Prishtinë, 27 janar 2020:
Aleanca sllave, Serbi – Rusi
Rusia, pas ardhjes në pushtet të Millosheviçit, ka pasur rol, ndikim në formësimin e politikave të udhëheqjes së Serbisë, pra, thënë më drejtpërdrejt, në përgatitjen e luftërave në ish Jugosllavi. Udhëheqja serbe, e epokës së Millosheviqit kishte shpresuar, llogaritur se Rusia, do të jetë në krah të politikave të reja, nacionaliste, ekspanisonite të Serbisë, madje, udhëheqësit serbë ishin të bindur se, në rast nevoje, Rusia, edhe mund t’ju ndihmojë ushtarakisht. Të kemi parasysh se, gjatë luftërave në ish Jugosllavi, pra, edhe në Kosovë kishin marrë pjesë edhe grupe vullnetare të formacioneve paraushtarake ruse, por, siç dëshmohet, në forma të ndryshme, edhe ushtarak të lartë rusë kishin qenë në cilësi të këshilltarëve ushtarak të armatës serbe/jugosllave dhe të udhëheqjes shtetërore të Serbisë… Por, duhet thënë se, edhe gjatë një dekade të krizës jugosllave, viteve të luftës në ish Jugosllavi, interesat ruse në rajon, për Ballkanin, si pasojë e raportit të forcave në gjeopolitikën ndërkombëtare, pësuan transformime. Rusia angazhohej në Ballkan, për interesin e saj shtetëror, nacionale, e përkrahte Serbinë, por, megjithatë duke mos e pasur Serbinë prioritet!
Udhëheqjet serbe, në vazhdimësi, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pra, edhe pas shembjes së ish Jugosllavisë, të mbështetura në idenë e lidhjes ruso-serbe, përmes ortodoksisë dhe pansllavizmit, kishin menduar gabimisht se, Serbia ishte, është partneri kryesor i Rusisë së re. Ky perceptim i gabuar, jo real, jo objektiv, u ka penguar udhëheqjeve serbe, pra edhe Millosheviqit dhe atyre pas tij, ta kuptojnë se cilat janë interesat e vërteta historike të politikave ekspansioniste ruse në Ballkan, pra, edhe në raport me popujt dhe shtetet tjera (Shqipëri, Kroaci, Bullgari, Mali i Zi…). Udhëheqjet serbe, para dhe pas Millosheviqit, por në radhë të parë ai vetë, ishin frymëzuar qëllimisht dhe pa argumente nga qarqe konservative, nga armata, partia dhe qarqe të elitave ruse, me orientim nacionalist dhe anti perëndimor, e sidomos anti amerikan!
Në rrethanat e reja ndërkombëtare ishte krijuar vëllazëria ere ruso- serbe. Pikërisht Millosheviçi, konceptin e tij nacionalist, serbomadh e ndërtoi edhe mbi legjendat dhe mitet për fuqinë e Rusisë dhe për gjoja, idenë se Rusia është mbrojtësja e përhershme e çështjes serbe! Sigurisht, më vonë, nisur nga ato pikëpamje të tij të gabuara, nga ato iluzione, Millosheviçi, ndoshta në qelitë e Hagës, e kishte kuptuar se, ishte tradhtuar nga “ historia” dhe nga Rusia! Millosheviqi, kishte harruar se, e kishte përkrahur grusht shtetin ushtarak kundër Jelcinit ( 1991), gabim ai fatal për te, të cilin Jelcini, sipas burimeve të besueshme perëndimore kurrë nuk ia harroi dhe nuk ia fali! Jelcini, gjithnjë sipas burimeve të besueshme perëndimore, gjatë pushtetit të tij, nuk kishte shfaqur ndonjë simpati, përkrahje për Milloshviqin. Pra, as në takimin që, e kishte pasur në Moskë me Millosheviqin ( Përkthyesi, i takimit Jelcin – Millosheviç, ish diplomat rus i nivelit të lartë, me prejardhje hebreje, ndërkohë kishte kërkuar azil politik në Izrael…A. Z ). Madje, pas fillimit të bombardimeve të NATO-së, mbi caqet ushtarake serbe/jugosllave, prill 1998, Boris Jelcini e kishte caktuar përfaqësues të bisedimeve, Viktor Çernomidinin ( Çernomidin ishte Kryeministër i Rusisë nga viti 1992 – 1998, i njohur si mik personal i ish presidentit amerikan, Al Gor.) dhe jo, Jevgenij Primakovin ( ish Kryeministër rus) një radikal, nacionalist dhe pro serb!
Paraushtarakët rusë luftuan në Kosovë
Ndryshe, është e faktuar se, qarqet konservative në Rusi, në politikë, diplomaci, ushtri etj., e kishin përkrahur ardhjen dhe fuqizimin e Millosheviçit në pushtet! Gjenerali serb, Nikolla Lubiçiçi, i cili kishte pasur bashkëpunime edhe sekrete me grupe të politikës konservative, nacionaliste në Moskë, ishte personi kryesor i cili, më 1987, e siguroi fitoren e Millosheviçit. Më 13 mars 1991, gjenerali i ushtrisë jugosllave, serbi dhe antishqiptari, Velko Kadijeviqi, duke e informuar paraprakisht, Borisav Joviçin (aso kohe Kryetar i Kryesisë jugosllave) dhe jo edhe kroatin, Ante Markoviçin (Kryeministër i ish Jugosllavisë) kishte udhëtuar në Moskë dhe ishte takuar me Jazovin, shefin e shtatmadhorisë së ushtrisë ruse. Kadijeviçi, i kishte kërkuar Jazovit, qëndrimin, nëse Perëndimi do të ndërhynte në krizën jugosllave që, edhe ushtria sovjetike të futej në luftë. Sipas burimeve të kohës, sovjetikët/ rusët nuk i kishin dhënë shpresë të madhe, gjeneralit famëkeq serb Kadijeviç, se do të mund të intervenonin ushtarakisht, që, në fakt, jepte të kuptohej se, Rusia, sërish, në plan të parë i kishte, dhe i ka, interesat e saj gjeopolitike në Ballkan, rajon, dhe jo Serbinë me prioritet! Gjatë eskalimit të luftimeve në Kosovë, Duma Ruse dhe grupoet komuniste, nacionaliste, Kisha Ortodokse Ruse që ishin në komunikim me Milloshevipin, kërkonin krijimin e aleancës ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë. Duma Ruse kishte përkrahur dhe përgatitur dërgimin grupeve paraushtarake ruse në luftën e Kosovës. Të njëjtat forca shoviniste ruse, në bashkëpunim me Millosheviçin kishin organizuar, ardhjen, “pushtimin” e përkohshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, nga KFORI- rus, i cili konvoj, në kundërshtim me Komandën e NATO-së, kishte ardhur drejtpërdrejt nga Bosnja dhe Hercegovina.
Komunikimi i Serbisë me Rusinë, pra, në periudhat para dhe gjatë, luftës në ish Jugosllavi ishte zhvilluar përmes armatës dhe përmes Kishës Ortodokse Serbe, e cila i kishte ripërtërirë lidhjet me Kishën Ortodokse Ruse, mbi ideologjinë e ortodoksisë, pansllavizmit dhe anti Perëndimit! Edhe sot, Serbia, udhëheqja shtetërore, bota akademike, Kisha Ortodokse Serbe, mediet etj. janë vënë në shërbim të interesave ruse në Ballkan, duke e stërmadhuar mitologjinë serbe sipas të cilës, Rusia, gjoja është mbrojtja e pazëvendësueshme e interesit nacional serb…Deri më tani, presidenti serb, Vuçic ka realizuar 13 takime me presidentin Putin. Serbia vazhdon ta intensifikojë fuqishëm përkrahjen e politikës shtetërore, imperialiste të Rusisë, sepse në të e sheh edhe mundësinë për realizimin e qëllimeve pushtuese të Serbisë në raport me shtetet dhe popujt e Ballkanit. Politikat e Rusisë dhe të Serbisë, veçmas aleanca Putin – Vuçiç janë kundër gjeopolitikës amerikane, kundër Rendit të Ri Botëror, pra, edhe kundër forcimit të BE-së.
Serbia e sotme, qeveria, politika zyrtare me në krye Vuçiçin, është në të njëjtat pozicione, të politikave imperialiste, sikur Qeveria e Nikolla Pashiçit, e Sllobodan Millosheviçit, e Vojisllav Koshtunicës. Pra, politika shtetërore e Serbisë, është në aleancë me politikat shtetërore të Rusisë, politikat imperialiste, politikat e pushtimit, politikat e konceptit të ideologëve të ideologjisë serbomadhe, Ilia Garashaninit, Vasa Çubrilloviçit, Ivo Andriçit, Dobrica Qosiçit, Vojisllav Sheshelit dhe të gjithë shovinistëve të sotëm serbë, të cilët, në bashkëpunim edhe me Kishën Ortodokse Serbe armiqësisht zhvillojnë politika kundër popullit shqiptar dhe veçmas Kosovës!
Objektivi i Programit Nacional Serb, në aleancë të përhershme me Federatën Ruse është, “Serbia e Madhe”, me shkëputjen e Veriut të Kosovës si dhe, ndërkohë, me bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë! Kjo politikë shtetërore e Serbisë është gjithnjë e më agresive, e hapur, ndërkohë që, BE-ja bëhet sikur nuk e kupton, ose, ka frikë nga përballja me Rusinë dhe interesat e saja në Ballkan. Faktori shqiptar, nuk është sa duhet vigjilent për të kuptuar këtë rrezik dhe aq më pak, është unik, i bashkuar për të ndërtuar Programin Nacional Shqiptar, i cili, i projekton interesat strategjike mbarëkombëtare, së paku deri në fund të shek. XXI!