PROF.DR.MOIKOM ZEQO: SAGA DYRRAHASE

Pashtriku.org, 04. 02. 2014 – (Durrës o qytet i bekuar që je kërthizë e mëmëdheut. Naim Frashëri) – DY EMRAT – Gjeneza e një qyteti të motshëm si Durrësi nis në brymë të shekujve, shumë më përpara kronikës së tij. Ajo është e konservuar në themele, “në katin e nëndheshëm”, ku sekretet dhe enigmat e lashtësisë, ndonëse nuk janë ende të skeduara si një arkiv, prapëseprapë, duke dalë herë pas here në sipërfaqe, mbartin mesazhin e shekujve. Sipas kronikës, vendbanimi ilir ka ekzistuar përpara themelimit të qytetit nga kolonët dorikë në vitin 627 para erës sonë, ndoshta në formën e një emporiumi, të një stacioni ndërmesdhetar të lundrimeve detare e marrëdhënieve me pastokën ilire në brendësi.
Para 30 vjetëve, gjatë punimeve për thellimin e portit të ri, draga nxori një çekan prej guri e copëra qeramike parahistorike. Kjo dëshmi jashtëzakonisht e rëndësishme që e shtyn kronologjinë në prehistori, flet për vazhdimësi jete shumë më përpara se të konceptohej e të ngrihej qyteti antik.
Çështja e përcaktimit të saktë topografik të qytetit të Durrësit ka qenë objekt diskutimesh e studimesh të shumta. Ajo përmblidhet në pyetjet: – ku, në ç’pikë u ngrit qyteti fillestar, si kanë qenë lëvizjet e tij në hapësirë dhe në kohë?

—————————-

FLET MOIKOM ZEQO NË EMISIONIN “DYRRAH” PËR HISTORINË E DURRËSIT

Harta e Durrësit nga Giuseppe Rosaccio.

Arkeologjia ka dhënë materiale të mjaftueshme për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve.
Një studiues ka hedhur tezën se ka mundësi të kenë ekzistuar dy qytete:
– Dyrrahu dhe
– Epidamni – si dy qytete ilire të veçanta afër njëri-tjetrit.
Duke e zbërthyer këtë tezë, ai e cakton Epidamnin në Kepin e Lagjit, në kodrën e vogël ku ka qenë kalaja e Turrës, kurse Dyrrahun në pozicionin e sotëm të Durrësit.
Argumenti se rrënjën “damn” të emrit Epidamn mund ta gjejmën në emrin e fshatit Domn, në afërsi të Kavajës, mendojmë se nuk qëndron nga pikëpamja linguistike e as nga pikëpamja historike. Mjafton të përmendim se emrin Domn ose Domën e kanë shumë fshatarë të Shqipërisë, nga jugu në veri, (ndoshta ky emër ka mbetur te ne që nga sundimi anzhuin e lidhet me frëngjishten “domaine” (d.m.th. çiflik, pronë), kurse Epidamn ka pasur vetëm një në Shqipëri, prandaj afërsitë e tilla fonetike të jashtme nuk mund të jenë argumente të sigurta. Por le t’u referohemi burimeve historike.
Kronikhistorianët e antikitetit: Tukididi, Polibi, Diodori i Sicilisë, Tit Livi etj., përmendin qytetin Epidamn që është dhe emri më i parë në kohë. Straboni, i cili jetoi në vitet 63-20 para erës së re, thotë se:
“… pas qytetit Rizon dhe Lis vjen Epidamni. Ky qytet sot quhet Dyrrah dhe e mori këtë emër nga gadishulli mbi të cilin është ndërtuar” (d.m.th. nga gadishulli Dyrrahion, siç e quan Stefan Bizantini i shekullit VI të erës sonë). Lukiani, Jul Çezari, Ciceroni e quajnë qytetin vetëm me emrin Dyrrah) Dion Kasi (155-235 era jonë) e quan edhe Epidamn edhe Dyrrah njëkohësisht, po kështu edhe Ptolemeu i Aleksandrisë.
Nga këto burime kryesore të informacionit për qytetin, del se Epidamn në fillim duhet të jetë quajtur limani e bërthama e qytetit, kurse Dyrrah quhej gadishulli. Emri Epidamn me sa duket është ilir. Sipas I. Rusuit pjesa e përparme “epi” që ka karakter indoeuropian, do të thotë “mbi”, kurse “damn” vjen nga një rrënjë e vjetër “dama” – “me ndërtue” që e ka emri i qytetit tjetër ilir Damastion, pra Epidamn do të thotë “ndërtim i sipërm”.

Me kalimin e kohës emri Dyrrah nisi të mbizotërojë, ai bashkëjetoi ca kohë me emrin e parë të qytetit dhe më vonë u bë emri i vetëm përfaqësues, emri i sotëm. Epidamni përmendet si emër i qytetit edhe në shekullin XVI, në dokumentet ku bëhet fjalë për një shtypshkronjë të tipografit Poligor Korigiumi, por thjesht si një kujtim i vjetër i një emri relikt që s’përdorej më. I gjithë dokumentacioni historik si dhe zbulimet arkeologjike vërtetojnë se Epidamn dhe Dyrrah janë emra të të njëjtit qytet.
Për ta bërë më të qartë çështjen duhet parë lëvizja e qytetit në shekuj. Durrësi nuk ka qëndruar në një pikë.
Ka lëvizur nga veriu në jug, ku është ngulitur rreth zemrës së tij; portit. Shuflai ka folur për lëvizjen e pozicionit të Durrësit, Lezhës, Vlorës, Shkodrës e të qyteteve të tjera antike shqiptare si dhe në mesjetë e më vonë.
Kështu shpjegohet se ç’kuptonte Pauzania kur shënonte se qyteti i vjetër qe i braktisur nga banorët, të cilët qenë vendosur më në jug.
Edhe thëniet e Ana Komnenës e Gulielmit të Apuljes, për gërmadhat e qytetit më të lashtë dhe qytetit të ri, s’duhen interpretuar aspak sikur kemi të bëjmë me dy qytete.
Është i njëjti qytet që ka lëvizur brenda kufijve të vet.
Nga ana e tij, Leon Hezei e trajton drejt çështjen e mësipërme. Ai shkruan: “Ky qytet (Durrësi) kishte fatin e rrallë të kishte dy emra, nga të cilët njëri tingëllonte keq në veshët e helenëve e tjetri në veshët e latinëve”.
Duke hedhur poshtë mendimin se gjoja dy emrat paraqesin “pozicione të ndryshme”, ai shton: “Edhe sot mund të shikohen gjatë gjithë bregut të Greqisë e Turqisë qytete që paraqiten në shkallët e të njëjtit dyzim fillestar”.
Hezei e ndan Durrësin antik në pjesën e sipërme (akropolin) dhe në pjesën e poshtme (limanin).
LEGJENDA
Në cilin e legjendave dyrrahase vendin qendror e zë legjenda e themelimit apo e krijimit të qytetit.
Kjo është një legjendë që buron nga kohëra të hershme, të paktën që nga shekulli VII para erës së re, shekull ky që sipas traditës së shkruar u themelua qyteti.
Në burimet e shkruara, për herë të parë kjo legjendë del në veprën e Apianit (shekulli II i erës sonë).
Janë kështu afro dhjetë shekuj jetëgjatësi e legjendës popullore të pashlyeshme te banorët vendas, deri në regjistrimin e Apianit.
Në kohën e Apianit qyteti mbante emrin Dyrrah, por mbijetonte legjenda e emrit Epidamn. Ja si shprehet kronikani Apian: “Disa e quajtën këtë qytet Epidamn për këtë keqkuptim: mbreti i “barbarëve” ndërtoi pranë detit një qytet dhe e quajti sipas emrit të tij Epidamn. Djali i së bijës së tij, Dyrrahu, të cilin e konsiderojnë se rrjedh nga Poseidoni, ndërtoi pranë qytetit një liman të cilin e quajti me emrin Dyrrah. Me Dyrrahun, në luftën që i bënë vëllezërit, u bashkua Herkuli kur po kthehej nga Erytea, me kusht që të merrte një pjesë të tokës. Prandaj, dyrrahasit e quanin Herkulin si themelues të kolonisë dhe pjesëtar në tokë. Ata nuk e mohonin Dyrrahun, por krenoheshin më shumë me prejardhjen nga Herkuli si perëndi që është. Thuhet se në këtë betejë Herkuli vrau pa dashur Jonin, të birin e Dyrrahut dhe se vetë Herkuli e hodhi trupin e të vrarit në det, me qëllim që Joni të bëhej eponim i këtij të fundit”.
Këtë legjendë me ndonjë shtresë e tregon dhe Stefan Bizantini në shekullin VI: “Dyrrahu”, qytet ilir, u quajt Epidamn nga Epidamni, bija e të cilit ishte Melisa, nga kjo dhe Poseidoni lindi Dyrrahu. Prej saj ka në Epidamn një vend që quhet Melisonios, ku Poseidoni u bashkua me Melisën”.
Ndër të parët dijetarë që panë te legjenda e mësipërme një krijim autokton ilir ishte Hezei. Ai ka shënuar se: “Apiani… përmend një varg traditash lokale që ende nuk janë studiuar me vëmendjen e duhur që meritojnë” kurse nga I.I.Rusu, e N.G. Hamondi, kjo legjendë ilire më vonë nuk u interpretua drejt si në gjenezën e saj, ashtu dhe në mesazhin historik që mbante të fshehur nën veshjen mitologjike. Karakteri ilir i legjendës dhe vetë qyteti zihen në gojë shpesh te kronikhistorianët bizantinë. Madje kjo legjendë njihet edhe nga humanisti i madh shqiptar i shekullit XV-XVI, Marin Barleti.
Le ta analizojmë legjendën në fjalë.
Nga tekstet e mësipërme përftojmë një të dhënë kryesore:
-qytetin e ka ngritur në fillimin e tij mbreti “barbar” (kupto ilir) i quajtur Epidamn.
Apiani si regjistrues i legjendës deri diku e përçmon kur thekson se quajtja e qytetit Epidamn nga emri i themeluesit vendas “është një keqkuptim”. Kjo tregon se në kohën e Apianit, legjenda ishte tepër e gjallë te banorët e Durrësit, dhe, ndonëse Apiani mban këtë pozicion prapëseprapë nuk mund ta mohojë e të kalojë në heshtje faktin se legjenda është fiksuar thellë në ndërgjegjen e ilirëve, se një paraardhësi etnik i tyre e kishte ngritur qytetin. Në kohën e Apianit qytetin e kishin romakët.
Në strukturën e saj tregimtare legjenda pjesën që lidhet me emrin e qytetthemeluesit Epidamn, e ka më të vjetrën, para ardhjes së kolonistëve dorë, në 627 para erës sonë. Pra, legjenda nis të paktën nga fillimi i shekullit VII para erës sonë, kur ekzistonte vendbanimi i hershëm ilir, mbi të cilin u vendosën kolonistët.
Mbreti Epidamn ka krijuar një dinasti mbretërore, të cilën legjenda e konstrukton deri në katër breza.
Kështu, në shtjellimin e pjesës së parë të legjendës del qartë se vajza e Epidamnit e quajtur Melisa (brezi i dytë) bie në dashuri me hyun e detit, Poseidonin, e nga kjo dashuri lindi Dyrrahu (brezi i tretë).
Këtu tërheq vëmendjen fakti se ndërsa themeluesi i qytetit qe njeri (mbret), nipi i tij është lindur nga një njeri e një perëndi, pra kemi gjysmëhyjnizimin e tij.
Kjo karakteristikë e veçoi Dyrrahun nga vëllezërit e tij (me të cilët ka patur një nënë – Melisën).
Me vëllezërit Dyrrahu është në luftë për të drejtën e pushtetit e të trashëgimit mbretëror. Në këtë luftë, Durrahu ka qenë zot i qytetit dhe gjysmëhyjnizimi i tij (nisur nga parime politike, me sa duket) ka qenë një mjet për të përjetësuar të drejtën mbretërore të dinastisë, nën emrin e tij. Në këtë luftë, Dyrrahu ka qenë në rrezik për të humbur fronin. Në skenën e legjendës del Herkuli i ardhur nga Erythea, Dyrrahu ndërkohë ka ngritur limanin, të cilit i ka dhënë emrin. Me Herkulin shtjellohet pjesa e dytë e legjendës, e cila gjithashtu ruan një mit autentik ilir. Është fjala për emrin e Jonit (brezi i katërt), djalit të Dyrrahut, vrarë nga Herkuli, që duke u hedhur në det u bë aponim i tij.
Kemi këtu mitin ilir të Jonit, që nderohet nga ilirët vendas mbas vdekjes, i fundit pinjoll i dinastisë ilire (mbas Jonit legjenda nuk përmend më të tjerë).
Për të bërë më të qartë e të plotë këtë mit shtojmë se ilirët bregdetas të zonës nderonin një hy të tyre të quajtur Redon. Kepi i Rodonit, si toponim, na shtyn të mendojmë se në kepin në fjalë duhet të shikojmë jehonën e një kulti të hyut ilir të detit.

– Amfiteatri i Durrësit antik –

Ky kult ka qenë ditur nga themeluesit e vendbanimit ilir, ka qenë mbrojtës publik i tyre. Ja pse Melisa bashkohet me hyun e detit (që Apiani e quan jo me emrin e tij autokton ilir, por me emrin grek).
Ekzistenca e vendeve të kultit në natyrë është karakteristikë e paganizmit ilir. Legjenda e vërteton kur thotë se “në Epidamn ka një vend që quhet Melisonios, ku Poseidoni u bashkua me Melisën”.
Ky retushim i vendit të bashkimit emërton për ilirët e motshëm një vend kulti të detit. Ky kult ilir që ka rrezatuar te banorët bregdetas nuk është harruar. Edhe kulti i Redonit është i lidhur me mitin e Jonit.
Shpjegimi i emërtimit të detit, krijim origjinal i mitologjisë ilire, ndryshon nga shpjegimi që jep mitologjia greke apo romake.
Përsa i përket emrit të Melisës ai është emër nimfe si dhe emri i bletës në greqisht.
Nuk është ruajtur emri ilir i vajzës së Epidamnit.
Ndoshta se legjendën e shkruan të huajt dhe jo vendasit.
Nga ana tjetër duhet thënë se figura e bletës që gjendet në monedhat e lashta të Durrësit, nuk duhet marrë vetëm si simbol i bletarisë së zhvilluar në hinterlandin ilir të qytetit, por edhe e lidhur shekuj më pas me jehonën e legjendës, pra me figurën legjendare të bijës së Epidamnit, (heroit eponim të qytetit fillestar) që përbën fazën e ndërmjetme për të kaluar në ndërtimin e limanit me emrin e Dyrrahut.
Në strukturën e legjendës Herkuli parakupton ardhjen e kolonistëve, pra fillimin e qytetit si koloni greke. Është fakt se procesi i kolonizimit grek mori hov të madh në shekujt VIII-VI para erës së re, në periudhën e quajtur arkaike.
Ky kolonizim pati si veshje ideologjike shpesh një numër mitesh homerike, që shpjegonin krijimin e kolonive në fjalë, në tërë botën mesdhetare e sidomos në brigjet e Italisë së Jugut e në bregdetin tonë.
Këto mite kanë bashkëjetuar në truallin e ilirëve të jugut së bashku me mitet ilire. Në këtë periudhë të vërshimit të miteve greke, të procesit të kolonizimit në brigjet tona, në trevën dyrrahase mbijeton e madje theksohet legjenda ilire.
Që legjenda ka qenë para vitit 627 para erës së re, kur u vendosën dorët e Korkyrës, kjo mbështetet dhe nga fakti se deri në vitin 734 para erës së re Korkyra qe nën zotërimin e ilirëve liburnë.
Liburnët krijuan një hegjemoni detare, një talasokraci të fuqishme ilire që spikat në shekujt IX e VII para erës së re.
Liburnët ishin zotërues gati absolutë të hapësirave adriatikase deri në Korkyrë. Talasokracia liburne pati të njëjtën rëndësi që kishte talasokracia etruske, por në aspekte e në kushte të ndryshme.
Kjo ka krijuar mundësitë e fuqizimit e të shpalosjes së miteve e të kulteve detare ilire në teatrin e ngjarjeve të kohës.
Sipas Apianit, liburnët kanë qenë zotër të Durrësit.
Më pas, dorët erdhën pikërisht nga Korkyra, ku nuk pati mundësi të zhdukeshin të tërë liburnët.
Korkyra, sipas Homerit, ka qenë ishulli i feakëve, që konsiderohen si ilirë.
Tërë këto rrethana duhen parë të ndërlidhura dhe me faktin se emri i detit Adriatik është gjithashtu sipas legjendës ilire e nga ilirët.
Kurse anija ilire e quajtur liburnide u bë simbol i detarisë në Adriatik e në Jon e u fut në përdorim të gjerë në flotën romake
Simboli i lembeve në monedhat e dorëve e labeatëve shpreh dhe një kult tjetër që lidhet me detin e Redonin, kultin e vetë figurës së anijes.
Këtë e gjejmë dhe në vizatime në shkëmb, në Gjirin e Gramatës, në jug të Karaburunit. Në monedhat e lashta të Durrësit është dhe figura e anijes, e dhënë vetëm në gjysmën e saj të përparme.
Nuk duhet harruar se legjenda e Epidamnit, e Dyrrahut dhe e Jonit ka gjallëruar nga ilirët taulantë, dhe se vetë qytetin Adria, emrin e të cilit e mori deti Adriatik, Stefan Bizantini e cilëson si “qytet i taulantëve”.
Fisi i madh i taulantëve ka patur topografinë, shtrirjen e lëvizjet e tij derisa u mbështoll e pati si pikë rëndese qytetin kryesor të Durrësit.
Këtu do marrë në konsideratë vërejtja e Dion Kasit se “Dyrrahu ndodhet në atë tokë, e cila u përkiste më parë ilirëve parthinë”.
Nuk mund ta përcaktojmë se kur parthinët u zëvendësuan nga taulantët, të cilët mbizotëruan këtu, por asnjëherë pa i larguar parthinët nga trojet në lindje të Durrësit.
Ardhja e brygëve, pastaj e taulantëve, siç tregon Apiani, lidhet më pas prapë me liburnët, pra me një botë thjesht ilire të disa fiseve, të cilët e synonin qytetin. Kjo shpjegohet nga “lufta e vëllezërve” të Dyrrahut që ka tregimi i legjendës.
Apiani na jep dhe një version tjetër të krijimit të kolonisë, ndryshe nga Tukiditi, kur tregon se taulantët që zotëronin Durrësin, të ngacmuar nga flota liburne kërkuan “ndihmën” e korkyrasve, të cilët “i dëbuan liburnët”.
Pas kësaj, korkyrasit “përzien nga dyrrahasit kolonët e tyre”. Në ngjizjen e legjendës së qytetit kanë përbërësit e tyre fise ilire të parthinëve, taulantëve e liburnëve, të cilët ngjarjet e tyre historike i kanë strukturuar në bazë të mendësisë së banorëve vendas e më vonë ardhësit, dorët kolonë, kanë shtuar edhe figurën e Herkulit.
Natyrisht, figura mitike e gjysmëperëndisë, Herkuli, nuk është thjesht greke, po ka karakter të përgjithshëm mesdhetar.
Në trojet ilire Herkuli ka lënë gjurmët e kultit të tij.
Vrasja padashur e Jonit nga Herkuli në legjendë, ka pikëzuar në mënyrë dramatike momentin e ndërhyrjes së kolonëve, të cilët paskëtaj e zotërojnë qytetin, duke e eliminuar familjen mbretërore ilire, saqë themeluesi i qytetit tani preferohet vetë Herkuli.
Siç kuptohet, fundi i legjendës jep një gjendje të re historike, të ndryshimeve që kanë ndodhur.
Bëhet mbyllja e veprimit dhe tregimit legjendar.
Kjo legjendë lokale me origjinalitetin e saj etnik ilir është një shprehje mitologjike e ngjarjeve historike të largëta, të cilat deri diku i mbështet dhe kronika.
Ka edhe të tilla që i ruan vetëm legjenda.
Legjenda dyrrahase që tregon Apiani është me interes të madh për mitografinë. Ajo nën veshjen mitologjike pasqyron në të vërtetë jo ekzistencën e dy qyteteve të veçantë, por procesin e lëvizjes së qytetit në dy kohë të ndryshme.
A vërtetohet kjo nga gërmimet arkeologjike?
Po.
Pika e fortifikuar e Portëzës në veri të qytetit të sotëm, dëshmon për një skaj të qytetit të vjetër.
Gjetjet e një nekropoli të lashtë në zonën e kënetës, përcaktojnë përmasat e urbanistikës së qytetit, i cili përqendrohet rreth bërthamës së vet pikës ku është gjetur mozaiku i “Bukuroshes së Durrësit”, termat, amfiteatri.
Si një strukturë arketipale e nëndheshme e qytetit, përgjithësisht, na shërben sistemi i kanaleve të tij, vepër e rëndësishme inxhinierike e higjieno-sanitare. Këto fakte nuk janë në dobi të tezës së dy qyteteve të veçanta.
Nga ana tjetër, në numizmatikën e qytetit përmendet sigla Dyr, edhe emri Epidamn gjendet në shumë dokumente të tjera.
Kështu, pllaka e Syr Epidamnit (që sot ndodhet në Luvër) u gjet te Porta e Kalorësit, në fokus të qytetit të sotëm (po të qe Epidamni në Kalanë e Turrës, ky dokument do të qe pak i çuditshëm dhe s’kishte pse të gjendej në Durrës).
Kalaja e Turrës nuk i ka as gjeografikisht e as historikisht atributet e Epidamnit të lashtë. Referimi i lumit antik Palamni, pranë të cilit ndodhej Epidamni, duke e lidhur me Shkumbinin, është në përgjithësi një referim që nuk vërteton praninë e dy qyteteve në një hapësirë ndarëse të madhe midis tyre.
Edhe interpretimi i historisë politike të lashtë të qytetit (lufta civile në Epidamn që lidhet me Luftën e Peloponezit, shteti ilir, Dyrrahu si kryeqytet i ilirëve taulantë me Glaukian e Monunin në krye etj.), flet për marrëdhënie të vendasve me kolonët e ardhur si dhe për atë që palca kryesore e popullsisë së Durrësit kanë qenë ilirët.
Taulantët kanë pasur edhe qytete të tjera veç Durrësit si Sesareti e Arnisën dhe në luftën civile të Epidamnit kolonët që u dëbuan nga qyteti nuk shkuan në një qytet tjetër të quajtur Dyrrah, por në brendësinë ilire, si dhe në Korkyrë.
Së fundi, teza e dy qyteteve të veçanta e paralele nuk është vërtetuar deri sot as arkeologjikisht, as historikisht e as gjuhësisht.

Monedhat e vjetra të qytetit 450-350 para.K. dhe pas vitit 350 para.K.

Në komedinë e lashtë e të famshme të Plautit “Menehmët”, subjekti i së cilës zhvillohet në Epidamn (është përkthyer dhe në shqip), flitet për motivin e kipsit, d.m.th. të ngjashmërisë së dy binjakëve që kishin të njëjtin emër Menehm.
Në rastin e Durrësit kemi një lloj kipsi tjetër: fjala është për dy emra “binjakë” të të njëjtit qytet.
NJË FJALË ILIRE – SHQIPE DHE ÇËSHTJA E KOLONIZIMIT
Sipas historianit Tukidid “Epidamni është një nga qytetet që gjenden nga ana e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë, fis ilir. Këtë e kolonizuan korkyrasit, kurse të parë bënë Falin, birin e Eratoklidit nga Korinthi, i fisit të Herkulit… Midis kolonistëve ishin edhe disa korintas dhe të tjerë nga fisi i dorëve.”
Tukididi e pranon se qyteti ngrihet në një mjedis ilir, pranë taulantëve (më saktë do të shtonim mbi një qytet më të hershëm ilir).
Dihet se Korkyra (Korfuzi i sotëm), ka qenë banuar nga ilirët.
Homeri te “Odisea”, në këngën VIII, përmend si banorë të Korkyrës feakasit që, sipas shumë autorëve antikë, kanë qenë ilirë. Në vitin 737 para erës sonë dorët e Korintit e kolonizuan Korkyrën.
Dorët vërshuan në veri të Greqisë dhe luajtën një rol të madh në formimin e kulturës të botës helenike.
Njëri nga fiset dorike, ai i herkulidëve me kryepar Hyllon (që derivonte nga fisi i Herkulët), është pranuar nga shumë autoritete shkencore si ndërthurur me elemente ilire. Profesor Eqerem Çabej vë në dukje se “djepi i kryehershëm i fiseve dorike të Peloponezit është krahina malore e Pindit ose e Shqipërisë Juglindore” dhe përfundon se “në dorishte ka pasur një shtresë me prejardhje ilire”
Edhe Hans Krahe, një nga autoritetet e mëdha të linguistikës botërore, shumë vjet më parë se Çabej kishte vërejtur se “një numër i madh fjalësh të dialektit dorik nuk mund të shpjegohen me ligje gjuhësore të greqishtes, por me ato të ilirishtes”.
A u zhdukën dhe a u asimiluan tërësisht liburnët e Korkyrës deri në vitin 627 para erës sonë, kur dorët kolonizuan Durrësin?
S’është logjike të mendohet që midis kolonëve të mos kishte edhe ilirë të mirëfilltë. Jo vetëm momenti i “themelimit”, i cili në këtë rast është konvencional se Epidamni u themelua nga vendasit, por edhe e ardhmja e qytetit më pas lidhej me mjedisin ilir.
Epidamnin e shtinë në dorë edhe brygët, edhe taulantët, edhe në shekujt IV dhe II para erës sonë në popullsinë e qytetit zotëron etnikoni ilir.
Të kësaj kohe janë emrat e famshëm ilirë të Durrësit (sot janë zbuluar afro 200 emra të tillë).
Deri tani askush nuk është marrë me të dhënat që jep Tukididi për Falin, të birin e Eratoklidit (fisi i Herkulit). Fali u bë kryepari i Epidamnit. Del qartë se ai është nga fisi i dorëve dhe se shkencëtarët e kanë përcaktuar të lidhur me ilirët edhe nga pikëpamja etnike.
Edhe në gojëdhënën që tregon Apiani, Herkuli (në këtë rast i dorëve herkulidë) del si “qytetthemelues”.
Në lidhje me të dhënat e mësipërme dhe me vështrimin e çështjes së kolonizimit dorik të qytetit po analizojmë emrin e Falit.
Ç’përfaqëson ky emër?
Sipas mendimit tonë, emri Fali duhet ta lexojmë Bali.
Në greqishten e vjetër shumë fjalë, për shkak të “bë-së” i shpjegojnë nga një gjuhë jo greke e gadishullit të Ballkanit, si nga ilirishtja, trakishtja etj.
Për këtë flasin Frisku, Pizani, Krahe, Vendekensi etj. Sipas Çabejt “Një qytet i Kaonisë quhej Baiake… me “b” të huaj (për greqishten ph, d.m.th. f)”.
Për qytetin kaonas Baiake jep një shënim në leksionin e tij edhe Stefan Bizantini.
Emri Bali, i kryeparit dorik të Epidamnit, mendojmë se lidhet me ilirishten e shqipen “ball”. Tek Homeri, Balas ishte emri i kalit të Akilit.
Edhe Prokopi tregon se kali i Belizarit quhej Balas. Sipas Skymzerit kemi të bëjmë me fjalë ilire ose iliro-trake.
Te mesapët (ilirët e Italisë), sipas Ribezos, dalin edhe emrat Balias e Balakrahiaihi, si emra vetjakë.
Ndër ilirët ka prerë monedha edhe një mbret i quajtur Balaos.
Më tej, një Ballai në dokumente mesjetare në vitin 1190 del si shqiptar në Raguzë.
Si përfundim, themi se emri i kryekolonistit të dorëve është një fjalë ilir-shqipe. Kjo është në favor të tezës që në “themelimin” dorik të Epidamnit kanë marrë pjesë edhe ilirë të Korkyrës.
ASPEKTE ANTIKE E MESJETARE
Dëshmitë e rëndësishme të kulturës prehistorike të zbuluara në Durrës dhe në rrethinat e tij, ato të kulturës antike, si dhe të kulturës së hershme shqiptare e më vonë, nuk janë aspak pa lidhje dhe vijimësi nga njëra-tjetra. Përkundrazi, duke mos qenë pasim dhe përcjellje mekanike e njërës etapë në tjetrën, ato plazmojnë në unitet një histori të tërë me një zhvillim të brendshëm (pa mohuar këtu edhe ndikimet e kulturave të lashta mesdhetare, lindore, perëndimore), të përfshira në një hapësirë gjeografike të caktuar që asnjëherë nuk ka qenë në vetvete, por e ndërthurur me trevat iliro-shqiptare.
Pikërisht, në këtë hapësirë të rëndësishme, për të cilën po flasim dhe që ka përbërë në njëfarë mënyre edhe rrethinat e horën e Durrësit antik e mesjetar, spikat me një peshë të dorës së parë roli i këtij qyteti, si një nga qendrat e lashta e më të mëdha të krejt botës adriatiko-mesdhetare.
Veglat prej guri të neolitit, objektet e periudhës së bronzit flasin për ekzistencën e jetës njerëzore të fiseve vendase ilire, qysh në hershmëri.
Gjetja kohët e fundit e qeramikës së pikturuar, të quajtur “qeramikë devollite”, e bën Durrësin si skajin më verior të kërkimeve të kësaj qeramike, që dokumenton tashmë një formim të etnosit ilir e të një vetëzhvillimi të rëndësishëm.
Janë zbuluar gjithashtu edhe elemente të kulturës paraqytetare jo vetëm brenda territorit që zë sot qyteti, por edhe rreth e qark tij, sidomos të një lulëzimi të kulturës së periudhës së quajtur arkaike, të shekujve VIII e VI para erës sonë.
Është fakt se elementi ilir ka mbizotëruar në jetën e këtij qyteti, jo vetëm për arsye të lidhjes së ngushtë e jetësore, kaq të domosdoshme me rrethinat ilire, por edhe me të ardhmen historike të qytetit, të zhvillimit e të mbijetesës së tij.
Durrësi zgjat shumë rreze lidhjesh të ndryshme, ekonomike, kulturore, monetare me një arsenal të gjerë.
Ai përveç Apolonisë lidhet më vonë me Lisin (Lezhën), qytetin Brysakion (me këtë qytet mund të identifikohen rrënojat e muret e Persqopit të sotëm), me qytezën Denda (që duhet kërkuar në Kepin e Rodonit), me qytetin e vjetër të taulantëve Sesaretin, e qytetin Arnisa, me një qytezë ilire, që nuk i dihet emri, në gërmadhat antike të Zik Xhafajt etj., të cilat mund të quhen si qytete asteroide të qytetit të madh, kryesor.
Në shekujt IV-III para erës sonë Durrësi bëhet një kryeqendër e shtetit Ilir.
Prijësit e taulantëve ilirë Glaukia, Monuni e Mytyli rreth Durrësit organizojnë dhe i përqendrojnë forcat e masave ilire.
Iliriciteti i Durrësit pohohet qartë sidomos në shekujt II e I para erës sonë nga gurët e shumtë mbivarrorë ku janë skalitur emrat ilirë – një repertor onomastik me vlera të veçanta. Studimi i tyre jep ndihmesë konkrete për ilirologjinë e etnogjenezën e popullit tonë.
Gjatë sundimit romak Durrësi nën “vernikun” e “lëkurën e hollë romake”, siç është shprehur me të drejtë një dijetar, ruajti më shumë aspekte traditat vendase, vazhdimësinë e kulturës autoktone pararomake, që natyrisht në situatat e reja historike fitoi e zhvilloi shprehi të reja.
Në shekullin II të erës sonë Durrësi përjeton një zhvillim të ri të dukshëm.
Ndërtohen kryevepra arkitektonike të tilla si ujësjellësi, amfiteatri, termat (banjot publike) etj. Ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i lidhjes gjenetike të Durrësit me qerthullin ilir, me fuqizimin e pastokës e të rrethinave ilire.
Raporti i qytetit me këto rrethina nuk ka qenë thjesht hapësinor e gjeografik, por para së gjithash ekonomik, politik e kulturor.
E theksojmë posaçërisht këtë se ky raport nuk humbet por trashëgohet nga antikiteti në mesjetë, nga një epokë në tjetrën. Durrësi është shumë pranë në shekullin II të erës sonë me një qendër të tillë të përmendur ilire si qyteti Albanopolis (qyteti i albanëve), i fisit ilir, për të cilët flet Ptolemeu, si dhe pranë fisit ilir të parthinëve, që bënë emër në historinë politike me kryengritjet e tyre kundër romakëve.
Në shekullin IV të erës sonë Durrësi përjeton, gjithashtu, si tërë viset ilire, krizën e rendit skllavopronar dhe të rënies së perandorisë romake.
Durrësi del nga periudha e sundimit romak pa i tretur tiparet e tij.
Teza tendencioze për të (“ishull romak në detin ilir”) është ballafaquar dhe ka humbur çdo vlerë nga faktet arkeologjike e dija. Zbulimet e begatshme në qeramikë, në terakota, në ritin e varrimit, në vegla, në monumente skulpturore etj., vërtetojnë se kultura ilire në Durrës nuk qe një enklavë e vetmuar, por një degë e pashkëputur e trungut ilir, pavarësisht se kjo kulturë dyrrahase, në aspektin lokal, përshkohet edhe nga kulturat e tjera fqinje të Mesdheut.
Pikërisht me këtë trashëgim na paraqitet Durrësi në antikitetin e vonë.
Por, në epokën e re historike, ky trashëgim pëson ndryshime, humbje të disa tipareve e zhvillimin e disa tipareve të tjera, që shpesh janë cilësisht të reja.
Viset e qerthullit të Durrësit ndahen nga antikiteti përmes shqetësimeve e luftërave të pandërprera.
Tipik për këtë është fakti se për të shtypur kryengritjen tronditëse të taulantëve në vitin 395, perandori Honor përdori mercenarë gotë.
Nga materiali arkeologjik i përftuar në një varrezë të Malit të Robit kanë dalë në dritë vegla zejtarësh që përdoreshin në shekullin V, të cilat lidheshin me punimet bujqësore e ekonominë fshatare kur shpërbëhen marrëdhëniet e vjetra, për të ecur drejt marrëdhënieve të reja të rendit feudal, dukuri kjo që do të konsolidohet më pas.
Në shekujt V e VI Durrësi s’e ka humbur aspak rëndësinë e tij siç ka ndodhur me shumë qendra antike qytetare.
Ndryshe nga Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinika, Antigonea, që e mbyllin përfundimisht historinë e tyre antike, Durrësi mbijeton ende si kryeqendër.
Monumentet e mëdha arkitektonike që ruhen nga shekulli VI, sistemi kështjellar, kolektori dhe kanalet higjieno-sanitare, bazilikat etj., flasin për fuqinë ekonomike në rritje të Durrësit. Mendimi i Hezeit se rrethojat e periudhës bizantine duhet të ruajnë diçka nga rrethoja më e lashtë u vërtetua tani me gjetjen e një trakti muri më të lashtë se mbistruktura e shekullit VI.
Kjo do të thotë se në antikitetin e vonë Durrësi trashëgoi në vija të përgjithshme një situatë urbanistike të përcaktuar të traditës.
Zbulimi këto vitet e fundit i disa monumenteve arkitektonike të kultit, që i përkasin shekullit VI, si bazilika e gjetur dikur nga Leon Reji në 1924 në qendër të qytetit, poshtë kuotës 59, apo bazilika monumentale e Arapajt, flasin për një kulturë ndërtimore të lartë.
Në këto ndërtime ndërthuret kultura e vjetër antike me paleokristianizmin, paganizmi me fenë e re moniste. Kjo duket qartë në mozaikët befasues të bazilikës së Arapajt, mozaikë me vlera të mëdha historike e artistike.
Mendohet se këta mozaikë, për nga lirshmëria e trajtimit kompozicional, nga motivet ende të panënshtruara një konunizimi heretik të rreptë të kishës e ikonografisë, duhet t’i përkasin si kohë periudhës së sundimit të perandorit të Bizantit me origjinë nga Durrësi, Anastasit (491-518), i cili ishte përfaqësues i një sekti heretik (monofyzëve).
Ndërtimet e karakterit qytetar, siç janë hipodromi i qytetit (i pagjetur ende), pretoriumi i monumenteve të tjera, vënë në dukje pozitën e rëndësishme të qytetit si nyje transporti e ndërlidhjeje si dhe administrative.
Arti i gdhendjes së kapitaleve, i disa relieveve, si dhe i një koke burri në gur gëlqeror, që ndryshon nga modelet antike, shpreh faktin e lulëzimit të një arti të ri, në këtë lak kohor.
Zbulimi i objekteve arkeologjike që u përkasin si kohë shekujve VII e VIII, që lidhen me kulturën e Komanit, edhe brenda territorit të Durrësit, në Kepin e Rodonit, në malin e Robit, në Vrinë etj., janë hallkë themelore për të përfaqësuar lidhjen në procesin e madh e vendimtar të formimit të popullit shqiptar, proçes ky, që ka përfshirë disa shekuj.
Për shekullin VII e deri në shekullin XI, për arsye se heshtin burimet shkrimore përgjithësisht, kërkimet arkeologjike e plotësojnë informacionin, “hiatusin”.
Vërtetohet se në këto shekuj Durrësi vazhdon të jetë qytet i madh ndërmjetës, midis Lindjes e Perëndimit.
Nga pikëpamja e historisë politike e kishtare, Durrësi në mesjetë është një qendër administrative e peshkopale.
Kështu, Durrësi, është kryeqytet i provincës së Epirit të ri, i Temës së Durrësit, i Mbretërisë arbre të anzhuinëve, i Dukatit venedikas etj.
Afërsisht, territoret e hapësirës që ka administruar politikisht e ekonomikisht Durrësi, pavarësisht nga llojet e strukturave të pushteteve të ndryshme politike të huaja, kanë qenë në vija të përgjithshme po ato.
Duke funksionuar në shekujt XII e XVI si qyteti më i madh e më i përfillshëm në skajdetin lindor të Adriatikut, “një Kostandinopojë e dytë”, siç e kanë quajtur kronistët e kohës.
Durrësi ka luajtur një rol të padiskutueshëm organizues për shqiptarët e hershëm dhe ka ndikuar në jetën e tyre, ashtu si dhe trevat e tjera të atdheut kanë ndikuar mbi vetë Durrësin.
Që nga shekulli XI kemi konsolidim të marrëdhënieve feudale si dhe dukurinë e inkuadrimit në hierarkinë e lartë shtetërore, të përfaqësuesve të një klase feudale vendase.
Kështu është rasti i Komiskortit, një fisnik arbër, që përmend Ana Komnena, në Durrës, i cili organizon mbrojtjen e qytetit nga sulmet e tmerrshme normane.
Shteti i Arbërit në shekullin XII jo rastësisht do të ishte pranë trevave të Durrësit.
Sundimi shekullor i Bizantinit në shumë raste dobësohej e njihej vetëm nominalisht e shpesh, viset arbërore përjetonin një lloj autonomie.
Durrësi bëhet edhe një bazë e kryengritjeve, nga ku aristokratët e mëdhenj të provincës niseshin të sulmonin vetë Kostandinopojën, qendrën e perandorisë së një mijë qyteteve.
Në shekullin XIV Durrësi bëhet për ca kohë komunë qytetare autonome, ka edhe një statut të tij. Po në këtë shekull, atë e synojnë dhe e shtien në dorë princërit shqiptarë, Topiajt e Balshajt.
Nga pikëpamja gjuhësore, Durrësi paraqet shumë interes për vazhdimësinë iliro-shqiptare. Nga periudha antike u trashëguan emra të tillë topikë si Dyrrakium, Isamnum, Redon, që kanë dhënë sipas ligjeve të fonetikës së shqipes përkatësisht Durrës, Ishëm e Redon.
Në versionin e dytë të Këngës së Rolandit (Chanson de geste), siç e ka vënë në dukje studiuesi belg Henri Greguar, del që në vitin 1085 emri topik Arbërie, për viset e Bishtit të Pallës.
Kjo lidhet, mendojmë ne, me emërtimin e krahinës Arbanon, që përmend Ana Komnena.
Këtu duhet shtuar dhe fakti që e dëshmon G. Hani, se gjer në shekullin e kaluar quhej Arbëni (Arbëri), ultësira midis Kepit të Redonit, Ishmit, Prezës, midis Matit e Erzenit.
Pra, albanët pranë Durrësit në shekullin II e Arbëria e mesjetës së shqiptarëve të hershëm, po pranë Durrësit, ndërthuren midis tyre me shumë fije, në kohëra, si dhe gjeografikisht. (1981)

 Rruga – Via Egnatia

————————————–

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura