ABDULLA MEHMETI: SIMPOZIUMI SHKENCOR QË E KRIJOI PLATFORMËN KOMBËTARE PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE (II)

Tetovë, 02. 09. 2014: Në vazhdim, për rëndësinë e këtij Simpoziumi, peripecitë rreth botimit të librit me të njëjtin titull, me punimet e këtij Simpoziumi dhe çështje të tjera lidhur me këtë çështje, kemi shkëputur disa pjesë nga shkrimi i autorit Agron Vojnika, me titull: ,,Përdhosja Akademike dhe Enciklopedia Shqiptare”, gazeta ,,Fakti”, Shkup, e datës 10.09.2009, ku përfshihen edhe deklaratat e kryetarit të Bashkësisë Islame në RM, Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka qenë kryetar i Këshillit botues të librit ,,Shqiptarët e Maqedonisë” dhe deklarata e kryetarit të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Agron Vojnika:

SHQIPTARËT E KANË VËRTETUAR AUTOKTONINË E TYRE
,,Më kujtohet se në vitin 1994, nga një grup intelektualësh shqiptarë (emra të njohur) u botua një libër ballinën me ngjyrë të kuqe: “Shqiptarët e Maqedonisë” dhe asokohe ishte shumë aktual. Fillimisht në vitin 1991 u mbajt një simpozium katërditor, i cili theu akullin dhe nxori nga gjumi historianët shqiptarë, e më pas në vitin 1994, të gjitha veprat shkencore u përmblodhën dhe u botuan në një vepër të vetme. Si libri i parë që fliste për autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, i botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, nxiti shumë reagime të errëta të nëntokës shtetërore të Maqedonisë së asaj kohe. Pushteti i atëhershëm bëri çmos që ai libër asnjëherë të mos e shohë dritën. Por falë vullnetit të palëkundur të atyre patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë, ai libër u botua për të dëshmuar sot kundër gënjeshtrave të akademikëve sllavë të Maqedonisë.

Objekti ku u mbajt Simpoziumi shkencor ,”Shqiptarët e Maqedonisë”, (Shkup, më 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991)

Ky libër u botua nga Meshihati (sot Rijaseti) i Bashkësisë Islame në RM, dhe si pjesëtarë të redaksisë nuk mund të mos i përmendim emrat e njohur si: Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Kristaq Prifti, Dr. Jani Thomaj, Dr. Muzafer Kërkuti, Prof. Dr. Remzi Nesimi, Dr. Ali Vishko, Bahri Aliu dhe Mr. Ramadan Sinani. Ndërsa, Këshilli botues i kësaj vepre madhështore udhëhiqej nga Sulejman efendi Rexhepi si Kryetar dhe anëtarëve, Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Remzi Nesimi, Dr. Ali Vishko, Dr. Xheladin Murati, Bahri Aliu, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Mr. Vehbi Xhemaili, Vehbi Bexheti, Qerim Arifi, Gjylimsere Kasapi dhe Xhemil Daci.
Të gjitha referatet e botuara në atë libër janë studime të mirëfillta e të argumentuara në mënyrë shkencore dhe pretendojnë të japin një histori të plotë opinionit të gjerë shoqëror dhe shkencor, në lidhje çështjet e jetës shpirtërore e të kulturës materiale të popullit shqiptar të Maqedonisë, që nga kohërat e lashta e deri në ditët tona. Një theks i veçantë u vihet gjetjeve arkeologjike dhe të dhënave historike si dhe gjuhës dhe kulturës së lashtë ilire dhe arbërore në trevat e Ohrit, në Pelagoninë e lashtë, në zonën e Shkupit e vise të tjera që përbëjnë një dëshmi të palëkundshme të autoktonisë së popullit shqiptar të Maqedonisë së sotme, si pasardhëse e ilirëve dhe të lidhjeve të saj me kulturën ilire të viseve perëndimore bregdetare e me popujt e tjerë fqinj”.
KUSH U MUNDUA TA PENGONTE LIBRIN ,,SHQIPTARËT E MAQEDONISË”
Kryetari i këshillit botues të librit “Shqiptarët e Maqedonisë”, Sulejman Rexhepi që në atë kohë ishte Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, i cili edhe aktualisht është në postin e njëjtë, kujton ato ditë të mbushura plot me ankth.
Reis ul Ulema Sulejman efendi Rexhepi:
“Kujtoj ato ditë kur po bënim përgatitjet që kjo vepër të dalë në dritë. Ai ishte libri i parë i këtij lloji që dëshmonte për autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe tërë punimet ishin të natyrës shkencore. Por nga ana e Qeverisë së Maqedonisë të asaj kohe, me të cilën udhëhiqte Kryeministri Nikolla Klusev, u bë çmos që me çdo kusht të pengohet dhe ndalohet botimi i kësaj vepre. Sapo Qeveria e Ekspertëve, që ishte kryekëput Qeveri politike, mori vesh për këtë libër, i aktivizoi të gjitha instancat shtetërore, që ta bllokojnë botimin e këtij libri. Ky libër kishte për qëllim që t’i bashkëngjitet Enciklopedisë Islame në Institutin e Enciklopedisë Islame në Stamboll, por për shkak se kreu i atij instituti u keqinformua dhe u gënjye se gjoja, ky libër qenka kryekëput anti periudhës Osmane, teksti i tij u kthye në vendlindje. Madje kujtoj një medium i gjuhës shqipe, i cili ishte servil i qeverisë, pat dalë me një titull spektakular: “Mbeti shara në gozhdë”.
Por, falë vullnetit tonë të pathyeshëm dhe rezistencës pa kompromis, me peripeci marramendëse, kjo vepër u botua në vendin tonë dhe sot shërben si një argument ndaj të gjitha të pavërtetave të thëna dhe atyre që do të thuhen në të ardhmen.

Kryetari i këshillit botues të librit “Shqiptarët e Maqedonisë”, Sulejman Rexhepi që në atë kohë ishte Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.

Qeveria e atëhershme për ta shprehë mllefin e madh pas botimit të veprës, nxitën disa individë – instrumente të tyre, të pakicave fetare në Maqedoni, kryesisht turq dhe boshnjakë dhe të cilët punonin në gazetat e gjuhës turke ,,Birlik” dhe ,,Zaman”, që të më akuzojnë për gjoja racizëm dhe nacionalizëm, si dhe akuza absurde të tipit: ,,Me paret e vitrave është botuar libri shqip”. Kjo nuk ishte e vërtetë, pasi miku im, Sherifi nga Reçica e Vogël e Tetovës dhe disa të tjerë e financuan tërësisht botimin e këtij libri. Kur këto akuza nuk dhanë efekt, atëherë u tentua që ta destabilizojnë tërësisht Bashkësinë Fetare Islame. Por edhe atëherë dështuan. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, më ftuan në bisedë informative”, kujton Sulejman Rexhepi.
AKADEMIKU BLLAZHE RISTOVSKI NË ROLIN E POLICIT
“Ishte pikërisht Bllazhe Ristovski i cili më mori në pyetje”, thotë Sulejman Rexhepi duke shtuar më tej: “Ai në atëkohë mbante postin e Zv/kryeministrit të Qeverisë dhe kryetar i Komisionit për çështje fetare. Me të kisha një dialog shumë të ashpër, sepse pikërisht ishte prekur nga pjesa ku e kemi shkruar se jemi popull autokton në Maqedoni. Sapo hyra në zyrë më pyeti me fjalët:
– Çfarë nënkuptoni ju me fjalën Autokton?
Ndërsa unë iu përgjigja se ju jeni vetë akademik dhe dukeni njeri i shkolluar, prandaj këtë pyetje do ta marr si provokim, e nuk do tu përgjigjem, sepse ju e dini mirë këtë përgjigje. Ai me një ton tepër nervoz, mu drejtua me pyetjen:
– ‘Ç’kërkoni ju shqiptarët në Maqedoni?
I thashë se shqiptarët parimisht kërkojnë status të barabartë si popull me popullin maqedonas. Ndërsa Bllazhe mjaft i skuqur në fytyrë mu përgjigj me fjalët: ,,A bën t’u bësh selam shqiptarëve se ata janë pakicë dhe duhet të pajtohen me atë status, përndryshe nuk kanë vend këtu dhe duhet t’i bëjnë çare vetes”.
Po mirë, i thashë unë atëherë, unë nuk jam ai që mund t’u bëj selam sepse nuk kam mandat për këtë punë, por pasi që ti kërkon prej meje një gjë të tillë, atëherë unë kam më tepër të drejtë të kërkoj prej teje si nënkryetar i Qeverisë, a bën ti t’u bësh selam maqedonasve se shqiptarët statusin e pakicës më tutje nuk e durojnë dhe nëse nuk realizohet përcaktimi dhe kërkesat e popullit shqiptar për barazi me maqedonasit, atëherë shqiptarët do të kërkojnë opsion tjetër, e ai është lëvizja për rikthim të Shqipërisë Etnike dhe në moment kur të realizohet projekti i Shqipërisë Etnike, atëherë është mirë ta paramendoni statusin tuaj ku mbeteni. Por unë kam bindje se atëherë ju përfundimisht do të përfundoni në tendencat e historisë tuaj. Por për atë nuk do të jenë fajtorë shqiptarët por ju, sepse ju me qëndrimet tuaja politike diskriminuese do ta detyroni popullin shqiptar të kapet për një projekti të tillë. Pas këtyre fjalëve e lëshova tavolinën dhe nisa të dal. Atëherë ai u çua dhe mu afrua, më tha se ka një lutje për mua. ,,Ju lus që me çështje politike, ju personalisht nuk është mirë të merreni dhe mund t’i shihni thjesht vetëm punët fetare”.
