Prishtinë, 02. 10. 2015: (Përmbledhje) – Në studim shqyrtohet çështja e kontinuitetit iliro-arbëror në arealin e Kosovës, problem shkencor ky i cili, për shkaqe të politikës ditore, është instrumentalizuar skajshmërisht deri në ditët e sotme. Politizimi i historisë së lashtë të Kosovës zë fill me Krizën Lindore, kohë kjo kur zunë fill të hartoheshin programet e agresionit serbomadh për Ballkanin. Këto programe të inspiruar nga historia extrashkencore e veshur me mite, legjenda dhe këngë popullore, shprehnin aspiratat serbe për të kërkuar djepin e tyre në Kosovë, Vojvodinë, Kroaci, Dalmaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Programet e këtilla të mbështetura në historinë e instrumentalizuar, janë përkrahur gjithherë fuqimisht nga qarqet politike me rastin e kthesave të mëdha historike, që kanë përfshirë Ballkanin. Fjalët kyç: Dardania dhe dardanët në antikitet, arbrit dhe Kosova gjatë mesjetës, koncepte këto gjeopolitike, etnike, religjioze dhe kulturore, të cilat janë të njohura në burime të kohës të pasuara sipas zhvillimit kronologjik.
***
Treva e Kosovës ruan dëshmi e monumente arkeologjike nga fillimet e neolitit (6000-2600 p. e. sonë). Nga kjo kohë u ngritën vendbanimet e para, si Tjerrtorja (Prishtinë), Glladnica (Graçanicë), Rakoshi (Istog), Fafosi e Lushta (Mitrovicë), Reshtani e Hisari (Suharekë), Runiku (Skenderaj) etj. Qysh në periudhën e bronzit, treva e Kosovës ka qenë e banuar nga ilirët dardanë; territori i shtrirjes të kësaj treve ishte shumë më i gjerë sesa territori i sotëm i Kosovës.
Ilirët kanë qenë një nga popullsitë më të mëdha të Evropës. Për rëndësinë e ilirëve dhe qytetërimit evropian, studiuesi arbëresh i Zarës, A. Stipçeviq, thekson se “çdo tregim për Ballkanin fillon me ilirët”.
Janë bërë përpjekje nga disa qendra ballkanike, sidomos kohëve të fundit nga Akademia e Shkencave Serbe, për të ngushtuar territorin e banuar nga ilirët. Në këtë vazhdë shtrohet zhurmshëm çështja ilire dhe etnogjeneza e shqiptarëve dhe, duke u mbështetur në politikën e çastit,
kërkohet të “përmbyset” realiteti historik i ilirëve në përgjithësi dhe, në veçanti, realiteti i njërit ndër fiset më të rëndësishme ilire, ai i dardanëve. Mirëpo, Herodoti (shek. V. p. e. sonë), në Historinë e tij të njohur na bën me dije se territori i sotëm i Kosovës ishte pjesë përbërëse e trojeve ilire. Polineu bën fjalë për organizimin e Shtetit Dardan nga gjysma e parë e shek. III. p. e.Sonë.
Po ashtu, hartografia e kohës antike, si p.sh. Tabula Peutingeriana, dhe gjeografi i shquar, Ptolomeu, ofrojnë të dhëna për shtrirjen gjeografike të Dardanisë, të cilat mund të ndiqen përmes kufijve veriorë Novi-Pazar-Nish, gjithë trevës së Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore me kryeqendër Shkupin.
Nga fundi i shek. III, sidomos në shek. IV të e. së re, Perandoria Romake hyri në një periudhë krize të gjatë. Pas ndarjes së saj më 395, Kosova qe përfshirë në Provincën Dardania, e cila, sikurse edhe provincat e tjera jugore ilire, hyn në përbërjen e Perandorisë Romake të Lindjes, në Perandorinë Bizantine. Gjatë kësaj kohe janë vërejtur, në mjaft vendbanime të lashta, dukuri të reja që kanë të bëjnë me gjallërimin epopullsisë autoktone dhe me forcimin e karakterit etnik të saj. Në këtë kohë, edhe Dardania ishte një nga krahinat ballkanike më pak të romanizuara. Popullsia e saj vendase duket se kishte ruajtur më shumë se popujt e tjerë individualitetin dhe vetëdijen etnike. Nuk duhet përjashtuar, pra, mundësia që dardanët, të cilët i shpëtuan romanizimit, të kenë mbijetuar migracionet sllave dhe të kenë dalë në Mesjetë me emrin alban (arbër).
Të kësaj kohe janë edhe mbishkrimet e Dardanisë, që tregojnë për një formë të qëndresës së popullsisë kundër sundimit romak. Burimet e ruajtura të kësaj periudhe flasin për afro 20 qytete të njohura në provincat jugore të Ilirisë. Në mesin e tyre përmenden edhe qendrat e Dardanisë, si Shkupi e Ulpiana. Shkupi, në trajtë origjinale ilire, u ruajt gjatë gjithë shekujve të historisë sonë. Prandaj, shumë linguistë të shquar shpjegojnë, sipas trajtës Shkupi, etimologjinë e etnonimit Shkypetar dhe prej këndej emrin e vendit Shkypeni.
Trajtë fonetike ilire-shqipe zhvilluan edhe emrat e qyteteve të tjera të Dardanisë, si p.sh. Nishi (Naissus), Binça (Arribantium), Lipiani (Ulpiana), Sharri (Scardus) etj. Nga këto të dhëna onomastike, si dhe nga fondi i më së 200 fjalëve të ruajtura nga leksiku bimor, del që Dardania ishte një nga vatrat e formimit të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Prandaj, prania shumë e lashtë e iliro – shqiptarëve në Dardani bëri që shumë studiues t’i shpjegojnë takimet intensive të shqipes së këtyre anëve me gjuhë të tjera të moçme të Ballkanit. Territori i sotëm i Kosovës, duke u ngjitur në Mesjetë, është ballafaquar me ekspansione sllave, avare dhe bullgare në Ballkan (shek. VI-IX). Burimet e kohës tregojnë për inkursionet e tyre deri në afërsi të Durrësit dhe Selanikut. U plaçkitën edhe qendrat më të mëdha të Dardanisë. Në veprën De aedificis të historianit të shquar Prokopi (?-565) del se perandori Justinian (527-565) rindërtoi 61 kështjella e qytete dhe ngriti 8 kështjella të reja. Duke u nisur prej antikitetit të vonë në mesjetën e hershme, qytetet e Dardanisë mbetën edhe më tej qendra të njohura të jetës ekonomike dhe ndërlidhëse në transmetimin e kulturës materiale e shpirtërore të lashtësisë ilire në mesjetën arbërore. Pati edhe qytete ku jeta e tyre perëndoi gjatë shek. VI-VII. Elemente kulturore arbërore të mesjetës së hershme, si vegla pune, armë, enë balte e ndonjë stoli, edhe pse ende të kufizuara, ndeshim edhe në hapësirat e Kosovës.
Këtu janë gjetur gjithashtu fibulat karakteristike të kulturës së Komanit. Nga kjo del se dardanët hynë në mesjetë me një zhvillim të përparuar ekomomik e shoqëror. Qytetet arbërore të mesjetës së hershme kishin të përbashkët me ato të antikitetit të vonë edhe fizionominë qytetare. Inkursionet kalimtare e shkatërruese të sllavëve nuk kanë lënë asnjë gjurmë në kulturën materiale e shpirtërore të popullsisë autoktone. Që këtej, ndonjë vendosje të një shkalle të gjerë nuk ka pasur në Kosovë.
Në historinë e Kosovës, mesjeta e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme, sepse me të është i lidhur formimi i popullit shqiptar, i gjuhës dhe i kulturës së tij. Ajo është periudha më pak e ndriçuar nga burimet e shkruara. Prandaj, duhet domosdo të konsultohen edhe burimet arkeologjike e gjuhësore. Pastaj, në burimet tregimtare të kësaj kohe, edhe emërtimi i Dardanisë zuri të përmendet shumërrallë. Emërtimi Dardania, si koncept administrativ e gjeografik, qarkullon në dokumentet e kohës deri në shek. XI. Emërtimi Kosova, zuri fill të përdorej pas Betejës së Kosovës (1389). Emërtimin në fjalë, në dokumentet zyrtare raguzane, e ndeshim edhe në vitin 1405. Është fjala për „boschi de Chossoua“ diku në rrethet e Vuçiternit. Emërtimin Kosova e ndeshim edhe te humanisti novobërdas, Martin Segoni (shek.XV). Krahas emërtimit Kosova, Segoni përdor, sipas modëshumaniste, edhe emërtimin Dardania dhe Mizia.
Riaktualizimi i emërtimit Dardania për Kosovën është një formë shprehëse edhe për humanistët e tjerë arbërorë dhe të huaj, të cilët përdorin në shkrimet e tyre terma të njohur të antikitetit. Dëshmitë historike, arkeologjike e linguistike provojnë me të drejtë se Kosova nuk mund të konsiderohet djep i formimit të shtetit serb, siç theksohet nga ndonjë historian jo serioz, sepse ky shtet nuk lindi dhe nuk qëndroi këtu për shumicën e kohës së ekzistencës së vet, por në treva të tjera me popullsi serbe, si ajo e Rashës. Siç veprohej zakonisht në mesjetë, qendra e këtij shteti lëvizi nga një territor në tjetrin. Ai vetëm për një periudhë kohe, dhe veçanërisht në gjysmën e parë të shek. XIV, bëri epiqendër Kosovën. Kjo kohë përkon me ndërtimet apo rindërtimet e kishave dhe të manastireve nga mbretërit e Rashës në këtë trevë, si p.sh. ai i Deçanit, Shenjtorëve Mihal e Gabriel, i Pejës, i Banjskës e Graçanicës, me qëllim që të intensifikohej më tepër kolonizimi serb dhe të sigurohej kthimi i popullsisë arbërore në popullsi ortodokse serbe, si rrugë për asimilimin etno-kulturor të saj.
Shembulli që paraqet treva e Kosovës, ku për një kohë u vendos qendra politike e kishtare e shtetit nemanjid, dhe ku ekzistoi një ndryshim etnik midis klasës sunduese, aparatit shtetëror – ushtarak e kishtar serb dhe popullsisë autoktone arbërore, siç konstaton me të drejt studiuesi, S. Pollo, nuk është as i pari e as i vetmi rast në historinë e mesjetës së Evropës. Mirëpo, të barazosh këtë segment mbi këtë strukturë të ardhur në një kohë të caktuar historike, me popullsinë autoktone, siç veprojnë studiuesit serbë, do të thotë ta shuash, p.sh., tokën austro-gjermane dhe të gjitha ato territore të Kroacisë e Sllovenisë, apo Ballkanin e tërë (gjatë shekujve të sundimit osman), ku vetëm klasa sunduese, monumentet sakrale, borgjezia e qyteteve, ishin përkatësisht gjermane apo turke.
Në mesjetë, arbrit shfaqen si një popullsi e vjetër e krishterë me një kulturë më tepër qytetare, e cila qëndronte më afër grekëve dhe romanëve sesa sllavëve të ardhur rishtas. Përvjetërsinë e krishterimit ilir-arbëror dëshmojnë disa mbetje të terminologjisë së vjetër latine në gjuhën shqipe dhe toponime të shumta të prejardhura prej emrave të shenjtëve. Sipas dëshmive që dalin nga dokumentet mesjetare, çdo shqiptar mbante dy emra: i pari, ishte një emër i krishterë (rrallëherë roman ose kombëtar), kurse i dyti ishte shpesh emri i farefisit ose i fshatit (më rrallë emërtimi i një tipari vetjak). Është e njohur që gjatë mesjetës së hershme (VI-XI), trojet shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të papatit, ndërkaq në aspektin administrativ-juridik, ato qenë të lidhura me Perandorinë Bizantine. Përfundimisht, me ndarjen e kishës, në vitin 1054, në Kishën Perëndimore me seli në Romë dhe në Kishën Lindore me seli në Kostandinopojë, një pjesë e trojeve shqiptare mbeti nën ndikimin e kishës katolike, domethënë të qytetërimit Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër mbeti nën ndikimin e kishës lindore-ortodokse. Meqë shteti serb kishte përqafuar fuqimisht jo vetëm ritin bizantin, por edhe ligjet e tij të mishëruara me ortodoksinë serbomadhe, ai bëri presion të përhershëm për t’i konvertuar në ritin ortodoks serb, jo vetëm mbi besimtarët katolikë, por edhe mbi besimtarët ortodoksë të ritit bizantin. Për konvertimin e shqiptarëve bëhet fjalë edhe në nenet e Kodit të Dushanit. Këtë dukuri, si dhe kthimin e kishave katolike në serbo-ortodokse, e pohon edhe vetë perandori Dushan në një letër „pendimi“ që mbante datën e vitit 1354 për papën Inocent VI. Me këtë politikë, mbretëritë serbë, Dushani sidomos, synonin, në thelb, t’i zhduknin barrierat kulturore e
fetare, që i veçonin dhe i dallonin shqiptarët si të tillë. Pra, kjo politikë shpinte drejt një asimilimi etno-kulturor. Pasojat e kësaj politike të dhunshme duken, me një qartësi të veçantë, në të dhënat antroponomike, që shihen më së miri nga krisobulat e mbretërve nemanjidë dhuruar manastirit të Deçanit, Banjskës, Graçanicës, Shenjëtorve Mihal e Gabriel në Prizren. Një politikë e këtillë u kundërshtua jo vetëm nga zyra e papatit, por edhe nga sunduesit arbërorë, sidomos nga princërit Ballshaj, të cilët, pasi zotëruan Pejën, qendrën e kishës serbe nga mesi i shek. XIV, bënë përpjekje t’i kryesonin së pari kuvendet kishtare në Pejë (1375, 1385), në mënyrë që pastaj të ndërmerrnin hapa vendimtarë në dëbimin e patriarkut nga selia.9
Një përpjekje e këtillë u bë realitet pas vitit 1380, kur kisha serbe u shpërngul prej Kosovës në Zhiçë të Rashës, prej nga, më parë, ishte transferuar këtu. 10
Dihet mirëfilli që serbët e përqafuan krishterimin shumë vonë, diku nga fundi i shek. IX pas Krishtit. Pasi e kemi të njohur këtë term të nismës së krishterimit serb, term që nuk është kundërshtuar deri më sot prej asnjë studiuesi serioz, si dhe shekullin XIII, term ky që simbolizon pushtetin serb mbi trevën e Kosovës, nuk është vështirë t’u vihet një kufi kronologjik ndërtimeve sakrale katolike e ortodokse të Kosovës, ku vetvetiu mund të ndahen në ato paraserbe dhe në ato serbe gjatë shek. XIII-XIV. Megjithatë, edhe ndërtimet sakrale të shek. XIII-XIV nuk mund të firmosen vetëm si ndërtime sakrale serbe, sepse, po në këtë kohë, u ngritën shumë kisha, kuvende e katedrale katolike, si p.sh. në Janjevë, Novobërdë, Mitrovicë, Prizren, Prishtinë, Trepçë, Vuçitërnë etj., të cilat u rrënuan tërësisht gjatë shekujve të sundimit serb, osman, si dhe midis dy luftërave botërore. Gjurmë të tyre ruhen edhe sot në disa gërmadha e dokumente të ruajtura të kohës. Po ashtu, është e njohur që mbreti Milutin financoi rindërtimin e kishës katedrale kushtuar Zojës Prene në Prizren dhe manastirin Graçanica, të njohura si ndërtime paraserbe, të ngritura diku rreth shek. IV-XI, të cilat, sipas burimeve relevante, konsiderohen si ndërtime sakrale katolike. Në fillim të shek. XIII u ndërtua Kisha e Apostujve në Pejë. Në të vërtetë, kjo kishë, që sot gjendet në kuadër të kompleksit të kishave të Patrikanës së Pejës, si dy të parat, është rikonstruktim i një ndërtimi të vjetër, të cilit iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Kisha e manastirit të Deçanit, që është ndërtuar gjatë sundimit të mbretërve nemanjid Stefan Deçani dhe Dushan (1327-1335), 11 është vepra më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria e ardhur nga bregdeti.
Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendej dhe një mbishkrim i gdhendur i arkitektit shqiptar dom Vita Cuçi. Po ashtu, është ruajtur edhe e dhëna se dom Vita ndërtoi me 30 gurë skalitës Manastirin e Deçanit. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është fakti se të gjitha ofiçinat e gurskalitësve janë të njohura, si p.sh. ajo eTivarit, e Ulqinit, e Kotorrit e Korçullës. Ndërkaq, njëri ndër gurskalitësit e përmendur qe Miho (Mikel) Tivarasi, skulptor zulmëmadh i shekullit XIV, autor i klaustrit së Kuvendit Françeskan në Raguzë.12
Gjatë shekujve të Mesjetës, për shkaqe të faktorit të jashtëm politik, emërtimi etniko-gjeografik Arbanon nuk përfshinte gjithherë të gjitha trojet arbërore, pra nuk përfshinte as territorin e sotëm të Kosovës. Edhe pse gjatë gjithë mesjetës ekzistonin formacionet politike arbërore, emërtimi Arbanon u shfaq në dokumente të kohës aty nga mesi i shek. XI. Mirëpo,mund të thuhet se përhapja e emërtimit Arbanon edhe pas kësaj periudhe, nuk është kushtëzuar ekskluzivisht nga shtrirja e popullsisë arbërore kompakte, por në të shumtën e rasteve, si ishte zakon gjatë mesjetës, ishte i varur edhe nga faktori politik.
Nëse përcillen shfaqjet e emërtimeve Dardani dhe Arbëri gjatë mesjetës së hershme, është interesante të konstatohet se emërtimi Arbëri e zëvendëson emërtimin Dardani edhe në pjesën e territorit të sotëm të Kosovës. Me formimin e shtetit të Arbrit në kapërcyellin e shek. XII, shumë troje etnike shqiptare mbetën jashtë kufijve shtetërorë. Jashtë këtyre kufijve mbetën edhe pjesa më e madhe e viseve të Dardanisë. Mirëpo, duke kaluar nëpër shekuj të mesjetës, emërtime gjeografike të kushtëzuara nga hapësira etnike kompakte, si Arbëri ose Epiri, i ndeshim bukur shpesh edhe jashtë kufijve të tyre administrativë. Të tilla njoftime ndeshimtek Abati i Diokles nga gjysma e dytë e shek. XII, që njofton se Rasha ose Serbia është shtrirë deri në Arbëri (kupto treva eLlapit të sotëm) 13. Si pjesë të Arbërisë, Kosovën e ndeshim te kronisti francez i shek. XIV Filip de Mezier , i cili dëshmon se Beteja e Kosovës u zhvillua në pjesën e Arbërisë. 14 Mendime paksa identike lexojmë në vëllimet e Analeve të Forlit (Itali), ngashek. XV. Edhe sipas udhëpërshkruesit francez të shek. XV, B.de la Broquiere, pjesa dërmuese e Kosovës përfshihet në kuadër të konceptit Arbëri.15
Njoftime të këtilla ndeshim edhe nëdokumentacionin austriak, italian e osman të shek. XVI-XVIII, si p.sh. njoftimet “Prishtina ndodhet në Arbëri“, “Prizreni, kryeqytet i Arbërisë”, “Peja e Shkupi përfshihen në Arbëri“. Pjetër Bogdani cilësohej „argjipeshkëv i Arbërisë” etj. 16 Gjatë luftërave austro – osmane, pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit ishte në anën e ushtrisë austriake. Së këtejmi, në muajin nëntor 1689, kur forcat austriake hynë në Prishtinë, u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, ndërsa në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë. Këtu komandanti i forcave austriake gjenerali Pikolomini zhvilloi bisedime me krerët e kryengritësve, me argjipeshkvin e Shkupit, Pjetër Bogdani. Në mënyrë ekuivalente me konceptin Kosova pjesë e Arbërisë apo e Shqipërisë, dokumentacioni i kohës dëshmon edhe për Kosovën në kuadrin e konceptit Epir. Të tilla janë njoftimet: “Hasi, jo shumë larg Prizrenit, provincë në Epir”,“Pikolomini erdhi në Prishtinë që me epirotët t’i kryente negociatat e filluara më parë“, “Peja, në Epir“ (“Ipek liegt inEpirus“), “Prizreni në Epir”, “Shkupi në Epir“ etj.17 Përveç koncepteve Kosova si pjesë e Arbërisë dhe e Epirit, Kosovën në dokumente të llojllojshme e ndeshim si një koncept më të gjerë, si p. sh., lajmet për Betejën e Parë e të Dytë të Kosovës (1389, 1448), korrespondencat e kancelarisë raguzane nga viti 1474, lajmet që arrinin prej Kosovës në Firence gjatë Luftës austro-osmane 1683-1699. 18
Ajo që tërheq më tepër vëmendjen rreth çështjes së shtrirjes së konceptit Arbëri në territorin e Kosovës së sotme, është fakti që, fill pas shembjes së Perandorisë Serbe me vdekjen e Dushanit (1355), u mëkëmbën formacione politike të pavarura, si Principata e Shkodrës, Principata e Durrësit, Despotati i Artës, Despotati i Beratit etj. Siç është e njohur, ky proces me rëndësi të madhe historike u ndërpre nga pushtimi osman, i cili u derdh në trojet shqiptare në vitet e fundit të shek XIV. Gjatë tërë kësaj periudhe, territori i Kosovës, u bë, pothuajse në tërësi, pjesë përbërëse e zotërimeve arbërore të familjeve Ballshaj, Kastrioti e Dukagjini. Atëbotë, popullsia e Kosovës u bë subjekt i historisë së vet dhe një faktor me peshë në zhvillimin historik të Ballkanit Perëndimor, ku takoheshin dy etni: ajo arbërore dhe sllave jugore. Faktori politik-shtetëror shqiptar i dha rast popullsisë të Kosovës të afirmonte më tej gjuhën, kulturën dhe religjionin. Praninë e popullatës arbërore si faktor me rëndësi në Kosovëe vërteton edhe pjesëmarrja e gjerë e tyre në betejat e mëdha që u zhvilluan kundër ushtrive osmane në vitin 1389 dhe 1448.
Sipas burimeve historike, Beteja e Parë e Kosovës nuk ishte vetëm një ndeshje luftarake midis pushtuesve osmanë dhe ushtrive të shtetit serb, që atëbotë pjesërisht e sundonte Kosovën, por një betejë e madhe e forcave të koalicionit të feudalëve ballkanas. Burimet që i referohen kësaj beteje dëshmojnë se në anën e koalicionit, përveç princ Lazarit, sundimtar i Rashës, banit të Kroacisë, mbretit të Bosnjës, morën pjesë edhe princërit arbërorë, si Gjon Kastrioti, Theodori II Muzaka (ra në betejë), Dhimitër Jonima, Gjergj Balsha. Epilogu i betejës së Kosovës qe disfata e ushtrisë krishtere dhe vdekja e dy prijësve. Sulltan Murati u vra pas betejës nga dora e Milosh Kopiliqit, kurse princ Lazari, pasi u zu rob, u ekzekutua. Ky rikonstruktim i ngjarjes, i bërë në vija të trasha, dëshmohet nga burimet e ruajtura relevante të kohës, gjë që është pranuar edhe nga të gjithë historianët seriozë të botës. Mirëpo, ruhet edhe teza serbe rreth Betejës së Kosovës (1389) që zë fill nga shekulli i kaluar, e cila, e përkrahur me këmbëngulësi nga shkenca dhe publicistika e ditës, e nxjerr atë nga realiteti historik dhe e vë në rrafshin mitologjik e legjendar, duke shfrytëzuar mungesën e dokumenteve zyrtare. Duke instrumentalizuar argumentet shkencore, del se gjoja në Fushë-Kosovë me 1389, luftuan kundër osmanëve vetëm serbët. Pikëpamje të këtilla u kundërshtuan edhe nga disa historianë të mëdhenj serbë sip.sh., medievisti M. Dinić, i cili rreth kësaj ngjarjeje konstatonte se “Në të kaluarën tonë të gjithëmbarshme ndoshta nuk ka ngjarje për të cilën do të ishin të nevojshme burimet, për t’u bërë dallimi ndërmjet elementeve legjendare dhe reale”. Ndërkaq, historiani I. Ruvarac, përfaqësues i shkollës kritike serbe të shekullit XIX, duke bërë fjalë për princ Lazarin, theksonte se, “përrallat dhe përrallëzat popullore”, që u thurën shumë kohë pas Betejës së Kosovës janë vetëm “tregime të imagjinuara mirë”, ndaj ai dyshon në vërtetësinë edhe vë në dukje se “autori i sotëm i historisë nuk mund t’i përdorë ato“tregime”.19 Shembujt e mësipërm flasin bindshëm që miti për Kosovën, i cili lindi shumë kohë pas Betejës së Kosovës dhe po gjallëron edhe në ditët e sotme, nuk ka asnjë vlerë historiografike, me gjithë vlerat letrare e artistike.
***
Një tjetër çështje historike, që bie ndesh me realitetin historik, i cili imponohet zhurmshëm nga qarqet politike e shkencore serbe, është përdorimi i konceptit “Metohi” për pjesën jug-perëndimore të Kosovës së sotme. Në dritën e ngjarjeve të sotme na bëhet e qartë që riaktualizimi i emërtimit Metohi, është në funksion të politikës. Është interesante të theksohet se ky kuptim artificial pa ndonjë mbështetje historikemerr në letrat që shtypën sot me qëllime propagandistike kuptim edhe më të gjerë sesa u fiksua nga përfaqësuesit e shkollës garashaniane. Më konkretisht, emërtimi “Metohija”, që tash zë vend edhe në jetën zyrtare të qarqeve serbe, si një kujtim gjeografik, i destinohet një pjese të territorit të sotëm të Kosovës, përkatësisht territorit midis Pejës dhe Prizrenit, duke përfshirë këtu edhe qytet në fjalë. Në të vërtetë, në terminologjinë e leksikut mesjetar të burimit të kishës ortodokse, termi “metohi”, “meteh”nuk përmban, sipas dokumenteve mesjetare sllave, latine dhe greke, atributin e një kuptimi gjeografik, por gjithherë del, në dokumente të kohë, si një term që ka kuptimin e një prone kishtare (metohion apo terramonasterio) apo pronë fshati, shtëpie, vreshti, pemishte etj. Poashtu edhe në dokumentet osmane të shek. XV-XX, nuk ndeshet asnjë e dhënë për kuptimin gjeografik të termit “metohija”.
