PROF.DR.MURAT GECAJ: VEPRIMTARI DOMETHËNËSE, PËR GJUHËN TONË AMTARE (PËRUROHEN 3 NUMRA TË REVISTËS “GJUHA JONË” QË DEL NË PRISHTINË

Tiranë, 22. 10. 2015: Tashmë, është bërë praktikë e përjavshme organizimi i veprimtarive të larmishme në kryeqytetin tonë. Ato janë me rastin e përurimit të librave nga autorë të ndryshëm, për festime të përvjetorëve të lindjes, për pjesëmarrje në ekspozita pikture e fotografike etj. Sigurisht, secila prej tyre ka rëndësinë dhe vlerën e saj. Por mendoj se zhvillimi i një veprimtarie kushtuar gjuhës sonë amtare shqipe, merr një rëndësi të veçantë. Pikërisht një tubim i tillë u organizua sot në mesditë, në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar.
Përmes një Ftese, e cila u publikua edhe në FB, pjesëmarrësit u informuan, që më parë, se takimi shkencor organizohej nga Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Kështu, aty merrnin pjesë pjesëtarë të këtyre institucioneve, studiues të gjuhësisë e të fushave tjera, dashamirë të artit e kulturës, poetë e shkrimtarë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Moderatorja e veprimtarisë, Elona Gjata, pedagoge e re e Universitetit të Elbasanit “A.Xhuvani”, ia dha fjalën për të përshendetur drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi. Pastaj, sipas programit të hartuar, u fol rreth tre numrave të rinj të revistës “Gjuha shqipe”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës. I pari kumtoi prof.dr. Rami Memushaj, i cili e përgëzoi redaksinë e kësaj reviste, për përkushtimin dhe punën e tyre profesionale. Gjithashtu, ai përmendi disa nga vlerat kryesore të shkrimeve, që janë publikuar në 3 numrat e këtij viti.


Prof.dr.Hysen Matoshi, duke folur…

Në vazhdimësi, u ndoq me interes të veçantë fjala e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof.dr.Hysen Matoshi. Ndërsa, më në hollësi për udhën e përshkuar nga revista “Gjuha shqipe”, që nga viti 1982, kur atë e drejtoi Akademiku Idriz Ajeti, foli kryeredaktori i sotëm, prof.dr. Qemal Murati. Të dy këta, nënvizuan se botimi shkencor në fjalë është një pasuri e çmuar mbarëkombëtare shqiptare.
Në këtë revistë janë publikuar studime me mjaft interes, si për çështje të historisë së gjuhës sonë amtare, por dhe për ato të sotmet. Të tillë janë shkrimet, që flasin për kujdesin e punën, që bëhet në shkolla dhe entet botuese, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj., që të rrënjoset dhe ruhet gjuha jonë standarde. Megjithatë, u shpreh mendimi për më shumë vëmendje për ta mbrojtur e zhvilluar atë, që nga veprimtaritë e përditëshme dhe publikimet, me studime e artikuj të ndryshëm.


Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Për disa arritje dhe çështje, që dalin rreth gjuhës shqipe të njësuar, foli prof.dr. Emil Lafe, kryetar i Shoqatës “Gjuhësia Shqiptare”. Ndër të tjera, ai e ngriti shqetësim të ditës mungesën e botimit, në Shqipëri, të një reviste kushtuar gjuhës sonë amtare, siç ka qenë në vitet e mëparshme. Sigurisht, aty do të ngriheshin dhe trajtoheshin probleme e dukuri të sotme, por dhe për të ardhmen e gjuhës sonë të përbashkët. Ai evidentoi punën e mirë të revistës “Gjuha shqipe”, në mbrojtje të gjuhës sonë amtare, nga “sulmet” e gjuhëve të huja, që vijnë në udhë e forma të ndryshme.
Në nëdërprerje të fjalëve të pjesëmarrësve, ishte paraqitja në ekran, nga Dorina Gixhari, e udhës nëpër të cilën ka kaluar revista “Gjuha shqipe”, që nga numri i parë dhe deri në ditët e sotme, pra kur dolën e u përuruan tre numrat më të rinj të saj.
Tema e diskutimeve, nga disa studiues dhe miq të gjuhës shqipe, ishte e ngjashme me ato të mësipërshme. Kështu, tërhoqën vëmëndjen e pjesëmarrësve në këtë tubim shkencor, fjalët e prof. Xhevat Lloshit e Idriz Metanit, Shpëtim Çuçkës, Kujtim Kapllanit, Gjokë Dabajt dhe Zyba Hysës, arsimtare veterane dhe studiuese e botuese e disa librave. Ndër të tjera, ata theksuan nevojën e përdorimit gjerësisht e saktësisht të gjuhës shqipe standarde, por dhe të kryerjes së studimeve, që lidhen me ndryshimet e natyrshme, që pëson gjuha jonë, gjatë periudhave kohore e në vazhdimësi.
Për revistën “Gjuha shqipe”, krahas arritjeve të padiskutueshme të saj, u shpreh mendimi që aty duhet të zerë më tepër vend debati shkencor, sigurisht i argumentuar, rreth shkrimeve e studimeve që botohen etj.


Ballinat e numrave të rinj të revistës “Gjuha shqipe”…

…Të pranishmit i vazhduan bisedat e tyre miqësore dhe bënë fotografi të përbashkëta, në koktejin e shtuar me këtë rast. Ata përshëndetën dhe përgëzuan organizatorët e kësaj veprimtarie domethënëse e mbresëlënëse, si dhe punën e palodhur të redaksisë së revistës “Gjuha shqipe”, që del në Prishtinë, fryt i një stafi të përkushtuar dhe të aftë, nga ana profesionale.

Prof.dr.Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura