DR.MOIKOM ZEQO: ARKEOLOGJIA & LETËRSIA & PIKTURA & FEIA & HISTORIA & FAMILJA

Tiranë, 18 prill 2017: (RRËFIM) – Ideja e fjalës kyç është konceptuale. Çdo fjalë mbart një botë të tërë referencash.
Pra, një fjalë është shumëfishim fjalësh, ose më saktë, një fjalë nocion krijon një univers.
Arkeologjia do të thotë studim i së lashtës, i parakes apo zanafillave, nënkupton një shkencë të rikthimit mbrapsht në kohë, e cila në mënyrë sinkretike dhe të shumëfishtë përpiqet të rindërtojë një botë të së kaluarës me mjete të përafërta dhe asnjëherë identike.
Është shkenca e jashtëzakonshme që mbahet si dimensioni kryesor për të plotësuar mungesën e kronikave të shkruara.
Koncepti letërsi është më i kryehershëm dhe shumë më i vjetër. Letërsia ka periudhën gojore, pastaj të të shkruarit, një institucion gjithashtu i kujtesës.
Piktura është arti i fiksimit. Më i vjetri nga të gjitha rastet, më i vjetër se letërsia, që në paleologun e mesëm.
Është një formë e abstragimit të pamjeve dhe të imazheve në njëkuptimshmëri të brendshme, semantike, e në tërësi ka lidhje edhe me arkeologjinë e letërsinë.
Tek unë, janë themelore të tria, për të përcaktuar identitetin tim njerëzor, për shkak të interesave, që kam unë në tërësi për të kaluarën, estetikën dhe rikonstruktimin e kohërave.
Unë jam marrë me të tria, si arkeolog kam punuar mbi 12 vjet dhe kam një numër veprash që më kanë ndihmuar për të formuar kulturën shumë më të plotësuar sesa disa kolegë të mi shkrimtarë.
Letërsia gjithashtu ka qenë opusi im kryesor për faktin, që kam botuar një numër të madh librash.
Dua të nënvizoj se shkrimtari shkruan vetëm një libër në jetën e vet, pavarësisht varianteve, apo numrit.
Titulli i vetëm mund të ishte në fjalë: Krijimtaria e Moikom Z.
Sa i takon pikturës, ajo ka qenë pasion i kryehershëm, filluar që në moshën 13 vjeç.
Gjatë ekspozitave arkeologjike ditarët i mbaja me vizatime. Kam hapur deri më sot 5 ekspozita pikture, por piktura për mua ka një rëndësi shumë të madhe, sepse Pikaso thotë: Edhe një vijë pikturë shpreh një filozofi, dhe një qytetërim botëror do të ishte shumë i mangët pa qytetërimin pikturik.
Piktura është ndoshta disa herë edhe më konceptuale sesa letërsia.
Sepse këtu një subjekt mund ta trajtosh në mënyrë me qindra faqe, ndërsa piktura është gjithmonë dy dimensionale dhe kërkon një sintezë më të hatashme dhe më të paimagjinueshme. Që të tria këto fjalë kyçe përbëjnë një trinitet të krijimtarisë sime.
Politikani & Artisti
Nuk mund të ketë qenie njerëzore që të jetë e shkëputur nga politika.
Formula e Aristotelit, që njeriu është një qenie politike, ose zoo-politicon (kafshë politike).
Fjala politikë vjen nga fjala polis (qytet).
Nuk kam qenë indiferent, madje kam qenë pjesë aktive në politikë.
Do të përmendja si referenca kryesore të jetës sime: Kam qenë një nga konceptuesit dhe themeluesit kryesorë të PS-së, kam qenë ministër i Kulturës në ’91 dhe deputet në kuvend në vitet ’92-’96.
Por këtu do të shtoj edhe një numër librash me ese për filozofinë e politikës, sepse mendoj që një shkrimtar, një krijues duhet të ketë një vizion shumë më universal politik sesa kryetarët e partive politike në Shqipëri.
Feja & Historia
Në librat e mi kam shkruar shumë për librat historikë që janë pjesë e qytetërimit botëror.
Po të lexoni enciklopeditë ku janë të shkruara historitë e feve, nuk janë gjë tjetër veçse alternime të njëra-tjetrës.
Nuk ka shumë ndryshim në konceptin substancial midis budizmit, krishterimit dhe islamizmit. 80 perqind e Kur’anit është nga Testamenti i Vjetër, sepse baza kryesore e feve është ekzistenca e një Zoti.
Megjithëse, në letërsinë time kam shkruar për historinë e feve dhe kam përdorur shumë si elementë artistikë mistiken, por jo si element botëkuptimor.
Them që botëkuptimi im anon nga ai laik shkencor, sepse historia e feve më ka mësuar, që fetë janë forma të miteve, të cilat janë një krijimtari edhe artistike, por që nuk kanë të bëjnë me atë shkencore.
Për shumë shekuj, për një periudhë më të vjetër se ajo botërore e krishterimit, budizmit, apo islamizmit, ka ekzistuar feja e shumë zotave, politeizmi, me Zotin Femer, dmth Magna Mater-Nëna e Madhe!
Kjo periudhë, nga ajo e matriarkatit dhe deri kur shfaqet krishterimi në shekullin e parë, është shumë herë më e gjatë si kohë sesa periudha e feve të mëdha të sotme.
Kjo nuk do të thotë se edhe ata nuk kishin një mistikë dhe nuk besonin te Zoti, por fakti, që fetë zëvendësojnë njëra-tjetrën tregon, se janë forma metamorfoze të riteve.
Ne jetojnë në shekullin 21, shekull i kibernetikës, gjenetikës, kozmosit dhe në qoftë se dyzohemi në dy mendime kryesore, njëri është mendimi mitologjik dhe tjetri shkencor, padyshim, që unë do zgjidhja mendimin shkencor, por pa mohuar rëndësinë historike dhe kulturologjike, që kanë pasur fetë në të gjithë botën dhe historinë e njerëzimit.
Familja & Fëmijët
Familja është gjëja më e shenjtë që ka një njeri i ndërgjegjshëm.
Është refleksion i atij vetë dhe pjesa tjetër është refleksion i babait tek pjesa e familjes.
Mendoj që familja është institucioni më i rëndësishëm dhe më enigmatik që ka historia e njerëzimit.
Sot ka teori të ndryshme, siç është vdekja e familjes, tjetërsimi i konceptit të familjes.
Sidoqoftë familja është institucioni që mban gjithë shoqërinë njerëzore, pavarësisht plasaritjeve, kontradiktave apo paradokseve që ka familja shqiptare sot. Kurse fëmijët janë kuptimi më i madh i jetës së njeriut.
Për mua (dhe gruan time, Liden, arkitekte dhe arkeologe e njohur) fëmijët janë më të rëndësishëm, sesa gjithë librat e mi, krijimtaria ime dhe shumë më të çmueshëm dhe shumë më me kuptim se vetë jeta ime.
Kemi tre fëmijë.
Arnisa, e cila është pedagoge e historisë së artit në Amsterdam, autore librash dhe studiuese e artit modern.
Ka botuar në disa nga revistat më të mëdha evropiane.
Emri i saj i takon një qyteti të lashtë arkeologjik, që nuk është gjetur akoma.
Vajza e dytë quhet Kletia, ka mbaruar për shkenca politike në Londër, mban emrin e një skulpture të zbuluar nga unë në Durrës, dhe Epidami, djali, i cili ka mbaruar për histori politike në Skoci, mban emrin e qytetit të vjetër të Durrësit.
Të tre emrat janë të lidhur me një entitet të caktuar siç është Shqipëria.
Më e talentuara, në kuptimin si krijuese, që ka disa dhunti, është Arnisa.

Moikom Zeqo me Përparim Kabon/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura