe shoqëror nuk mund t’i arrijë objektivat e përcaktuara.
Shteti nuk është shtet, as qeveria është qeveri kombëtare, nëse nuk angazhohet për reforma thelbësore në fushën e arsimit dhe të kërkimeve shkencore, me program kombëtar, planifikim, investime të mjaftueshme, rregull, disiplinë dhe mbarëvatje të punës së shkollave, universiteteve dhe institucioneve shkencore.
Programi i shkëmbimit të përvojave, i kuadrit mësimdhënës, nxënësve dhe studentëve, duhet të intensifikohet dhe zgjerohet sidomos me shtetet me ekonomi dhe industri të zhvilluar, si SHBA, Gjermania, Anglia, Japonia etj., por edhe me disa shtete të tjera në fusha të caktuara, sidomos me Kroacinë, Bullgarinë dhe Italinë fqinje.
Me hapjen e shkollave të huaja, me programe, përmbajtje dhe qëllime të dyshimta, siç janë disa universitete private, kolegje, fondacione dhe qendra arsimore e kulturore të huaja, si ato turke, iraniane dhe të ngjashme, të cilat veprojnë në trojet shqiptare mbi parime të iniciativave private dhe mbi baza ,,vullnetare” e ,,humanitare”, përfiton vetëm pushteti aktual, një grusht oligarkësh, politika ditore dhe politikanët tanimë të dyshuar për korrupsion dhe krime, ndërsa arsimi dhe shkolla shqipe e humbin përfundimisht esencën e tyre, karakterin dhe përmbajtjen kombëtare, me këtë edhe e rrezikojnë rëndë qenien kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Implikimet tjera në sferën politike, fetare dhe kulturore ndjehen sot dhe do të ndjehen më tepër në të ardhmen, pasi përfundimisht të bëhet bilanci tragjik i sistemit të sotëm arsimor kombëtar.
Shoqëria shqiptare duhet të largohet sa më parë nga kjo rrugë e mbrapshtë, të mbrohet nga këto ndikime përmes institucioneve të shtetit, kjo çështje të rregullohet qartë përmes ligjeve dhe të kthehet në rrjedhën normale të zhvillimit të arsimit, ashtu siç e kanë të gjitha shtetet e zhvilluara të botës, e siç nuk e kemi ne shqiptarët sot, meqë politika arsimore e ndjekur deri më sot lirisht mund të vlerësohet më armiqësore seç kanë qenë politikat e pushtuesve dhe sunduesve të huaj mbi shqiptarët në të kaluarën.
Edhe në periudhat më të pafavorshme për kombin dhe shtetin, qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë masa dhe veprime konkrete, hapa gjigant për ta ndihmuar arsimin dhe shkollën shqipe, jo vetëm brenda shtetit por edhe në territoret etnike jashtë kufive administrativ të shtetit dhe në mërgatë. Çfarë bëhet sot për arsimin dhe shkollën shqipe jashtë shtetit, në trojet etnike dhe në diasporë? Qeveritë shqiptare vrasin miza dhe presin që fondacionet e huaja të ndërhyjnë me financa dhe institucionet e tyre, haptas për realizimin e qëllimeve dhe ndikimin e tyre, sigurisht jo për interesat tona kombëtare! Kjo moskujdesje nuk përbën një skandal të thjeshtë, por një turp që nuk do ta shpërlajmë të gjithë ne, me dekada të tëra në të ardhmen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura