PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (25)

Prishtinë, 25 Maj 2020: Bashkëpunëtorët e organeve të Sigurimit shtetëror
Gati-gati nuk ka pasur udhëheqës, nëpunës apo operativist të sigurimit shtetëror të cilët në terren nuk kanë pasur një numër të caktuar të bashkëpunëtorëve të tyre apo siç i kanë quajtur “Miq” të tyre.

Ata kryesisht ishin persona të komprometuar tek populli dhe vinin nga familjet që masa nuk i donte dhe nuk i respektonte. Ishin familje që kishin rënë në bela dhe kishin ikur nga fshatrat e tyre. Njerëz me karakter e moral të dobët, të prirë për çdo maliverzim dhe intrigë ndaj njerëzve të ndershëm. Sipas raporteve të operativistëve ata punonin çdo gjë të ndaluar por që iu urdhërohej, kështu që me punët e tyre të ndyra kishin hipur mbi çdo anëtarë të partisë dhe të qytetarëve të ndershëm.
Nga këto pjesë të deklaratave që i kishin dhënë qytetaret, këta persona ishin barrë e rëndë, bile më e rëndë se vet punëtorët e sigurimit, ngase këta nuk i njihnin dhe nuk i dinin por si një e keqe e madhe mbinin aty ku nuk i prisnin.
Këta njerëz të komprometuar-bashkëpunëtorë ishin të armatosur nga organet e sigurimit të shtetit. Vazhdimisht ishin në shoqëri me ta, në kafe, dasma, darka, pinin dhe shtinin në ajër, në këtë mënyrë ata u paraqitnin si pushtet dhe dhunues të fshatarëve.
Ka shumë raste ku punëtorët e ndershëm në mënyrë të jashtë ligjshme largoheshin nga puna, dhe në vend të tyre punësoheshin njerëzit e tyre-bashkëpunëtorët.
Gjerë më tani nga ankesat e shqyrtuara del se organet e sigurimit të shtetit këta bashkëpunëtorë i kishin përdorur për këto punë:
– Për intriga e shpifje ndaj anëtarëve të LKK dhe qytetarëve të ndershëm,
– Si dëshmitar të rrejshëm ose si furnizues të dëshmitarëve të rrejshëm,
– Nëpër mesë të bashkëpunëtorëve kryenin krime të drejtpërdrejta, vrisnin njerëzit.
Në bazë të deklaratave të disa operativistëve të sigurimit shtetëror, për orientimin e tyre ndaj këtyre bashkëpunëtorëve ka ardhur kryesisht nga udhëheqësit më të lartë të këtyre organeve si të Svetillav Stefanoviqit dhe Voin Llukiqit, të cilët i kishin udhëzuar që për bashkëpunëtor të angazhonin njerëzit e komprometuar dhe që në organet e sigurimit assesi mos të pranohen njerëzit e shkolluar nga popullata shqiptare, po të pranohen nxënësit e studentët e dështuar se me ta më lehtë manipulohet, kishin udhëzuar ata.

Keqpërdorimet e shërbimit zyrtar në organet e UDB-es me qëllim të përfitimit material e pronësor
Deformimet në praktikën e punëve të organeve të sigurimit shtetëror janë karakterizua dhe janë paraqitur në mënyra dhe forma të ndryshme të keqpërdorimeve zyrtare për qëllime të përfitimeve materiale e pronësore në mënyrë antiligjore dhe të palejueshme.
Kjo mënyrë e keqpërdorimit ka qenë mjaftë e përhapur dhe ishte bërë praktik e shumicës së nëpunësve të sigurimit të shtetit, e veçanërisht e funksionarëve të shërbimit të UDB-es. Sipas kësaj dukurie, haptas duket se sa tolerant kanë qenë funksionarët e UDB-es, për të çrrënjosur apo zhdukur këtë të keqe edhe pse që të gjithë kanë qenë të informuar. Shfrytëzimi i shumë privilegjeve materiale, ishte bërë pjesë përbërëse e ligjit të pashkruar e organeve të SHSSH, e cila delte si fryt i burokratizimit të krejt situatës.
Materiali që kishte arritur në komision, dukurit që paraqiten në ankesat e qytetarëve mjaftojnë që të vijmë deri tek konstatimet sa vijon: Keqpërdorimet të kësaj natyre kishin marr hov dhe ishin manifestua në mënyra të ndryshme dhe përfitime antiligjore. Sa që disa pamje kishin fitua atë kuptimin klasik të hajnisë e plaçkës të pasurisë shtetërore e private të qytetarëve. Do të mundohemi që të gjitha ato ti paraqesim në disa grupe se si janë kryer e bërë keqpërdorimet për përfitime vetjake.
1. Ka qenë dukuri e përgjithshme gati te të gjitha sekretariatet e punëve të brendshme në krahinë që rregullisht, pa pengesa dhe në çdo kohë organet e sigurimit të shtetit e sidomos funksionarët kanë shfrytëzuar të gjitha automjetet zyrtare për qëllime private, për shëtitje të ndryshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve në Kosovë dhe jashtë saj; i kanë shfrytëzuar për me shkua në gjueti e peshkim dhe të ngjashme. Automjetet e rënda janë shfrytëzuar për bartjen e materialeve ndërtimore dhe të ngjashme për ndërtimin e shtëpive të tyre. Bile ka shumë raste kur një numër i operativistëve nuk ka mundur me dal në teren për hir se automjetet kanë qenë në shërbime private, dhe nuk janë kryer punët zyrtare me kohë.
2. Ka qenë praktik e përgjithshme në organet e sigurimit të shtetit se malli i konfiskuar është mbajtur nga vet nëpunësit e sigurimit e më vonë i është dorëzuar dyqaneve e njerëzve të caktuar për ti shitur dhe për të fituar para për vete. Me një rast në UDB-en e Gjakovës dhe të Pejës ishin konfiskuar 80 qilima, në UDB-en e Pejës ishin konfiskuar mbi 60 orë dore, në Prizren gjithashtu ishin konfiskuar një sasi e madhe e orëve të dorës. E tërë ky mall ishte ndalur nga udbashët, nuk iu kishte lëshua asnjë vërtetim atyre që iu kishte konfiskua malli por edhe nuk ishte mbajtur asnjë evidencë lidhur me të. Pastaj, shumë punëtorë të sigurimit në mënyrë të paligjshme kishin konfiskuar gjëra të ndryshme nga qytetaret e më vonë i kishin shfrytëzuar për nevoja të veta.
3. Në të gjitha sekretariatet kishin ekzistua fondet për qëllime speciale që ishin formua nga shitjet e pasurisë së UDB-es dhe burimeve të tjera të ngjashme. Me këto fonde kishte udhëhequr naqallnikët e sigurimit. Duke i pasur duart e lira , ata me këto mjete kishin bërë çfarë kishin dashur duke i harxhuar për bankete, e ahengje të ndryshme. Pastaj kohë pas kohe i kishin ndarë në mes vete duke fitua shuma të caktuara parash në formë shpërblimesh për punën e kryer.
4. Në materialet që janë dorëzuar paraqiten edhe një numër i konsideruar shembujsh kur punëtorët e sigurimit kanë blerë vetura për vete në mënyrë jo ligjore nga organizatat e ndryshme, pa ankand, me një çmim shumë më të lirë se që ishte në realitet. Duke fituar e marr deviza nga njerëzit që vinin në Kosovë nga jashtë duke iu bërë presion se ata do të arrestoheshin si element armiqësor. Merrnin para edhe nga personat që ndiqeshin penalisht duke iu premtuar se do të ndërpritet ndjekja ndaj tyre. Tregti të ngjashme ka pasur edhe me mallra tjera. Si sigurimi i materialit ndërtimor për shtëpitë e tyre, pastaj ka pasur nga ata që kanë bërë tregti me shumicë duke blerë materialin me çmim të lirë e duke e shitur me çmime astronomike.. Pastaj ka pasur raste kur në mënyrë të paligjshme duke përvetësuar para nga vet organet e sigurimit, kanë pranuar dhurata të shumta nga qytetaret. Tek fshataret i kanë urdhëruar që të organizojnë ndeja të ndryshme dhe ne këto ndeja ka pas shumë keqpërdorime ndaj familjarëve. Tregohet se si në një rast një polic e kishte detyruar një fshatar nga fshatrat e Pejës, në gjendje të dehur që t’ia falë krejt pasurin duke e detyruar që të nënshkruaj dokumentin e përgatitur më herët. Më vonë polici e kishte shitur tërë pasurin e fshatarit dhe për vete kishte ndërtuar shtëpi të re në Pejë.
5. Po ashtu ishte karakteristike dukuria e shitjes e stërshitjes së pushkëve nga ana e operativistëve të shërbimit të sigurimit nëpër mes të bashkëpunëtorëve të sigurt, e cila ishte e shprehur dhe masive gjatë kohës së aksionit të grumbullimit të armëve. Nën presionin e madhe dhe maltretimeve qytetaret ishin të detyruar të dorëzonin armët edhe pse nuk i kishin, andaj ata ishin të detyruar që pushkët ti blinin nga vet policët. Ata merrnin parat nga shitja e armëve dhe i ndanin në mes veti, ka pasur raste kur e njëjta pushkë u shiste nga vet organet deri në dhjetë herë.
6. Tek mënyrat e tjera te keqpërdorimit ishte dukuri e përgjithshme gjuetia dhe peshkataria e ndaluar. Bartësit e këtyre dukurive të thyerjes së rregullave ishin kryesisht nëpunësit e organeve të sigurimit. Bashkëpunëtoret e tyre ishin bartësit kryesor që organizonin gjueti e peshkatari që udhëheqësve të tyre u siguronin peshk, derra e lepuj duke i vrarë e gjuajtur në vende të ndaluara. Kjo dukuri kishte ardhur më së shumti në shprehje në komunën e Gjakovës, Deçanit, dhe Pejës.
7. Dukshëm vinin në shprehje deformimet me rastin e dehjeve të tyre, nxiteshin rrahje masive në masë. Merreshin me kumar e shpesh ndodhte që ata luanin edhe gjatë orarit të punës dhe zyrat e UDB-es. Shpesh ndodhte që disa nëpunës i merrnin parat nga zyrat për ti përdorur në bixhoz.
Keqpërdorimi i pozitës për keqpërdorimin e femrave nga një numër i punëtorëve të sigurimit ishte i madh. Nëpër vite kishte ardhur deri te një keqpërdorim drastik i keqpërdorimit të tyre duke shkuar edhe deri tek dhunimet e shumta. Janë paraqitur shumë raste kur operativistët e sigurimit të shtetit kishin shpikur lloj-lloj fajesh për qytetaret e ndershëm, vetëm për me i arrestua e marr në pyetje dhe duke i mbajtur me ditë të tëra në burg, vetëm e vetëm për të keqtrajtuar gratë në shtëpi. Nga qëllimet e ngjashme janë thirrur në zyrat e UDB-es gjëja për tu marr në pyetje. Individët e caktuar me mjete të ndryshme kishin arritur që ti qonin shumë nxënëse në zyrat e policisë gjëja se ato merreshin me veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe sistemit duke i keqtrajtuar në mënyrat më perfide.

Veç këtyre deformimeve të cilat janë cekur më lart ekzistojnë edhe një numër i konsideruar i deformimeve nga ana e punëtorëve të sigurimit që janë cekur në ankesat e qytetarëve.
Nga 21 ankesa të pranuara akuzohen organet e sigurimit shtetëror për ndikim të palejueshëm në prokurori dhe gjyqësi, të cilët në mënyra të ndryshme kanë ndikuar që mos të ngritët padia ndaj ndonjë “miku” të tyre. Ose ka pasur shumë raste kur janë ngritur proceduara ndaj ngjarjeve të montuara. Ka pasur raste kur operativistët e SHS të kanë kurdisur dëshmi të rrejshme ndaj qytetarëve shqiptar, pastaj ka pasur raste kur janë arrestuar njerëzit e pafajshëm e fajtoret janë shëtitur të lirë e çka jo tjetër.
Rast tjetër ka qenë edhe ndikimi i punëtorëve të sigurimit me rastin e punësimit, për dhënien e bursave, lejimin e shkuarjes së tyre jashtë vendi, kanë ushtruar ndikim në udhëheqësit e organizatave të ndryshme.
Por duhet përmendur se dukuria më e shpeshtë dhe më bindëse ka qenë inskenimi i veprimtarive armiqësore, duke paraqitur deklarata të dëshmitarëve të rrejshëm ndaj personave të pafajshëm por edhe të funksionarëve e udhëheqësve politik në komuna që qëllimi parësor ishte që udhëheqësit e ndershëm të diskreditohen dhe të komprometohen në popull dhe në jetën politike. Pas diskreditimit të tyre ndaj tyre merreshin masa për ti suspendua nga puna ose për ti ndërrua vendin, përjashtoheshin nga radhët e Lidhjes Komuniste, Lidhjes Socialiste dhe nga të gjithë ishin të bojkotuar.
Një numër i caktuar i këtyre personave ishin viktima të shantazheve vetëm e vetëm se reagonin apo nuk pajtoheshin me ndonjë nëpunës të sigurimit shtetëror apo thjesht nuk donin të bashkëpunonin me ata. Por ka pas edhe të tillë në disa komuna që ata (funksionarët),ishin bërë vegla qorre të bashkëpunëtorëve të UDB-es.
Në fund , sigurisht se të dhënat e paraqitura dhe vlerësimet për keqpërdorimet nga ana e shërbimit të sigurimit të shtetit nuk janë dhe nuk do të jenë përfundimtare, për shkak se posa është hapur procesi për ndriçimin e situatës, pastaj një numër i caktuar i ankesave ka arritur më vonë pasi se janë përpunuar të dhënat nga komisioni, por pritet që të dhënat e ankesat e tjera që kanë ardhur pas kësaj dhe në anën tjetër nuk ka qenë e mundur që të gjitha ankesat e të dhënat tjera të verifikohen, por së shpejti komisioni do të dal me të dhëna shtesë për opinionin.
Konstatimet për këto informata janë bazuar kryesisht në prurjen e e të dhënave e të ankesave nga qytetaret, materialet dhe deklaratat që janë marr nga nëpunësit e sigurimit të shtetit si dhe nga vet arkivat e UDB-es, si dhe nga mbledhjet e shumta të organizatave themelore të LKK që janë mbajtur me qytetar dhe në organet e sigurimit të shtetit në tërë Kosovën.
Në besueshmërinë dhe vërtetësinë e gjendjes reale është dashur që në mënyrë sistematike të punohet me përkushtim nga shumë faktor relevant vetëm e vetëm që keqbërësit dhe aktoret e deformimeve të thirrën dhe të merën në përgjegjësi, ndërsa ata që ishin të pafajshëm të lirohen nga aktakuzat dhe përgjegjësia morale.
Gjerë më tani nga organet e shërbimit të sigurimit shtetëror dhe të seksionit të punëve të brendshme janë marr masa si në aspektin kadrovik gjithashtu edhe në rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes në këto shërbime dhe aplikimin sa më të mirë të konkluzioneve të Plenumit të IV të Brioneve.
Përmbajtja dhe metodat e punës të UDB-es dhe SHSSH, duhet tani e tutje të koordinohen me qëndrimet e Plenumit si dhe në bazë të ligjit të ri i cili së shpejti do të miratohet.
Në teren po zhvillohet një aktivitet i madh politik dhe po kritikohen haptas jo vetëm deformimet e SSH por edhe të gjitha deformimet që kanë ndodhur në të gjitha fushat e jetës. Por siç dihet vëmendje e posaçme po i kushtohet deformimeve të sektorit të sigurimit shtetëror dhe të UDB-es.
Komisioni mendon se këtyre çështjeve duhet ti qasemi me seriozitet secilit rast veç e veç. Nuk duhet lejuar që të kemi sulme frontale ndaj UDB-es dhe SHSSH, se në këto shërbime ka pasur edhe njerëz të ndershëm dhe me sjelljet e tyre kanë pasur respektin e merituar nga qytetaret. Tek një numër i punëtorëve të këtyre shërbimeve kanë bërë më pak gabime dhe dobësi ngase kanë qenë të ndikuar nga të tjerët dhe këtu duhet të kemi kujdes dhe që njëso të mos akuzohen sikurse ata që me vetëdije kanë bërë keqpërdorime të natyrës politike, materiale dhe penale.
Armiqtë e sistemit tonë dhe të shteti të RSFJ asnjëherë nuk do të pushojnë. Ata do të mundohen që edhe këtë situatë ta shfrytëzojnë për qëllime armiqësore. Andaj për luftën në këto kushte si për armikun e brendshëm si dhe për atë të jashtëm duhet të jemi vigjilent jo vetëm në organet e UDB-es e të SHSSH, por për të gjithë veprimtarët dhe organizatat shoqëroro politike që veprojnë në Kosovë.
8.IX. 1966, Prishtinë (Arkivi i Kosovës, fondi i Komitetit Krahinor të LKK-së, Kosovë,1945-1966, kutia 702, Prishtinë)

Kosova pas Plenumit të Brioneve

Pas Plenumit të Brioneve (1966), edhe pse pati tendenca që kjo periudhë historike të hidhet në harresë ose të shtrembërohen vlerësimet dhe vendimet e saja, rëndësia e Plenumit të Brioneve dhe periudha historike e zhvillimit të Kosovës në këtë kohë kishte dhe ka edhe sot një rëndësi historike, sidomos për nga dhuna, terrori dhe masatë e përcjelljes e ndjekjes që u aplikuan ndaj shqiptarëve menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e më vonë.
Në harkun kohorë 1966-1981, mendohej se shqiptarët sadopak patën një jetë më të durueshme dhe morën frymë më lirshëm 1. Po themi lirshëm ngase krahasuar me kohën e para plenumit, gjithsesi ishte më e durueshme. Do të ishte gabim po të besohej se në këtë kohë shqiptarët ishin liruar plotësisht prej shtypjes, dhunës politike dhe shtetërore. Edhe pas Plenumit të Brioneve, Jugosllavia kishte ngelur shtet policor, dhe diktaturën e saj e shprehte pikërisht ndaj popullatës shqiptare duke iu bërë përsëri të njëjtin terror dhe të njëjtat padrejtësi. Por, në këtë kohë bie në sy sidomos një politikë më perfide dhe më dinake që me një mjeshtri filloi ta aplikonte Titoja ndaj pjesës më të prapambetur dhe më të shfrytëzuar të ish-Jugosllavisë-Kosovës. Bie në sy, menjëherë pas Plenumit të Brioneve (1966), se gjoja ajo e revidoi politikën e “gabimeve” ndaj shqiptarëve, dhe gjoja po i hapte “dyert e perspektivës” për shqiptarët. Plenumi, ia hodhi fajet gjoja nacionalizmit serbë apo më shkurtë, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviqit. Por, si mund të ndodhë do të thoshte Erih Fromm (1900-1980), se “delet zakonisht nuk shkojnë pas ujkut”. Poqese Rankoviqi ishte ai xhelati që bëri të gjitha ato krime, shtrohet pyetja ku ishte KQ i PKJ-së, KQ i PKS-së, e mos të ndalemi në anëtarët e kreut partiak të Kosovës. Athua si mund të shpjegohet shpërngulja e mija e qindra shqiptarëve nga trojet e veta, aksioni i mbledhjes së armëve, dhe krejt në fund kush e nënshkroi dhe e aktivizoi Konventën Jugosllavo – Turke të vitit 1938, që statistikat dëshmojnë se nga viti 1953-1960 nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare në ish Jugosllavi u shpërngulën mbi 283.000 veta2. E tëra kjo edhe njëherë vërteton se politika jugosllave edhe pas plenumit, s’ishte politikë e parimeve dhe e lirisë, por thjeshtë, ishte politikë e parimeve mashtruese dhe e lirisë manipuluese.
Për të bindur opinionin e gjerë të vendit e aq më tepër atë ndërkombëtar, se Shteti Jugosllavi, megjithatë është demokratik dhe të gjithë popujt që jetojnë në të gëzojnë të gjitha të drejtat, Titoja mori përsipër që të përgatitën dhe të miratohen disa amendamente kushtetuese në vitet 1967 dhe 1968, dhe më në fund Kosova për herë të par në historinë e vet e nxjerri Kushtetutën3, se gjerë më 1974, Kosova kishte Statutin. Kjo ishte edhe një element bindës se Kosova u bë njësi e barabartë federale, natyrisht ende jo në atë nivel në të cilën kërkonte populli i saj.
Ç’është e vërteta, pas vitit 1966 dhe në veçanti pas ndryshimeve kushtetuese, u bënë disa hapa e ndryshime pozitive në përmirësimin e pozitës së Kosovës dhe të tërë popullit shqiptar në RSFJ, por analizuar drejt, as ato nuk kishin të bënin me ndonjë zgjidhje të drejtë e fatlume të çështjes së Kosovës.
Edhe më tej Autonomia vazhdonte të ishte tepër formale dhe tepër e kufizuar. Në mënyrë më perfide përsëri vazhdonte shtypja kombëtare dhe prapambetja e gjithanshme ekonomike, kulturore e arsimore etj. Lirshëm mund të thuhej se edhe vet shteti Jugosllavi që funksiononte si federatë ishte në gjendje krize të gjithanshme. Klima politike ishte në tension e sipër dhe në çdo moment pritej që të shpërthente.
Në këto kushte të tendosjes në Beograd dhe Zagreb kishin shpërthyer demonstrata të fuqishme më 1967. Ndërsa në Kosovë, pasi që u binden se me rrugë institucionale nuk do të arrihej e të sigurohej një autonomi më e gjerë, që Kosova të shpallej Republikë, e vetmja rrugë që kishte mbetur ishin demonstratat paqësore. Masat shqiptare në Jugosllavi nëpër mes demonstratave vendosën që të kërkonin ato që atyre iu mungonin gjithherë në krahasim me popujt e tjerë në Jugosllavi. Tek kërkesat e demonstruesve shqiptar, përveç tjerash do të ndikonte edhe kjo e dhënë, se sa ishte premtuar dhe çfarë nuk ishte zbatuar, por që ishte shkuar në të kundërtën 4 nga pushtetarët.
____________
Referencat:
1 Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika, Prishtinë 1994, f. 213.

2 Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë 1945-1966, Prishtinë 1987, f.134.

3 Dr. Hakif Bajrami, Kosova prej Bujanit në Kaçanik, Prishtinë , 1997, f. 351

4. Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare (1844-1999), Tiranë, 1991,503

VIJON …
___________________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (24)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10059

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura