Nga Rexhep Kasumaj, Tetor 2022, Berlin
Qorr-foltarët dhe një pllakë përkujtimore…
(Mbi lutjen për të keqen)
1. Kujdestari doktrine
Rrugë e bukur ishte në qytetin tim P. Nuk e di si quhej. Mbase nuk pati kurrë një emër.
Por ishte e bukur sepse aty, në anët e saj, soste ngadalë rrëmuja qytetëse.
Mëtej vinin blerime, qetina të vogla, kodra shtëpish me shtigje elegante dhe ajri i thekshëm që ftonte drejt grykës së njohur të Gërmisë.
Në gjysmën e saj, majtas, e mezidukshme, ndodhej një shkollë. Krejt e tjetër nga të rëndomtat gjithandej. S’kishte lule, zile që binin në mjes, zëra fëmijësh, prindër që i prisnin…Dhe mësimet, në formë seminaresh, zgjasnin shkurt. E shumta një vit. Veçse një vit i rëndë. Punë e disiplinë e lodhshme, por krenare si askund.
Këtë shkollë, ndaj, ndiqnin të tjerë. Burra e gra që linin pas stinën e rinisë herake. Natyrisht, nuk mësonin shkrimlexim. Shkronjat i dinin qyshkur.
Por, për të frekuentuar atë, nuk këshillohej të dinin më shumë se kaq. Sepse, thjeshtë, dija është ëma e dyshimit dhe dyshimi, si shkruan Aristoteli, hap i parë drejt së vërtetës.
Po ç’ishte ky kolegj i rrallë?
Ishte shkolla e partisë që, ndryshe, i thoshin Qendra e arsimit marksist. Aty, brenda muresh të saj, ligjërohej kalitje e kujdestari doktrine. Farkoheshin kuadrot e ardhshëm të partisë dhe vigjëlohej edukata komuniste që bënte thelbin, kuptimin dhe dogmën e rendit shtetëror.
E shumë, sa shumë roja të revolucionit mësynin plot vullnet, entuziazëm e çelnikosje rravgimeve të arenës së nderë politike.
Madje, të tillë, të moderuar për kohën e dytë, i gjejmë ende sot tek hedhin helm të fshehur, si do thoshte Niçe, n’për puset e jetës…
Kujtova, disi vetishëm këtë shkollë të vjetër, ndërsa lexoja një akt, një maskë të saj, zbukuruar bizhuterie mondane.
Lidhja demokratike e Kosovës, paskësh rinovuar frymën e saj. Në ngrehën strukturale, tashmë, vepron një shkollë që gatit anëtarë e funksionarë për betejat e rrëmetshme politike.
Në fakt, është një institucion i trashëguar, sepse a nuk gjendet kjo parti tash afro 70 vjet në politikë aktive e pushtet?
Ndaj dhe gjithçka është e njohur: kurset, linja partiake, leksionet, përplasja e aplikantëve dhe, sidomos, ligjërimi periodik, në kufi nderi, i krerëve të partisë!
Kështu e stisur, ajo mëson ideologjinë putane të shumë ftyrave, kronikën e rreme të lavdisë dhe braktisjen e skrupujve për të hipur shkallët e fuqisë së eprore.
E pra, flakëruar në flamuj e zjarre të shumtë, Ldk-ja inauguron sërish e vazhdimisht kulturën e hipokrizisë, dhunës (i kujtoni karriget fluturake?), mashtrimit dhe, njëkohësisht, vokacionin e përshtatsisë së ultë shërbëtoreske: në mote qetësie, ashtu si në mote stuhie!
2. Lutja meskine
Historia thuase kish ndaluar pak. Siç do të shihej më pas, vlonte për një kapitull të ri, fletët e të cilit do t’i shkruante gjaku shqiptar.
Arbëri verior shumëherë është identifikuar me historinë përmes humbjes. Kështu, e përsëritur, do pllakoste zinë dhe midiskoha e viteve 90-të. E, ndërmjetëzash të tilla, ironia e jetës pret, rëndom, orën e lulëzimit të saj.
Në shuarjen e përgjithshme si asgjëja e vdekjes, akoma, me frymën e fundit, gjallonin ca kooperativa në zonat e thella rurale.
Njëj fushate spastrimi nga demoni indipendist, iknin udhëheqjet e ndërmarrjeve dhe, në vend të tyre, si “masë e dhunshme” survejimi, vinin të tjerë që kapnin çastin e gjatëpritur.
Një punëtor kooperative, N., diku në Dukagjin, kishte dhe ai dertin e vet të vogël. Rivalitet, shans i ngritjes, hatërmbetje, madje një ndjesi refuzimi ndodhin kudo e përherë.
Por mënyra e tij për t’a lënë pas, ishte poshtërake. E ligë si kohëngrirja dhe e pamoral si kumti i saj.
Një koleg pune, F., paskësh qenë i zoti në punë. Kish bërë përpara në karrierë. Ky, në fakt, i njihte aftësinë e tij. Dhe pikërisht këtu fillonte smira e, më pas, deshpërimi që e gërryente përtokë. Nuk besonte dot që, një ditë, t’a shihte të rënë. Megjithatë, e dishronte ëndshëm mbrëmjeve kur shpresa ngroh lehtas pranë oxhakut të tymtë.
Ndaj dhe një natë vendosi të lutej. Jo lartë, drejt qiellit. Ishte lutje e përçapjes tokësore. Dhe forma e saj dukej brutale. Gati një tis i hollë lojalizmi të mbuluar.
Shumë do të doja, më tha pa ngurrim pasditen e një të diele pranë bredhit kujtesëlashtë, teksa kaloja andej udhës për P., që dhe tek ne të vendosen masat e dhunshme!
Si, e pyes i habitur? Pse, kur ju, falë Zotit, akoma jeni në punë dhe fitoni bukën për fëmijët. U bëra kurreshtar dhe, nga një shenjë mosbesimi që ndjeva, do t’a pyesja prapë: vërtet pse thua, pse lutesh për keq?
Përgjigja e tij ishte cinike dhe e mnershme: për inat të F., tha prerë e gjithë vner!
Ika duke e lënë në mizorinë e gjakimit të vet.
Dita ishte thyer dhe një natë e gjatë pa hënë binte ngadalë…
3. Qorr-foltarët e zinj
Porse ëndja e pashpresë e kooperativistit të humbur skutash periferike, do shtegtonte në takim të ri kohësh. Dhe, pabesueshëm, do shndërrohej në metaforë të përzishme të tyre…
Muzgu i një dite të sertë erdhi plot prehje dhe ndjesë. Ndërsa kërkoja muzikën e bukur e të përmallshme arbreshe, u gjendem përballë një paneli opinionistësh të xyfur. Lëre pak, tha ime Zonjë, të shohim se ç’thonë.
Skenë e ngjashme kooperative: me dijen dhe moralin e saj. Por tani, anise në studio (tv-D) dhe ditësh të diellta republikane,
“puset jetës” (niçeaniste) nxinin gjithnjë plot…
Ishte klientelë e përhershme. Po ato britma, po ai turr zogorie (njëj përjashtimi të rrallë), po ajo injorancë lapidare dhe po ato vullnete negative për ardhjen shpëtimtare të së Keqes.
Tema ndehej e vështirë si një dilemë jetike që rrah portat e madhështisë.
Marrëveshja e përfolur e paqes me Serbinë dhe, pararoja e saj, targat e Sllobodanit, ishin aksi i tyre. Kryeteza që hidhej në log duhej të justifikonte pretendimin ingjenioz: Kurti qeveritar s’ka të drejtë të ndryshojë nga Kurti opozitar!
Paskësh qenë kundër dialogut dhe s’duhet të negociojë, mandej paskësh qenë kundër targave dhe s’duhet t’i lejojë!
Tani dilema e paqenë dhe teza e shpifur – a nuk vdisnin logjikën dhe varrosnin arsyen? Dhe a nuk thotë Horaci se, përmes ndryshimit shtyjmë tutje kufijtë e njohjes?
Ndryshimi i realitetit ndryshon qasjen, konceptet, taktikat, vetë filozofinë politike. Nga dijet e mia, nuk njoh prijës të botës së lirë që në miljeun e ri, të jetë barrikaduar humbshëm në strategjinë e vjetër!
Kur bën një pikturë (evokojmë elokuencën e figurshme të Monteskjesë) s’do rrish prorë ulur në soditje të bukurisë, por do lëvizësh për t’a parë nga të katër anët…Posi krijesat e hallpakta republikane që priren drejt korrupsionit dhe prishjes…
Mirëpo tehu që godet vjen nga një vorbë tjetër: nga myku i ndërgjegjes shtetërore! Myk që ruan ende simptomat e shkuara parapolitike…
“Po ta njihnit, s’do t’i rezistonit tundimit për të shkruar një tregim për të”, i flet Markezit pronari i një hoteli vjenez. Por, kur autori i madh e pyet se me ç’merrej ajo, i’a kthen keqardhshëm: asgjë, shihte ëndrra!
Ç’paralele interesante!
Ndërsa znj. Frida, një mërgimtare Karaibesh me emër të huaj, shihte ëndrra për të tjerë në gjumë dhe rronte nga to, këta medialistët e Prishtinës, shohin ëndërr syçelur për veten e tyre. Dhe shohin një të vetme! Të rrallëparë. Të sëmurë. Një makth të pambarim.
Skema e kult-ëndrrës që, tashmë, merr trajtën e një vëllezërie të qorr-foltarëve opozitarë, ka dy thika në orvatjen idhnake për të mbyllur çdo dalje nga labirinthi fatal.
Ana e parë: Premieri të mos ndryshojë, e pra t’i thotë jo Amerikës. Mirëpo, si dihet, amerikanizmi i tyre është spekulativ. Do brohorasin përjargshëm emrin e saj vetëm për aq sa konfrontimi do çonte në rrëzimin e tij vetë. Dhe tjetra, nëse mëdyshet racionalisht, daullet gënjeshtare janë vënë në gatishmëri alarmi që, me lehtësinë idiote, t’a shpallin disfatist trathtar!
Ndaj dhe, humnera e thellë etike e kombëtare që i ndan është mesazhi i saj unik: le të përmbyset Kosova në mënyrë që bashkë me të, të përmbyset dhe Premieri që u ka zënë fronin.
Ndonëse shpirtësia e saj ishte e njëjtë, ëndërrmjera e punonjësit të kooperativës, e pagjasë siç ishte, do tretej e digjej pa lënë gjurmë jete. Ndryshe prej saj, vërshima e organizuar politike e një klase medialistësh, është vitale, dinake dhe agresive në caksynimin e vet. Ndaj, në të gjitha ekuacionet e errta, eksponentët e vulgut, fanar prijës kanë një dhe të vetëm: të rrëmojnë themelet e krijesës vet.
Nga një mendtar Europe, do të lexoja (“Kryeveprat politike të botës”) se qëndrueshmëria e institucionit bën të qëndrueshëm më të mirin prej nesh. Dhe në galerinë e të mirëve këta s’mund të aderojnë assesi. Janë larg saj, si thundrat larg yjëve.
Të tillë, pra, antihistorikë të thekur, ata kanë rezervuar, tashmë, pluhnajën e harresës…
4. Kompromisi? Një pllakë përkujtimore!
Fundshtator. Viti 1938. Mbi Mynih bënte pak ftohtë. Por më shumë se jashtë, në dritare, në drurët, në qelqnajë a në frymën e kalimtarëve, ajo ishte brenda ledhesh t’një salle që prente fate popujsh.
Në këmbim të paqes në Europë, Hitleri (ku do hidhnin firmën dhe premierët italjan, francez dhe brit) realizoi të drejtën e aneksimit të Landit të sudetëve, territore sovrane të Çekosllovakisë.
Por lufta do përndizej më shumë akoma. Berlini ariozofik trathtoi firmatarët e marrëveshjes. Një vit më vonë (mars 1939), do të pushtonte gjithë Çekosllovakinë. Mandej, pa vonuar, (shtator, po ai vit) Poloninë dhe Europa mbarë binte shpejtësisht në vargorët e Gjermanisë.
Nga kjo arsye, Marrëveshja e famshme e Mynihut do të quhej “Fauler-kompromiss”!
Kuptimi i saj ishte: për të dalë e fituar, një nga palët do fshehte kartën e vet kryesore. Dhe, a nuk fshehu Adolfi kartat e “Rajhut mijëvjeçar”?
Dy vjet më vonë. Fundmaj, 1940. Pranvera kishte hapur petalet e saj. Lulnajë e diell i kursyer verior, nuk parathoshin verë zallahie. Por, pas dremitjes dimërore, ishin zgjuar sërish shpirtërat e truar të Europës.
Premieri brit, emërmadhi Churchill, që kishte tre javë në zyrë, ndjente rrapllimën e tyre. Hijadhë i përftonin ushtritë dhe teoritë që kishin nisur plojën më mortore të të gjitha kohëve.
Ndaj dhe refuzonte idenë e pagjasë dhe përverse të ministrit të vet, Lordit Halifax. Por lordi ngulmonte me shpresë që, i trysnuar nga partia e vet, Premieri do merrte nismën e një kuvendimi të pamundur!
Kryediplomati besonte t’i shkojë fjala. Kishte afërsi me mbretin George i VI- të dhe ndërvegëza të fuqishme në shoqërinë e lartë. Do të kontaktonte, ndaj, Duçen që ai të ndërmjetësonte një syzim të Churchill-it me Adolfin e vetëhyjnuar. Premieri vështronte në dritare. Nga horizonti i zbrazët nuk i vinte asnjë shenjë. Dhe lëkundej. Por disfata e pikërishme dekurajoze e ushtrive brite në Francë, do të kthjellonte gjithçka.
Dhe ata nuk do të shiheshin kurrë.
Premieri tejpamës, nuk mund t’a bënte këtë tregtizë fatale. Kishte ndodhur, tashmë, njëherë, në Mynih dhe, mashtruese siç doli, i dha një të shtyrë gremine Britanisë dhe madhështisë së saj.
Por, së mbrami, jo kryenacisti i gjaksuar që priste t’i përligjej lufta për mbiracën e Rajhut të tretë, por pikërisht Churchill-i i paracaktuar për fitore, do mbetej heroi lavdiplotë i luftës!
Dhe tani: a i kanoset Kosovës një “Faul-kompromiss” me Hitlerin e vogël në Belgrad, pas të cilit qëndron Hitleri i madh në Kremlin?
Në fakt, vetë termi “Fauler…”, që, pak a shumë, dmth. “i çartur”, del nga një letër e Leon Trozki-t dërguar Leninit.
Në autobiografinë (kallnor, 1919) e tij, ai thekson se i paskësh bërë një telegram Leninit duke thënë: “Një kompromis është sigurisht i nevojshëm, por t’mos jetë i keq”. Ca vjet më vonë nga Lenini i erdhi një përgjigje parathënëse: “Stalini do t’bëj një kompromis të çartur (të prishur, kalbur), e pastaj do t’mashtrojë”!
Awishai Margalit, një autor i njohur Izraelit e cilëson çnjerëzore një Marrëveshje kompromisi të tillë! Madje ka shkruar një libër të shkëlqyer për të. Sepse, thotë, është krimi gjenocidal që rrëzon themelet morale të saj. E, tutje, vetishëm, të njerëzimit dhe botës.
Çfarë kompromisi duhet të ketë, atëherë, me doktrinarët e popullzhdukjes? Aq më pak kur bëjnë pusí kartat fshehatare?
Asociacioni serbian (anipse kooperativistët e sipërthënë do t’a firmosnin që sot, sepse adhurojnë kryeveprën e tyre politike) nuk është kompromis. Madje, as i keq, i prishur e mashtrues. Është, thjeshtë, ndarje territori e sovraniteti dhe, kësodore, një pllakë përkujtimore për shtetin shqiptar të Kosovës!
Në ç’relatë është raporti i fuqisë sot, krahasuar me raportin e fuqisë në messhekullin e kaluar që do kallte Europën?
Konstelacioni është i ndryshëm dhe Rusia, që i përkiste boshtit fitimtar, tani është vetë aksi i të keqes fashiste!
Por, aleanca e fuqisë përballë saj, është më e organizuar, më e kamur, më e moralshme dhe, pra, poaq, ose njëmijë herë më legjitime, se fronti çlirimtar i luftës së dytë!
Është, që këtej, pak e çuditshme pse peshorja e saj gjeopolitike i jep një rëndesë të pamerituar e kaq të ndjeshme Serbisë!?
Taktikat kanë dështuar tash njëqind vjet. Historia dëshmon një kotnajë të ledhkës, të lëshimeve ndaj Serbisë: sa më shumë lëmohet, aq më shumë kreshpërohet…
Kompromisi i vetëm i Kosovës është me aleatët, a më saktë, me botën e lirë. Kjo është Votra, Fati dhe Qytetnía e saj. Duke qenë, kështu, fitimtare e luftës dhe pjesë e kësaj hemisfere, Ajo nuk mund të sanksionohet njëj Dytësie përcoptuese që i bën gropën shtetsisë së saj!
Mirëpo, më parë se askush tjetër, këtë duhet t’a duan shqiptarët vetë, këndej dhe andej Alpeve me plisa bore!