Tiranë, 16. 02. 2016: Nuk është hera e parë, që shkruaj për takime të ngrohta e mbresëlënëse, me kolegë, miq e dashamirë, që jetojmë në kryeqytetin tonë. Jorrallë, jemi ne disa pjesëtarë të vetëquajtur “Kompania lëvizëse”, që takohemi, bisedojmë e pimë kafe a çaj dhe, pse jo, ndonjë “shishkë” me raki që na sjell Bardhyli. Ditë të tilla janë të ndryshme, sipas rastit e gjendjes sonë dhe,po kështu, lokalet ku rrimë së bashku. Po përmendi ndonjërin prej tyre: lokalin “me kuaj” afër Medresesë, lokalin e Gazit në Unazë, lokalin “Bulevard” te stacioni i trenit, lokalin te ish-shtëpia e ushtarakëve dhe, tash së fundi, lokalin pranë shtëpisë së dr.Foto Totit, jo larg nga Gjykata e Tiranës . Pra, kuptohet edhe arsyeja, pse grupin tone të vogël, numri i të cilit ndryshon herë pas here, pra shtohet ose zvogëlohet, e kemi quajtur “Kompania lëvizëse”.
Në këto pak radhë modeste, të cilat po i shoqërtoj me dy fotografi nga aparati im, do të flas vetëm për dy takime të muajit vazhdues. Kështu, psh, dje u takuam për kafe te lokali “Bulevard”: unë, shkrimtarët e publicistët e njohur Viron Kona e Sejdo Harka. Na mungonte “me arsye”, pasi kishte shkuar te “Parlamenti i Fterrës”, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar” e shkrimtar i afirmuar. Aty bëmë biseda të ndryshme, si për botimin e librave, sollëm në kujtesë disa kolegë e miq, si me banim në Shqipëri, ndër ta kolegun e paharruar Skënder Hasko, si dhe në Kosovë, Suedi etj. Por gjetëm rastin edhe të flisnim e t’i përshëndesnim në celular miqtë tanë: Kadri Tarelli e Bajram Gashi, në Durrës dhe Ibrahim Hajdarmataj, në Zogaj të Tropojës.
Meqenëse dje nuk e takuam dot Bardhylin, sot u bashkuam me të, unë e Sejdo, te lokali “me kuaj”. Ndërsa Vironi mungonte, edhe ai “me arsye”, pasi sot ishte Festa e Shën Valentinit (ha,ha). Bisedat e këndshme për tema të ndryshme, si për familjarët tanë, kolegët e miqtë etj., por dhe shakatë e shoqëruara me “shishkat” e rakisë së Bardhylit, bënë që dy orë të kalonin shumë shpejt.
Majtas: Viron Kona, Murat Gecaj e Sejdo Harka (Tiranë, 13 shkurt 2016)
Djathtas: Bardhyl Xhama, Murat Gecaj e Sejdo Harka (Tiranë, 14 shkurt 2016)
U kërkoj ndjesë lexuesve për këto radhë dhe shpresoj në mirëkuptimin e secilit. E them këtë gjë, se takime të tillë, tashmë, janë të zakonshme për sa e sa miq, kolegë, familjarë e dashamirë. Por desha të nënvizoja diçka që, sigurisht, e dinë dhe të tjerët, se bashkime të tilla, në “kompani” ose me emërtime të tjera, janë të bukura, domethënëse e mbresëlënëse. Ato na bëjnë të ndjehemi mirë, të çlodhemi e të argëtemi dhe, në tërësi, na e zgjatin jetën, na e bërë atë më të bukur, duke “harruar” ndonjë shqetësim vetjak ose familjar dhe duke u ndjerë më të rinj e më me pak shqetësime shëndetësore.
Me këtë rast, i përshëndes përzemërsisht kolegët e miqtë e mi të pandarë, me familjet e tyre të nderuara: Bardhyl Xhama, Viron Kona e Sejdo Harka, por dhe cilindo tjetër, që në raste të mëparshme ka kaluar minuta e orë, bashkë me ne!
Le të shpresojmë që, me ardhjen e pranverës, kjo praktikë e bukur të shtohet e gjallërohet edhe më terpër.
Murat Gecaj – Tiranë, 14 shkurt 2016