Pashtriku.org, 3 qershor 2017: Një njoftim i dhimbshëm u publikua dje, në faqe të ndryshme të Internetit!…Është ndarë përgjithnjë nga jeta, kolegu dhe miku im i dashur e i paharruar, arsimtari, autori i shumë librave dhe studiuesi i njohur nga Gjakova, Halil Haxhosaj (16 nëntor 1946-22 maj 2017). Në nderim e kujtim të tij, po ribotoj një shkrim të disa viteve më parë. Me këtë rast, ju dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta: Të gjithë familjarëve, kolegëve, miqëve e dashamrëve të tij të shumtë! Tiranë, 23 maj 2017
1.
Më së fundi edhe mbrëmë u lidha me anën e Internetit, me kolegun e mikun tim të mire, në qytetin e Gjakovës, arsimtarin e poetin e njohur në atë trevë e më gjerë, Halil Haxhosaj. Ndërsa, para pak ditësh, ai më dërgonte një mesazh, ku më “tërhiqte vëmendjen” se kishim kohë pa u marrë vesh me njëri-tjetrin?! Kishte të drejtë, prandaj iu përgjigja me një “autokritikë” të shëndoshë, duke i thënë se si më ishin “ngatërruar” punët, “pa dashje”, por që e kisha patur atë gjithnjë në kujtesë.
Njohjet e lidhjet tona janë disavjeçare, ato datojnë që nga korriku i vitit 2000, kur bëra vizitën time të parë në Gjakovë e në Kosovë, pas luftës e fitores përfundimtare mbi rregjimin serb. Ndërsa më pas, ne kemi mbajtur lidhje të pandërprera dhe tani nuk mund t’i përmendi të gjitha. Kam shkuar herë të tjera në Gjakovë, por dhe Halili ka ardhur në kryeqytetin Tiranë. Për shëmbull, po risjell në kujtesë takimet tona më të fundit. Kështu, ai ka marrë pjesë në përurimin e librit të kolegut të tij, Tahir Bezhani, në Tiranë dhe unë jam takuar me Halilin në Gjakovë, kur përurova aty librin tim, kushtuar arsimtarit veteran Salih Myftar Kolegeci. Ndërsa “ura lidhëse” kryesore nërmjet nesh kanë qenë botimet tona, sidomos ato të shpeshta, nga ky poet i talentuar. Pra, sa herë që ai ka publikuar një libër të ri, ma ka dërguar atë nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, arsimtarit e publicistit Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogajt e Tropojës ose, siç njihet ndryshe, Malësia e Gjakovës. Se, në fakt, është dhe ky një shkak i lidhjeve tona, pra se historikisht jemi përshirë në një krahinë, qyteti me malësinë e saj, paçka se na kanë ndarë rregjimet e pushtimeve, serbe e komuniste.
Nga e majta: Halili e Murati (Tiranë, vjeshtë 2010)
2.
Arsimtari e poeti Halil Haxhosaj ka lindur në fshatin Prekolluk (Preklulaj) të Vokshit, në rrethinat e Gjakovës së Kosovës, më 1946. Mësimet e para, shkollën Normale dhe degën e gjuhë-letërsisë shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik, i mbaroi në Gjakovë. Me dëshirën për t’i plotësuart më tej studimet e veta, ndoqi e përfundoi Universitetin, në Prishtinë. Disa kohë e ushtroi detyrën e mësuesit në shkollën e fshatit Cërmjan dhe ka shumë vite që shërben pedagog i gjuhës e letërsisë shqipe, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi”, të Gjakovës. Në vlerësim të krijimeve dhe botimeve të tij të njëpasnjëshme, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, V.P.S. (Shoqata e Poetëve të Botës) dhe i kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, në Gjakovë.
Halili nisi të merrej me krijimtari letrare qysh në bankat e shkollës fillore. Për botimet e tij cilësore, është nderuar me disa çmime të ndryshme. Në vitin 2006, i është dhënë çmim nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, për pjesëmarrjen e tij në konkursin e shpallur me rastin e 75-vjetorit të ditëlindjes së Dritëro Agollit. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja, si rumanisht, gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht e serbisht etj. Ka praktikuar gjini të ndyshme, sidomos poezinë për të rritur e fëmijë, prozë, kritikë letrare, romane e drama, shkrime për teatër, skenarë për filma e televizionin dhe shkrime të shumta publicistike. Deri tani, në 19 vjet krijimtari, ai ka publikuar 15 libra, 8 nga të cilat i kam në bibliotekën time. Libri i tij i parë ishte ai me poezi, “Damarë të ringjallur” (Gjakovë, 1992) dhe më i riu, “Puhizë shpirti”-poezi haiku (Prishtinë, 2010).
2.
Tani, dëshiroj të shkruaj pak radhë për “puhizën e shpirtit”, që ka depërtuar në të gjithë krijimtarinë e poetit e shkrimat Halil Haxhosaj dhe ka mbërritur në bibliotekën time e më konkretisht në 8 libra të tij, sipas viteve të botimit.
Kur është shkruar e publikuar libri “Hija e orëligës”, ishte viti 2000, pra kur sapo ishte çliruar Kosova dhe plagët e luftës e fitores mbi rregjimin serb ishin ende të pambyllura. Në mbi 80 poezitë e tij, pasqyrohej pikërisht shpirti i tronditur i autorit në periudhën, kur trualli amtar kosovar kishte qenë nën pushtimin e huaj, pra mbi të endej e zezë “hieja e orëligës”, “qentë po lehnin” e dhimbjet e njerëzve ishin të mëdha. Me gjithë notën e dhimbshme, që i përshkon këto krijime të bukura, përsëri autori beson në optimizmin e jetës, në mirësinë: “Në se dikush e dashuron mirësinë,/le të vijë këtu sonte,/se nuk ka vdekur jeta!”
Por edhe vëllimi vazhdues me poezi, “Pastaj, bëhu relikt” (2003), ishtë “i mbarsur” me ëndrrat e këqija të së shkuarës. E, që në hyrje, ai shkruan: “Moti i jashtëzakonshëm ngufatet,/kodrave të thinjura,/ngarend dhembja…”. Janë sa e sa poezi, që i përshkon një figuracion i kapshëm nga lexuesi, kur e di se çfarë plagësh kishte pasur të hapura Kosova, djepi i burrave trima e liridashës. Prandaj autori këlthet në kupë të qiellit: “Jam lodhur, tepër jam këputur,/që trupit të mos ia trazoj shpirtin,/lirinë e kufizuar ta liroj…”. Ndërsa në një poezi tjetër: “Ku ta gjej ngushllimin,/ kur edhe zemrës,/aortat i pikojnë!…”. Ose, në një tjetër: “Në rrudhat e ballit tim,/është arena e jetë-vdekjes…”. Kështu, faqe pas faqeje, ndiejmë e përjetojmë shpirtin e trazuar të poetit, në krijimet e frymëzuara nga një realiteti i zymtë. Kjo gjë vërehet edhe në ciklin e fundit të librit, “Frymëmarrje, me klithma”.
Librin e tretë të tij me tregime, “Pakohësi” (2005), Halil Haxhosaj ma dërgoi nga Gjakova, me kërkesën që t’ua jepja edhe 10 krijuesve të tjerë në Tiranë. Sigurisht, dëshirën e tij e plotësova me kënaqësi. Janë disa tregime të ndarë në cikle: Cikli i parë, “Dje…”, me 6 tregime; cikli i dytë, “…Sot”, me 5 tregime; cikli i tretë, “…Nesër”, me 3 tregime dhe, në mbyllje, cikli “Arti i pakohësisë”, me 2 tregime.
Është e kuptueshme se, që të flasësh për këto tregime, duhen disa faqe. Por dëshiroj të nënvizoj se përmbajtja kryesore e tyre, ashtu si në vëllimet me poezi, është fati i njeriut kosovar. Kjo gjë vërehet që në tregimin e parë, “Lulezambaku” dhe vazhdon te “Tri lindje”, “Varri i çikës”, “I biri i qoftëlargut” (ja, se si na del përsëri ky “personazh” aq i urryer për njerëzit) apo “Plaga e Xha Kurtit”. Si për të na larguar nga realiteti i sotëm në tokë, autori shkruan e flet edhe për një botë tjetër, atë kozmike. Me këtë temë janë tregimet: “Diagnoza e komandantit”, “Sëmundjet e planetit Delta” e “Lulja e Planetit Guri”.
Tashmë, me një përvojë të pasur letrare, Halil Haxhosaj iu kushtua edhe shkrimeve kritike, për disa libra të botuar në Kosovë. Prandaj ato I tuboi në vëllimin, me afër 150 faqe, “Printime letrare” (2006). Ashtu siç e tregon autori që në hyrje, shkrimet janë ndarë për librat në poezi dhe për ata në prozë. Në të parën, u kushtohen shkrime kryesisht librave të autorëve, publikuar pas luftës në Kosovë. Këta janë: Din Mehmeti, Fatos Arapi, Xajë Nura, Mazllum Saneja, Mehmet Bobi, Qemajl Juniku, Engjell I.Berisha, Ymer Rugova, Agim Byci. Në të dytën, janë shënimet kritike për disa romane e vëllime me tregime, të autorëve: Ali Podrimja, Fadil Podrimja, Petrit Palushi, Hajdar Salihu, Gjergj Vlashi, Rudina Xhunga, Nimon Muçaj e Arif Mulliqi. Pra, autorët, për të cilët shkruan Haxhosaj, janë nga Kosova e nga Shqipëria, për të dëshmuar të vërtetën se letërsia shqipe është e njëjtë, e përbashkët për të dyja trojet tona.
Pas dy librave të mësipërm në prozë, H.Haxhosaj i kthehet përsëri poezisë, me vëllimin tjetër “Fjalë e plagë”. Recensenti i librit, Besim Muhadri, me të drejtë shkruan: “Në poezinë e H.Haxhosajt tingëllon një jehonë ironike, në shpërthimin e revoltës ndaj realitetit, mëdyshjet ndaj këtij realiteti, mëdyshjen në thellësi të shpirtit dhe kërkimin e vetëvetes së “mashtruar” në këtë realitet, të shpërfillur dhe në këtë shprishje morale e njerëzore. Këtu vazhdimisht fryjnë erëra të zeza, që e zezojnë kohën, jetën dhe hapësirën e brishtë të Atdheut të poetit; hipokrizia ka pllakosur dhe ëndrrat janë shprishur, nga shenjat e epidemisë vrastare…”. Shkurt, edhe në këto poezi, të ndara në 5 cikle (Pastaj kërkoj vetëveten: Lëmsh i mjegullt; Dënese mbi dhimbje; Thinja mbi gjithçka; Pikë në zemër) autori nuk gjen qetësi shpirtërore dhe e ngre zërin “deri në kupë të qiellit”.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pra që nga vëllimet me poezi e tregime, Halil Haxhosaj të mos provonte dhe gjininë e romanit Kështu, në vazhdim të krijimtarisë sës tij të begatë e cilësore, në vitin 2008 publikoi romanin, “Histori në natën e vranët”. Për këtë vepër të tij ka shkruar edhe Patrit Palushi. Ngjarja sillet rreth një aksidenti, që u mori jetën tragjikisht aktores Nora e dy të tjerëve, një shkrimtari, dy këngëtarëve, disa valltarëve e shumë të tjerëve. Duke shkruar me një gjuhë të bukur poetike, autori na flet për heroin kryesor, Fatmirin dhe jep mjaft situate interesante. Rëndësi ka edhe përqasja e miteve e legjendave dhe ballfaqimi i tyre me realitetin aktual. Romani është shkruar me gjuhë të rrjedhëshme dhe lexohet me ëndje, duke qenë faqe pas faqeje në “ankthin” e fatit të personazheve.
Një ndër librat, që më kanë lënë mbresa të veçanta, nga puna e pasionuar e poetit dhe shkrimtarit Halil Haxhosaj, është përmbledhja kushtuar poetit-legjende të Kosovës, Din Mehmeti, i cili u nda vjet nga jeta. Është e kuptueshme edhe se përse poezitë e shkrimet e publikuara, në librin “Përkushtime”, më kanë ngjallur emocione të veçanta, pasi me këtë jam njohur personalisht që në korrikun e vitit 2000. Me atë rast, pata bërë një bisedë të ngrohtë, të cilën e publikova në librin tim, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Ndërsa në përmbledhjen në fjalë, H. Haxhosaj ka tubuar poezitë e shkrimet rreth krijimtarisë e jetës së Din Mehmetit, nga 52 autorë, si nga Shqipëria e nga Kosova. Ndër këta, janë dhe poetët e shkrimtarët e njohur: Agim Deva, Dritëro Agolli, Arif Molliqi, Gjon Neçaj, Ibrahim Kadriu, Jaho Margjeka, Mikel Gojani, Milianov Kallupi, Namik Selmani, Pal Sokoli, Pjetër B.Geci, Qemajl Juniku, Rrahman Dedaj, Sazan Goliku, Sejdi Berisha, Skënder R.Hoxha, Tahir Bezhani dhe të tjerë. Vargjet janë të frymëzuar dhe emocionues, fjalët e zgjedhura për “Bacalokun” Din Mehmeti. Njëri nga ata, poeti Gj.Neçaj, me afshin e zemrës së malësorit, thuri edhe këto vargje: “Shtatëdhjetë e tetë vjet rrugëtoi,/nëpër 30 km rrugë Gjakovë-“Bajram Curri”;/një ecje shekullore për t’u çmallur,/ me njërëzit e një gjaku,/ në Malësinë e Gjakovës…”. E, na duket se Baca Din ecën dhe ecën pa u ndalur, me “trokun” e vargut të tij, duke na bërë që ne mos ta harrojmë atë asnjëherë.
3.
Në titullin përmbledhës të këtyre radhëve, për disa libra të poetit e shkrimtarit H.Haxhosaj, kam përmendur titullin e poezive të tij-haiku, “Puhizë shpirti”. E veçanta e këtij vëllimi poetik është se autori ma dërgoi me e-mail, kur e kishte në dorëshkrim. Që të jem i hapur me lexuesit, e pyeta mikun tim të më sqaronte për këtë lloj vargu, pra “haiku”, pasi për mua nuk ishte i njohur mirë. Me dashamirësi e profesionalizëm, ai më tregoi, në përgjithësi, për poezinë-haiku, por dhe për këtë libër. Si në dorëshkrim, por dhe kur e mora në dorë vëllimin, krijova një ndjesi të mirë për vargjet e thurura, në ciklet: “Rreze brilanti”, “Prehje agullimash”, “Frymëzim i bardhë” e “Sakrifica poetike e haikut”. Me mirëkuptimin e lexuesit, nuk do të jap ndonjë vlerësim të veçantë për këtë libër, pasi nuk jam as aq i aftë, që ta bëj këtë gjë. Megjithatë, me sa kuptoj unë, më pëlqen fryma optimiste, që e përshkon atë dhe që në këto vargje të fillimit:”Luga s’lugon e thatë,/ begatia në guzhinë ulet,/ barkthatët nuk rënkojnë…”.
Pra, e përgëzoj autorin e këtij libri të bukur dhe, në përgjithësi, në mbyllje të këtyre shënimeve të mia për disa libra, që ka publikuar Halil Haxhosaj, i uroj nga zemra: Shëndet të plotë, krijimtari të begatë dhe lumturi familjare!
Për mua, janë mjaft të bukura fjalët dashamirëse e miqësore, që ai më ka shënuar në njërin nga librat e tij, gjë për të cilën tani përsëri e falënderoj nxehtësisht: “Prof.Dr. Murat Gecajt: Studiuesit, krijuesit dhe mikut tim të nderuar, me dashuri dhe respekt të veçantë, miqësisht e vëllazërisht, si krijuesi-krijuesit. Tiranë, 18.09.2010. Autori (firmë)’.
Tiranë, 25 mars 2011 – Prof. Murat Gecaj publicist e studiues.