Është me interes të theksohet këtu se çfarë toponimesh u gjetën në Kosovë në fund të shek. XII deri në fillim të shek. XIII, para se të vendosej administrata e Mbretërisë së Nemanjidëve, por këto të dhëna të dorës së parë, i ndeshim, veç tjerash, edhe në biografitë e Shën Savës dhe të Stefanit të Kurorëzuar, që i kushtohen babait të tyre, Stefan Nemanjës. Në biografinë e të parit hasim këtë të dhënë: “Mori nga bregdeti vendin Zeta me qytete, nga Rabani (Arbëria-J.D.) të dy Pultet, nga toka greke, ndërkaq mori Patkovën (territori i Gjakovës së sotme-J.D.), Kostërcën dhe Dërshkovinën (fshatra në territorin e Pejës-J.D.), Podrimën, Sitnicën, Llapin dhe Lipjanin […]“. 20 Ndërkaq, në biografin e të dytit hasim në këtë të dhënë: “Mori […] territorine Prizrenit dhe të dy Pologët në tersi […]”. 21
Siç shihet nga dokumentet në fjalë, edhe pse në to përmenden gati të gjitha pjesët e rajonit të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, atëbotë fare nuk ka ekzistuar emërtimi a nocioni gjeografik “Metohija”. Toponimi në fjalë nuk përmendet as në Kartën e Hilandarit të përpiluar në vitet 1200-1202, si dhe në krisobula, hagjiografi, tipikët, biografi të kohës së nemanjidve dhe më pas. Është për të vënë re se edhe në përmbledhjet më përfaqësuese të dokumenteve serbe të hartuara dhe të përmbledhura nga medievistët serbë, St.Novakoviq dhe Lj.Stojanoviq, emërtimi “metohija” ndeshët shumë shpesh, por gjithherë në kuptimin e një prone kishtare dhe asnjëherë si kuptim gjeografik, që do të kishte kuptimin e territorit të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit. 22
Gjatë tërë kohës së sundimit nemanjid (shek. XIII-XIV) dhe më pas, krahas territoreve të Prizrenit, Hvosnos dhe Patkovës, të cilat u zunë ngojë më lartë, përmendet edhe territori Altin, i cili përfshinte arealin midis Deçanit dhe Gjakovës. Në anën tjetër, pas zhbërjes së shtetit nemanjid (1355), filluan të zgjerohen në këtë pjesë të Kosovës zotërimet e familjeve princore Balshaj, Dukagjini e Kastrioti. Me pushtimin e territorit të sotëm të Kosovës nga osmanët (1455) dhe me vendosjen e administratës osmane në këtë anë, territoret e Pejës dhe të Gjakovës zunë të quheshin Dukagjin, domethënë hynë në kuadrin e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili është shtrirë midisAdriatikut dhe Sanxhaqeve të Hercegovinës, Vuçitërnës, Prizrenit dhe më vonë Shkodrës. 23
Territoret e Pejës dhe të Gjakovës ishin pjesë e kësaj njësie administrative osmane derinë vitin 1783, kur Sanxhaku i Dukagjinit pushoi së ekzistuari. Atëherë kuptimi gjeografik u ngushtua vetëm në nahijen e Pejës, e cila hyri në kuadrin e Sanxhakut të Shkodrës. Me përfshirjen e njësive të reja administrative osmane, përkatësisht vilajeteve, Peja, si qendër e kadiut, hyri në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit. Në vitin 1874, qyteti në fjalë hyri në kuadrin evilajetit të Kosovës. 24
Është me rëndësi të theksohet se fjala Dukagjin në gjuhën serbokroate ka pasur prej shek. XIX kuptim të dyfishtë. Në radhë të parë si emër personi dhe principate, pastaj si kuptim gjeografik. Këtu është me rëndësi të përmendet fakti se gjuhëtari serb V. Karaxhiq, në fjalorin e vetë bën dallimin ndërmjet emrit personal Dukagjin dhe territorit Dukagjin. Ky studiues përdor për herë të parë në fjalorin e vet krahas toponimit Dukagjin, edhe kuptimin gjeografik “Metohija”, e cila, sipas tij, përfshinte Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe manastirin e Deçanit. 25
Në fillim të shek. XX, studiuesit serbë, St.Novakoviq dhe J.Cvijiq dhe disa përkrahës të mëvonshëm të studimeve të tyre, duke mos u mbështetur fare në burimet historike, ngritën tezën për ekzistimin e emrit Metohija , që kishte kuptim territori midis Prizrenit e Pejës. Këtë tezë e mbështesim në faktin që termi “Metohion”, përkatësisht “Metohija” në gjuhën greke ka kuptimin e pronës së manastireve dhe në këtë aspekt, shumë fshatra të territorit në fjalë kanë qenë pronë manastiresh. 26 Është e ditur që kisha ortodokse zotëronte gjatë mesjetës manastire jo vetëm në këtë pjesë të territorit të sotëm të Kosovës, por edhe në mbarë Kosovën dhe në Serbi, pastaj në një pjesë të Greqisë (Hilandar), të Bosnjës, M. të Zi etj. Sipas kësaj logjike, studiuesit e lartpërmendur dhe përshkruesit e tyre është dashur t’i quanin të gjitha territoret e mbretërisë mesjetare nemanjide, ku kishte “metohion“ apo “metohija“ të kishës ortodokse, me emrin e përbashkët Metohija.Duke marrë parasysh të gjitha burimet historike të njohura, mund të themi me plotë gojën se territori i Pejës, i Gjakovës dhe Prizreni i sotëm nuk ka pasur asnjëherë deri në vitin 1945, kuptimin gjeografik metohija. Përkundrazi, prej shek. XV e deri në vitin 1945 ruante konceptin gjeografik Rrafshi i Dukagjinit, apo shkurt Dukagjin.
Një faktor me rëndësi në ruajtjen e kontinuitetit ilir-arbëror, në Kosovë është edhe zhvillimi i jetës shkencore dhe kulturore. Është e njohur se historia e zhvillimit të shkencës, kulturës dhe arsimit në Kosovë, ruan një traditë të largët. Ajo tregon se me paraqitjen e civilizimit më të hershëm evropian, pra nga ilirët, e më vonë gjatë mesjetës, në trojet e rrudhura arbërore u zhvillua një përvojë e madhe e njohjes, që u transmetua brezi pas brez. Me ngritjen e qyteteve të njohura të Evropës gjatë shekujve të antikitetit dhe mesjetës, krahas tyre u zhvilluan edhe qytete te njohura të Kosovës, të cilat falë begative të mëdha natyrore, arritën një shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik e kulturor. Këto qendra ishin në marrëdhënie të drejtpërdrejta me qytetet e njohura evropiane, gjë që u realizua sidomos përmes raguzanëve, venedikasve dhe relatorëve të papës, të ardhur në Kosovë, në një anë, dhe në anën tjetër, arbërve të mërguar apo të shkolluar në qendra të mëdha të dijës evropiane si, bie fjala, në Bolonjë, Padova, Paris, Raguzë, Romë e gjetiu. Këta shkollarë ishin bartës të ideve progresive e humaniste të kohës. Në mesin e tyre pati edhe historianë, filozofë, mjekë, letrarë, artistë dhe teologë, që bënë emër në Evropë. Nga vargu i këtyre krijuesve vlen të përmendën: Marin Segoni nga Novobërda (shek.XV), urologu Milo nga Prizreni (shek.XIV), Valerian Novobërdasi, GjonVaji nga Novobërda, Gjon Progoni nga Novobërda (shek.XV), Gjon Injaci nga Novobërda etj. 27
Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se shumica e autorëve të letërsisë së vjetër shqipe të shekujve XVI-XVII punuan në viset e Kosovës dhe u përpoqën, veç tjerash, edhe për përhapjen e arsimit shqip dhe për hapjen e shkollave shqipe. Shkrimtari i dytë që shkroi shqip pas Buzukut, Pal Hasi ishte kosovar nga Hasi. Në veprat e tij qe frymëzuar Pjetër Budi më 1599 dhe më vonë autorë të tjerë të hershëm të Kosovës. Edhe Pjetër Bogdani, Andrea Bogdani, e Lekë Bogdani, që vazhduan traditën e shkrimit të shqipes së Buzukut e Budit, ishin nga treva e Rrafshit të Dukagjinit. Pjetër Mazreku një tjetër dijetar shqiptar, pasi i kreu studimet në Itali, rreth vitit 1665, erdhi në Janjevë, ku iu përvesh mësimit në shkollën shqipe të Janjevës. Krijuesit dhe veprimtarët shqiptarë, të pajisur me dije dhe kulturë evropiane, tok me shkollat e kishat vendore, mbajtën frymën e qytetërimit autokton. E gjithë kjo mundësoi që prania e kulturës dhe qytetërimit evropian të mos e humbaste kontinuitetin edhe pas rënies nën sundimin pesëshekullor osman.
Përmbyllje
Në kohën e dyndjeve të mëdha, nga shek. VI, Sllavët e Jugut kishin kaluar Karpatet dhe Danubin për t’u ngulitur në Jug të lumit në fjalë. Këtu, gjatë mesjetës së hershme lindi shteti i Bullgarisë (shek. IX) dhe më pastaj shteti i Rashës (shek. XII, Serbija nemanjide). Para ardhjes së sllavëve, në Gadishullin Ballkanik ka jetuar popullata autoktone, pra, Ilirët dhe Trakasit. Pasardhësit e Ilirëve, Shqiptarët e sotëm, kishin ruajtur gjuhën, kulturën dhe religjionin e krishterë. Hapësira etnike e shqiptarëve gjatë mesjetës, edhe pse e ngushtuar në krahasim me arealin e paraardhësve të tyre – ilirëve, sipas të gjitha dokumenteve mesjetare (pra edhe krisobulave serbe), përfshinte përafërsisht territoret e sotme etnike të shqiptarëve. Kjo popullatë, gjatë gjithë mesjetës u gjend përball qytetërimeve Perëndimore romane dhe Lindore bizantine, si dhe përball pushtuesve të mëvonshëm serbë (nga shekulli XIII). Megjithatë, ajo gjatë mesjetës arriti t’i ruante tiparet etno-kulturore për të hyrë si popull i veçantë në Historinë Moderne.
(Fusnotat, burimet dhe literatura janë hequr)
___________________________________
Në vijim lexoni studimin në formatin PDF:
PROF.DR.JAHJA DRANҪOLLI: KONTITNUITETI ILIRO – ARBËROR NË AREALIN E KOSOVËS
https://aab-edu.net/downloads/01_2008_04_jahja_1vlXa.pdf