Unë iu përgjigja se: jam shumë i vetëdijshëm se çka duhet të punoj dhe veproj dhe për çka kam përgjegjësi, por ju më detyruat që lirisht mund të them se, prej sot në mënyrë ekskluzive do të merrem me politikë”. Dola nga zyra dhe prej atëherë me atë nuk kam pasur asnjë kontakt”, thotë Sulejman Rexhepi.
SIMPOZIUMI QË NGRITI NË KËMBË KOMBIN
Nga ana tjetër edhe Prof. Dr. Nebi Dervishi, Kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, për librin ,,Shqiptarët e Maqedonisë” vlerëson se është libri i parë voluminoz i këtij lloji, si dhe manual jo vetëm për historianët por edhe për linguistët, pasi që ky libër ndërthur në vete tema të ndryshme të cilat e vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë.
Prof. Dr. Nebi Dervishi:
“Unë kisha fatin të jem pjesëmarrës në atë simpozium që u mbajt katër ditë me radhë si mysafir i ftuar personalisht nga profesori im i respektuar Dr. Masar Kodra dhe dua të theksoj se të gjitha punimet që u lexuan në këtë simpozium, ishin të bazuara dhe argumentuara në mënyre studimore dhe shkencore, të cilat hedhin dritë mbi aspektet më të rëndësishme të historisë politike, etnike e kulturore të popullsisë shqiptare në trevat e tyre amtare. Më pas këto punime u përmblodhën dhe në redaktimin e Prof. Dr. Kristaq Priftit dhe Prof. Dr. Masar Kodrës dhe të tjerëve, u përmblodhën dhe u botuan në një vepër të vetme voluminoze, e cila jo vetëm atëherë, por edhe sot na shërben si një manual i vërtetë historik dhe linguistik”, thotë z. Dervishi, i cili më tej shton: “Është i patjetërsueshëm roli i Reis ul Ulemasë së atëhershëm Sulejman efendi Rexhepit, i cili jo vetëm që hapi zemrën dhe ambientet e Medresesë ,,Isa Beu”, për katër ditë rresht, por pa përkrahjen e tij si financiare ashtu edhe morale, kjo vepër asnjëherë nuk do ta shihte dritën e bardhë”. Prof. Dr. Nebi Dervishi gjithashtu kujton edhe peripecitë nëpër të cilat kaloi botimi i kësaj vepre.
“Me vetë faktin se ky ishte simpoziumi i parë pas ardhjen së sistemit pluralist në vendin tonë, disa qarqe shprehën frikën e tyre dhe reaguan menjëherë për të vënë stërkëmbëzat e tyre. Vetë fakti se në këtë vepër u trajtuan argumente nga sferat e arkeologjisë, antropologjisë, gjuhës, etnologjisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, nga periudha të ndryshme kohore, duke u nisur nga lashtësia e deri më sot, ishte një pengesë për ata që përpiqeshin t’i paraqitnin shqiptarët ndryshe, apo si ardhacakë. Vetë fakti që fliste se kishat dhe manastiret e ndërtuara në kohërat e mesjetës në Maqedoninë Perëndimore janë edhe shqiptare, sepse para se të islami të vinte në Ballkan, ne shqiptarët kemi qenë të krishterë, bëri që në atë kohë të vihen në lëvizje shumë qarqe për ta penguar këtë gjë. Madje në libër janë trajtuar edhe argumente të cilat flasin qartë se para se Islami të vinte në Ballkan, shqiptarët rritet e tyre fetare i kanë kryer pikërisht nëpër ato kisha e manastire. Dikujt nuk i pëlqen kjo gjë dhe përpiqet t’i fsheh këto të vërteta. Rasti më i fundit është edhe djegia e Manastirit Mbigur, në të cilin nuk u dogj material me vlerë prej pesë milionë euro, por u dogj material vlera e të cilit nuk mund të përcaktohet me para. Shumë libra që kanë vërtetuar historinë e popullit të rajonit të Dibrës, kanë shkuar në pakthim me atë zjarr”, shpreh shqetësimin e tij profesor Dervishi.
PËRFUNDIM
Që në hapat e parë të themelimit të saj, më 19 gusht 1990, Bashkësia Kulturore Shqiptare u ndesh me pengesa të shumta nga pushteti i asaj kohe. Me mos regjistrimin e kësaj organizate, organet e pushtetit dhe disa struktura të caktuara intelektualësh dhe përfaqësuesish të partive politike shqiptare u munduan që ta pengojnë çdo aktivitet i cili ua ,,rrezikonte” pozitat e tyre në pushtetin e asaj kohe. Megjithatë, drejtuesit e kësaj organizate të vetëdijshëm për përcaktimet programore, gjetën me çdo kusht rrugë dhe mundësi që veprimtaria e saj të mos ndalet, edhe përkundër faktit se procedura për regjistrimin e kësaj organizate, në organet administrative dhe gjyqësore të Maqedonisë, ish RSFJ-së dhe organizmave ndërkombëtare, vazhdoi deri në prill të vitit 1993, me regjistrimin e kësaj organizate si subjekt legal në Republikën e Maqedonisë.
Këto rrethana ndikuan që edhe përkundër faktit se Bashkësia Kulturore Shqiptare ngriti iniciativën, e organizoi dhe i koordinoi të gjitha aktivitetet për mbajtjen e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, ana formale e mbajtjes së këtij manifestimi shkencor u realizua përmes dy subjekteve të tjera të regjistruara, Shoqatës së Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe me seli në Tetovë dhe të Bibliotekës së Medresesë ,,Isa Beu” në Shkup, ndërsa barra për përgatitjen e materialeve të Simpoziumit dhe botimi i librit me punimet e këtij Simpoziumi i takoi Këshillit botues dhe Meshihatit të Bashkësisë Islame në Maqedoni. Megjithëse, siç pohon edhe vetë drejtuesi i saj, Sulejman efendi Rexhepi, mjetet financiare për botimin e këtij libri janë siguruar nga qytetarë shqiptarë, kryesisht nga Tetova dhe Shkupi.
Me këtë rast u shprehi mirënjohje të veçantë, sidomos Shoqatës së Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, me seli në Tetovë, të udhëhequr atë kohë nga profesor Vehbi Bexheti, drejtuesve të Medresesë ,,Isa Beu” në Kondovë të Shkupit, Bashkësisë Islame në Maqedoni, nën drejtimin e Reis ul Ulema Sulejman efendi Rexhepi, i cili u kujdes për botimin e punimeve të këtij Simpoziumi dhe sidomos anëtarët e Këshillit organizues të cilët me muaj të tërë punuan me përkushtim për organizimin e Simpoziumit ,,Shqiptarët e Maqedonisë” dhe përgatitjen e materialeve të tij për botim.
(FUND)

**********************************************************

PJESA E PARË:
ABDULLA MEHMETI: SIMPOZIUMI SHKENCOR QË E KRIJOI PLATFORMËN KOMBËTARE PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3090

Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni: Tribunë shkencore në 85 vjetorin e Kongresit të Manastirit (1993).

Shkup 1993: Një aktivtet Kombëtar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura