Pashtriku.org, 27. 04. 2015 – (“PËRPJEKJA KOSOVARE”, NR. 15, VAZHDON LUFTËN MEDIATIKE) – Sikurse numri 14 i Gazetës “Përpjekja Kosovare”, po ashtu edhe nr. i 15-të, ka të njëjtën format dhe të njëjtin dizajn. I tërë numri është i shtypur në formatin A-4, dhe ka të njëjtin ballinë të dizajnuar me hartën e Shqipërisë Etnike, dhe Shqiponjën dykrenore. Letra është e thjesht ku janë shtypur shkrimet, fletët janë të kapura me kapëse, dhe nuk shkruan për ndonjë redaksi dhe anëtarët e saj. Shkrimet edhe në këtë numër nuk kanë emra autorësh, por nuk kanë as iniciale e as pseudonime. Në ballin të gazetës, veç hartës e shqiponjës jepet edhe e dhëna se kjo gazetë është Buletin i Komitetit “Lidhja Kosovare”, e cila Lidhje është edhe anëtare i Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane. Jepen edhe të dhëna për Drejtimin: 189-10 33rd Avenue, Flushing, N.Y., U.S. America. Dhe vazhdon 811 Jenny Lane, Aurora, Illinois. U.S. America.
“Përpjekja Kosovare”, mban numrin 15, dhe ceket se botohej në mërgim, me 10.7.1974. dhe fillon me shkrimin “Kongresi i Parë Botnuer i Lidhjes Kosovare”.
Mbajtja e Kongresit të Parë i Lidhjes Kosovare
Kongresi i Parë i Lidhjes Kosovare u mbajt me 24 dhe 25 nëntor 1973, në hotelin e bukur Conrad Hilton të Chicagos. Kongresi i parë u angazhua me këmbëngulje dhe qëllim suprem i tij ishte që të mbrojë Kosovën dhe t’iu dal krah kosovarëve.
Ky kongres ishte vulosja e punës dhe e flijimeve që bëjnë kosovaret, dhe bashkë me ta të gjithë shqiptarët vullnetmirë, brenda dhe jashtë Kosovës, për me iu dal në krye që shqiptarët nën Jugosllavi të bashkohen në një administratë, të drejtuar nga shqiptarët vetë dhe në gjuhën shqipe, në një administratë të zonjën me vendos ajo vetë për fatin e saj. Nuk u çuditem aspak, kur pamë në këtë kongres kosovarët dhe të gjithë shqiptarët të shfaqin të njëjtat ndjenja, të njëjtat dëshira, për Kosovën dhe Çamërinë, për bashkimin dhe mbledhjen e të gjithë shqiptarëve nën krahët e fuqishëm të Shqiponjës dykrenore, në Shqipërinë Etnike, të lirë e demokratike .
Pjesëmarrja në Kongres
Në kongresin e Parë Kosovar sipas të dhënave që i jep gazeta, thuhej se në të merrnin pjesë delegat të shumtë si : nga Turqia, nga Franca, nga Gjermania, nga Kanadaja, nga Detroidi, nga Njujorku, dhe nga New Jersey. Në kongres dhe gjatë tërë punës sa zgjati ai, binin ne sy numri i madh i qelesheve të bardha dhe veshja kombëtare e tyre që kishin vu atdhetaret dhe që të mallëngjenin tej mase. Në mesin e shumë miqve vend të rëndësishëm zinin dhe që e nderuan kongresin me pjesëmarrjen e tyre dhe e përshëndetën në të njëjtën kohë ishin: Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”, Profesor Abas Ermenji, i cili kishte ardhur enkas nga Franca për me qenë në mesin e kosovarëve, në këtë Kongres aq të rëndësishëm, profesori bëri një analizë të gjatë për historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Gjatë punës së kongresit u kryen edhe disa lutje fetare që i kryen hirësia e tij Baba Rexhepi, i Teqesë Shqiptare Bektashije të Detroitit, i Përndershmi At Ambros Martini, i ardhur nga San Franciscoja i Kalifornisë, edhe i Përndershmi Hafëz Muhamet Jumniu, i ardhur nga Vjena e Austrisë. Atë Ambrozie kishte sjellë edhe përshëndetjen dhe urimet e kryekapelanit shqiptar At Daniel Gjeçajt.
Kongresin e parë të Lidhjes Kosovare më vonë e kishin përshëndetur edhe z. Qazim Prodani në emër të Kolonisë Shqiptare të Turqisë, z. Nimet Malo, në emër të grupit Çamë në mërgim, zonja e nderuar Fiqirete Shehu, e veja e kapitenit nga Çamëria fisnike, Haki Rushit Shehut, Dr. Ali Koprenska, anëtar i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipënija e Lirë”, Dr. Nihat Bakalli, drejtor i Radios “Zëri i Shqiptarëve të Lirë” të Ballit Kombëtar, z. Ahmet Zherka, z. Xhemil Meqo, z. Ismet Lesko, z. Rizvan Banka dhe të tjerë.
Mbas përshëndetjeve të shumta dhe fjalimeve që mbajtën pjesëmarrësit, kongresi zgjodhi udhëheqësin e vet. Kryetar u zgjodh i Përndershmi Hafëz Isuf Azemi dhe sekretar u zgjodh Skender Taniku, Mustafa Henci dhe Sami Tetova.
Për angazhimin dhe punën e madhe që kishte bërë Lidhja Kosovare, u paraqit edhe referati kryesor nga Profesori i nderuar Luan Gashi, që njëherë ishte edhe sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kosovare. Të gjithë të pranishmit ishin të entuziazmuar dhe të gjithë në një mënyrë apo tjetër u mundonin që të angazhoheshin në mbarëvajtjen e punëve të kongresit. Në kongres diskutuan edhe: Abdyl Henci, Skender Taniku, në emër të kosovarëve të Turqisë, Mustafa Henci, Kadri Bajrami, Rexhë Gashi në emër të kosovarëve nga Franca, Qazim Kërrqova, Fahredin Nushi në emër të kosovarëve të Kalifornisë dhe shumë të tjerë.
Telegramet qe arritën ne kongres
Në kongres u lexuan edhe shumë telegrame të cilët i kishin arritur brenda kohës së mbajtjes së kongresit. Telegram urimi kishte arritur nga Shtëpia e Bardhë, nga Ministria e Jashtme Amerikane, nga guvernatori i Shtetit të Ilionisit. Telegrame urimi kishin dërguar edhe senatorët amerikan : J.W. Fulbright, Adlai Stevenson, Philip Hart, Barry Goldwater, Robert W. Mitchler, Deputetët ZZ. Edward J. Derwinski dhe L.C. Arends, Kryetari i Bashkisë së Chicago-s z. Richard Daley, Kryetari i Bashkisë së New York-ut z. John Lindsay, Partia Republikane Amerikane (Dega e Rinisë), Kryetari i Misionit Amerikan (mbas lufte), në Shqipëri dhe ish-drejtori i Shkollës Teknike z. Harry T. Fultz, Bashkimi Federalist i Komuniteteve Etnike Evropiane si edhe shumë parti dhe organizata në mërgim të Evropës Qendrore dhe Lindore. Mbas këtyre urimeve, Prof. Luan Gashi lexoi përshëndetjet e dërguara nga prof. Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar dhe nga prof. Zef Pali dhe z. Halil Maçi , anëtar të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
Në vazhdim të punës në Kongres u vendos që kongresi ti dërgoi telegrame falënderimi kryetarit të ShBA-ve, z. Richard Niksonit, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara z. Kurt Wadheim, edhe Ministrave të Punëve të Jashtme të Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Nga organizatat shqiptare që vepronin në mërgim telegrame urimi kishin dërgua, Komitetet Krahinore të Ballit Kombëtar që vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Angli, në Gjermani, në Australi, në Zelandën e Re. Telegrame urimi kishin dërgua edhe individët që tërë jetën ia kishin kushtua çështjes së Kosovës si : i Perndershmi Imam Vehbi Ismaili, Kolonel Muharrem Bajraktari, z. Dervish Duma, z. Gjon Pjetër Gjomarkaj, anëtarë i Komitetit Kombëtar demokratik “Shqipënija e Lirë”, Kosovarët e Izmirit, prof Hysni Hoxha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare në Arabi e shumë të tjerë anë e kënd globit.
Zgjidhet kryesia e re e “Lidhjes Kosovare”
Kongresi në ditën e dytë të punimeve i kushtoi rëndësi punimeve në Komisione, të cilat paraqiten Rezolutën Politike, Kartën e Primeve , Statutin e Lidhjes dhe vendimin për shtypin dhe financat. Pas një analize dhe debati që u bë rreth këtyre materialeve, kongresi i miratoi një zëri.
Pastaj në vazhdim, kongresi propozoi dhe zgjodhi Komitetin e Ri Qendror. Për sekretar të përgjithshëm u zgjodh prof Luan Gashi, ndërsa anëtar u zgjodhën : Abdyl Henci, Hafëz Isuf Azemi, prof. Hysni Hoxha, dr. Faton Gashi, Dr. Isa Sejdia, Skender Taniku, Mustafa Henci, Ndue Camaj, Ajet Rushiti dhe Kadri Bajrami.
Duhet cekur se edhe gratë shqiptare gjatë punës së kongresit nuk qëndruan duarkryq. Të prira nga zonja Nevrije Daut-Azemi, ato gjatë pushimit të drekës së ditës së dytë të kongresit, përgatitën specialitetet të ndryshme nga kuzhina shqiptare, dhe i qerasën pjesëmarrësit me drekë të begat në hotelin Aurora.
Në sesionin e pasdites së ditës së dytë të Kongresit, iu kushtua vëmendje e veçantë gjashtëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, Ditës së Flamurit. Fjalën kryesore në kongres për rendësin e kësaj dite e mbajti profesori i nderuar Abas Ermenji. Në fjalën e tij ai u përqendrua në luftërat e mëdha që kishin bërë shqiptarët nëpër shekuj dhe pas kësaj ai ceku edhe detyrat të cilat e presin shqiptarin në të ardhmen.
Diskutimit të prof. Ermenjit iu bashkua edhe kroati Tomiç, i cili u tregua mbrojtës dhe mik i madh i shqiptarëve. Kryesisht ai u përqendrua në shkeljen e të drejtave që iu bëheshin kosovarëve nga ana e pushtetit jugosllav. Po ashtu në kongres foli edhe Dr. Karol Lipa, udhëheqës polak dhe kryetar i Federatës Polako-Hungareze.
Në fund të diskutimeve, në mbrëmje vonë, zonja Zarije Qani-Telha nga një grup i vajzave e djemve kishte përgatitur një program artistik enkas për pjesëmarrësit e kongresit. Nga të pranishmit, programi u prit me duartrokitje.
Përfundimi i Kongresit
Kongresin e parë të Lidhjes Kosovare e përmbylli, udhëheqësi i porsazgjedhur, Prof. Luan Gashi. Ai të pranishmëve iu drejtua se ky kongres është i pari kongres botëror që po e mban Lidhja Kosovare. Të gjithë të pranishmit që kanë marr pjesë në këtë eveniment të madh kombëtar në një mënyrë na kanë nderua neve dhe veten e tyre. Ata të cilët nuk kanë mundur të jenë prezent këtu, na kanë ftua dhe na kanë urua punë të mbar dhe na kanë përkrah dhe na kanë premtua se edhe në të ardhmen do na përkrahin dhe do të jenë mbështetës të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. Mbi të gjitha, në kongres prof. Luan Gashi tha se urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta iu janë bërë Kosovës dhe popullit të saj trim që po qëndron dhe po reziston në trojet e veta.
Gjashtëdhjetë vjetori i copëtimit të tokave shqiptare
Profesori në fund të kongresit bëri një lloj rekapitullimi për të gjitha ngjarjet historike dhe aktuale që kishin ndodhur në tokat shqiptare. Në mes tjerash ai shtoi ”se janë mbushur këtë vit gjashtëdhjetë vite qysh se e ndanë, e cunguan Kosovën trime nga trupi i Shqipërisë së pambrojtur” Profesori u ndal për të bërë në pika të shkurtra termin “Kosovë”, duke theksuar se me fjalën “Kosovë” kuptojmë mbarë tokat e mbetura nën Jugosllavi. Ky dhe dhe ky mëmëdhe, nuk është një ishull në Jugosllavinë e krijuar me copa kombesh, por është vazhdim i Shqipërisë, është vazhdim i kombit Shqiptar, i cili nuk i ka rrëmbye kujt asnjë pëllëmbë toke, por është copëtua vetë në Kongresin grabitqar të Berlinit, së pari në Konferencën e padrejtë të Londrës, më vonë thotë profesori.
Vazhdon profesori për të elaboruar padrejtësitë e shumta që iu bënë këtij populli liridashës se edhe tani e themi me zemër të plasur se më 1913, nuk doli një “Lidhje e Prizrenit”, për t’i tregua botës vullnetin dhe qëndresën e nevojshme. Për fat të keq, kombi i ynë, i ndarë nën pushtime ushtarake të ndryshme, pësoi tragjedinë më të madhe, pa mund me bë luftën më të madhe për shpëtimin e Kosovës dhe të Çamërisë . Për të vazhdua, më vonë profesori, se, tragjedia e popullit shqiptar nuk përfundon këtu, por qeveritë që parakaluan në skenën e Shqipërisë politike nuk qenë në gjendje për të mbrojtur tokat që u grabitën nga ajo, por përkundrazi ndodhi edhe ajo që Jugosllavisë iu falën edhe pjesë të tjera të Shqipërisë si Shënë Naumi dhe Vermoshi, vetëm e vetëm që në duart e tyre të kenë edhe më tepër fuqi. Shtrohet pyetja athua vallë, nuk mjaftonte e keqja që na kishte ndodhur më 1913, por i shtonim edhe telashe të tjera këtij kombi fisnik.
Angazhimi i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”
Në kongres, profesori në vija të shkurtra prezantoi edhe angazhimin e madh që kishte bërë Organizata e “Ballit Kombëtar” në mërgim lidhur me organizimin e Lidhjes Kosovare, dhe po ashtu bëri prezantimin e angazhimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmën që kishin dhënë për Lidhjen Kosovare.
Në mes tjerash, thuhej në kongres, se i ra hise Ballit kombëtar, i cili u krijua menjëherë pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, nga i biri i Abdyl Frashërit, Mithat Frashërit, me e naltësua mbi qatin e qëndresës Flamurin e Shqipërisë Etnike. Edhe të gjithë miqtë dhe armiqtë, ata që panë dhe ata që sdeshën me pa, me sa shpirt, me sa vrull, me sa flijime, e mbrojtën Ballin Kombëtar thanësin Kombëtare. Jo vetëm se u shtri në Kosovë, tue zgjua dhe tuje shkund botën për provën e madhe, jo vetëm që dërgoi ushtrin e rinisë së tijë në luftën kundër çetave të gjeneralit Mihajloviq si edhe kundër komunistëve serb, por tronditi botën me gjendjen e Kosovës, me të drejtat e Kosovës.
Në diskutim e sipër referuesi të pranishmëve iu tregoi edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm, kur Mithat Frashëri në një konferencë shtypi që e kishte organizua më 1949, në Londër, e prishi ngase nga udhëheqësit e konferencës ishte lutur që mos të flasi për Kosovën. Edhe sot, thotë profesor Luan Gashi , Komiteti “Shqipnija e Lirë” që e udhëheq Prof. Abas Ermenji, e ndjek po të vyejtën rrugë. Në çdo mynxyrë, në çdo arrestim dhe ndjekje e përndjekje që ndodhë në Kosovë, në këtë komitet ngritët zëri me këmbëngulje ndaj të gjitha padrejtësive që ndodhin atje.
Nga e tërë kjo që u tha më lart, vijmë në përfundim sikur anëtarët e ballit Kombëtar, po ashtu edhe anëtarët e Komitetit “Shqipnija e Lirë” po ashtu edhe “Lidhja Kosovare”, kanë dhënë prova dhe janë betuar dhe iu kanë qëndruar konsekuent deri më sot, që çështjen kosovare me e bë çështjen e parë të përpjekjes kombëtare . Dhe nga zemra dhe me përulësin më të madhe profesori iu falënderua të gjithëve.
Mëkatet e Partisë Komuniste
Në kongres vëmendje e veçantë iu kushtua mëkateve dhe qëllimeve destruktive të Partisë Komuniste që vepronte në Jugosllavi. Gjatë diskutimit u tha se fajin kryesor që Kosova ka ngel nën thundrën jugosllave dhe nën pushtetin e Titos e bartë Partia Komuniste e Shqipërisë.
Nuk është e vërtet se qëllimet e PKJ-së nuk kanë qenë të njohura gjatë luftës së Dytë Botërore. Ngase qysh në Konferencën e Mukjes u zbuluan qëllimet grabitqare të kësaj partie. Dhe vetëm në këtë rast u bindën atdhetarët se në anën e atdheut po qëndronte vetëm Balli Kombëtar me qëndrimet e veta. Dhe kjo luftë idesh nuk shkoi gjatë dhe u shndërrua në luftë civile dhe zgjati mase një vit.
“Atëherë ishte shovinizëm, për shqiptarët me e mbajt e me e kërkua Kosovën, kurse ishte patriotizëm vetëm për Serb e deri për Komunistët e Jugosllavisë mos me e lëshua Kosovën. Ka ngel një njollë e pashlyeshme në histori fakti që brigada komunistesh shqiptarësh me yll në ballë shkuan dhe shtruan çetat kryengritëse në Kosovë për me ia dorëzua pa mundime Mareshalit të Beligradit tokën e braktisur nga regjimi komunist i Tiranës. Jo vetëm kaq, po në këtë tokë të martirizuar u pushkatuan me dhjeta mija djelmosha shqiptar, ndër ta edhe kolonel Fuat Dibra dhe sa e sa oficer akademistë, që kishin të vetmin faj se donin me e bashkua Kosovën me Shqipërinë.
Formimi i Lidhjes Kosovare
Në këto kushte e rrethana lindi dhe u formua organizata në mërgim “Lidhja Kosovare”. Lidhjen Kosovare e formuan të gjithë ata që luftuan dhe rezistuan në luftën për liri dhe bashkim kombëtar të Shqipërisë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, nuk përfundon edhe lufta në Kosovë. Populli i ndarë për gjysmë ishte i pakënaqur, andaj gjenerata e gjenerata vazhdonin qëndresën e tyre. Duhet kujtuar me pietet edhe dëshmoret e rënë si prof. Ymer Berishën, Haki Tahën dhe qindra e mija të tjerë që dhanë jetën për Shqipërinë e Bashkuar.
Sipas profesorit Luan Gashit, Lidhja Kosovare në mërgim lindi kur mbi 50.000 mijë të vrarë nga regjimi komunist i Beligradit kërkonin një zë të vetëm në mërgim, kërkonin një dorë vëllai për t’iu dalë në ndihmë në shtrëngatën e gjakut të pashterur.
Me ndihmën e Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Kombëtar Demokratik ”Shqipënija e Lirë”, kërkuam që të lidheshim me një organizatë ndërkombëtare që merrej me çështjet e pakicave etnike të Evropës. Në fund të vitit 1956 Lidhja Kosovare u pranua në Federatën e Komuniteteve Etnike Evropiane. Me pranimin e saj në këtë organizatë, u arrit edhe qëllimi suprem i saj që çështjen kosovare ta bëjë të njohur në botë. Nëpër mes këtij asociacioni ndërkombëtar Lidhja Kosovare, aty u tregoi gjendjen tragjike të të gjithë një populli dhe parashtroi me energji aspiratat e gjysmës së kombit shqiptar. Kauza e drejtë, guximi dhe veprimtaria e arritur në atë shkallë konsiderimi, sa që në Kongresin që u mbajt në Aosta, kjo Federatë të gjithë sytë e qindra kongresistëve u drejtuan kah Lidhja Kosovare. Ishte pesëdhjetëvjetori i robërisë së Kosovës. Me propozimin e Lidhjes Kosovare, për të parën herë në historinë e mërgimit iu dërguan protesta të gjitha Ministrive të Punëve të Jashtëm të botës, Kombeve të Bashkuar, Lidhjes Evropiane dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Përshtypja dhe jehona që pati kjo protestë detyroi që Ministri i Arsimit i Aostës tha gjatë darkës madhështore në Saint Vincent se vetëm Kosovarët paraqitën të fortë dhe të vendosur, me shpresën për një të ardhme ma të drejtë.
Edhe pse në rrugën e zhvillimit dhe të organizimit, Lidhja Kosovare pati edhe peripecitë e veta, megjithatë, ajo në mënyrë të shpejt u përhap tek mërgimtarët, dhe në mënyrë të rrufeshme përhapi qëllimet dhe idetë e veta si tek mërgata po ashtu edhe tek vendet demokratike në botë. Lidhja Kosovare për ditë e më shumë zgjerohej dhe propagandonte dhe sensibilizonte problemet e shqiptarëve të robëruar në Jugosllavi.
Situata politike në Kosovë
Referuesi për gjendjen politike në Kosovë nuk u ndal edhe gjatë ngase theksoi se atë situatë ne të gjithë edhe pse jemi larg atdheut ne e përcjellim me vëmendjen më të madhe. Këtu do të ceki vetëm se ndarja e tokave shqiptare në tri republikat e Jugosllavisë u bë me qëllim të caktuar. Qysh në fillim, regjimi i Beogradit kishte mendua keq me e nda elementin shqiptar në tri pjesë, për me pengua çdo përpjekje bashkimi të këtij elementi si bashkësi kulturore dhe etnike. Me shpalljen e Krahinës së ashtuquajtur Autonome të Kosovës, Beogradi vazhdon të mos e përfill ose ta përçaj edhe më tepër kompaktësinë Shqiptare. Po ta nderonte regjimi i Titos këtë kombësi, e pakta gjë që do të bënte do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Jugosllavisë në një administratë të vetme dhe njohja e të drejtave politike dhe kulturore të tyre me Shqipen si gjuhë administrate. Porse Beogradi , që shfaqet kundër kolonizimit në kontinente të tjera, brenda në Jugosllavi ushtron imperializmin e tij kolonial kundrejt shqiptarëve . Por kjo gjendje nuk do të qëndroi gjatë ngase vullneti i popullit liridashës është tjetër fare.Ndoshta pas rënies së Rankoviqit, dhe pas aksionit të mbledhjes së armëve dhe shpërnguljes së popullatës shqiptare për Turqi e ka pakua intensitetin porse kjo edhe duhet të jetë një arsye më shumë që pushtetarët duhet të kenë kujdes se një ditë do të ndryshoi gjendja tërësisht dhe athua vallë ku do të shkonin ata që i bënë keq këtij populli. Nga kongresi del edhe mesazhi se shqiptarët që jetojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi nuk duhet të lëshojnë tokën e tyre . Duhet të qëndrojnë aty ku janë, të punojnë aty ku janë, të luftojnë atje ku janë për të mbrojt lirinë, gjuhën, kombësinë dhe të drejtat e tyre. Më 1913 nuk qenë të gatshëm shpirtërisht për të ndalu copëtimin e tokave të tyre. Në vitet që kanë me ardhur duhet të jemi gati, brenda dhe jashtë Kosovës, për me e ndreqë padrejtësinë e kryer 60 vjet më parë.
Fjalimi i Prof. Abas Ermenjit
Në Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare që u mbajt me 24-25 nëntor të vitit 1973, në Chikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një fjalë rasti e mbajti edhe Profesori i nderuar Abas Ermenji, kryetar i Komitetit Demokratik “Shqipërija e Lirë”, që zgjati mbi çerek ore. Fjala e profesorit u pranua me brohoritje nga të pranishmit dhe zgjoi interesim nga të huajt se me një gjuhë të argumentuar shkencore prezantoi historikun e shqiptarëve në përgjithësi dhe të tokave shqiptare të okupuara nga Jugosllavia në veçanti.
Në vazhdim, profesori tha se: ndjehet kryelarta që merr pjesë në Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare në mërgim. Sepse Kosova, për ne shqiptarët, është një Shqipëri tjetër, e mbetur jashtë kufijve politik të atdheut. Me fjalën “Kosovë” ne kuptojmë jo vetëm Fushën e Kosovës, po edhe rrafshin e Dukagjinit, Maqedoninë shqiptare dhe pjesët shqiptare në Mal të Zi. Të gjitha këto toka përbëjnë pothuajse gjysmën e Shqipërisë Etnike. Me humbjen e Kosovës shteti shqiptar doli si një trup i këputur më dysh, si një krijesë artificiale, i ndarë prej pjesës më të shëndosh të tij si tokë pjellore dhe si element njerëzor. Dhe vetëm me bashkimin e Kosovës Shqipëria mund të gjejë ekuilibrin e saj të natyrshëm për tu bë një shtet i plotë dhe i qëndrueshëm në Ballkan.
Më vonë, profesori vazhdoi duke theksuar se siç e dini, Kosova pat qenë qendra e Lëvizjeve Kombëtare për Lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikënisja e ringjalljes kombëtare pat qenë Lidhja e Prizrenit, e cila u mblodh në Prizren sepse ky qytet shikohej si kërthiza e Shqipërisë. Veprimet ushtarake të Lidhjes së Prizrenit u zhvilluan sidomos në Kosovë, që ishte pjesa më e kërcënuar po edhe më e shëndosha e Shqipërisë. Kryengritjet më të mëdha shqiptare kundër Turqisë ndërmjet viteve 1909 dhe 1912, ndodhën në Kosovë, sepse Kosova ishte bërë flamurtarja e Shqipërisë. Mbledhja e 20.000 kosovarëve në Ferizaj, më 1908, e detyroi Sulltan Hamitin të shpallte Kushtetutën dhe t’iu lëshonte fuqinë Xhon Turqëve. Hyrja e 20.000 kosovarëve në Prishtinë dhe në Shkup, në korrik e gusht të vitit 1912, e rrëzoi qeverinë e Stambollit dhe e detyroi Turqinë të vinte në marrëveshje me shqiptarët duke iu njohur këtyre disa të drejta në të katër vilajetet. Ky qe edhe shkaku i Luftës Ballkanike e cila u organizua dhe e shpalli pikërisht për të ndalur formimin e një shteti shqiptar dhe për të copëtuar tokat shqiptare. Profesori në këtë kongres demantoi edhe të dhënat serbe, duke krijuar një histori të gënjeshtërt duke thënë se gjoja kosovarët janë të vajtur në Kosovë prej Shqipërisë së sotme, në shekullin 18-të, kur patë qenë shpërngulur patriku Pejës.. Kurse kosovarët ndodhen në ato vende qysh në agim të historisë. Në kohët e lashta, mu në qendër të Kosovës mbahej si shtyllë fisi Ilirian i Dardanëve, që iu ka dhënë emrin Dardaneleve. Prej vendeve të Kosovës patën dal disa nga perandorët më të shkëlqyer të Romës dhe të Bizantit si Konstantini i Madh që e njohu krishterimin si fe zyrtare, Justini dhe Justiniani i Madh.
Duke e përmbyllur fjalën e vet, profesori bëri një përmbledhje të historisë së Kosovës gjatë periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme. Ai referoi se Kosova ka qenë gjysma e Shqipërisë ku është formuar kombësia shqiptare me gjuhën dhe karakteret e sotme, pas dyndjes së sllavëve në Ballkan. Se toponimet e atyre vendeve janë plotë me emra që tregojnë qenien e vazhdueshme të shqiptarëve në ato treva. Emrat e disa qyteteve si Nishi dhe Shkupi (siç i quajnë shqiptarët), vijnë nga forma latine nëpër ligjet fonetike të shqipes. Se pushtimi i Kosovës prej mbretërisë Serbe të dinastisë Nemanja, sidomos prej Uroshit të II Milutini dhe prej Stefan Dushanit, pat qenë një pushtim ushtarako-politik ose dinastie (si shumë pushtime të Kohës së Mesme), dhe spat mundur tua ndryshonte fizionomin etnike atyre vendeve. Shpejt pas vdekjes së Stefan Dushanit, familja princërore shqiptare e Balshajve i spastroi viset e Kosovës prej sundimit sllav. Se legjendat dhe folklori serbë rreth luftës kundër Turqëve që u bë afër Prishtinës, më 1389, nën komandën e përgjithshme të Kral Llazarit të Serbisë, nuk provojnë asgjë për sa i përket bërjes etnike të Kosovës në atë kohë. Ajo luftë qe një kryqëzat ku merrnin pjesë të gjithë popujt e krishterë të Ballkanit dhe ku shqiptarët u dalluan ndër të tjerët. Se kemi shumë dokumente që vërtetojnë qenien e Shqiptarëve në Kosovë që prej kohës së mesme dhe gjatë gjithë sundimit turk.
Një pjesë të diskutimit profesor Ermenji ia kushtoi lëvizjeve dhe kryengritjeve në Kosovë për autonominë e Shqipërisë prej Lidhjes së Prizrenit deri më 1912. Në mënyrën më të drejt paraqiti martirizimin e saj prej ushtrive serbe gjatë Luftës Ballkanike dhe shpjegoi rrethanat e vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës më 22 mars 1913, që vulosën në një mënyrë robërinë e asaj gjysme të Shqipërisë.
Ndërsa periudhën e kaluar nën sundimin e mbretërisë Jugosllave ndërmjet dy luftërave botërore dhe të përpjekjeve të Jugosllavisë për kolonizimin e Kosovës nën mbulesën e një të ashtuquajtur “reformë agrare”, qëllimi i së cilës ishte shpërngulja e shqiptarëve prej vatrave të tyre dhe mbushja e atyre vendeve me serbo-malazezë. Regjimi i dobët shqiptar, i imponuar i Jugosllavisë, në dhjetor 1924, nuk ka mundur kurrë të hapte gojën për mbrojtjen e të drejtave të kosovarëve deri sa u hodh jashtë, në prill 1939, prej Italisë fashiste. Paria tradhtare komuniste, që u krijua dhe u organizua gjatë Luftës prej agjentëve jugosllav si një degë e pansllavizmit., nuk mund të fliste natyrisht kundër Jugosllavisë që ishte mbrojtësja dhe metropoli i saj. Kështu, pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti përsëri nën Jugosllavinë e ashtuquajtur “federale” dhe “socialiste” e cila vazhdoi vrasjet në masë, shtypjet dhe kolonizimet si në kohën e Mbretërisë. Vrasja e nja 60.000 mijë shqiptarëve, në fillimin e marrjes së Fuqisë prej partisë komuniste jugosllave dhe shpërngulja pastaj në Turqi e nja 350.000 të tjerëve ishte një nga periudhat më tragjike të historisë së Kosovës: Tragjedi që arriti kulmin e shtypjes dhe të krimeve më çnjerëzore kur në Beograd sundonte Rankoviqi.
Ndërsa nga viti 1925 e deri më sot, kishte shtua profesori e vetmja organizatë ose parti që e ka vënë çështjen e Kosovës si një çështje jetësore për kombin shqiptar dhe që e ka paraqitur gjithmonë atë çështje si një pjesë të pandarë të problemit të Shqiptarisë ka qenë dhe mbetet Balli Kombëtar. Dhe jam kryelartë që të konkludoi, tha profesor Ermenji, se Komiteti Kombëtar- Demokratik “Shqipëria e Lirë” në mërgim, të cilën kam nderin ta kryesoi, e ka vënë gjithmonë çështjen e Kosovës shqiptarëve dhe botës së jashtme si një problem që kërkon zgjidhje, ashtu siç e pat vënë Balli Kombëtar në Mbledhjen e Mukjes në gusht të vitit 1943.
Me këtë rast, profesori të pranishmëve iu bëri me dije se përveç qëllimit final që për shqiptarët e Kosovës, mbeti si i vetëvendosjes së popujve në bazë të parimeve të Kartës së Atlantikut dhe të organizatës së Kombeve të Bashkuara, përpjekjet e kosovarëve sot për sot duhet të përqendrohen në mbrojtjen e të drejtave politike, ekonomike, administrative e kulturore të shqiptarëve të Jugosllavisë brenda kuadrit të shtetit federalist jugosllav. Në një shkallë të barabartë me të drejtat që Kushtetuta Jugosllave iu njeh gjithë kombësive të tjera të atij shteti. Dhe këto të drejta nuk mund të mbrohen, shtoi z. Ermenji, deri sa shqiptarët e Jugosllavisë mbetën të ndarë, siç kanë qenë copëtuar, në një krahinë të ashtuquajtur autonome ngjitur republikës së Serbisë, në një tjetër pjesë të rëndësishme ngjitur republikës së Maqedonisë dhe në një pjesë të tretë që shkon me Malin e Zi. Përse ky copëtim administrativë ndaj shqiptarëve pyet profesori, kur asnjë kombësie nuk iu është bërë një ndarje e tillë. Kjo padrejtësi është bërë me një qëllim të caktuar përgjigjet ai, duke shtuar se këtë padrejtësi shteti jugosllav duhet ndrequr në qoftëse pretendon të jetë vërtetë federalist dhe njohës i të drejtave dhe lirive kombëtare. Pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve të Jugosllavisë, domethënë të atyre të Kosovës, të Maqedonisë, të krahinave të Malit të Zi, në një tërësi administrative më vete ose republikë autonome, e ashtuquajtura “zgjidhje e problemit të kombësive” aq fortë e trumbetuar në Jugosllavi, mbetet gjithmonë si një mit.
Dhe krejt në fund, profesori e përfundon fjalimin drejtuar të gjithë shqiptarëve me një thirrje duke iu drejtuar: Kosovarë, gjithë shpresat duhet t’i kini në punën dhe qëndresën e organizuar që mund të bëni ju vetë dhe që mund të bëjmë të gjithë ne. Asnjë popull nuk është çliruar pa luftë. Lirinë nuk ta falë askush; liria merret me forcë, me përpjekje dhe me gjak. Në këtë botë vetëm popujt e fortë çlirohen, mbahen dhe zhvillohen. Të dobëtit bien. Është turp për ne shqiptarët të biem poshtë në kohët e sotme, ne që jemi popull më i vjetër në Ballkan dhe që jemi tregua një nga popujt më luftëtar të botës gjatë tre mijë vjetëve histori. Pra përpara, me shpresë dhe me guxim. Nga ky Kongres i Lidhjes Kosovare në mërgim duhet të dali më i forcuar shpirti i qëndresës shpirti dhe organizimi i luftës për çlirimin e Kosovës. Kur dy milion shqiptarë të Kosovës dhe dy milion të Shqipërisë politike të bashkojnë forcat e tyre, armët e tyre, për një qëllim të vetëm, atëherë sigurisht do të thyhet zgjedha e robërisë dhe do të plotësohet dëshira shekullore e shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë Etnike. E mbyll fjalimin e vet Profesor Abas Ermenji.
(VIJON…)
________________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3897
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (2)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3898
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (3)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3906
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (4)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3922
***
PJESA E PESTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (5)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3923