RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (21)

Nga Asllan Muharremi

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Diku kah mesi i janarit 1982, jam takuar me Xhafën (Xhafer Durmishin) në shtëpinë e Sheremetit. Në atë rast, Xhafa më ka njoftuar se do të shkonte në Prishtinë, sepse kishte një porosi të rëndësishme nga shokët e Lëvizjes dhe duhej ta takonte një shok. Jemi pajtuar që të takohemi në Prishtinë në ëmbëltoren e Qendrës së Rinisë.

Paraditen e 19 janarit 1982 arrita në Qendrën e Rinisë. Në ëmbëltore e takova Xhafën.  U gëzuam të dy që u takuam. Gjersa ishim duke i pritur kafetë, shkova dhe e bleva “Rilindjen”. Duke u kthyer në ëmbëltore ia lëshova sytë “Rilindjes” dhe aty lexova lajmin e tmerrshëm të vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Ika menjëherë drejtë ëmbëltores. Sapo u afrova afër Xhafës, ia dhashë ta lexonte “Rilindjen” dhe lajmin e hidhur që kishte aty. Xhafa e lexoi lajmin. E mbylli “Rilindjen” dhe për një moment nuk tha asnjë fjalë. Dukej shumë i pikëlluar. Pas pak më tha:

     ‒ Nëse ky lajm është i vërtetë, atëherë UDB-a jugosllave na i paskan vrarë shokët! Jusuf Gërvallën dhe Bardhosh Gërvallën i njoh, ndërsa Kadri Zekën nuk po e njoh, si emër.  Kadri Zeka mund të jetë një shok që quhej Zeqa. Ai duhet të jetë shoku i OMLK-së, për të cilin më ka folur Jusuf Gërvalla.

     E lamë ëmbëltoren dhe duke dalë nga Qendra e Rinisë,  Xhafa më tha:

     ‒ Qysh nesër duhet të udhëtojë për Gjermani!

      Para se të ndahemi u morëm vesh të takohemi përsëri në mbrëmje në shtëpinë e Sheremet Saraçit.

     Në mbrëmje, Sheremet Saraçi e vërtetoi lajmin e hidhur të vrasjes së shokëve. Ai i kishte dëgjuar radion Deutsche Welle  dhe nëpërmjet saj kishte mësuar për vrasjen e shokëve tanë  në afërsi të Shtutgartit. U pikëlluam të tre. Atë natë e kaluam pa gjumë. Ishim të “plagosur” rëndë. Humbja ishte e jashtëzakonshme. E merrja me mend se e gjithë lëvizja jonë nacionalçlirimtare ishte goditur rëndë me vrasjen  e shokëve tanë.            

    Me 20 janarit 1982, herët në mëngjes, Xhafën e kam përcjell gjer në Stacionin Hekurudhor në Fushë Kosovë. Aty ai e ka marrë trenin Selanik – Munih.

    Xhafa me vete mori të gjitha ato materiale që kishim arritur t’i grumbullonim. Në mesin e materialeve kanë qenë edhe dy fotografi të dy demonstruesve të vrarë gjatë demonstratave të mars-prillit 1981: Naser Hajrizit dhe Nesim Danës. Mua ma la aparatin fotografik që ia kishte dhënë Jusuf Gërvalla.

      Në mbrëmjen e 20 janarit, Radio Tirana transmetoi artikullin e “Zërit të Popullit” me titull “Kosovës po i vriten djemtë nga serbomëdhenjtë”.

                                                  ***

      Përcjellja e Xhafës, menjëherë pas marrjes së lajmit për vrasjen e shokëve, ishte një moment tjetër i rëndë për mua. Koha e qëndrimit të Xhafës në Kosovë, iku shpejtë dhe unë nuk kisha arritur të shtroja me te shumë probleme që kishim. Unë dhe shokët kishim nevojë për përvojën e shokëve të udhëheqjes, të cilat shpresoja se Xhafa duhej t’i kishte takuar gjatë qëndrimit në Gjermani.  

      E merrja me mend se, vrasja e Jusuf Gërvallës, Lëvizjes sonë i kishte dhënë goditje të rëndë. Tashmë e kisha mësuar se prapa tre numrave të “Lajmëtarit të lirisë” e dy numrave të “Zërit të Kosovës, qëndronte vigani Jusuf Gërvalla, se UDB-a jugosllave nuk mund ta duronte punën e tij, prandaj mori vendim, ua zuri pritën dhe i vrau në pabesi! Gjithçka më dukej si një ëndërr keqe. Druaja për Xhafën dhe shokët që ishin pranë tij, ndonëse unë nuk i njihja asnjë me emër.

     Por dëshpërimit nuk duhej t’i linim vend, sepse këtë e dëshironin armiqtë tanë. Ata na i vranë shokët me qëllim që ne ta ndalnin luftën tonë,-i thosha vetës. Ne duhej ta çonim amanetin e shokëve në vend dhe ta vazhdonin luftën për liri, aty ku e kishin lënë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Asnjëherë nuk më ka pas shkuar mendja se UDB-a, që drejtonte Jugosllavinë titiste, do t’i trajtonte ndryshe shokët tanë, sidomos ata  që ishin në ballë të luftës sonë për liri, përkundrazi unë e kam pritur se ata do të na e zënë pritën, ashtu siç    kanë bërë kundër shumë atdhetarëve të tjerë që luftuan për liri.

     Mirëpo, lidhur me vrasjen në afërsi të Shtutgartit, unë isha i bindur se UDB-a jugosllave nuk ishte e vetme në këtë veprimtari kriminale e antishqiptare! Nuk kam pasur asnjë fije dyshimi se vrasja në Untergruppenbach është realizuar falë mbështetjes që UDB-a jugosllave ka pasur nga forca të caktuara reaksionare të vendeve të ndryshme.  Kisha lexuar se pak kohë para se të vritej Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Gjermani kishin bërë vizita udhëheqës të lartë shtetëror jugosllav. Është vështirë të besohet se gjatë vizitave nuk është zënë në gojë emri i Jusuf Gërvallës.  Përndryshe, është e vështirë të shpjegohet vrasja në “zemër” të Gjermanisë dhe skuadra vrastare të largohej nga Gjermania pa therë në këmbë!    

     Por unë dhe shokët e kishim bindjen e plotë se vrasja e shokëve nuk do ta arrinte efektin që e dëshironin serbomëdhenjtë. Përkundrazi unë besoja se vrasja tinëzare e shokëve në Untergrupenbach do t’i ngrit në këmbë me mijëra djem dhe vajza të tjerë që do t’i bashkohen luftës sonë nacionalçlirimtare.

  • Rexhep Ahmeti dhe Asllan Muharremi

***

      Përkundër faktit se kthimi i Xhafës në Gjermani, menjëherë pas vrasjes së shokëve tanë, ishte një goditje tjetër që i bëhej veprimtarisë sonë në Kosovë,  vend për dëshpërim nuk kishte. Gjatë kohës sa qëndroi në Kosovë Xhafa, mua më vuri në lidhje me dy shok të rinj,  të krahut të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (Sheremet Saraçin dhe Bahtir Haradinajn) dhe veprimtarisë në shërbim të lirisë i dha vrull të ri.

     Lidhjeve të mia me Xhemën, Ferkiun, Rexhën, Bedën, Shyqën, Hoxhën e Vogël dhe Vebën ju shtua edhe lidhja me Sheremet Saraçin dhe Bahtir Haradinajn. Meqë kontaktet me shokët i mbaja, me secilin veç e veç, më përjashtim të takimeve me Xhemën dhe Ferkiun, që kohë pas kohe i mbanim të tre së bashku, nga unë kërkohej shumë mund dhe kohë. Veç kësaj ky volum punësh kërkonte  edhe angazhim të madh. Çdonjëri nga shokët kishte rrethin e shokëve të tij, ashtu siç kishte edhe problemet që shtronte puna jonë. Duhej marrë informacionet nga shokët, dëgjuar mendimet e tyre, dhënë mendimin tënd, pastaj duhej shtruar problemet me shokët dhe gjetur zgjidhje të drejta dhe që nuk do t’i çonin shokët në “gojë të ujkut”.

     Ferkiu, i vazhdonte kontaktet e tij me Burim Zagragjen, Behexhet Ahmetin dhe  shokët tjerë në Fakultetin Ekonomik dhe fakultetet tjera.

     Drita Morina, Mirvete Haliti, Hafije Durmishi, Elhame Haliti ishin gjithashtu një grup studentesh nëpërmjet të cilave Ferkiu përpiqej ta zgjeronte veprimtarinë tonë edhe në fakultet dhe rrethet tjera në Prishtinë e më gjerë.

     Veprimtaria e Ferkiut nuk ndalej vetëm me kaq. Ai mbante kontakte me shumë patriotë e liridashës të tjerë nëpër rrethe të tjera dhe kudo i shpërndante literaturën ilegale dhe e përhapte frymën e lirisë.

      Gjithashtu, Ferkiu i ruante kontaktet me shokët dhe shoqet e shkollës së mesme, por edhe krijonte kontakte të reja. Edhe çiftelinë dhe muzikën e përdorte jo vetëm për përhapjen e këngës patriotike, por edhe për t’u njohur e miqësuar edhe me figura të njohura të këngës popullore. Pos Fatmir Makollit, ai mbante lidhje edhe me disa këngëtarë dhe anëtarë të ShKA “Shota”.

      Në një takim me Xhemën dhe Ferkiun vendosëm që ta bëjmë një aksion dhe t’i shkruajmë disa parulla. U pajtuam që shkrimin e parullave ta bëjmë në disa pika. Gjithashtu u pajtuam, që kësaj radhe parulla të shkruanim vetëm unë dhe Ferkiu, si dhe që për këtë aksion të mos flisnim me asnjë shok tjetër.

      Disa ditë më vonë, së bashku me Ferkiun i kemi bërë të gjitha përgatitjet për shkrimin e parullave në fshatin Lum i Madh.

      Gjatë natës,  në të gjitha muret e shkollës katërvjeçare e në murin e shitores së fshatit Lumi i Madh dhe në rrugën automobilistike Prishtinë – Vushtrri (në mes fshatit Lum i Madh dhe Stanofci i Epërm), kemi shkruar disa parulla “Kosova-Republikë!”, “Poshtë tradhtarët!” etj. Parullat i kemi shkruar me ngjyrë të kuqe metalike dhe ato kanë qenë pothuajse nga një metër çdo germë e shkruar.

      Gjatë shkrimit të parullave kemi përdorur dorëza dhe këpucë, që nuk i kemi përdoru asnjëherë më parë. Gjithashtu kemi qenë të maskuar me kapele dhe rroba të vjetra. Pas mbarimit të aksionit të gjitha mjetet e përdorura i kemi fshehur në një vend larg shtëpisë sime.

       ***

     Me Rexhep Ahmetin njiheshim qysh nga shkolla e mesme dhe kishte disa vite që takoheshim e këmbenim literaturë të ndaluar. Shoqëria e miqësia jonë ishte rritur shumë. Rexha,  rridhte nga një familje fshatare dhe ishte një student i shkëlqyeshëm i Fakultetit Filozofik-Dega e Sociologjisë. Ai ishte i përgatitur në të gjitha drejtimet për t’u inkuadruar në Lëvizje dhe për të milituar në radhët e saj.

     Mirëpo, duke ditur gjendjen e vështirë ekonomike të familjes së tij, më dhimbsej ta inkuadroja në radhët e LNÇKVShJ-së, sepse nuk doja që ta rrezikoja e të binte në burg dhe kështu ndoshta edhe t’ia ndërprisja edhe burimin e vetëm ekonomik familjes së tij. Megjithëkëtë pas shumë hezitimesh dhe duke marrë parasysh nevojën që kishte lufta jonë për liri edhe për burra të mendjes, siç ishte Rexha, vendosa t’i propozoj që edhe ai të anëtarësohej në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi.

      Në qershor të vitit 1982, Rexhën e kam njoftuar se unë veproja si anëtar  LNÇKVShJ-së dhe në atë rast i kam propozuar që edhe ai t’i  bashkohej organizatës sonë. Në atë rast i fola për programin politikë të LNÇKVShJ-së dhe mënyrën e pranimit të anëtarëve të rinj. Rexhës i kërkova ta mendonte mirë këtë çështje dhe të më kthente përgjigje pas një jave. Gjithashtu, Rexhës ia dhashë ta lexonte materialin e LNÇKVShJ-së:  “Statuti i Lëvizjes Nacional-çlirimtare të Kosovës”.

      E dija se Rexha kishte kontakte me një numër studentësh në Fakultetin Filozofik, si Musli Kosumi, pastaj në Mitrovicë  së bashku me te vepronte Bedri Selmani, Azem Musliu, Fadil Shyti, vëllezërit e tij, Nistret dhe Muhamet Ahmeti, si dhe kushëriri i tij, Salih Ahmeti. Prandaj, unë e gjykoja se inkuadrimi i tij në LNÇKVShJ-ë ishte një përforcim i madh për organizatën tonë në rrethin e Mitrovicës dhe më gjerë.

     Pas një jave Rexha më është përgjigjur se e pranon programin dhe statutin e LNÇKVShJ-ës. Në shtëpinë time në Mihaliq,  Rexha  është betuar para flamurit të Gjergj Kastriotit dhe armës së lirisë (një pushke M-48, që nuk ishte e imja, por që e mbaja në shtëpi kohë pas kohe).

                  ***

     Që nga janari i vitit 1982 dhe kthimi i Xhafës në Gjermani, ne kishim ngelur përsëri pa lidhje me LNÇKVShJ-në. Duke pasur parasysh momentet dramatike të menjëherë pas vrasjes së shokëve në Untergurppenbach dhe kthimit të shpejtë të Xhafës ne Shtutgart,  për mua ishte e pritshme se do të krijoheshin probleme në kontaktet tona. Unë kisha një numër telefoni të një shoku të Xhafës në Gjermani, por megjithëkëtë dolën shumë probleme dhe asnjëherë nuk arrita të flas me te. E gjithë kjo më krijonte shqetësime. Megjithëkëtë, shpresoja dhe po prisja se Xhafa do të lajmërohej dhe kështu do të na vinte në lidhje me Lëvizjen.

    Ne kishim nevojë për konsultime me udhëheqjen e LNÇKVShJ-së, por mundësit tona për të udhëtuar jashtë vendi ishin të vogla. Xhema, Ferkiu dhe unë ishim pa pasaportë. Ajo që ishte edhe më keq: Xhema dhe Ferkiu nuk kishin as gjasa minimale për të marrë pasaportë, edhe nëse do t’ju shkonte mendja për një gjë të tillë.  Unë e kisha një pasaportë në shtëpi, por e keqja ishte se pasaportës sime i kishte skaduar afati.  

      Në këshillim me shokët, në fillim të qershorit, e  bëra kërkesën për vazhdimin e pasaportës, dhe, meqë kishin kaluar disa javë, që nga koha e dorëzimit të kërkesës, vendosa të shkoj në Stacionin e Policisë në Mitrovicë dhe të pyes se a më ishte shqyrtuar kërkesa ime apo jo?

      Gjersa po prisja në radhë për t’u afruar afër sportelit dhe për të pyetur, tek dera e Stacionit të Policisë, e pashë surratin e udbashit Hajriz  Mazhiqi. U bëra kinse nuk po e shoh, por pas pak e kuptova se ai më kishte parë dhe po më afrohej gjithnjë e më afër. Nuk kisha mundësi t’i shmangesha, prandaj e përshëndeta me një “Mirëdita” dhe vazhdova të qëndroja në radhë.

        Pas pak hyra brenda dhe u drejtova tek sporteli. Aty pyeta për pasaportën time. Zyrtari që punonte aty më tha të ulesha dhe të prisja.

      Diku pas një gjysmë ore,  zyrtari me të cilin kisha folur më parë, më ftoi të afrohesha tek sporteli dhe më kërkoi që ta paguaja një taksë për shqyrtimin e kërkesës për vazhdimin e kohës së përdorimit  të pasaportës. Pas pagesës, zyrtari më tha të nënshkruaja një dokument dhe pas nënshkrimit ma dha një dokument, i cili, në të vërtet ishte vendimi i refuzimit të kërkesës për vazhdimin e pasaportës! U bëra tym për paratë që i pagova, pa nevojë.

     Një vendim të tillë edhe e prisja, por i çuditshëm ishte fakti se zyrtari që kishte marrë vendim për të ma refuzuar kërkesën  time për vazhdimin e pasaportës nuk ishte askush tjetër pos profesionistit të UDB-ës, Sylejman Arifi.

     Vendimi për mos lëshimin e pasaportës ishte marrë me 30 qershor 1982 (nr i pasaportës që kisha ishte CP-094012), disa ditë para se të shkoja në Stacionin e Policisë në Mitrovicë. Vendimi i marrë nga Sylejman Arifi ishte edhe një dëshmi se Jugosllavia ishte një shtet policor dhe se UDB-a ishte ajo që merrte vendime për gjithçka. Për mua personalisht kjo ishte edhe një arsye më shumë për ta luftuar këtë pushtet antipopullor dhe antidemokratik.

       ***

    Veba, gjatë një takimi tek Hoxha i Vogël, më ka njoftuar se një shok i tij e kishte një makinë shkrimi. Sipas Vebës, makina e shkrimit ishte e  shokëve të Gani Sylës, veprimtarit të njohur të OMLK-së, që ishte i dënuar me 14 vjet burg së bashku me Hydajet Hysenin, Berat Luzhën, Mehmet Hajrizin e shumë veprimtarë të tjerë. Me Vebën ishim pajtuar që të na e sillte makinën e shkrimit sa më shpejtë që të jetë e mundur, këndej Qyqavice! Si me shaka, në atë rast, i pata thënë Vehbiut: “Makina e shokëve tanë, që dergjen burgjeve serbe, nuk duhet të ndjehet mirë nëse rri e fshehur;  ajo është me “vajë në buzë” për të zotin e saj që e ka në burg!”

       Nuk vonoi më shumë se dy javë dhe mësova se makina ndodhej tek Hoxha i Vogël. Po atë ditë, që mora lajmin, shkova dhe  mora makinën e shkrimit në Gllavotin. 

      Duke u kthyer në shtëpi, kalova nëpër pyllin e fshatit tonë. Në një lendinë në mes të pyllit  nuk u durova pa e  hapur çantën dhe pa e shikuar “bukuroshen” time. Ishte hera e parë që kisha në dorë një makinë shkrimi. Nga kureshtja i afrova sytë pranë shkronjave të çuditshme dhe pa e marrë me mend se çdo të pasonte, e shtypa një shkronjë e cila me shpejtësinë e vetëtimës e “urdhëron” një shkronjë plumbi të më qëlloi në fytyrë! Sytë më lëshuan xixëllonja dhe lot. Veç dhembjes, goditja m’i futi ethet në barkë! Mendova se dikush më qëlloi me ndonjë grusht hundëve! Shikova rreth e rrotull dhe meqë s’pashë njëri i fshiva lotët dhe e futa përsëri në çantë makinën  dhe ika në shtëpi. “Çfarë dreq makine qenka kjo,-thashë vetë më vete?!”

      Për një kohë, makinën e shkrimit e kam mbajtur të fshehur në një strehimore dikur rreth katërqind metra larg shtëpisë. Në një qoshe të arës sonë, ku dikur ka pasur shumë drurë vidhi, por që tani  ishte e mbushur me ferra dhe drurë të tjerë, e kisha hapur një gropë dhe aty e kisha vendosur makinën në një fuçi plastike.  Aty  i mbaja  edhe librat dhe materialet tjera të ndaluara. Ndonjë libër  ose material që lexoja, zakonisht e  fshihja nëpër duaj të tallës, në pleme dhe shtëpi të vjetër. Kështu pata bërë, gjersa nëna ime, një ditë erdh dhe më pyeti: “ se përse po i fshihja librat nëpër duaj talle?!”

      Më vonë makinën e shkrimit e kam strehuar për një kohë në shtëpi të bacës Imer (Sadiku). E mbaj mend një ditë kur Enveri, i biri i bacës Imer, më zuri brenda në shtëpinë e tij me makinë në tavolinë! Baca Imer banonte në banesën e tij në Prishtinë, por nganjëherë vinte dhe e vizitonte edhe shtëpinë e tij në Mihaliq. I thash se po i shkruaja disa poezi dhe pas pak u largova nga aty…

Në murin e shtëpisë së  re të bacës Imer, që gjendej poshtë shtëpisë së vjetër dhe përdorej edhe si ahur, e kam pas ndërtuar një strehimore për makinën e shkrimit. Në mes të murit e kam pas hapur një hapur me daltë një vrimë në madhësinë e makinës dhe makinën e lëshoja vertikalisht në mur e pastaj e mbuloja me dhe të tharë të tullave. Aty e kam ruajtur makinën e shkrimit një kohë të gjatë. Pas zhvendosjes së makinës së shkrimit nga aty kam strehuar libra dhe materiale tjera. Mbajtja e librave në strehimoren e hapur në tokë i dëmtonte librat, prandaj strehimorja në ahurin e bacës Imer ishte shumë me e përshtatshme. 

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (22)

Nga Asllan Muharremi

Shumëzimi i “tetë kërkesave të parevokueshme…”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura