Pashtriku.org, 30. 08. 2016: Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (shkurt: LKSHM), në krye me kryetarin z. Hasan Qyqalla, si çdo vit, edhe këtë verë, përgjatë muajve të mërgimtarëve në atdhe – korrik dhe gusht, organizoi takime të shumta letrare dhe kulturore, promovime dhe vizita të ndryshme.
Pushimet verore takojnë së bashku në atdhe mërgimtarët nga të gjitha anët e botës, të përmalluar për familjet dhe farefisin e tyre, por edhe të mallëngjyer të takohen mes veti. Edhe bota letrare shqiptare e diasporës, të tubuar përreth Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë u bëri thirrje anëtarëve të saj dhe krijuesve të tjerë që t’u bashkohen aktiviteteve që u organizuan në vende të ndryshme në vendlindje.
Nga Besim Xhelili, krijuesi tetovar që jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, përndryshe anëtar i kryesisë së LKSHM, u promovuan katër veprat e tij, të botuara në këtë gjysmëvjetorin e parë të këtij viti. Bëhet fjalë për tri përmbledhjet me poezi të autorit, vëllimin e pestë “Besa”, atë të gjashtin “Dallgë në zemër”, dhe atë të shtatin “Sy të pafajshëm…”, si dhe romanin e tij të parë “1803”, i cili sipas autorit do të vazhdojë edhe me dy pjesë të tjera.
Promovimi i këtyre veprave filloi më 30 gusht 2016 në Shkup, në ambientet e Librarisë së Çarshisë. Për udhëheqjen e programit u përkujdes poetja tetovare Sadije Aliti, kurse për librat folën kritikët dhe njohësit e mirë të letërsisë bashkëkohore Ejup Ajdini, Fadil Curri, Sulejman Mehazi dhe Demir Reshiti. Të nesërmen, më 31 korrik, promovimi vazhdoi në kuadër të Takimeve Tradicionale “Gosfest” në Gostivar, ku më pas disa krijues nga diaspora u pritën në Komunë nga kryetari z. Nevzat Bejta dhe atyre iu dhanë mirënjohje për pjesëmarrje në këtë javë të kulturës në Gostivar. Më 1 gusht promovimi u bë në Tetovë, ku mysafir nderi ishte kryetari i LKSHM Hasan Qyqalla, i cili bëri një vështrim mbi romanin “1803”. Këtë promovim i zbukuroi edhe libri më i ri poetik i autorit Dan Kosumi nga Zvicra “Malli i dashurisë”, i cili gjithashtu u promovua këtë mbrëmje, kurse vetë autori lexoi disa vargje nga libri. Vargje nga librat e Besim Xhelilit lexoi artistja tetovare Sabina Memishi. Lumi i promovimeve të këtyre veprave u përmbyll më 5 gusht në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku u promovuan edhe shumë tituj të tjerë nga krijues kryesisht nga diaspora. Në fjalën e tij mbi romanin “1803” kritiku dhe recensenti i librit Prend Buzhala u shpreh: “Të dy protagonistët e dashuruar (njihen e takohen rastësisht në një orë letrare), kanë familjet e tyre, kanë fëmijët dhe jetën e tyre bashkëshortore… dhe autori e ruan sensin e masës në këtë ndërthurje kaq të ndërliqshme e të ndjeshme raportesh e marrëdhëniesh: në dashuri nuk bën të ndjehet i lënduar askush, sipas atij parimit aristotelian, “E bukur është ajo që është harmonike”! Protagonistët e jetojnë dhe e përjetojnë jetën e tyre emocionale përafruese, si dhe dëshirat e tyre; për ta nuk ka kohë, as natë, as ditë, as të djeshme e as të ardhme, ka vetëm çaste të mbushura me bukurinë e emocionit (bisedat me telefon, emailet, letrat, poezitë, thëniet dashurore, video-bisedat, deri te takimet e rralla… largësia zhduket); ata e pranojnë këtë ndjesi që i jep kuptim jetës së tyre. E pranojnë në çdo kohë e në çdo minutë, në rrugëtim, në shtëpi, në ambiente pune a familjare…”
Përndryshe nga autori Besim Xhelili pritet deri në fund të këtij viti të sheh dritën e botimit monografia e parë për jetën dhe krijimtarinë e tij, në 20-vjetorin e krijimtarisë, duke pasur parasysh se në vitin 1996 ai botoi përmbledhjen e tij me poezi “Emocione”, kurse deri më tani ka botuar gjithsej 8 vepra. Ai ka në proces të botimit edhe dy pjesët e vazhdimit të romanit dhe dy vëllime të tjera me poezi, si dhe përkthimin e romanit në disa gjuhë të huaja. Besim Xhelili udhëhoqi që nga krijimi në vitin 2011 “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri”, që nga viti 2015 është kryetar nderi i saj, dhe është anëtar i PEN Klubit austriak.
Besim Xhelili, Vjenë – Austri, 23 gusht 2016