QERIM PLLANA: KU ËSHTË, A FRYMON DIKU UKSHIN HOTI?! UKSHIN HOTI I GJALLË APO I VDEKUR QOFTË, ËSHTË HERO I KOMBIT!

Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – Ku është, a frymon diku z. Ukshin Hoti? Pse Serbia u tregua aq e pamëshirshme me personalitetet shqiptare! Pse vrau dhe zhduku aq shumë patriotë, intelektualë e burra të kombit shqiptar 100-vjetëve të fundit!? Vërtetë ne patëm fqinjë tepër të egër, mosmirënjohës dhe tepër antishqiptar, sidomos Serbinë në veri, qysh me okupimin e Kosovës etnike, duke filluar nga viti 1877, në veçanti pas 1913-së.
Ne sot, në 10-vjetorin e zhdukjes pa gjurmë të z. Ukshin Hoti, tubohemi, flasim dhe përkujtojmë atë 16 apo 18 majin, e vitit të kobshëm të ndodhur në Dubravë më 1999. Jo vetëm me zhdukjen pa gjurmë të Ukshinit, por edhe të masakrimeve të 173 shqiptarëve të tjerë, të zënë peng në atë kasaphane. Aty u vranë dhe u masakruan në emër të NATO-së! Shumë djemë të rinj, njeri ndër ta, mbase më i riu, Sefedin Rrahman Hoti, nga fshati Siboc i Kastriotit. Ndërkaq pak para kësaj katarze, nga Burgu i Dubravës mëngjesin e një paradite të së dielës, më 16 maj 1999, u nxor Ukshin Hoti, për të cilin deri me sot, nuk dihet asgjë prej gjëje, nuk ka asnjë gjurmë të tij. Frymon ai apo jo!? Ky intelektual i rrallë i kombit shqiptarë, i burgosur për herën e tretë, bie mbase në duar të atyre, të cilët kishin porosinë që ta zhdukin pa gjurmë e pa nishan! Apo t`ua dorëzojnë urdhënësve kriminel në Beligradin e urryer tashmë nga shumë ballkanas, por edhe qytetarë të botës! Prandaj, Serbia, për të gjitha kohërat e ardhshme, do të jetë përgjegjëse jo vetëm morale, por do të mbajë përgjegjësi shtetërore, që të jep përgjigje për këtë, dhe intelektualët e tjerë, sidomos për këtë intelektual të rrallë.

Ukshin Hoti në mesin e familjarëve.

I ngritur, i shkolluar dhe specializuar në Universitetin amerikan në Chicago, Harvard, në Boston si dhe në Wachington D.C. të SHBA-ve. Madje jo vetëm për Ukshin Hotin, por edhe për 60 intelektualët e tjerë të Krushës, në mesin e të cilëve edhe dr. Fahredin Hoti e shumë të tjerë anë e mbanë Kosovës. Ukshin Hoti gjatë jetës së tij si mësimdhënës, u dënua tri herë. Kurse me 17 maj të vitit 1994, u dënua me pesë vjet burg të rëndë politikë. Arsyeja; sepse ishte pjesëmarrës i Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Gjë të cilën e kishte mbrojtur qysh gjatë dhe pas ngjarjeve të vitit 1981. Kur e burgosën dhe e dënuan me 9 vjet burg të rëndë politikë. Ekzistojnë një mori spekulimesh, por edhe të vërtetash, se Ukshini, herën e tretë ra në burg edhe me ndihmën e kolaboracionistëve shqiptarë! I cili, u burgos vetëm një ditë pa e pranuar detyrën e Kryetarit të UNIKOMB-it.
Herën e tretë pas gjykimit dhe dënimit, Ukshini u gjend në disa burgje të Serbisë, për t`u sjellë së fundi në kasaphanën e Burgut të Dubravës. Me 16 maj të vitit 1999, e diel, Ukshinit iskadonte kohëzgjatja e burgut, dhe ai duhej që atë ditë, të lirohej nga burgu. Vetëm pas tri dite të nxjerrjes nga burgu dhe të humbjes të çdo gjurmë të këtij intelektuali, në Burgun e Dubravës ndodhi masakra e llojit të Tivarit të vitit 1944 në Mal të Zi. Në këtë burg u masakruan 173 burra, djem të rinj dhe të moshave të ndryshme të zënë peng nga forca fashiste serbe gjatë dhe para bombardimeve të NATO-së. Logjika e shëndoshë e çdo njeriu duhet të kuptojë se hakmarrjet serbe ndaj shqiptarëve kanë qenë, jo vetëm barbare, shtazarake, por fashiste dhe skizofrene. Në Krushën e Madhe, kriminelët fqinjë me skenarët e kryekriminelëve nga Beogradi u hakmorrën kundër fshatit të Ukshinit, duke i vrarë dhe masakruar 100 burra, kushërinj të tij, së bashku me të atin dhe të vëllain, mjekun Fehradin Hoti dhe të 60 intelektualëve tjerë të kësaj familje të gjerë të të dy Krushave. Nga këto dy fshatra e pësuan brenda më pak se 24 orë, mbi 300 viktima, të një masakre mizerabël, e cila do t`u paraprijë në masakrimet e tjera në tërë Kosovën e periudhës 24 mars, 12 qershor 1999. Pra brenda vitit 1998 – qershor1999, Kosova humbi mbi 14 mijë viktima martirësh të të gjitha moshave, gjinive etj, dhe mbi 2700 luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vazhduar edhe pas “çlirimit të Kosovës”!
* * *
Takimet e mija me z. Ukshin Hoti, kanë qenë të shumta, sidomos pas lirimit të dytë nga Burgu. Në një zyre time, ku kryeja detyrën e përkthyesit në gazetën “Kosova”, të ish-Elektroekonomisë së Kosovës, pas kthimit të Fehim Hotit nga Belgjika, atë nuk e pranuan në vendin e drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Kastriot. Prandaj ai erdhi një si bashkëpunëtor i informimit në këtë Redaksi, madje atë e sollën në zyrën time. Gjatë asaj periudhe, z. Ukshin Hoti, meqë Feimin e kishte djalë axhe, ai vinte në vizitë të paktën njëherë në javë sa qe në “liri.” Kështuqë, ne jo vetëm se u njohëm drejtpërdrejtë, por u miqësuam dhe u dakorduam për shumë çështje të së ardhmes. E di fare mirë se sa herë ka ardhur z. Ukshini tek ne, (alias në zyrën time), ne kemi qenë nën një survejim dhe përcjellje të rreptë nga sigurimi dhe spiunë shqiptarë të asaj kohe. Madje kishte raste, posa e përcillnim Ukshinin nga zyra dhe objekti i drejtorisë së përgjithshme të ish-Elektroekonomisë, fillonin të binin telefonata nga persona të njohur dhe të panjohur.
• “E keni zotëriun ende aty”.
• “Ai po pengon me ardhjen e tij”,
• “çfarë keni z. Pllana me të”! etj. etj.
Por, unë me ndejat, bisedat dhe mendimet reciproke me z. Ukshinin, tek ai kam gjetur njeriun më të fuqishëm pas z. Adem Demaçi sa i përket guximit dhe të së ardhmes së kombit shqiptarë. Gjatë, fillimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, z. Ukshini u gjend për herën e tretë në burg. Është me interes të theksohet për opinionin se z. Feim Hoti, si djalë axhe që e kishte, e donte dhe e respektonte pa masë, edhe përkundër moshës më të re të Ukshinit, dhe aty-këtu të ndonjë ndërhyrje familjare reciproke të tyre në mes vete etj.
* * *
Më kujtohet njëra nga bisedat, kur Feimi i tregoj për Remziun (Bakallin), se ai është i interesuar të bën çmos për ta larguar nga Kosova drejtë SHBA-ve. Për shkak se biseda mori konotacione paksa konspirative, unë pa lejen e të dyve, kam dalë nga zyra, meqë Ukshini reagojë bukur ashpër. Megjithatë, jam bind me vizitën e Feimit, të cilën na e bëri me 14 maj 1999, gjatë bombardimeve në familjen time se ai e donte atë pa masë. Thëniet tjera mund të jenë vetëm spekulime. Këtë vizitë unë e kam konsideruar si shqetësim të pa masë të të ndjerit Feimi për fatin e Ukshinit, i cili dhe për të cilin, ai e kishte një ide më pak sesa informatë, se Ukshini duhej të lirohej me 16 ose 18 maj të vitit 1999, nga Burgu i Dubravës.
Me sa e kam kuptuar, ai e kishte parandie rrezikun për Ukshinin, me të liruar të tij. Jam përpjekur për t`i dhanë ndonjë kurajë zotëriut. Se Ukshinin nuk do ta likuidojnë, sepse ai atyre (pra serbëve), mund t`u shërbejë për ndonjë këmbim, robërish lufte, mbase qarqet ndërkombëtare e sidomos ato amerikane do të ndërhyjnë etj. Mirëpo, për mua ishte befasia më e madhe, që z. Feim Hoti nuk kishte asnjë informatë për krimet, masakrën dhe vrasjen e nipit, djalit të të vëllait – Fehradinit, por as për vdekjen e të vëllait, i cili me ata të cilët, kishin arritur të kalojnë në Kampin e Kukësit, ai (i vëllai i Feimit), posa kishte dëgjuar për masakrën dhe masakrimin e të birit, nga pika në zemër kishte vdekur në Kamp. Unë për këto ngjarje kisha informata, por nuk pandehja, që Feimit t`i thosha çkadoqoftë, nga ato ngjarje të dhembshme dhe meskine, të cilat kishin ndodhë javë më parë në Celinë, në të dy Krushat, Rahovec etj. Atë ditë e di se kemi ndejtur afro 4 orë në shtëpinë time në Emshir. Kurse biseda kryekëput është zhvilluar rreth Ukshinit, dhe hallit, se si do t`ia bëjë ai, deri sa të largohet të paktën në Shqipëri. Një pjesë e kësaj historie të shkuar, por tepër të dhembshme është edhe në librin tim, i cili pritet të dalë së shpejti nga shtypi me titull: ”Bashkimi kombëtar rruga e vetme e zhvillimit shqiptar”.
Së fundi çdo patriot shqiptar e do që z. Ukshinin, ta kemi të gjallë! Por, edhe nëse jo, për eshtrat e tij për jetë të jetrave, përgjegjëse është shteti serb, që t`i gjej dhe t`ia dorëzojë, shtetit të Kosovës dhe familjes të Ukshin Hotit! Sepse, Ukshin Hoti i gjallë apo i vdekur, ai është hero i kombit dhe atdheut! Por, për atë, duhet ditur se ku prehet, apo ku gjendet ai, gjurmët dhe fryma e tij. Për këtë ka njerëz në hierarkinë milosheviqiane dhe postmilosheviqiane, që fare mirë e dinë, se çka ndodhur me historinë e këtij njeriu. Sepse, ai duhet shpallur hero, i vdekur apo i gjallë qoftë Ukshini. Mënyra se si të zbardhet fati i tij dhe i shumë të tjerëve, i përket jo vetëm shtetit të Kosovës, por edhe qarqeve ndërkombëtare! Për arsyetimin pse duhet të angazhohen dhe institucionet më të larta shtetërore botërore, për fatin e Ukshinit, Bardhylit (Çaushit – sh.b) dhe atyre që u pushkatuan, mund të flasim me muaj dhe ditë. Pra, për arsyen e ndërhyrjes të faktorit ndërkombëtar bashkë me atë shqiptarë, si obligim më parë njerëzor e pastaj edhe zyrtar!

Prishtinë, Maj 2009

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura