PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / NЁ PЁRMBYLLJE – FLASIN PROTAGONISTЁT (8)

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / NЁ PЁRMBYLLJE – FLASIN PROTAGONISTЁT (8)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

Në përmbyllje

Tashmë lufta ka mbaruar, Shqipëria dhe Kosova i janë kthyer normalitetit. Ato janë të rreshtuar në anën e fitimtarëve dhe kanë fituar besimin e tyre në rrugën e proçeseve të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit. Është koha që në kushte të tjera të veprimit të efekteve të fitores të bëjmë disa përcaktime të cilat nxjerrin në pah vlerat e atyre faktorëve madhorë që vepruan në kohën e luftës dhe që i dhanë popullit shqiptar kudo shpresë për fitoren.

Vlerësimet e para për këtë periudhë të lavdishme të historisë shqiptare, i takojnë pikërisht UÇK-së. Ajo u bë faktor vendimtar që çështja jonë kombëtare të merrte përmasat ndërkombëtare dhe të ftonte në zgjidhjen e krizes ballkanike gjithë faktorin ndërkombëtar.

Më është dhënë rasti që të kem qenë shpesh në diskutimet dhe trajtimet e të vërtetave mbi luftën e popullit të Kosovës për liri në vitet 98-99-të. Me miqtë e mi kam pasur fatin të kemi qënë të ftuar në odën e madhe të Jasharajve. Bisedat për luftën kanë qënë shumë prekëse dhe të mprehta. Evidencimi i vlerave të luftës në Kosovë dhe të UÇK-së më kanë bindur, se tashmë jemi duke i bërë një shërbim të madh pasqyrimit të kësaj periudhe lufte dhe sakrificash, të cilat do të rezatojnë vlera për brezat që do të vijnë. Vlerat e UÇK-së janë vlera të karakterit shumdimensionl për mënyrën se si u lind e u rrit dhe se si e realizoi misionin e vet. Të shkruash për ushtrinë më të re të fundshekullit nuk është e lehtë, aq më tepër për një ushtri që me vullnetin e saj dhe të popullit që e lindi dhe e rriti shënoi faqe të lavdishme në historinë e Kosovës, i dha vetes dhe popullit të vet atributet e një qëllimi të lartë e tepër fisnik lirisë së shumëkërkuar ne shekuj.

Mbartës të ideve fisnike dhe traditave më të mira historike, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, luftëtarët e lirisë me gjakun e tyre hodhën themelet e një të ardhme të sigurtë për Kosovën dhe mbarë çështjen kombëtare. Me rrënjë të thella në popull, me në krye protagonistët e ngjarjeve të pranverës së viteteve 81, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u lind dhe u rrit në kushtet e një represioni të paparë policor e ushtarak, sfidoi klikën e egër fashiste të Beogradit dhe u ngrit mbi lavdinë e vet duke sfiduar, duke sakrifikuar deri në vetflijim, duke bashkëvepruar e kërkuar mbështetjen e forcave përparimtare demokratike të botës, për një ideal të madh.

Me heroizmin dhe vullnetin e vet duke pasur një udhëheqje të qartë shpirtërore e morale të intelektualëve dhe mendimtarëve kosovarë ajo krijoi fizionominë e vet morale dhe luftarake dhe meritoi notat superiore të komunitetit ndërkombëtar. E akuzuar si “bandë terroriste”, si lëvizje marksiste leniniste, si, ekstremiste nacionaliste prej forcave qarqeve e segmenteve kolaboracionist të politikës shoviniste të Beogradit, UÇK-ja u ngrit mbi të gjitha këto dhe meritoi statusin e një qytetarie moderne, ajo u bë pjesë e shoqërisë demokratike. Të flasësh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për ne nuk është e lehtë. Me një reagim agresiv të vetëdijes kombëtare shqiptare kundër tiranisë dhe skllavërisë shekullore, ajo bëri atë që duhet të bënte.

Në një periudhë të pashkëputur 10 vjeçare, analistët dhe publiçistika shqiptare ka ndjekur dhe pasqyruar nga afër lëvizjen për çlirim në Kosovë, ata janë bërë protagonist të pasqyrimit të realiteteve pranë afshit të demostratave, pranë afshit të barutit e të luftës, duke ndjekur hap pas hapi rritjen e koloseut të lavdisë, burimin shpirtëror të këtij koloseu, duke rezervuar për intelektualët dhe mendimtarët e Kosovës një vend nderi në publikimet e tyre, ashtu sikundër ata e kanë merituar atë. Nëpërmjet takimeve dhe intervistave të drejtëpërdrejta me burra të shquar të Kosovës, nëpërmjet burimeve jetësore nga luftëtarët e lirisë, nga fronti i luftës dhe i diplomacisë, nga njerëzit e shpërngulur e të traumatizuar, janë hedhur në memorien e kombit, kohë pas kohe të vërtetat historike.

Historia e Kosovës moderne gjen pasqyrim në idetë dhe mendimet e figurave të shquara të popullit të Kosovës, të cilët vlerësuan dhe u mbështetën në faktorin ndërkombëtar për të institucionalizuar një çështje të madhe e jetike të popullit shqiptar në Kosovë, ato janë pasqyruar me kujdes e zgjuarësi, duke nxjerrë në pah vlerat e pazëvendësueshme të shtresës intelektuale, të cilët gjithësesi ishin pranë, por dhe në mes të rreshtave të luftëtarëve të lirisë. Pasqyrimi me vërtetësi i fakteve të karakterit ushtarak, politik e diplomatik të aktorëve potenciale të dramës dhe tragjedisë kosovare, vlerat e këtyre publikimeve ia shtojnë vetë vlerat kësaj periudhe, duke e radhitur këtë “furtunë shqiptare” në një nga veprat e spikatura të periudhës së lavdishme të luftës për liri të popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Nga analiza e lëvizjes për çlirim kuptojmë dhe vlerësojmë disa linja kryesore të cilat janë përzgjedhur dhe trajtuar me vërtetësi me kujdes e mjeshtëri etike e profesionale nga historiografia shqiptare.

Së pari, evidentimi i një fryme të lartë kombëtare, e cila në kushtet e fundit të shekullit spikat në pothuajse të gjithë trevat shqiptare dhe bëhet promotor i lëvizjeve të fuqishme për liri e pavarësi. Shqiptarët kanë kohë që po shikojnë në horizont një klimë të favorshme në interes të çështjes sonë kombëtare dhe kjo i mobilizon më shumë që t’i shërbejnë asaj me çdo çmim.

Së dyti, evidentohet me mjeshtëri roli i inteligjencës shqiptare në Kosovë si faktori vendimtar shpirtëror për të mobilizuar energjite e rinisë kosovare, që ajo t’i vinte mendjen, zemrën dhe shpatullat fatit të vendit të vet deri në sakrificë.

Së treti, evidentohet faktori ushtarak në realizimin e aspiratave për të zhdukur kolonializmin dhe robërinë. Komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u formuan në akademitë e ushtrive tradicionale, shkollë për ta u bë lufta, fushëbeteja, u bë tradita luftarake e popullit shqiptar, u bë historia me fitoret dhe mësimet e saj. Aktet e heroizmit të përshkruara në libër, emrat e dëshmorëve të lirisë, pasqyrimi i vlerave të kthimit në simbol të luftës të Jasharajve e shumë të tjera janë fakte dhe vlera të njerëzve të betuar dhe përgatitur për të çuar deri në fund realizimin e idealit të tyre. Dhe këtë djemtë e Kosovës e bënë mirë.

Së katërti, lufta për liri përgatiti dhe politikanët dhe diplomatët e urtë e të zgjuar që në momente delikate i bën thirrje ndëgjegjes kombëtare dhe duke u ngritur mbi interesat e ngushta të elementeve të veçantë arritën të kuptojnë botën, ta vlerësojnë atë dhe të marrin vendimet e duhura për të mos venitur sakrificat e një populli të tërë dhe vet rolin e UÇK-së dhe të luftës së saj të drejtë, por përkundrazi për ta radhitur ato përkrah botës së qytetëruar demokratike. Të tillë ata u përfaqësuan në Rambuje.

Së pesti, qëndresa heroike në kushtet e një represioni të paparë jo vetëm mbi strukturat e UÇK-së por dhe mbi popullin e pambrojtur e të pafajshëm, u bë një faktor i rëndësishëm për të bindur botën se kush ishte fashisti Milosheviç, se kush ishte Serbia dhe çfarë luhej në shpinë të një populli që kërkonte të drejtat e tij. Kjo qëndresë heroike nuk e la shpresën për liri të vdiste, por ajo e frymëzoi dhe e mbajti atë gjallë, kjo qëndresë ndërgjegjësoi politikën dhe diplomacinë amerikane e europjane së këtu kishin të bënin me një agresion të tipit fashist, me një luftë në thelb çkombëtarizuese e deri shfarosëse ndaj një populli të ndëshkuar në shekuj që kërkonte liri.

Së gjashti, nëpërmjet analizës së fakteve me të drejtë historia fshikullon. Fshikullon atë pjesë të pseudo patriotëve dhe “të moderuarve” me mendje të ndryshkur të cilëve u vjen keq se po shkelen gjoja disa të drejta ndërkombëtare të shtetit fantazëm jugosllav dhe nuk janë në gjendje të shikojnë së çfarë po ndodhte në Kosovë, ku kasapi dhe Hitleri i Ballkanit kishte shpalosur strategjinë dhe aftësine e tij të shfarosjes, kur ky nxënës besnik i famëkeqit ideolog Çubriloviq po zbatonte platformën e shkombëtarizimit, këtë kishte bërë dhe disa vite më parë në Bosnje – Hercegovinë e tashmë po e zhyste veten përditë e më shumë në krim, për të arritur një ditë si këto të sotmet që të japë llogari për krimet kundër Njerëzimit atje ku është sot. Koha tregoi se kjo çështje ishte më shumë se kaq. 

Dhe së fundi, të përshkruash një dramë por dhe një tragjedi që në fakt nuk është e realizuar sipas modeleve letrare por mbështetur mbi një realitet gjaku dhe krimi, shfarosjeje, përdhunimi, përzënie, djegje, plaçkitje e shkatërrimi, mbi një realitet fort të dhimbshëm në kurriz të një populli të tërë, kjo nuk është e lehtë. Pasqyrimi i këtyre realiteteve do të lexohet e rilexohet për të mbajtur gjallë atë frymë luftarake të idealeve të lirisë, për të mbajtur të ndezur në gjirin e popullit nderimin, respektin dhe përkuljen për dëshmorët e lirisë, të cilët u kthyen në simbol të luftës dhe tashmë meritojnë vendin e nderit në sfondin e artë të historisë së popullit shqiptar.

Sa më tepër të largohemi në kohë nga luftrat e popullit tonë për liri e pavarësi, aq më tepër ato do të rrezatojnë në brezat që do të vijnë vlerat më të mira të qëndrimit dhe ndërgjegjes kombëtare për të punuar çdo ditë e çdo orë në interes të çështjes sonë kombëtare por dhe të mos harrojmë. Në vepra të tilla historia ngelet e shkruar.

Protagonistët flasin

Lordi Robertson i Port Ellenit.

Është me vënd të vlerësojmë publikimet në emër të Aleancës të vet Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, lordit Robertson, pas një viti të përfundimit të luftës në Kosovë. Shifrat dhe faktet flasin vetë. Aleanca mbi bazën e kësaj përvojë kërkon të përmirësojë strkturën e saj të veprimit në të ardhmen dhe elementët e veprimit paqëruejtës e humanitar për të qënë në çdo kohë efektive. Prej këtyre përfundimeve duhet të reflektojmë edhe ne ushtarakët kudo në strukturat ushtarake shqiptare. Në formë të përmbledhur, me ndonjë koment vetjak po i referohemi gjëndjes në Kosovë, nën këndvështirmin dhe vlerësimet e Lordit, i cili sëbashku me shumë personalitete të tjerë të SHBA e të Evropës, do të mbeten përherë miq të nderuar të shqiptarëve.

“Në morinë e mendimeve që janë dhënë, duket e lehtë të shqyrtosh këtë fakt të thjeshtë. Shumë gjëra keqkuptohen mbi atë çka ndodhi. Tashmë është koha e përshtatëshme ti rikthehemi veprimeve të NATO-s gjatë konfliktit, të analizojmë arritjet e KFOR-it dhe të hedhim një vështrim në të ardhmen”

Rreziku që kanosej ishte i madh dhe Shqipëria në atë periudhë u përball me shumë probleme. Çmimi, në kushtet në të cilat vepronin tërë strukturat e shtetit, do të ishte i madh. Fakti që NATO ndërhyri në Kosovë, ushtria serbe u tërhoq dhe u vendos 150 km larg kufirit shqiptar, populli në Kosovë u rikthye në vendin e vet dhe strukturat tona ushtarake ju rikthyen normalitetit, është një e vërtetë që tashmë vepron me tërë efektet e veta, por këtu nuk ka vënd për iluzione të rreme.

Fillimi i bombardimeve në Kosovë ska dyshim që konsiderohet një hap strategjik i NATO-s për zgjidhjen e krizës në këtë vend. Gjatë fazës përgatitore të Aleancës forcat sërbe kryen goditje me mortaja dhe artileri në të gjithë fshatrat e brezit kufitar shqiptar duke krijuar premisa për shpërnguljen e popullsisë dhe dëme të konsiderueshme materiale. Po kështu si rezultat i situatës së tensionuar në kufirin midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe si rrjedhojë e ndërprerjes së njëanëshme të marrdhënieve diplomatike nga qeveria jugosllave në datën 28/03/1999 në orën 12. 25 minuta në Beograd demonstruesit serb sulmuan ambasadën shqiptare atje duke i vënë asaj zjarrin.

Kriza kosovare ka qënë dhe do të mbetet dhe për shumë kohë një fenomen i përmasave kombëtare për vetë faktin se priten që shumë gjëra të shkojnë në vendin e tyre. Vetëm atëhere ajo do të pushoi së qëni krizë. Është fakt siç thekson lordi Robertson se “…..askush nuk mund të jetë i kënaqur me situatën e tanishme”.

Raportet e OSBE-së, Kosovo/Kosova. Siç shihet, Siç flitet, kanë hedhur dritë e fakte mbi tmerrin që ndodhi në Kosovë në vitet e luftës. Udhëheqja jugosllave kishte planizuar dhe zbatonte një fushatë dhune e terrori kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë. Në atë kohë, askush nuk ishte i sigurtë se çfarë do të ndodhte. Të papriturat shfaqeshin çdo ditë me efektet e tyre psikologjike torturuese e ngjethëse. Ishte planifikuar që forcat e sigurimit sërb të vrisnin fëmijë për të terrorizuar e thyer psikologjikisht qëndresën e kundërshtimin e të rriturve. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të vepronte me të gjithë potencialin e vet atëhere përdorimi i dhunës dhe persekutimi fizik do të rritej së tepërmi e po kështu numri i të vrarëve do të ishte edhe më i madh. Si në kohën e veprimit por dhe tani kuptojmë se situata e shpërnguljeve masive me dhunë do të krijonte një gjëndje destabilizimi në tërë rajonin ballkanik. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një trysni dhe imponim që shteti jugosllav u bënte fqinjëve të vet për të zgjidhur “i qetë” problemet e veta në Kosovë.

Sot populli i Kosovës dhe lidershipi i vet politiko – ushtarak përballet me një sfidë të fuqishme. Me të gjitha format dhe metodat demokratike që mundëson klima e favorshme që ka krijuar komuniteti ndërkombëtar të realizojë synimet e veta dhe t’i shkojë qëllimit deri në fund. Tashmë janë hedhur themelet të forta në rrugën e nisur, por që t’i delet mbanë kërkohet në radhë të parë përgjegjësi politike të vijueshme në mënyrë që këto arritje të mos përfundojnë në një veprim të dështuar.

Urrejtja etnike ka qënë e do të mbetet për shumë kohë një nga fenomenet më të dukshme të jetës politike e sociale në Kosovë. Pa kapërcyer këtë sfidë është e vështirë të ri-ngrihesh mbi atë që ka kaluar. Kjo urrejtje shekullore ka shkaktuar shumë tragjedi e dhimbje, ka kushtuar shumë gjak, por dhe nëse nuk do të kapërcehet do të shkaktojë dhe të tjera ngjarje të tilla në të ardhmen. “Sot, thekson Lordi Robertson, duhet të arrihet bashkëjetesa që e nesërmja të jetë vetvetiu krejt ndryshe. Urrejtja etnike është një e keqe që vepron. Ajo nuk duhet të infektojë dhe të tjerë. Kjo do të ndodhë nëse njerëzit e mirë të Kosovës sot dhe në të ardhmen nuk do të rrijnë duarkryq por do t’i dalin kësaj të keqe përpara”. Shikoni ku jemi pas dy vitesh. Prezenca ushtarake e trupave ndërkombëtare ka krijuar një klimë besimi, një stabilitet më të mirë, në aspektin e situatës dhe gjendjes psikologjike, kanë ndodhur e po ndodhin ndryshime pozitive, janë kapërcyer streset e fuqishmë që shkaktonin situatat e rënda shpirtërore e sociale, fëmijët shkojnë në shkolla, njerëzit i janë kthyer punës, janë shëruar shumë plagë të luftës me ndërtime të reja, është gjallëruar biznesi e shumë e shumë të tjerë.

Në kontekstin e kronologjisë së ngjarjeve më kryesore të kohës Lordi Robertson konstaton se: “Në të vërtetë UÇK-ja ishte rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e shtypjes serbe. Dalja e saj në skenë u shfrytëzua nga shteti serb për të rritur e përshkallëzuar dhunën duke mbjellë e ashpërsuar më tej urrejtjen e popullsisë. Kosova po jeton ditët e dhunës e të terrorit. Shkelet me forcë çdo gjë që rezulton e drejtë. Shkelen ligjet, rregullat e jetës, të drejtat dhe liritë e njeriut me veprime sistematike e të planizuara mirë. Më 15 janar 1999 masakrohen 40 civilë në Reçak nga forcat e sigurimit serb, veprim ky që tronditi tërë opinionin ndërkombëtar. Ky veprim i kalonte përmasat e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër Njerëzimit. Në fund të janarit 1999 forcat jugosllave nën pretekstin e fillimit “të stërvitjeve dimërore” filluan goditjet me artileri dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve drejt kufijve jugorë. Filloi taktika e djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të civilëve nën pretekstin e zhdukjes së bazave të UÇK-së”.

“Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi pa dyshim që do të ketë ndikime frenuese mbi forcat ushtarake serbe. Kjo do t’i japë më shumë mundësi forcave të UÇK-së që të rrisë më shumë veprimtarinë e vet luftarake.”

Më 6 shkurt të dy palët fillojnë bisedimet e tyre në Rambuje jashtë Parisit për të diskutuar marrëveshjen e paqes. Bisedimet zgjatën 17 ditë. Pala jugosllave nuk ra dakort dhe u tërhoq nga bisedimet. Ata nuk i kishin marrë seriozisht ato. Kjo për faktin se dhe gjatë bisedimeve forcat ushtarake jugosllave e shtuan dhunën dhe veprimet ushtarake kundër UÇK-së”.

12 Prill 1999 Këshilli i Atlantikut Verior deklaronte: “Sulmi i shfrenuar i forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, nën udhëheqjen e presidentit Milosheviç, kundër popullsisë civile kosovare ka krijuar një katastrofë masive humanitare, e cila kërcënon qëndrueshmërinë e rajonit përreth. Qindra mijra njerëz janë dëbuar mizorisht nga Kosova prej autoriteteve të RFJ-së. Ne i dënojmë këto dhunime të tmerrëshme të të drejtave të njeriut dhe përdorimin pa dallim të forcës nga qeveria jugosllave. Këto veprime të skajëshme dhe kriminalisht të papërgjegjëshme, që nuk mund të mbrohen me asnjë arsyetim, e bën të domosdoshme dhe e përligjin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s”. ……”Veprimet ushtarake të NATO-s kundër RFJ-së mbështetin qëllimet politike të komunitetit ndërkombëtar për një Kosovë të qetë, shumetnike dhe demokratike, në të cilën të gjithë njerëzit të mund të jetojnë në siguri dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore në mënyrë të barabartë”.

Në fillim të prillit u zbulua hapur në opinionin e gjërë ndërkombëtar se udhëheqja politioko – ushtarake serbe po zbatonte një shpërngulje të organizuar të popullsisë nga Kosova nëpërmjet planit të emërtuar “Operacioni Patkoi“. Ky plan ishte hartuar muaj më parë dhe po zbatohej me përpikmëri.

“Prirja për mospërdorimin e armëve, thekson Lordi i Nderuar, është një meritë e demokracive perëndimore“. Por në këtë parim themelor ka dhe një kufi të veprimit të tij. Mosbindja e udhëheqjes sërbe ndaj parimeve të demokracisë perëndimore dhe dhuna e krimi masiv në terren, i dhanë të drejtën organizmave ndërkombëtare dhe NATO-s, të fillonin në shkallë të gjerë operacionet ushtarake. Deklaratat e liderëve serbë mbi “pathyeshmërinë e ushtrisë së tyre“, mbi “qëndresën” etj, nuk ishin gjë tjetër veçse demagogji. Ballafaqimi ushtarak në terren vërtetoi të kundërtën.

Nga më shumë se 38.000 aviofluturime luftarake, përfshirë 10.484 aviofluturime goditëse, nuk pati asnjë humbje çka bën një fitore të shkëlqyer. Shpesh strukturat ushtarake perëndimore u vunë para vështirësive në terren. Taktika e serbeve duke përdorur  civilët si mburoja njerëzore për objektet e tyre, ishte sa çnjerëzore por dhe shumë delikate.

Koha tashmë punon për shqiptarët. Për herë të parë pas 10 vjetësh u krijuan kushtet dhe u mundësua që 300 mijë nxënësve t’u jepet mësim në gjuhën shqipe.   

Rrëfimi i “Plakut”

për luftën dhe Heroin Kombëtar Adem Jasharin

Nuk mund të kalojë lehtë kjo përmbledhje mbi refleksionet e luftës çlirimtare pa kaluar në pragun e Lirisë që mban një emër të madh, atë të familjes Jasharaj. Heronjtë e Kombit vetëm fizikisht nuk janë më midis nesh. Ata me emrin dhe vepren e tyre, janë dhe do të mbeten të gjallë në zemrat tona. Këto rreshta kujtimesh të hedhura këtu janë sipas rrëfenjës kushtuar Famijes së Madhe Jasharaj dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar, Adem Jasharit, të Prof. Dr. Selaudin Kucaj, të cilin ish-luftëtarët e UÇK-së e thërrisinin me pseudonimin “PLAKU”.

Kaluam në një rrugë zjarri, që la gjurmë në vetëdijen tonë Kombëtare. Kemi nevojë hera – herës t’a kujtojmë dhe t’a rikujtojme këtë pjesë të lavdishme të historisë tonë. Sot jemi përfshirë në rrugën e proceseve demokratike, por duke harruar se deri këtu, u desh të derdhej shumë gjak dhe të bëheshin shumë sakrifica njerëzore, për ta merituar Lirinë. Nuk do të harrojmë kurrë. Heronjtë e Kombit meritojnë nderimin dhe respektinë në çdo kohë. Keqpërdorimi i sakrificës së tyre për interesa politike, sot është e barazvlefshme me tradhëtinë që mund t’i bëhet interesave kombëtare.

Koha dhe rrugët e rrezikshme nëpër të cilat po ecim, po vërtetojnë se po e harrojmë Amanetin e tyre. Është disi tragjike, por më mirë ta shikojmë të vërtetën e hidhur ballë për ballë. Ne të gjallët rrojmë “të vdekur” dhe të përhumbur, duke pranuar para syve tanë se si shkelen dhe keqpërdoren çdo ditë parimet e Lirisë dhe të Amanetit të tyre.

Heronjte nuk e kishin të shkruar në ballë, se një ditë do të bëheshin të tillë. Heroizmin ata e kanë pasur brenda vetëdijes, traditës familjare dhe gjenezës së tyre, duke respektuar parimet jetësore në interes të idealeve kombëtare. Ata ishin njerëz të thjeshtë, jetonin midis nesh, fjalëpakë e punëshumë, larg meritave dhe lëvdatave të pamerituara. Heshtja e tyre dhe veprimi aktiv i bënte të vetëdijshëm, se në rrugën e sakrificës njerëzore ishte pranuar sentenca shqiptare e ardhur nga tradita dhe lashtësia; “Më mirë vetëm një ditë Shqiponjë, se sa të rrojmë një shekull laraska dhe korba”.  

Ata dhuruan gjakun dhe jetën e tyre dhe sot prehen të qetë në Panteonin e Lirisë, por ata janë të gjallë me emrin dhe veprën e tyre, ndërsa ne të gjallët ende heshtim “të vdekur” dhe të përhumbur në labirinthet e errëta të politikave, duke harruar Amanetin. Të mos pretendojmë që po bëjmë gjithçka, kur para syve tanë ndodhin çuditë politike shqiptare dhe ne ulim kokën dhe heshtim.   

Heronjtë e luftës çlirimtare nuk i trembi vdekja për lirinë e Kosovës. Ata rrojnë në zemrat e popullit që e deshën aq shumë. Amanetin e Dëshmorëve nuk e tret as dheu. Në përkujtim të vlerave të luftës çlirimtare ne bëhemi pjestar të një momenti emoncional dhe atdhetar për veprën e Familjes së Madhe të Jasharëve, të Komandant Ademit, Shabanit dhe të Hamzës, të shokëve të tyre bashkëluftëtarë, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me idealin e Bashkimit Kombëtar në mendje dhe në zemër.

Në këtë rrëfim përcillen fjalët modeste të “Plakut”.

– U bera kohë më parë pjesë e tyre. Tani ato mua më burojnë nga zemra, për vlerësimin, respektin ndaj një figure në përmasa kombëtare, me rrënjë të thella në Prekazin legjendar dhe në themelet e Lirisë. Amaneti i Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, është ende i papërmbushur. Ata të gjithë dhanë gjënë më të shtrenjtë, gjakun dhe jetën për Lirinë, pavarësinë Kombëtare dhe Ribashkimin e Trojeve tona në një shtet të vetëm, nën emrin Shqipëri.

– Të gjithë e dimë se, amanetin nuk e tret as dheu. Ai do të na ndjekë pas si kushtrim, si garanci, si një Kod Kombëtar, që do të na kujtojnë në çdo kohë se, kemi ende shumë rrugë për të bërë sëbashku, për të çuar në vend amanetin dhe Betimin e luftëtarit të UÇK-së. Puna dhe përkushtimi ynë i përbashkët, dallon nga shumë të tjerë, duke treguar me kurajo se, mbi çdo bindje dhe ideologji, midis nesh funksionon dhe mbretëron bindja kombëtare për Lirinë dhe Drejtësinë, për nderimin e thellë për veprën e heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, për ardhmërinë e kombit tonë.

Mbështetja e fuqishme në shpërndarjen e mesazheve me vlera kombëtare, është dëshmia më e saktë dhe e mbarë se, të gjithe ne jemi NJË, jemi shqiptar të një gjuhe, të një gjaku, nën një Flamur Kuq e Zi, me një traditë të mrekullueshme historike, luftarake e qytetërimore, të betuar në rrugën tonë pa kthim, për t’i shërbyer kauzës sonë të përbashkët, Ribashkimit Kombëtar.

Jo Bac, nuk shkelet Amaneti! “Plaku”, vazhdon rrëfimin e tij për Komandantin e UÇK-së. Evropa po e heq dhe atë pak pavarësi, duke e gërryer situatën politike pak e nga pak. Ai, shpreh indinjatën për këtë situatë, e cila rëndon veçanërisht mbi vlerat e luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. “Në biseda të lira shoqërore – tregon ai – Ademi më thoshte: “Nuk është frikë të luftosh ballë për ballë me shkjaun, por frikë është kur ke tradhëtinë nga brenda, krahët duhet t’i kemi të sigurta”. Duke përsëritur një histori të thënë më parë nga shumë të tjerë, Ademi më kujtoi thënien e Isuf Gërvallës në momentin e paravdekjes në spital, ku një mjek serb i rrinte tek shtrati, “…Nëse vrasësi është shqiptar, do t’i lutësha Zotit të mos zbulohej kurrë”, “…unë vazhdonte ai, nuk dua kurrë të ftohem prej krahëve”.

“Ademi dhe Hamza në bisedat tona mbi trimëritë e Azem Galicës dhe Mic Delisë, shprehnin gati një hyjnizim për trimëritë e Tahir Mehës. Ademi fliste e Hamza tundëte kokën, duke mbështetur mendimet e të vëllait. Ata u befasuan kur morën vesh se këtu në Shqipërinë nënë, njihej në detaje lufta dhe rënia heroike e Tahir Mehës, biles, këtu qarkullonin këngë dhe poezi për këtë trim, nga poeti i talentuar Gjok Beci”. “Formimi i Ademit deri në idealizëm – rrëfen “Plaku” – e çoi atë në një vendim personalisht të dhimbëshëm për veten dhe familjen e tij, por që tronditi dhe shkundi tërë shqiptarët me vetësakrificën e tyre. Jasharët nuk kishin çfarë të jepnin më, ata dhanë gjithçka. Përplasja e madhe kishte filluar pa kthim prapa……”.

Nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes, kanë kaluar shumë vite. Sot ne vlerësojmë veprën e tij si garanci, si kod kombëtar për të mos lëvizur nga rruga dhe amaneti i tyre. “Plaku”, pasi mendohet pak, me bindje thotë – “Murati s’ka kërkuar asgjë për vete. Frika e Muratit është, të mos lejohet të shkelet amaneti për një Kosovë të lirë dhe sovrane, për një Shqipëri të Ribashkuar. Burokracia politike e Kosovës, e dalë nga lufta jo pa merita, gradualisht, nën presionin e privilegjeve që sjell pushteti, hap pas hapi, është larguar nga idealizmi dhe fryma atdhetare që çoi në luftën e UÇK-së, në heroizmin masiv popullor”. 

Në sytë e “Plakut” verehet trishtim. Ai e ngre pak zërin, për të nxjerrë brengën e tij jashtë për mikun e tij të dikurshëm. – “Adem Jashari, me siguri nuk do të kërkonte asnjë marrëdhënie me Serbinë, pa kërkuar më parë falje, të cilën ajo s’po e bën dhe me sa duket, s’ka ndëmend ta bëjë”. – “Adem Jashari nuk do të bënte asnjë lëshim për asnjë pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës, në veri ose në jug, dhe po të ringjallej, ai përsëri do të luftonte në Mitrovicën Veriore, ashtu siç luftoi në Prekaz”. – “Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë oportunitetin e marrëveshjeve politike me Serbinë, kur politikanët heshtin. Këtu ka më shumë se sa gabime dhe faje, këtu ka tradhëti mbi gjakun e derdhur për liri”. – “Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë, që në shtëpinë e tij, në atdheun e tij, në Kosovën për të cilën ai u vra, të bëheshin të huajt zot shtëpie, qofshin këta dhe miqtë”. – “Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë të mos vlerësoheshin simbolet kombëtare, flamuri dhe datat historike të Kombit Shqiptar”. – “Adem Jashari është një amanet, që na ndjek nga pas, na ruan të mos gabojmë, të mos biem në faje dhe nëse sejmenët e politikës nuk kanë mundësi të ndalohen, të korrigjohen, ai e ka bërë detyrën, sepse ata që kanë shkelur amanetin, janë futur në rrugën e tradhëtisë. Nesër do të jetë vonë”.

Baca Rifat dhe Murati guxojnë të flasin, kur të tjerët heshtin. Aty në Prekaz ka vite që vazhdon pelegrinazhi. Miliona njerëz kanë bujtur deri tani në kullën e Jasharëve. Murati, si “i ngujuar”, misionar i çështjes kombëtare u kujton shqiptarëve se, lufta e Ademit, Hamzës dhe UÇK-së, të çon drejt Ribashkimit Kombëtar”. Faleminderit “Plak”, amanetin se tret as dheu.

Komandanti që e shndërroi Frontin e Rezistencës në UÇK. Shumë njerëz, sidomos brezi i ri, e identifikojnë veprën legjendare të Adem Jasharit, kryesisht me Epopenë e Prekazit. Kjo është e pamjaftueshme, për atë që ka bërë Ademi dhe shokët e tij. “Plaku”, vazhdon rrëfimin e tij: – “Djemtë e Kosovës erdhën në Shqipëri në vitin 91 dhe u stërvitën nga oficerë shumë të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare. Midis tyre ka mbetur në mendjen e atyre që rrojnë, Hyseni, ose “gishtpreri”, një oficer zbulimi me shumë përvojë. Ai u mësoi militantëve, jo vetëm artin e përdorimit të armëve, por shumë elementë të tjerë, që kishin të bënin me luftën. “Ndërkohë në Kosovë ishin hedhur bazat e Frontit të Rezistencës dhe po zgjeroheshin strukturat e tij. Ai synonte të përgatiste popullin shqiptar për betejën e ardhëshme, që me siguri atëherë ishim të bindur, se ajo do të vinte. Atëherë djemtë e ardhur nga Kosova, të stërvitur këtu, të inkuadruar të gjithë në Frontin e Rezistencës, me një idealizëm të paimagjinueshëm, mallëngjyes e prekës, filluan organizimin, me shpirt vetmohimi, disiplinë të lartë dhe përkushtim. E vëreja që binte në sy të shokëvë figura e Adem Jasharit, si një militant, që merrte pa mëdyshje përgjegjësitë më të vështira. Kështu nisi rrugëtimin dërgimi i armëve nga Shqipëria në Kosovë”.

“Shteti serb, makina e tij luftarake dhe politike, shërbimet inteligjente të saj u vunë të gjitha në alarm. Tradhëtia e elementëve udbashë, rrëfen “Plaku”, nuk mungoi as nga Shqipëria. Në nëntor të vitit 91, në fshatin Babai i Bogës, u arrestua befasisht kryetari i Frontit të Rezistencës, Mentor Kaçi me Naim Krasniqin dhe një mësues të fshatit, me sa më kujtohet me emrin Zenel”.  “Pa aguar mirë dita, kulla e Zenelit u gjend e rrethuar me 300 milicë serbë. Pas arrestimit të 3 shokëve militantë të Frontit, në Gjakovë, Prizren, Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, u arrestuan 19 anëtarë të kryesisë së Frontit të Rezistencës, midis të cilëve edhe Sejdi Veseli, një aktivist i njohur i Frontit”. 

“Pas kësaj ngjarjeje, komandant Ademi mblodhi shokët këtu në Tiranë dhe u tha: “Serbia do të bëj punën e saj dhe ne do të bëjmë tonën, si të jetë thënë prej Zotit”. Puna dhe përgatitja vazhdoi më me intensitet, u forcua shumë konspiracioni mbi veprimtarinë. Dërgimi i armëve në Kosovë nuk u ndërpre”.

“Është i dhimbshëm fakti – tregon “Plaku” – që në mesin e vitit 1993, pas zhvillimit të “javës së Kosovës” në Tiranë, pikërisht të nesërmen e asaj dite, u arrestuan një grup shokësh, Adem Jashari, Ismet Kryeziu, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, të cilët u mbajtën në burgun e Tiranës gati 3 muaj e gjysëm, ndërsa Ismeti 2 vjet. Pasi dolën nga burgu, të gjithë “formalisht” fituan pafajësinë”. “Asnjëherë ata nuk e vunë në mëdyshje burgosjen e tyre të padrejtë dhe nuk e lëkundën dashurinë për Shqipërinë. Puna vazhdoi, deri sa një ditë, në Prekaz u vra mësuesi Halit Geci dhe populli heroik i Prekazit demonstroi revoltën kundër pushtetit të Millosheviçit. Kjo është dita, kur Fronti i Rezistencës doli hapur si ushtri çlirimtare, me djemtë e veshur me uniformën e UÇK-së, midis të cilëve binte në sy biri i madh i Tropojës, dëshmori Muj Krasniqi. Kjo ishte thirrje për ndeshje, kushtrim për popullin, së shpejti beteja do të niste…..”

Adem Jashari një Betim, një feniks i ringjallur nga hiri i vet! Fjalët e tij të thëna me shpirtin atdhetar të një shqiptari të madh: “O babush, vetëm ti ke për të rrojtur. Rro dhe rrëfe për ne”. Miku im “Plaku”, dikur më ka rrëfyer një ndodhi, që më ka lënë mbresë të thellë. Ai tregonte: “Aty nga fillimi i viteve 90-të, u njoha me vellezërit Jasharaj, Hamzën dhe Ademin, me Iliaz Kodrën, Abedin Rexhën, Bacën Abdyl Krasniqi, dhe më vonë, me Ilir Konushevsin, Luan Haradinaj dhe disa të tjerë, të cilët menjëherë i kuptoja për përkushtimin e tyre idealist për çlirimin e Kosovës.

Rastie solli, që ashtu siç ishin grup, shkuam në Durrës, tek vila e bacës Abdyl, i cili në atë kohë ishte i pamundur nga shëndeti. Atje u mblodhëm të gjithë. Në mes nesh, më tërhiqte vëmëndjen diskutimi i zjarrtë i Ademit, i cili nuk shikonte asnjë perspektivë për çlirimin e Kosovës nga Serbia nëpërmjet rrugës paqësore, nëpërmjet pseudogandizmit të lidershipit kosovar. Atëherë ishte një kohë e trazuar në Ballkan. Pati dhe ndonjë mendim se, “…ne s’kemi pse të futemi në luftë për llogari të Koroacisë dhe Sllovenisë”. Ademi me kishte lënë përshtypjen e një tipi të hedhur dhe hazërxhevap në fjalë, nuk e la të vazhdonte më tej bisedën. Ju drejtua “Sandokanit”: “A e din ti Abedin se çfarë është kurbani”? Në çast të gjithë heshtën duke menduar. Abedini u përgjigj: “Unë di që është sakrificë”. Pa e mbaruar fjalën Abedini, Ademi shtoi: “Po, qashtu është, mirë e the, po a e din ti Abedin se çfarë është sakrifica për komb dhe për Atdhe”? Prapë midis shokëve heshtje. Të gjithë, të zënë pak ngushtë u pamë në sy me njeri – tjetrin. Hamza, duke njohur natyrën e të vëllait, po buzëqeshte dhe pa dashur pa nga unë. Vetëtimthi Ademi e kapi shikimin e Hamzës dhe si kundërpërgjigje, shtoi, “Po more, kërkon sakrificë pavarësia, nuk fitohet pa gjak, dhe mu drejtua: “A din ti diçka o babush, se krejt ne këtu, nëse e kemi ashtu vërtet besimin për pavarësinë, do të vritemi”? “Ne do të vritemi, ne do të jemi kurbani….”.

U trondita shumë. Koha e solli që të ndaheshim.

Në vitin 1998-të, pas sakrificës së madhe të Jasharëve, u ngrit në këmbë tërë Kombi Shqiptar. Një ditë ra telefoni i shtëpisë. Një zë i njohur i viteve 90-të më kërkonte të takoheshim tek hotël “Kruja” në Tiranë. Shkova dhe takova një grup të rinjsh emigrant, të cilët po ktheheshin në Kosovë për të mbushur radhët e UÇK-së. Ata flisnin për një familje, për një hero, që kishte luftuar me një shtet. Përmendën emrin e Adem Jasharit. Nga mënyra se si ma përshkruan, e kisha të vështirë të kuptoja, sepse ai tashmë ishte kthyer në legjendë dhe gjërat ishin ridimensionuar në këtë kohë. Ndjeva trishtim të thellë dhe një shtrëngim të fortë në zemër, mu rikujtuan betimi i tij 7 vite më parë…..”.

Për pavarësinë u derdh shumë gjak, u sakrifikuan deri në vetëflijim Familja e Jasharëve, e Haredinëve, u vranë Komandant Lladrovci, Muj Krasniqi, Tahir Sinani, Komandant Lleshi, Ismet Jashari “Kumanova”, Zahir Pajaziti, Komandant Teli, Ilir Konushevsi, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, e qindra të tjerë. Ata që bënë luftën dhe shokët e tyre, nuk kërkuan dhe nuk morën asgjë, sepse nuk dolën në lëvizjen kombëtare për përfitime. Ata deshën vetëm një gjë: Një Kosovë sovrane, të lirë dhe të pavarur, në rrugëtimin e saj drejt Ribashkimit Kombëtar me tokën mëmë. Kjo ishte ëndërra dhe dëshira e zjarrtë e Adem Jasharit, Heroit të Madh të Kombit Shqiptar., i cili ndryshoi shekullin dhe historinë për shqiptarët me aktin e tij heroik të papërsëritshëm.

Jasharajt u vranë, u prenë, u bënë simbol për të gjithë Kombin Shqiptar. Vepra e tyre i ngjet një feniksi, që dhe kur vdes, ringjallet nga hiri i vet. Jasharajt, për të ruajtur të paprekur amanetin e gjakut të tyre, u distancuan nga politika e ditës. Duke dhënë mesazhin se, këtë sakrificë madhore nuk mund t’a bëjnë kurrësesi objekt tregëtie për pushtet, por ata po ringjallen nëpërmjet ripërtëritjes së gjakut, duke zëvëndësuar të rënët. Kjo është një vepër e madhe dhe një mesazh mbarëkombëtar. Edhe pse na kanë vrarë e prerë, përsëri kemi rilindur. Kështu bën Jasharët, këtë bën Jasharët, vriten, por ringjallen nga hiri i tyre.

Testamenti i Dëshmorëve të Kombit është një thirrje për të mos harruar atë që ka ndodhur. Kombi është në ditë të vështira dhe kërkon angazhimin maksimal të energjive pozitive të bijve të tij. Testamenti i Dëshmorëve të Kombit nuk është vetëm një thirrje e ndërgjegjes tonë kombëtare, por dhe një respektim i traditës për t’i kthyer këto vlera të padiskutueshme në thirrje për ribashkim, në traditë etno – kulturore për të edukuar brezat e rinj, të cilët e duan shumë Shqipërinë. Testament i Dëshmorëve është një kujtesë historike, kundër qëndrimeve servile të klasës politike, e cila deri më sot për interesat e karriges së saj ka shitur dhe po shet Atdheun tonë të shënjtë. Testamenti i Dëshmorëve të Kombit është gjaku ynë i përbashkët, që na kujton në çdo kohë Amanetin e njerëzve të mrekullueshëm të Kombit Shqiptar, që nuk kursyen jetën e tyre për Lirinë.

Vetëm Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit e kanë bërë detyrën ndaj Shqipërisë. Ne të gjallët e kemi detyrim të ecim në rrugën e zbatimit të parimeve të tyre shumë të larta dhe të plotësimit të Amanetit. Kurrë të mos harrojmë atë që ka ndodhur. Dhimbja është akoma shumë e fortë midis nesh, në vatrat familjare të dhunuara, në pasojat e luftës, në nëpërkëmbjen e pamerituar, deri në humbjen e shpresës për të ardhmen. Të mos e humbasim këtë shpresë. Një komb që beson në të ardhmen e tij, ai do të mbijetojë dhe nuk do të vdesë kurrë. Sa herë që do të vijë Marsi, ne do të përkulemi me respekt përballë veprës së tyre të madhe dhe do të rikujtojmë amanetin e Dëshmorëve, amanet që se tret as dheu. Lavdi jetës dhe veprës së tyre madhore.

(VIJON)

© Pashtriku.org

———————————

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / GJENERAL BRIGADE KUDUSI LAMA (9)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-gjeneral-brigade-kudusi-lama-9/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura