PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DISA PЁRFUNDIME (13 – FUND)

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DISA PЁRFUNDIME (13 – FUND)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

Disa përfundime

Strategji sigurimi që duhet përsosur. Analizat e situatës që kemi kaluar në dekadën e fundit dhe kërkesat që burojnë nga e drejta kulturore dhe etnike në Ballkan, na japin të drejtën që të formulojmë një politikë mbi Strategjinë e Sigurimit Kombëtar, që duhet përsosur.

Proamerikanizmi duhet vlerësuar maksimalisht jo duke e konsideruar si kundërvënie ndaj Evropianëve, por si një element i sigurisë në rajon. Zhvillimet e fundit politike në rajon dhe në botë, kanë filluar të përcjellin në mendjen Evropiane dhe amerikane opsionin se, kombe të cilat u ndëshkuan për shkak të sjelljes të historisë nuk mund të harrojnë protagonistët e kësaj historie. A mund të harrohen qëndrimet e dhunëshme dhe krimet serbe e maqedonase në kurriz të shqiptarëve? Kjo situatë dhe ndjesia politike e rishikimit të qëndrimeve ka filluar të shfaqet edhe në trojet dhe në kombin shqiptar.

Vëreni dhe analizoni një fenomen që është i karakterit psikologjike. Përse ka një ndryshim në opinionin shqiptar ndaj politikave në raportet kontinet dhe SHBA? Pro amerikanizmi (që nuk mund të konsiderohet si kundërvënie ndaj Evropianëve) i shfaqur së fundi jo vetëm në Shqipëri, por gati në të gjithë rajonin, tregon për orientimin politik në tërsi të shqiptarëve në mbështetje të interesave kombëtare. Nëse interesat amerikane në rajon shkojnë më tepër në një linjë me ato shqiptare, atëherë ky duhet vlerësuar si një shans i madh, të cilët kanë lënë të kuptojnë se, nuk janë të prirur të shfaqin ndjenja pro apo kundër kontinentale.

Në cështjet e sigurisë duhet të pranojmë pa lëkundje se mbështetja amerikane është e ligjëshme si në çdo rast tjetër. Tashmë jemi të qartë, se me disa zhvillime të kohëve të fundit, janë evidentuar rrugët e mbështetjes pa rezerva të (në) politikës amerikane Gjithësesi kthesa të tilla janë afatgjatë dhe është herët të japësh një gjykim për efektet që kjo do të ketë në rajon. Megjithatë, ne shqiptarëve duhet të na interesojë në radhë të parë se çfarë do të thotë kjo “për ne”.

Në cështjet e sigurisë kombëtare duhet të vlerësojmë rëndësinë e ndryshimeve të disa raporteve gjeostrategjike të rajonit në interesin e çështjes sonë kombëtare. Strategjia e luftës kundër terrorizmit (autorë të shumtë tashmë e kanë bërë më se të lexueshme) për të depërtuar gradualisht drejt zonave të shfaqjes së tij, kërkon mbështetje në disa pika, ndër të cilat një mjaft e rëndësishme është Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Asnjëherë më parë amerikanët nuk kanë shprehur më hapur mbështetjen politike për shqiptarët të cilët, jo vetëm për shkak të ndjenjës së tyre pro amerikane, por edhe të pozicionit të rëndësishëm të fituar së fundi në Ballkan, mendojmë se janë një interes i veçantë për politikën amerikane.

Në vlerësimin maksimal të cështjes së sigurisë kombëtare dhe të interesave tona kombëtare në Ballkan është koha e një rizgjimi të faktorit politik panshqiptar, larg “politikës së moçalit”. Fillimi i shekullit mund të konsiderohet pa asnjë dyshim si moment i rizgjimit politik të shqiptarëve. Veç të tjerash, tani në mjedisin e ri të sgurisë, lypset ripunimi i Strategjisë së Sigurimit Kombëtar. Nismat që janë marrë nga politikanë të ndryshëm në Shqipëri, Kosovë, në viset e tjera shqiptare dhe në Diasporë, janë një shprehje e qartë e këtij rizgjimi. Edhe në këtë çështje do të ketë ende shqiptarë që do të “vrapojnë” se mos mbeten prapa. Le të vrapojnë.

Të realizojmë një politikë më elastike duke vlerësuar realisht prirjet globale e rajonale të sotme në interes të sigurisë. Të zgjerojmë vizionin për politikën e sigurimit që duhet të ndjekim në të ardhmen, duke dalë nga politika e rëndomtë e ditës. Veç të tjerash kjo kërkon nevojën e zgjerimit të kulturës për formimin e mendimit strategjik, njohjen e koncepteve, se si një qeveri demokratike realizon udhëheqjen e ndryshimeve strategjike. Në këtë drejtim, me shumë peshë është dhe do të mbetet analiza e konceptimit të prirjes globale e rajonale, që ndikon në ndryshimin e situatës së sigurisë për kombin shqiptar. Kjo është detyrë e një sinkroni të politikanëve të kudondodhur shqiptarë, jashtë dallimeve partiake.

Kjo është një nga pistat më të sigurta që do të ndihmojë në formulimin e saktë të Strategjisë së Sigurimit Kombëtar, kuptimit dhe zbatimit të këtyre kërkesave në përpunimin e tyre, sidomos shqyrtimi i komponentëvë të planizimit të saj; përcaktimit drejtë të interesave kombëtare; vlerësimit të mjedisit strategjik me kërcënimet e rreziqet e mundëshme të tij; përcaktimit të detyrave (objektivave) e prioriteteve kombëtare dhe së fundi përpunimit të strategjive ekonomike, politike, ushtarake etj.

Nuk mund të konceptohen vendimarrje jashtë cështjeve të sigurisë. Të gjitha marrveshjet politike dhe ushtarake duhet të bëhen në interes të strategjisë së sigurimit Kombëtar. Veç të tjerash, këto do na ndihmojnë të arrijmë në përfundimin se, ka ardhur koha që Shqipëria nuk duhet të bëjë marrëveshje strategjike ushtarake të njëanëshme me asnjë shtet, jashë kuadrit dhe pa ndërmjetësinë e NATO-s, lidership real i të cilës është padyshim SHBA. Në shtetet e vogla e të varfëra që janë “pa përvojë në fushën e demokracisë”, një paravendim i vetëm i gabuar në politikën e sigurimit mund të shkaktojë pas një ose dy dekadash një politikë të tillë të falimentuar, kushte diskriminuese, që mund të dëmtojnë shumë lehtë interesat tona kombëtare, një mjedis ndarës midis qëndrimit politik dhe ushtarak në terren, duke shkaktuar tragjedi të rënda kombëtare.

*   *   *

Në politikë më e zhdërvjellët panshqiptare në kushtet e bashkëpunimit për interesat kombëtare do të jetë bazë për realizimin e një të ardhmeje sa më paqësore e humane pa shkaktuar tragjedi dhe luftra të tjera.

Ka ardhur koha sot që parimet e sigurisë me bazë bashkëpunimi të kthehen në norma standarte të sigurta në marrdhëniet shqiptaro – europiane?!! Problemet bashkëkohore në fushën e sigurisë diktojnë domozdoshmërinë e zgjerimit të përdorimit të konceptit të sigurisë në bazë bashkëpunimi. SHBA dhe Europa tashmë kanë hyrë në epokën e re të problemeve të vështira në fushën e sigurisë. Interpretimi besnik i detyrave te ardhëshme strategjike është i mundshëm vetëm në konteksin real të globalizimit të shpejtë të botës në çështjet e sigurisë. Ndodhën trasformime të mëdha, por një gjë mbetet e pandryshuar, domosdoshmëria e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Europës.

Sot më tepër se kurrë, lidershipi i çdo niveli duhet të kuptojnë se siguria nuk përcaktohet thjeshtë nëpërmjet kapaciteteve (duke patur ushtri të mira, aleanca më të forta, rritje ekonomike) po është më tepër e varur nga një ekulibër dinamik ndërmjet kërcënimeve dhe kapaciteteve, që në fund të fundit, krijon një politikë të qëndrueshme për paksimin e rreziqeve. Veç të tjerash, kjo do të mundësonte konceptimin dhe realizimin e sigurisë si një e mirë e përbashkët; do të na mundësonte daljen nga “modele të planizimit mbrojtës kundër të tjerëve, nga kufizimet e një klubi shtëpiak të rehatshëm, te i cili pak të tjerë kanë të drejtën e hyrjes dhe të lëvizin për nocionin e sigurisë me të tjerët”

Duke synuar realizimin e objektivave strategjike për intregimin euroatlantik, njëheras nga ne duhet luftuar “tirania” e planit, të synojmë zgjidhjet më të mira e larg gjendjes në formën e rërave thithëse që kanë shoqëruar të kaluarën e hidhur etj.

Sot më tepër se kurrë, për të pasqyruar ndryshimet qe dikton mjedisi i ri i sigurisë, kjo bëhet më e domozdoshme, kur siguria e secilit shtet nuk është domen i një diktature, elite partie ose junte, që dikur kish fituar mbi proçesin jotrsparent të miratimit të mjeteve për mbrojtjen.

Të mos harrojmë…

Të gjithë studjuesit e konflikteve ushtarake e dinë më së miri se psikologjia e luftës, stresi i betejës dhe nevoja për vendime konstante e të rëndësishme, shpesh u lënë shteg përpjekjeve burokratike, përplasjes së mendimeve të ndryshme, gabimeve dhe mungesës së analizave të thella të situatës. Por gjithësesi kjo ndodh atëhere kur je në situatë, përball kompleksit të ndikimeve të faktorëve në terren, kur stresi vepron jo vetëm mbi individin drejtues, por dhe mbi masën e gjërë të ushtarakëve. Me ose pa pasoja problemet gjejnë zgjidhjen e tyre.

Dhe zgjidhja më e drejtë i referohet përherë fundit të luftës ose të konfliktit. Për këtë konstatim sot shumëkush mund të ndihet mirë dhe të mendojë se e ka kryer detyrën.

Mendoj se kjo nuk është e gjitha. Sipas publikimeve të lidershipit ushtarak të luftës kundër Serbisë, vërejmë me kujdes, se pas përfundimit të luftës në Kosovë analizat dhe opsionet nuk kanë të sosur. Ato janë bërë objekt studimesh, rekomandimesh për të vendosur në bazë teori të reja, për të gjitha fushat e veprimit të faktorëve ndërkombëtar në planin politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak. Ndoshta deri aty sa të rekomandohet si model i menaxhimit të rezultateve të luftës prej bashkësisë ndërkombëtare.

Nisur nga përvoja e të tjerëve, nga niveli i njohjes së çështjeve dhe mënyra e trajtimit të tyre, kushdo që mund të kontribuojë në vlerësimin e momenteve të tilla të historisë, i bën një shërbim të çmuar pasurimit të vlerave më të mira dhe arkivimit të tyre në arkivat e memories së historisë kombëtare.

Sipas pikpamjes së Nobelit, “asnjë komb i arsyeshëm nuk do të nxiste një konflikt, nëse pasojat për vet atë do të ishin shkatërrimtare”. Historia botërore na jep të kuptojmë, se njerëzimi shpesh në momente të vështira ka ndjer të nevojshëm mobilizimin, tendosjen e mbështetjen, duke i dhënë një sadisfaksion të gjallë dhe besim qënies njerëzore mbi të ardhmen.

Dëmet dhe pasojat e luftërave të mëdha që janë zhvilluar mbi tokë, pas përfundimit të tyre përherë tek njerëzimi kanë zgjuar dhe ripërtëritur interesin për vendosjen e paqes. Funksionimi sot i mjaft organizmave ndëkombëtare për këtë qëllim, është rrjedhojë e arsyes njerëzore dhe e dëshirës për paqe. Ato mbajnë zgjuar shpresën e mirë se një ditë do të jetë ndryshe.

Të jesh i dobët, nuk do të thotë  të mbash mbi kurriz më të fortët. As të pranosh që kundërshtarët apo armiqtë, të përfitojnë në dëm të interesave të tua. Këtë duhet t’a kuptojnë mirë të gjithë shqiptarët, por edhe të gjithë ballkanasit dhe europianët. Kombet dhe të drejtat e tyre legjitime nuk mund e nuk duhet të trajtohen, si të ishin parti politike, për t’u vënë në pozitë e në opozitë , për të sunduar njëri tjetrin e jo në pak raste edhe për t’a poshtëruar njëri tjetrin.

Pra duhet që haptazi, para gjithë botës të tregojmë pikpamjet tona për të sotmen e të ardhmen e kombit tonë, qëllimet e aspiratat tona, duke i vënë përballë qartësinë politike dhe vendosmërinë atdhetare, për të kryer detyrimet ndaj trojeve e gjakut tonë.

Historia është një mësuese e madhe, sepse pësimet t’i kthen në mësime. Ajo do të na orientojë drejt në rrugën që n’a çon në afirmimin e të drejtave dhe në emancipimin tonë të plotë. Këtë mendoj se bëmë mirë ne shqiptarët në fundshekullin e kaluar.

Përgjithësisht, gjatë gjithë kohës, njerzit janë orientuar drejt subjekteve dhe objekteve, të cilat për momentin u janë dukur se sjellin përparim, pa e shqyrtuar më parë përmbajtjen dhe të ardhmen e tyre, ndërkohë që nuk u vjen mirë të mendojnë se cilat mund të jenë pasojat apo një katastrofë e paimagjinueshme që mund të shkaktohet pikërisht nga këto “të mira”.

Krimet mbi shqiptarët në Kosovë dhe në konfliktin në Maqedoni janë rasti më i fundit, që duhet të n’a bëjë të mendojmë, se ka vetëm një rrugëzgjidhje thelbësore: të ndryshojmë prerazi qëndrimin dhe sjelljen tonë përball realitetit të dhimbshëm dhe ëndrrës për të arritur paqen. Vëreni qëndrimin e Milosheviçit sot, para drejtësisë ndërkombëtare. Deliret nuk privojnë askënd. Ato janë prezente dhe veprojnë edhe atëhere kur arsyeja të thotë të kundërtën. Kjo nuk është e çuditëshme, as e pabesueshmë por është shumë tronditëse, kur mendon se efektet e këtij delirantizmi tek një lidership reflektohen në masën e njerzve ithtarë, që u është mbushur mendja të rendin ende pas të marrit. 

Veç kësaj, në kohë jemi përballur me disa forca të veçanta në Europë, të cilët kanë qënë në parim dhe realisht kundër kësaj beteje të kombit të shumë vuajtur shqiptar. E nëse ka ndodhur kështu, nuk ka qënë plotësisht faji i tyre. Faji, në kontekstin historik, është i yni. Ne shqiptarët nuk kemi bërë sa duhet, që të gjitha forcat vepruese të Europës të n’a kuptonin me kohë, të vlerësonin se cila është vjetërsia e kombit shqiptar, thellësia në të gjitha kohërat e kulturës së tij, traditat luftarake dhe lëvizjet për liri, shtrirja etnike e teritoriale, tiparet unikale kombëtare, etj. Kjo i takon sa të kaluarës dhe të tashmes dhe akademizmi dhe profesorati shqiptar duhet të shkundet nga gjumi letargjik i  asfiksimit të historisë sonë të lashtë.

Çdo lëvizje kombëtare, përmban në vetvete dy momente të rëndësishme të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Nga njëra anë janë përpjekjet me dhunë, veprimet me armë për të shkundur zgjedhën e huaj dhe këto sigurisht përbëjnë dhe boshtin e lëvizjes kombëtare për të fituar lirinë. Nga ana tjetër janë orvatjet për të përgatitur shkëputjen nga shteti shtypës për të hedhur themelet e shtetit të ri, drejt shoqërisë demokratike. Kjo është një nga veprimtaritë gjithpërfshirëse, që ka si piksynim krijimin e kushteve të brëndëshme e të jashtme, të përshtatshme e të favorëshme për një ngjarje të tillë. Megjithatë, në cdo rast duhet të kuptojmë në mënyrën më definuese se liria asnjëherë nuk mund të dhurohet, ajo fitohet. 

Shqiptarët nuk kanë qënë asnjëherë agresiv, atyre u ka mjaftuar të mos ndjejnë mbi vete asnjë pushtet të huaj, të mos u paguajnë atyre taksa, të luftonin e të merreshin me hallet e problemet e tyre. Në trajtimin e çështjes kombëtare kemi pasur përherë një pikë nisje, e natyrisht që do të kemi edhe një pikëmbërritje. Njohuritë themelore dhe platforma e shtruar, kur janë të plota, hapin horizonte të afërta e të largëta për ardhmërinë kombëtare, por kjo materializohet dhe merr jetë, atëhere kur inteligjenca dhe djemtë dinë të duan vendin e tyre dhe të luftojnë për vendin e tyre.

Këto duhen parë si shfaqe e opinionit më të ndriçuar të vendit, një formë e manifestimit të ndërgjegjes së mbarë kombit, përballë mospërfilljes e dhunimit që i janë bërë të drejtave të shqiptarëve deri më sot. Të kemi pavarësi në mendim e kurajo në marrjen e qëndrimeve, sidomos në gjykimin e klimës së politikës botërore për çështjen shqiptare e për çështjet e bashkëveprimit e partneritetit me vendet e tjera, duke u dhënë dritë përmasave të tjera të dimensionuara, për të mos lejuar të fuqishmit e kësaj bote të marrin në dorë problemet tona e t’i trajtojnë sipas interesit të tyre, e ne të ngelemi përherë në pozitë të vështirë, duke i thënë gjërat me gjysëm zëri.

Ky konstatim duhet të na shkundi, për vet faktin se, duke i mbërthyer problemet tona për një kohë të gjatë në pika të vdekura, ripërtërihet e merr jetë fara e armiqësisë dhe e dominimit të shovinizmit, që e shfrytëzon mirë pacifizmin dhe tolerancën tonë.

Koha sot mbi tokë, ka pësuar një frakturë të rëndë morale, politike, ekonomike dhe sociale. Sulmi terrorist më 11 shtator mbi shtetin amerikan, është filozofia më e shëmtuar e dhunimit të së drejtës, të sistemit të demokracisë, të zbatimit të platformës së krimit e terrorit, për t’a vënë njerëzimin nën trysninë e “djallit”. Kështu, dinjiteti i kohës nuk është i cënuar dhe i rrezikuar, por është i goditur seriozisht në zëmër të tij. Kalimi nga individi kriminel, në filozofi dhe në shtet kriminel, shënon cënimin historik të dinjitetit të kohës njerëzore që jetojmë. Në këtë kontekst nuk kishte arsye që këtë t’a pësonin popujt e Ballkanit, e vecanërisht shqiptarët në prag të mijvjeçarit të ri. Ngjarjet e vendosura në kuadratin e natyrshëm të kohës në të cilën ndodhin, brënda arsyes njerëzore, asnjëherë nuk i ngarkojnë të pafajshmit me faj, por në të njëjtën kohë nuk i falin as fajtorët që shkaktojnë tragjedi të tilla.

Sëmundja dhe dhimbja më e madhe është; kur s’ke kënaqësi në jetë, kur s’ke mundësi e fuqi t’a sigurosh këtë kënaqësi. Nuk mund të jetë kurrë i lirë populli serb, që në fundshekullin që lamë pas, u bë vegël e verbër në duart e udhëheqjes së tij shoviniste për shtypjen e popujve të tjerë në Ballkan, për këtë s’ka mëdyshje e ekuivoke. Por ai nuk mund të jetë i lirë edhe sot nëqoftëse shkon pas politikave shoviniste e ultranacionaliste të ithtarëve të Milosheviçit, të cilët ende ruajnë format e fantazmës së « Serbisë së Madhe ».

Historia ka treguar se serbët, maqedonasit e malazesët janë sjellë ndaj shqiptarëve me një arrogancë të tmerrshme, e deri të turpshme, në mënyrë aq poshtëruese dhe aq revoltuese sa që, natyrisht, nuk mund t’a harrojmë pa kaluar shumë kohë. Shqiptarët duan të rrojnë të lirë në truallin e tyre. Populli filozofon natyrshëm; kush ka zemër të mirë, nuk ja do të keqen tjetrit dhe kush kërkon zëmër edhe duhet të japë zëmër. Kush nuk i ka këto vyrtyte është i lig dhe kërkon të sundojë mbi të tjerët. A duhet të besojmë se kombet janë si peshqit që hanë njëri tjetri dhe mjer kush është i dobët se e pëson?

Politikën duhet t’a komandojnë interesat kombëtare e jo emocionet e rastit. Atë duhet t’a udhëheq arsyeja dhe jo instikti. Politika e vërtetë është si një kalkulim matematikor i pikave tangente të rrymave të ujit me akullin mbi të.

Politikanët, të cilët me kompleksin e inferioritetit e të diletantizmit që shprehin dhe që vazhdojnë t’u lëpihen dhe zgërdhihen turlisoj mafiozëve politikë e kriminelë, të cilët janë lëshuar për gjah mbi kombin shqiptar, ende kanë pacipësinë të bëjnë hamendje nga më patologjiket për ngjarjet që i kushtuan jo pak kombit shqiptar, por dhe që e renditën atë në krah të fitimtarëve.

Në atë periudhë të mbarsur me shumë rreziqe, shikonim, se rrallëkush guxonte të thoshte se shqiptarët nuk kanë të drejtë, por gjithashtu rrallëkush guxonte të thoshte me energji e me qartësi të kundërtën. Atëherë ç’ishte kjo mjergull, që rrinte varur mbi një nga problemet dhe pjesët më tragjike të gadishullit ballkanik?

Ne aktualisht nuk u kemi asnjë detyrim nacionaliteteve intolerante të fqinjëve, historikisht ekspasionist ndaj nesh. Nëse ato nuk mund të çlirohen në prangat e këtij lloji nacionalizmi, ky nuk është faji i shqiptarëve. Ata e kanë për detyrë, në kohën e sotme, të lëvizin, të transformojnë në thelb sjelljen dhe qëndrimin dhe të mos mbeten rob të formulave të vjetra mesjetare.

Hegjemonizimi serb, ka qënë një nga shkaktarët kryesorë të fatkeqësive për shqiptarët dhe ka përbërë burimin kryesor të antagonizmave ndërnacionale në Ballkan. Në Kosovë, mu në sytë e të gjithë botës së qytetëruar, u thur dhe u zbatua një nga mashtrimet dhe krimet më të mëdha të kohës. Këtë nuk do ta harrojmë.

Drejtësia e ka braktisur botën, që kur klerikët e të gjitha rrymave dhe mbretërit, në emër të saj, kryen hakmarrje dhe bën të derdhet gjak e të digjen njerëz në turrat e druve, për të ndëshkuar në emër “të së drejtës”. Por nocionet mbret dhe liri, janë dy gjëra të ndryshme e të papajtueshme me njëra tjetrën. Është e drejta e çdo kombi, që të përpiqet me fjalën e tij të urtë, me punëshumë, me gojë, me dorë, me pendë, me armë, që të fitojnë njëherë e përgjithmonë të drejtën e tyre, nga thonjtë e zaptuesve dhe kolonizatorëve. Këtë realizuan kombet në luftrat botërore, këtë duan të bëjnë dhe sot. E ardhmja ëshë e popujve.

***

Reçenca

Duke lexuar librin e Dr. Kolonel Sulejman ABAZIT, “Psikologjia e luftës kundër luftës”, vlerësoj punën e mundimëshme dhe plot pasion për të kontribuar në fushën e teorisë ushtarake, gjithmonë nga këndvështrimi psikologjik.

Përvoja e luftrave të fundit të shkaktuara në fundshekullin e kaluar në Kosovë, Afganistan dhe së fundi në Irak, ishte një shprehje e kontradiktave të hapura në gjirin e konunitetit botëror, për të marrë vendime të drejta dhe në kohë. Vendimarrja është një moment shumë i vështirë e delikat, që kërkon një vëmëndje e kujdes të veçantë, kërkon koncensus, koncept të qartë dhe bazë ligjore, kërkon rezerva, financa, mbështetje, bashkëveprim e bashkërendim, pra kërkon një kompleks elementësh veprues, që nuk mund t’i marrë e realizojë kushdo.

Trajtimin teorik të këtij problemi e gjejmë në faqet e këtij libri, duke kuptuar nga faqja në faqe se, sa e rëndësishme është sot kuptimi i këtij koncepti.

Si mund të arrihet dhe të realizohet psikologjia e luftës kundër luftës?

Kush do të vihet në shërbim të saj, kur realiteti sot në botë shpesh flet në sensin e kundërt?

Kush do të kërkojë momentin e tolerancës dhe të mirëkuptimit, kur sot në botë ekziston frika dhe tmerri për luftën terroriste me efekte të përgjithëshme?

Kush do t’i kundërvihet terrorizmit dhe konkretisht me çfarë?

Siç kuptojmë nga trajtimet në botim, luftrat zakonisht zhvillohen për të marrë territore apo burime, apo për shkak të përleshjeve ideologjike e politike, që ndodhin herë pas here në botë. Është kjo arsyeja që luftrat dhe betejat kanë luajtur një rol kryesor në hartimin e hartës së botës siç është sot.

Luftrat nuk janë rezultat i instikteve të brendëshme agresive të njeriut. Njerzit duhet të stërviten që të mund të vrasin. Sot në botë ushtritë moderne janë burokratike, të paisura me oficerë profesionistë, ato janë shumë të organizuara e të specializuara dhe shumë hierarkike. Sipas vlerësimeve kuptojmë se ky instrument ka arritur në përsosmëri.

Në këto kushte psikologjia e luftës është e fuqishme dhe ajo dominon në shumë aspekte të veprimtarive botërore. Vlerësoni deklaratat e shumë liderëve sot, vlerësoni të dhënat që publikohen në shpenzimet ushtarake, vlerësoni përsosmërinë dhe rrezikshmërinë e avancimeve të teknologjisë të armëve konvencionale dhe të dëmtimit në masë, pra duhen vlerësuar shumë elementë, që kur i kujton të drithërojnë shpirtin për pasigurinë që rrezatojnë.

Por njerëzimi nuk e ka për synim të kapitullojë dhe të tërhiqet përpara kësaj situate. Psikologjisë së luftës duhet t’i kundërvëmë psikologjinë e luftës kundër luftës. Kjo situatë shkakton shumë dilema. Atëhere:

Çfarë ndikimi kanë lufta dhe ushtria në zhvillimin social psikologjik modern?

A mbështetet sot ky lloj zhvillimi përball fatkeqësive që i janë shkaktuar njerëzimit prej saj?

Si duhet t’i analizojmë ne pasojat në aspektin sociol psikologjik?

Disa të dhëna tronditëse. Përsa i përket numrit të viktimave, shekulli i njëzetë ishte shekulli më i goditur nga luftrat njerëzore. Vetëm gjatë këtij shekulli u vranë në luftë më shumë se njëqind milion njerëz, me një mesatare prej 3.500 veta në ditë. Pjesa më e madhe e këtyre njerzve u vranë në dy luftrat botërore, por luftrat kanë vazhduar pak a shumë gjatë gjithë shekullit.

Përse ndodhin luftërat? Duket sikur prirja e qënieve njerëzore për tu përfshirë në luftë, në disa raste trashëgohet. Ndoshta kemi të trashëguar agresivitetin dhe ky shfaqet në faktorin e treguesve shkatërrimtar të luftës. Një pikëpamje e tillë, mbase është vështirë të shtrohet për tu shqyrtuar, por psikologjia reagon ndaj fenomenit luftë.

Lufta ka pak të bëjë me shprehjen e impulseve agresive, megjithëse fusha e betejës mund tu krijonte mundësi disa njerëzve për të shprehur ndjenjat e tyre për vrasje, të cilat në rast të kundërt do t’i mbanin ato të fshehura. Agresioni është një tipar i shumë aspekteve të veprimtarisë njerzore dhe i shumë individëve, por pak prej tyre i çon me koshiencë në vrasje.

Pjesa më e madhe e atyre që kanë vrarë, kanë vepruar në kohë lufte; disa nga ne padyshim i njohin ose i kanë takuar njerëz të tillë. Por zakonisht nuk kemi frikë prej tyre, pasi ne e kuptojme se veprimet e tyre në luftë janë krejt ndryshe nga agresiviteti personal, që individët mund të shprehin në jetën e përditëshme. P.sh. sot tek ne mund të takosh me dhjetra pjesmarrës në luftën nacionalçlirimtare që kanë vrarë fashistë dhe ndaj tyre nuk ka asnjë ndjesi frike për të ndënjur e bashkëbiseduar me ta. Biles, mjaft prej tyre janë shumë humanë dhe të përkushtuar në edukimin e fëmijeve, nipërve e mbesave jo me ndjenjën e agresivitetit por përkundrazi.

Megjithatë misioni i ushtrive në fund të fundit është të vrasë kundërshtarin, prandaj në pjesën kryesore të programit të stërvitjes së njerzve, për të qënë ushtarakë, është që t’i mësojnë ata të injorojnë kufizimet që normalisht vënë në përdorimin aktual të dhunës, me qëllim që në rrethanat e duhura kundër “armikut”, ata të veprojnë me të gjitha format dhe ta vrasin (asgjësojnë) atë në fushbetejë. Ky është thelbi por dhe pamja e jashtëme e strukturës ushtarake kudo në botë. Ekzistenca dhe formimi i strukturave ushtarake për të realizuar këtë mision sipas autorit, tashmë nuk duhet të quhet një koncept i vjetëruar, por ushtritë duhet të ekzistojnë dhe të përgatiten në emër të paqes.

Në këto kushte, për pjesën më të madhe të njerzve që përfshihen në ushtri, vrasja duhet të mësohet – megjithëse edhe këtu ka përjashtime. Ekziston një njeri i tillë i quajtur “ushtari i natyrshëm“; lloji i njeriut që kënaqësinë e tij më të madhe e ka nga mjedisi mashkullor dhe shoqëria me meshkuj, nga emocionet që i shkaktohen si dhe nga kapërcimi i pengesave fizike dhe psikologjike në pranimin e ndjesive dhe të këtij realiteti.

Si i tillë nuk është e thënë që patjetër ai duhet të vrasë njerëz; por ai nuk do të ketë kundërshtim për këtë, në rast se kjo ndodh brënda një kuadri moral, që i jep një justifikim – siç është lufta dhe pjesmarrja në të – dhe në se ky është çmimi për tu pranuar në atë lloj mjedisi që ai kërkon.

Por rreshtat dhe formacionet në ushtri nuk janë të mbushur plot me njerëz të tillë. Këta janë kaq të rrallë, sa që krijojnë vetëm një fraksion modest, madje edhe të ushtrive të vogla profesioniste, kryesisht forca të paguara të llojit “komando” apo “mercenare“.

Në ushtritë e mëdha me rekrutë, zakonisht individë me ndjesi të tilla, humbasin midis numrit të madh të njerzve të zakonshëm. Dhe janë këta njerëz të zakonshëm, që përgjithësisht nuk e duan fare luftën e që ushtria punon që t’i bindë që të vrasin (Dyer, 1985, f 118-119). Po a mund të arrihet kjo? A veproi ky element edhe në strukturat ushtrake serbe në Kosovë? Shqetësimi për dukuritë psikologjike të konflikteve të fundshekullit, është i fortë tek autori, me ndjesinë e fuqishme se ajo që do të dëshironim është ende disi e largët. Pra nuk duhet të jetë kështu dhe për këtë duhet të veprojë ajo psikologji që i kundërvihet luftës.

Pra, zhvillimi i luftrave nuk rrjedh drejtëpërdrejtë nga agresiviteti njerëzor. Origjina e luftrave dhe shpeshtësia në të cilën ato janë zhvilluar duhet të gjenden në faktorë të tjerë. Është një përpjekje serioze në këtë botim, për t’i vajtur sa më afër analizës së këtyre faktorëve. Duke vlerësuar se ka një përqasje afër realitetit, ndjehem i entusiazmuar për natyrën impulsive të trajtimit të këtyre elementëve.

Lexoni me kujdes një shaka amerikane e shprehur në diçiturën e pikturës së Joseph Farris, qysh në vitin 1984. Një gjeneral amerikan me gjoksin e mbushur plotë me dekorata, për merita të veçanta në shërbim të kombit të vet, pohon me qetësi përball një politikani se: “…. Unë jam kundër luftës totale, por gjithashtu nuk jam për paqe totale”. Autori shpreh shqetësimin a ka të vërtetë në shakanë amerikane? A ka në botë dhe ushtarakë të tjerë që mund të pranojnë shaka të tilla? Vlerësoj se kjo është një dilemë e përgjithëshme.

Duke vlerësuar punën serioze dhe plot pasion të autorit në fushën e vet studimore, njëkohësisht i uroj atij botime të tjera të këtij karakteri, duke kontribuar në rritjen e nivelit të trajtimeve teorike në fushën ushtarake.

Bashkim ABAZI

Analist në Kriminalistikë

—-

Bibliografi

  • Terry F. Pottijohn, “Psikologjia e Përgjithëshme”, bot, II; viti 1996, përkthin në shqip i Fondacionit “Soros”, Psikologjia e aplikuar.
  • Lufta kundër Luftës, ShB “Ora”, përgatitur për botim nga Remzi Lani, Besnik Mustafaj dhe Piro Misha, viti 2001.
  • Marios Vargasllosa, Një luftë e vonuar, Lufta kundër luftës.
  • Adam Micnik, Fatura Milosheviç, Lufta kundër Luftës.
  • Gardianët Europianë: Kufijtë e vështirë të Europës liberale, Lufta kundër Luftës.
  • Hans Magnus Enzesberger, Çudirat e një lufte, Lufta kundër Luftës.
  • Vaclav Havel, Edhe unë ndihem shqiptar, Lufta kundër Luftës.
  • Artur Miler, Do të duhej një Rusvelt, Lufta kundër Luftës.
  • Nadine Gordimer, Por të vdekurit nuk kthehen, Lufta kundër Luftës.
  • Bernard Henri Levy, Luftës me Luftë, Lufta kundër Luftës.
  • Pascal Brukner, Përse ky tërbim kundër  amerikanëve, Lufta kundër Luftës.
  • Dniel Cohn Bendit, Për një protektorat europian, Lufta kundër Luftës.
  • Norberto Bobbio, Lufta e të drejtave, Lufta kundër Luftës.
  • Carlos Fuentes, Kosova dhe rendi I ri ndërkombëtar, Lufta kundër Luftës.
  • Umberto Eco, Kur lufta është një armë e zhveshur, Lufta kundër Luftës.
  • Alain Finkielkraut, E pashmangëshme, Lufta kundër Luftës.
  • Janusz Bugajski, Vendimet e vështira të NATO-s, Lufta kundër Luftës.
  • Alain Touraine, Nuk ka zgjidhje pa eleminim, Lufta kundër Luftës.
  • Paul Garde, A do të dënohet krimi në Kosovë? Lufta kundër Luftës.
  • Regis Debray, Europa Somnambul, Lufta kundër Luftës.
  • Shimon Peres, Çmendojmë ne Nobelistët e Paqes, Lufta kundër Luftës.
  • Zletko Dizdareviç, Heshtja para bombave, Lufta kundër Luftës.
  • Amos Oz, Gjenoncidi si problem universal, Lufta kundër Luftës.
  • Andre Glaukcs mann, Europa e re lind në Prishtinë, Lufta kundër Luftës.
  • Elie Ëesel, Letër  një miku kosovar, Lufta kundër Luftës.
  • Michael Ignatieff, Fizika e Ballkanit, Lufta kundër Luftës. 
  • Sun Xhu, Arti i luftës, botim i SHBU, vitit 1995, përkthim në shqip.
  • Prof. Dr. Ylli Pango, Psikologjia Sociale, botim i vitit 1998. Lidershipi, Sjellja Sociale, Stresi.
  • Prof. Dr. Edmond Dragoti. Psikologjia Sociale, botim i SHB Toena, Tiranë vitit 2001.
  • Beteja e fundit
  • Afrim Imaj, Feniksi i Lirisë, botim i SHB Onufri, viti 2000.
  • Revista periodike NATO Riëju
  • Lordi Robertson i Port Ellenit, përkthim në shqip, viti 2001.
  • Eliot A. Kohen, Qytetarë dhe ushtarakë, Roli i Forcave të Armatosura, botim i SHBU, Tiranë 1995.
  • Kolonel Dr. Sulejman Abazi, Psikologjia e ndryshimit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. F
  • Lordi Robrtson i Port Ellenit, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, “Kosova gjatë një viti në vazhdim. Arritje dhe sfida”
  • Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, botim i vitit 1984, Kosova f  537, 538
  • Botim: 100 ditët e luftës në Kosovë, AHTC, Informacion ditor. F  4-14, 
  • Ministria e Mbrojtjes. Raporti për Këshillin e Mbrojtjes “Për parashikimet operativo strategjike të mbrojtjes” datë 17/01/1983.
  • Ukshin Hoti, Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Prishtinë, botim i vitit 1996.
  • Dr. Sulejman Abazi, Hapsira social psikologjike ne Forcat e Armatosura, botim i SHBU, viti 2000.
  • Lufta kundër luftës, Ismail Kadare, Triumfi i krimit, f 7-14.
  • Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Instituti Albanologjik Prishtinë 2000.
  • Revista NATO Rivju, Pesë librat e Xhemi Shi, Mbrojtja viti 2001, f 93-98
  • Revista Strategjia dhe Politika, editorial, f 3-6, botim special Tiranë 2002.
  • Dashamir Uruçi, Kosova dhe e drejta e vetvendosjes, botim i SHB Shtjefni, Shkodër 2001.
  • Prof. Dr. Marenglen Verli, Reforma agrare kolonizuese në Kosovë, NB Iliria Tiranë, 1992.
  • Prof. Dr. Proletar Hasani, Kush e ka drejtuar ushtrinë shqiptare, Tiranë, botim i vitit 2001.
  • Ministria e Mbrojtjes. Vendimi i Këshillit të Mbrojtjes Nr 1 datë 27/01/1983 “Për përsosjen e mëtejëshme të strukturës organizative të ushtrisë”, datë 04/12/1982 – 18/03/1983.
  • Ukshin Hoti, Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Prishtinë, botim i vitit 1996.
  • Ministria e Mbrojtjes. Informacion “Për hartimin e planit operativo strategjik të mbrojtjes së vendit dhe gatishmërisë luftarake”, datë 29/10/1983.
  • Afrim Imaj, Feniksi i Lirisë, botim i SHB Geer, Tiranë 2001. F 152-155.
  • Ministria e Mbrojtjes. Vendimi i Këshillit të Mbrojtjes Nr 1 datë 30/05/1985 “Për krijimin e tre grupimeve të drejtimeve operative” datë 06/05/1985.
  • Ministria e Mbrojtjes. Relacion për zbatimin e detyrave të vëna në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes Nr 1 datë 27/01/1983 “Për krijimin e tre shtabeve të Armatave”, datë 01/06/1985.
  • Shtabi i Përgjithshëm. Diskutim i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Këshillin e Mbrojtjes për riorganizimin e ushtrisë me divizione, detyrat kryesore të ushtrisë. Drejtoria Operative 1982-1983.
  • Shtabi i Përgjithshëm. Operacioni varjanti “Korabi”, tekstuale, grafike, gjëndja e popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi, datë 25/10/1970 dhe 11/05/1980.
  • Shtabi i Përgjithshëm. Harta e idesë së të dy palëve për operacionin kundërmësymës për stërvitjen komando shtabi “Taraboshi 83”, datë 21/05/1983, 07/06/1983.
  • Drejtoria Operative. Raport i komandës së K5K Pukë dërguar drejtorisë Operative, datë 24/12/1980.
  • Drejtoria Operative. Informacion për stërvitjen komplekse me 1BrK të K5K Pukë, datë 04/04/1980, 29/12/1980.
  • Tabela e kompletimit të njësive që janë ngritur në alarm gjatë vitit 1980, datë 06/01/1981.
  • Drejtoria Operative. Udhëzim i Shtabit të Përgjithshëm dërguar komandave të K3K dhe K5K Pukë për zhvillimin e stërvitjeve komando shtabi, 09/06/1981, fletë 6.
  • Drejtoria Operative. Plani A-81, pjesa tekstuale dhe grafike për të krijuar idenë e një organizimi të ri ushtarak për drejtimin lindor, datë 31/12/1981.
  • Drejtoria Operative. Pjesë nga ndërhyrjet e Enver Hoxhës për stërvitjen “Drini” me Korpusin e Veriut. Shënimi i Haxhi Kroit në material, datë 21/04/1982, fletë 11.
  • Drejtoria Operative. Fjala e Kryetarit të Këshillit të Ministrave në shkollën e Bashkuar me rastin e diplomimit të oficerëve të rinj, datë 31/05/1980, 25/07/1980, fletë 17.
  • Drejtoria Operative. Detyra që u vunë nga Ministri i Mbrojtjes gjatë rikonicionit në K3K Korçë dhe K5K Pukë, datë 21/07/1981 dhe 10/08/1981.
  • Drejtoria Operative. Situatat për operacionin kundërmësymës të stërvitjes komando shtabi “Kështjella” për K5K, K7K, K9K dhe njësitë vartëse të tyre, datë 29/03/1979.
  • Drejtoria Operative. Informacioni për stërvitjen komando shtabi e D90K Shkodër datë 28/05/1983
  • Drejtoria e Zbulimit. Informacion mbi përbërjen e forcave jugosllave, disllokimi dhe mundësitë e mobilizimit në rast lufte, pasqyra dhe harta e disllokimit të këtyre forcave, datë 29/12/1980.
  • Drejtoria e Zbulimit. Harta e krahinës autonome të Kosovë-Metohisë për hedhjen e robërve të luftës, përgatitur nga D. Zbulimit, datë 29/12/1980, fletë 1, kutia 1.
  • Drejtoria e Zbulimit. Informacion i Drejtorisë së Zbulimit mbi planizimin e masave të zbulimit për planet operative të njësive, datë 25/07/1983
  • Drejtoria e Organizim Mobilizimit. Propozim i komandës së K5K Pukë për përforcimin e disa drejtimeve dhe objekteve të rëndësishme, datë 06/10/1981, fletë 5.
  • Drejtoria e Fortifikimit. Informacion dhe pasqyra të Ministrisë së Mbrojtjes dërguar Kryeministrit mbi paisjen fortifikuese të mbrojtjes sonë dhe 1 fletë dorëshkrim i tij për sasinë e qëndrave të zjarrit në drejtim të Greqisë, Jugosllavisë dhe në bregdet, datë 13/06/1980, fletë 20.
  • Drejtoria e Tankeve. Mendimet e Ministrit të Mbrojtjes dërguar Kryeministrit për të krijuar reparte tankesh në drejtim të kufirit lindor e verilindor dhe shënimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm në material, datë 10/08/1981.
  • Dokumentat luftarake të Korpusve. Urdhëri luftarak dhe plani operativ i K5K Pukë, datë 12/11/1976 dhe 27/06/1981.
  • Kolonel Dr. Sulejman Abazi, Psikologjia e ndryshimit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
  • Gazeta Ushtria, Maj 1999,
  • Revista ushtarako shkencore Mbrojtja, Qershor 1999,
  • Prof. Dr. Kolonel Pajtim Ribaj “Siguria me bazë bashkëpunimi, sfidë e kohës”, botim në gazetën SOT, viti 2003.
  • Urdhër paraoperacional Nr 8421/4 i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH
  • Urdhër operacional Nr. 1552/1 i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH
  • Nënkolonel Beshir Rrokaj, Nga pragu u luftës në paqe (Ditar me reportazhe, kronika dhe vështrime letrare – historike), Tiranë 1999.
  • Dhimitër Goga, Kur flasin zemrat, f 75-81, ShB Arian, Tiranë 2002
  • Frederik N. Mikeli, Homo Sum (ese), SHB Toena, Tiranë 2001.
  • Nusret Pllana, Qëndroi shqiptarisht (monografi për dëshmorin Selim Berisha), Prishtinë 2001.
  • Gazeta Republika, Tiranë 31 Mars 2002.

F  U  N  D – 2002

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

——————————

Kthehu në fillim:

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS (1)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)

https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-1/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura