DR.MOIKOM ZEQO: 50 VJET MË PARË, CIKËL ME POEZI PËR SKËNDERBEUN

Tiranë, 8 dhjetor 2017: Në vitin 1967, 50 vjet më parë, në moshën 18 vjeçare, unë shkrova dhe botova një cikël poetik për Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Një vit më pas, në 1968, u festua viti jubilar i 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Në paradhomën kohore të këtij 500 vjetori unë i konceptova katër motive për heroizmin e Skënderbeiadës së shekullit XV.
Në 2018 është jubileu i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
***

– Moikom Zeqo në moshën 18 vjeçare –

Po i jap për botim poezitë e mia të para gjysmë shekulli
Poezia e parë “Skënderbeu” është botuar tek gazeta “Adriatiku” e Durrësit në 13 qershor 1967.
Nuk e kam përfshirë në asnjë nga librat e mi.
Poezitë e tjera „Gurëhedhësit e Skënderbeut“, „Kronikë, shekulli XV“ si dhe „Dhitë e perkrenares“ janë në librin tim poetik „Vegime të vendëlindjes“, botuar në 1968.
SKËNDERBEU
Si bardët këndoj me lirën epike
Lavdinë e kombit, që si Diell ndrit,
Ku klith shqiponja mbi pllaja e brigje
Dhe pendët e moçme me sqep shpupurit.
I shenjtë është ky vend, ky troll shqiptar,
Me mish dhe me shpirt jam i lidhur me të,
Këtu forcën e jetës un e gjej dhe e marr,
Si një dru me rrënjët e shtrira në dhe.
***
Këtu çdo gojëdhënë dhe epope madhështore
Imagjinatën time ma ndez plot me vrull,
Këndoj trimëritë e kreshnikëve heronjve,
Se gjakun e tyre ma kujton çdo muzg.
O shekuj të shkuar, përtëritmini pamjet!
Si një yll që më tepër se të tjerët ndriçon,
Heroin Skënderbe mbi kalin e bardhë,
Mbi një shkëmb të lartë mes mjegullave shoh.
***
Vështrimin krenar hedh në male ai
Dhe ngre mburojën e madhe të rëndë
Nga supet pelerina i valon me furi
Dhe kali i shpejtë tund krifën në erë.
Shqyti i trimit dhe parzmorja e praruar
Vetëtijnë të përflakura në largësi
Mburoja kumbon -gjithmonë ka kumbuar
Si çangë kjo mburojë në luftë për liri.
***
Vegimi i Skënderbeut kudo valëvitet
Si zjarr që s’shuhet gjer në amshim,
Atje pishtari i heroizmave ndizet,
Zemra e popullit të bashkuar dhe trim.
Në shekuj në shkëmbin plot myshk e gdhendur
Në kujtesën e popullit në këngët kreshnike
Gjurma e kalit të tij ka mbetur,
Si fosil i lavdisë mes jehonave të viteve,
***
Si dëshmi e fitoreve që fiset e lira
Korrën në betejat plot klithma dhe tmerr.
***
Me gjurma të tilla plot heroizma
Ka ecur tek ne historia e tërë.
“Adriatiku” 13 qershor1967
GURËHEDHËSIT E SKËNDERBEUT
Sinjale zjarresh
lajmërojnë
për armikun.

 

Dallgë të gurta malesh ngrihen në pritje.

 

Vijnë hordhitë,
(honet hapin varret e tyre)
Daulle.
Pishtarë.
Kavaleri e sulmit.
Topa.
Pushkë stralli.
Shpata.
Heshta.
Kështu sulen hordhitë për të zhdukur
shqiptarët.

 

Po mbi çallmat e tyre
rrinte vetë Vdekja,

si mbi vezët e disfatave të ardhme.
1967
KRONIKË, SHEKULLI XV
I shkëmbtë, i rëndë u hodh përmbi turqit,
Fshatari i rreptë me gjoks
Dhe sëpatë.

 

Kur pa përmes flakëve kasollen dhe grurin
Dhe gruan dhe djalin
Të therur në prag.

 

Një gjë të tillë se kish parë
As në ëndërr:
Familjen të vrarë dhe bukën të djegur.

 

Urrejtja i dha
Njëqind sopata në eshtër,
Sa turqit me çallma i korri sa mundi,

 

Pastaj i përgjakur u shtri,
Për të vdekur,
Pranë gruas së tij, pranë djalit dhe grurit.
1967
DHITË E PËRKRENARES
Se ç’hov plot liri e ngjit mbi humnera
Kopenë e shkathët të dhive,
Mbi pllajat dhe shpatet me bar,
Manaferra,
Në shkurret plot gaz të lajthive.

Dhe ngjiten ato në shtigjet e pjerrëta
Atje ku s’ngjitet njeri,
Me brirët e kthyer tehe të mprehta,
Me tinguj kumborash
Në gji.

Dhe cjapi ogiç tund mjekrën e bardhë
Kopesë në kullota i prin,
Në pellgjet plot ujë të kulluar,
Kristal,
Gazmor dhe krenar blegërin.

Çamarrokët kecër
Kërcejnë majë çukave,
Në gërxhet alpine të dehur,
Nën fletët e thanës me kokrra të kuqe,
Mbi barin e njomë dhe të gjelbër.

Se ç‘vrull plot liri i ngjit sipër honesh,
Dhitë me trup të zhdërvjellët,
Ndaj hidhen
Të shpejta, shkuma përrojesh,
Mbi strall të shkëmbejve dhe gërxhet.

Dhe mbetën ato në kujtesë të kombit,
Në vetë përkrenaren e Gjergj Kastriotit.
1967

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura